Jo larg objektit aktual të shkollës fillore të fshatit Turiçec, banorët e shekujve të parë të erës sonë kishin ndërtuar vilë, e cila mund të ketë qenë edhe më impozantja midis kodrinave që gjenden 13 kilometra në juglindje të Skenderajt. Në gjurmë të saj është rënë krejt rastësisht derisa po punohej për hapjen e kanaleve të rrjetit të kanalizimit. Arkeologët thonë se sipas dëshmive të para bëhet fjalë për objekt të shekujve I e II, por Komuna e Skenderajt në lidhje me këtë rast nuk ka vepruar sipas Ligjit për trashëgimi kulturore
Në njërën prej kodrinave të fshatit Turiçec të Skenderajt, para gati dy mijë vjetësh ka zënë vend një ndërtesë goxha impozante. Bile, edhe në brendësi ishte e punuar me kujdes. Jo larg objektit aktual të shkollës fillore të fshatit, banorët e shekujve të parë të erës sonë, kishin ndërtuar vilë, e cila mund të ketë qenë edhe më impozantja midis kodrinave që gjenden 13 kilometra në juglindje të Skenderajt.
Në gjurmë të saj është rënë krejt rastësisht derisa po punohej për hapjen e kanaleve të rrjetit të kanalizimit në lagjen “Lutan”. Me të parë se mjetet e rënda po nxjerrin në pah gjetje arkeologjike, anëtarët e familjes Fazliu kanë thënë ta kenë informuar Komunën e Skenderajt si institucion dhe investitor.
Ekipi i Institutit Arkeologjik të Kosovës, i kryesuar nga drejtori Enver Rexha së bashku me arkeologët Milot Berisha e Elvis Shala e kanë vizituar lokalitetin të martën.
Të shoqëruar nga arkeologu Berat Ademi, i cili e ka njoftuar IAK-un, ata kanë ardhur në përfundim se bëhet fjalë për fragmente të strukturave të një ndërtese të shekujve të parë të erës sonë.
Copat e shtyllës së mermertë bashkë me fragmentet e afreskeve kanë zgjuar shumë interes tek arkeologët. Shpejt kanë ardhur në përfundim se bëhet fjalë për një vilë.
“Duke u bazuar në këto gjetje besojmë se vendbanimi i takon shekullit I ose II. Sipas shumë gjasave është fjala për një ‘Villa Rustica’. Duke u bazuar në materialin e luajtshëm dhe shtyllës mund të ketë qenë një vilë luksoze, që si krahasim mund ta marrim Dresnikun”, ka thënë arkeologu Elvis Shala.
Termi “Villa Rustica” ishte përdorur nga romakët për të emëruar një vilë të ndërtuar në fshat, e cila zakonisht ishte qendër e një pasurie të madhe bujqësore. “Rusticum” shërbente si mbiemër për ta dalluar atë nga një vilë urbane ose turistike. Vilat e tilla shërbenin si vendbanim i pronarit të tokës dhe familjes së tij dhe gjithashtu ishte një qendër e menaxhimit të fermës. Por ndërtesat e tilla, jo rrallë kishin edhe objekte të ndara për të akomoduar punëtorë të fermave dhe streha, dhe hambarë për kafshë dhe të mbjella.
Hapësira përreth vendit të gjetjeve është ideale për një vilë të tillë.
Pos shtyllave të mermerit, copa afreskesh, qeramikash e materiale të tjera janë disa prej gjetjeve
Fragmentet e qeramikës e pjesë të tjera janë të dhëna se lokaliteti duhet të jetë goxha i pasur. Është i evidentuar edhe në Hartën Arkeologjike të Kosovës. Janë afro 150 metra gjatësi e vijës së kanalizimit. Por gjetjet kryesore janë në oborrin e familjes Fazliu.
“Gërmimet arkeologjike të periudhës romake, pos qendrave të mëdha, viteve të fundit kanë fokus në zona rurale. Pra, pos zhvillimit urban, është po ashtu e rëndësishme ta kuptojmë se si ka qenë zhvillimi i jetës në pjesët rurale gjatë periudhës romake. Kjo na bën që të bëjmë një restituim më të mirë të periudhës antike brenda territorit të Kosovës”, ka thënë arkeologu Elvis Shala.
E drejtori i Institutit arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, ka thënë se do të ndërmarrin iniciativa për bartjen e materialit për studim të mëtejmë. Ka thënë se do të hulumtohet më tepër për arealin e fshatit Turiçec. Si areal arkeologjik, sipas Rexhës, Turiçeci ishte evidentuar qysh në vitet ’70 e më pas edhe më 2003, 2004 e 2008.
“Tash kemi më shumë dëshmi. Do ta vlerësojmë këtë lokalitet se si mund të veprojmë më tutje për ndoshta edhe vendosjen në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme e edhe për ndërmarrje të gërmimeve të karakterit klasik”, ka thënë ai.
Por në krejt këtë çështje, Komuna si institucion e edhe si investitor i rrjetit të kanalizimit nuk ka vepruar siç përcakton Ligji për trashëgimi kulturore.
punëve ndërtuese, nëse bëhet ndonjë zbulim arkeologjik zbuluesi ose investitori duhet të informojë institucionin kompetent menjëherë, por jo më vonë sesa në ditën pasuese nga koha e zbulimit. Institucioni kompetent ka tё drejtë që menjëherë të ndalë punët ndërtimore të filluara dhe tё ndërmarrë një studim vlerësues dhe shpëtues arkeologjik në vend për një kohë të kufizuar, që duhet të përcaktohet nga një akt nënligjor të bazuar në këtë ligj. Punët krijuese (ndërtuese) mund të rifillojnë vetëm pas lejes me shkrim nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin e 7-të të këtij Ligji, i cili është në fuqi qysh prej vitit 2006. Këtë e ka përmendur edhe drejtori i IAK-ut.
“Drejtoria Komunale në vendet ku di se ka potencial arkeologjik duhet të njoftojë. Në rast të njoftimit ne do të kishim mundësi që në mënyrë komode të përcillnim punën e bërë këtu për kanalizim. Por fatmirësisht kemi disa gjetje, që dëshmojnë atë në të cilën është hasur”, ka thënë ai.
Drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Skenderaj, Abdyl Ymeri, ka thënë se janë në dijeni për gjetjet e fundit arkeologjike në fshatin Turiçec.
“Ne do t’i vizitojmë gjetjet së bashku me Institutin Arkeologjik të Kosovës, pasi ata merren në mënyrë profesionale me ato. Ne si Komunë kemi një numër të madh të lokaliteteve arkeologjike, që paraqesin të kaluarën në këtë vend”, ka thënë ai.
Vetëm 16 kilometra më në veri të Turiçecit gjendet fshati Runik i Skenderajt. Në vitin 1968 aty ishte zbuluar një prej eksponateve më të rëndësishme të Kosovës, okarina. Eksponati i kohës i periudhës neolitike është instrumenti muzikor më i vjetër i zbuluar në këto anë. Prej vitit 1999 mbahet në Beograd bashkë me 1.246 artefakte të tjera, të cilat janë marrë për një ekspozitë të përkohshme e nuk janë kthyer më në Kosovë.