Kulturë

“Gjurmë të Qamilit të Vogël në muzikë” për emblemën e muzikës popullore qytetare

“Gjurmë të Qamilit të Vogël në muzikë” për emblemën e muzikës popullore qytetare

Etnomuzikologu Krenar Doli dhe profesori i historisë, Bestar Vula, e kanë sjellë figurën poliedrike të Qamil Muhaxherit prej krijuesi, interpretuesi dhe jo vetëm. Në “Mensën Ramiz Sadiku” në Prishtinë, ngjarja ka përkuar me 102-vjetorin e lindjes dhe 34-vjetorin e vdekjes së këngëtarit e kultivuesit të muzikës popullore qytetare

Jeta, veprimtaria e krijimtaria e një prej këngëtarëve më emblematikë të shekullit të kaluar në të gjitha hapësirat shqiptare dhe më gjerë, janë përmbledhur në monografinë “Gjurmë të Qamilit të Vogël në muzikë”. Etnomuzikologu Krenar Doli dhe profesori i historisë, Bestar Vula, e kanë sjellë figurën poliedrike të Qamil Muhaxherit prej krijuesi, interpretuesi dhe jo vetëm. Në “Mensën Ramiz Sadiku” në Prishtinë, ngjarja ka përkuar me 102-vjetorin e lindjes dhe 34-vjetorin e vdekjes së këngëtarit e kultivuesit të muzikës popullore qytetare.

Libri nis me historikun e vendlindjes së Qamilit të Vogël – Gjakovës – e më pas vijon me atë që në terma të etnomuzikologjisë njihet si aheng, por që ka të bëjë me shtresën e rëndësishme të repertorit të këngës qytetare shqiptare.  Aty është historiku i këtij ahengu.

Në kapitullin e dytë është jeta dhe vepra e Qamilit të Vogël. Kësaj etape të librit i paraprin thënia “Kush do me e njohtë shpirtin e shqiptarëve, le të mbledhë me kujdes kangët e tyre” të eksploruesit Huacunthe Hecquard. Aty përmendet krijimtaria e pasur me këngë të ndryshme si këngët e dashurisë, vajtimit, ato me karakter historik e ato me tematika sociale. Të gjitha këto elaborohen në këtë kapitull që përfshin edhe imazhet e albumeve voluminoze që përmbledhin krijimtarinë e tij.

Kapitulli i tretë sjell vështrimet e figurave të shquara mbi veprën dhe krijimtarinë e Qamilit të Vogël. Për të, në libër flasin profesorët Rexhep Hoxha, Hamide Stringa, Jane Sugerman nga Universiteti i New Yorkut, etnomuzikologu Bahtir Sheholli, Adem Zejnullahu, Ismet Peja, Zef Ludovik Çoba,  Bekim Ramadani, Esad Dujaka dhe Shaban Baksi.

Në kapitullin e katërt, autorët Doli e Vula kanë përmbledhur ngjarjet që ndër vite janë organizuar si përkujtim e nderim i veprës së Qamilit të Vogël.

“Jemi munduar, së bashku me Bestarin që krijimtarinë e tij të bujshme ta trajtojmë në disa aspekte, qoftë si krijues, si tekstshkrues, si interpret, qoftë si mbledhës, por edhe si autor i 11 libërthave prej vitit 1957 deri 1978 ku aty shtegton nëpër të gjitha viset shqiptare dhe mbledh folklorin e këngë të tematikave të ndryshme”, ka thënë Doli.

Ai ka thënë se nuk ka botime të tilla me këndvështrim analitik muzikologjik.

“Libra për Qamilin e Vogël nuk është se nuk janë shkruar, por janë shkruar për pikëpamjen e tij jetësore dhe për shumë dimensione, por në këtë këndvështrim analitik muzikologjik, nuk është marrë askush. Uroj që kjo punë e jonë të jetë një shtysë edhe për studiuesit e tjerë që do të merren dhe do ta kenë një bazament të qëndrueshëm për kontributin e tij të pamohueshëm në traditën muzikore shqiptare”, është shprehur muzikologu Krenar Doli.

Etnomuzikologu Bekim Ramadani ka thënë se libri “Gjurmë...” trajton aspekte etnologjike, psikologjike dhe etnomuzikologjike.

“Krenari dhe Bestari kanë arritur të shpërfaqin dhe të hulumtojnë këto këngë edhe nga ndërtimi i tyre muzikor, nga aspekti etnomuzikologjik. Shpërfaqin gjithë elementet e bukura që karakterizojnë këngët e bukura shqipe me vibratot, ornamentet, mënyrën e këndimit e të tjera, por duke folur gjithashtu edhe për aspektin monotik dhe për aspektet e tjera të karakterit heterofonik”, ka thënë Ramadani.

Duke folur për krijimtarinë e Qamilit të Vogël, ka thënë se ai me përulësi përkujtonte edhe mjeshtrit e hershëm nëpërmjet këngës, specifikisht përmend Ymer Rizën që ishte mësues i tij.

“Kujtonte ata të cilët në një mënyrë e kishin edukuar. Ai kujtonte me shumë respekt dhe dashuri mësuesin e tij, Ymer Rizën, të cilit madje i ka dedikuar një këngë: “Më ka marrë malli me ndigju”. Një këngë, vargjet e së cilës kemi vargje të ndjera dhe unë sa herë që kujtoj dhe evokoj për kohët e kaluara përplot dashuri, sinqeritet e muzikë të pastër shqipe, them: më ka marrë me dëgju mjeshtrit e mëdhenj të muzikës shqipe të cilët në njëfarë mënyre krijuan identitetin tonë”, është shprehur etnomuzikologu Bekim Ramadani.

E recensenti i monografisë, Albin Sadiku, ka thënë se ajo është me interes për shkencën, muzikologjinë dhe etnomuzikologjinë. Ka përmendur edhe metodat mbi të cilat është ndërtuar kjo monografi.

“Ata kanë shfrytëzuar metodat e të menduarit logjik që janë: analiza, sinteza, induksioni, deduksioni, ebstragimi, krahasimi për të arritur deri te përfundimi teoriko-shkencor dhe kësaj pune ia kanë dalë me sukses të plotë. Meqë ky hulumtim ka të bëjë me një temë të karakterit etnomuzikologjik”, ka thënë Sadiku derisa ka lexuar recensionin e tij.

Me zërin e tij të ngrohtë lirik të pastër, Qamili i Vogël i rrëmbeu të gjitha shtresat shoqërore jo vetëm te populli shqiptar, por edhe më gjerë. Ai jo vetëm që këndonte bukur, por edhe më bukur shkruante.

Do të bëhej shpejt jo vetëm njëri prej zërave më të njohur të qytetit të Gjakovës, po do të jehonte edhe më tej. Kontakti i tij i parë me një prej këngëtarëve të parë të këngës popullore, Ymer Rizën, e kishte shtyrë drejt rrugëtimit muzikor prej të cilit nuk u shkëput deri në ditët e fundit të jetës.

Ai u lind në vitin 1923 dhe vdiq më 23 shkurt të vitit 1991. Kantautori madje  kishte shkruar epitafin e tij, e më pas ajo do të kthehej në këngë. Kulmin e karrierës Qamili i Vogël e kishte arritur në vitin 1952 kur ishte bërë anëtar i rregullt i Orkestrës së Radio Prishtinës. Prej atëherë, zëri i tij melodik kishte depërtuar përtej qytetit të tij e krijimtaria e kantautorit sjell kujtime sa herë këngët e tij nisin të interpretohen.

Gjatë jetës së tij, Qamil Muhaxhiri kishte krijuar dhjetëra këngë të ndryshme dhe kishte mbledhur qindra këngë, të cilat i kishte botuar në 11 libra xhepi. Kishte bashkëpunuar me krijues nga të gjitha trevat shqiptare dhe kishte formuar shoqëri të ndryshme artistike muzikore. Qëllimi ishte përhapja e këngës së bukur shqipe.

Me kalimin e viteve, repertori i Qamilit të Vogël ishte zgjeruar e kështu ai parandiente se fundi po i afrohej. Në heshtje kishe shkruar epitafin për vete vetvetes dhe pasi e përfundoi ua dha familjarëve si amanet. Në të shkruhej: ”Kur të vdes, këtë vjershë t’ma shkruani në gurin mbivarror. Këtu mungon vetëm numri i viteve që kam jetu, e meqë s’e di kur do të vdes e kam lanë vendin zbrazët. Ju, shkruajeni numrin pasi të vdes dhe mandej e shkruani në atë gurin mbivarror”.

Pas vdekjes së tij, vjershës i ishte shtuar numri 68 që përcaktonte vitet e jetës së tij. Muzikanti Ylber Asllanaj bashkë me grupin “Corona” e kishin regjistruar këngën në studio me vokal të Violetë Kukajt. Kënga me titull “Vjersha ime” do të këndohej nga këngëtarja shkodrane Mukadeze Çanga.

E të hënën mbrëma, në “Mensën Ramiz Sadiku” atë e ka interpretuar si poezi aktori Jahja Shehu.

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se është detyrë e institucioneve që të mbështesin dokumentimin e veprës së atyre që kanë kontribuar për të mirëmbajtur vlerat e krijimtarisë artistike të vendit.

“Është një nga ato momentet kur kurorëzohet një punë e madhe serioze, në këtë rast e dy autorëve të cilët na kanë sjellë këtu edhe librin edhe albumin e njërit prej emrave më të shquar, më të mëdhenj, atë të Qamilit të vogël, Qamilit jo vetëm interpretues, por edhe krijues, e mbi të gjitha hulumtues e dokumentues i traditës dhe trashëgimisë sonë muzikore”, ka thënë Çeku.

Në ngjarjen ku është promovuar monografia, janë interpretuar edhe këngët e tij si “Fol se m ke në dorë” e “Pasha sytë e mi” nga grupi i muzikantëve të rinj “Rilindja”. Vajza e Qamilit të Vogël, Shqipe Muhaxheri, ka thënë se ndien krenari që kënga e babait të saj vazhdon të kultivohet, veçmas nga gjenerata e re.

“A ka më krenari për mua si familjare kur i dëgjoj këta breza të rinj që ripërtërijnë këngët e vjetra, kur shoh që shkruajnë, nxjerrin nga harresa. Kjo është krenaria. Me siguri babai pushon në paqe, por ne jemi krenarë që, pas sa e sa vjetësh, e shpresoj që do të kalojë edhe një kohë e gjatë, që këto këngë do të këndohen dhe do të mbesin dokument për muzikën e mirëfilltë shqipe”, ka thënë Muhaxheri.

Krijimtaria që ka lënë pas trashëgimi e bën figurën e Qamilit të Vogël të pavdekshme në historinë muzikore të vendit.