Kulturë

“Gjurmë” për vazhdimësinë e jetës zë lindjen në rreth

Përderisa po specializon në kirurgji plastike, estetikën e shkrin edhe në art. Amire Demolli me “Gjurmët” zbërthen anatominë e jetës. Te rrethi gjen simetrinë, por brenda tij kapërthen lindjen e cila vë botën në lëvizje të përhershme. Veprat e saj kapërcejnë nëpër disa cikle jetësore të cilat, të kthyera në forma konkrete përmes pikturës, nisin e lënë gjurmë në krijimtarinë e vetë artistes

“Gjurmët” në mënyrë simbolike, nëpërmjet një loje midis konkretes dhe abstraktes, kap shenjat e jetës. Kësisoj titullohet ekspozita e Amire Demollit, hapur të mërkurën mbrëma në galerinë e “Kultplus” në Prishtinë, e cila vjen pas nja shtatë muaj pas të parës, “E kaluara drejt përjetësisë – Artefakte”. Duket sikur Demolli nuk arrin të ikë nga artefaktet e gjurmët që lë njeriu. Me art ajo tenton të lërë edhe gjurmët e veta.

Lindja, foshnja, nëna, ngrohtësia familjare, lidhja e dashuria janë copëzat me të cilat ajo ka përthekuar ekspozitën e radhës. Me ngjyra të ngrohta e të ndezura, veprat e saj e fusin shikuesin nëpër disa cikle jetësore të cilat, të kthyer në forma konkrete përmes pikturës, nisin e lënë gjurmë në krijimtarinë e vetë artistes. Si formën më të thjeshtë e gjurmë të parë, Demolli përdor figurat nudo. Në qoftë se në fillim sytë të shkojnë e kapin trupat të cilët u ngjajnë atyre njerëzorë, një grimë përqendrimi heton të tillë trupa edhe te pikturat e saj abstrakte. Tërë këtë abstraksion Demolli arrin ta fshehë prapa formave gjeometrike në krye me rrethin. Nga dhjetë pikturat e ekspozuara, gjysma prej tyre kanë karakter të abstraktes e nga këto katër prej tyre kanë në trup rrethin, i cili paraqitet në masa e ngjyra të ndryshme.

Ndonëse dimensionet e dhjetë pikturave janë të ndryshme, për t’i punuar ato Demolli ka zgjedhur të njëjtën teknikë, akril në pëlhurë. Ngjyrat janë në funksion të afektit që i japin edhe ambientit.

“Ekspozitën e parë e kam pasur në korrik të vitit të kaluar dhe ajo ka qenë promovim i trashëgimisë kulturore, ndërsa kjo është pak më ndryshe nga ajo, si për nga tematika ashtu edhe për nga ngjyrat. Shumica janë ngjyra të ngrohta, të pastra. Këtu kam eksperimentuar më shumë me stilin dhe abstrakten”, është shprehur Demolli ende nën emocionet e hapjes së ekspozitës.

Siç ka pohuar, ka edhe disa piktura të tjera të këtij cikli, por që për shkak hapësirës së ngushtë nuk ka arritur t’i ekspozojë të gjitha.

“Këto ishin ato që i ka përzgjedhur kuratori dhe ka pasur edhe të tjera që më ka mbetur merak t’i ekspozoj, por që kuratori është ai që vendos në këto raste”, ka thënë ajo.

Përditshmëria e saj dallon shumë nga ajo e artistëve të tjerë. Demolli ka të përfunduar studimet për mjekësi, ndërsa momentalisht është duke përfunduar specializimin. Njëkohësisht ajo ka përfunduar edhe studimet për pikturë në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.

“Kur e kuptojnë që jam edhe mjeke e edhe merrem me art u duken si dy gjëra të kundërta, por drejtimi që e kam përzgjedhur në specializim, kirurgjia plastike rekonstruiste dhe estetike, është një drejtim që kërkon që të jesh edhe pak artist, sidomos pjesa e estetikës. Mendoj se e kam bërë një përzgjedhje shumë të mirë të specializimit me artin”, ka thënë ajo.

Por, pavarësisht sfidave, Demolli ka zgjedhur të mos e pengojë rrugëtimin në këto dy fusha.

“Megjithatë, po, është pak e lodhshme sepse unë punoj për çdo ditë. Zgjohem në orën 6, punoj 7 orë dhe shpesh më ka ndodhur që direkt të vazhdoj për në atelie, ku kam qëndruar edhe për 7-8 orë të tjera. Ndonjëherë edhe nga kujdestaria vazhdoj tërë ditën në atelie. S’është e palodhshme, por kur do diçka shumë, është më e lehtë”, është shprehur ajo.

Punën dhe përkushtimin e saj si artiste e ka vlerësuar lart edhe piktori Refki Gollopeni, i cili ishte edhe kuratori i kësaj ekspozite.

“Amirja është një piktore, artiste e re, e cila është në kërkim të stilit të krijimit të identitetit personal kreativ dhe krijues. Në këtë ekspozitë paraqitet me ciklin ‘Gjurmët’. Vetë fjala gjurmët nënkupton vazhdimësinë e jetës ose kalimin prej një kohe në një kohë tjetër, prej një hapësire në një hapësirë tjetër, kështu që edhe Amirja në këtë rast lëviz nga një cikël i pikturave në tjetrin dhe lë gjurmë në krijimtarinë e saj, por edhe neve si artdashës na jep mundësinë që t’i njohim trajtat e ndryshme të natyrës, dashurinë për nënën, respektin për femrën si qenie, e cila është simbol i lindjes, i kujdesit familjar”, ka thënë ai. Sipas Gallopenit, format abstrakte të piktores e cila lëviz me punën e saj kreative, tregojnë për një lindje të re e cila ndodh në univers.

Teksa ka thënë se piktura e saj do të lërë gjurmë në art, Gallopeni ka folur edhe për natyrën dhe veçoritë e pikturave të Demollit.

“Rrethi si forma perfekte e natyrës është simbol i simetrisë së plotë të hyjnores. Format e rregullta në këtë rast bashkëjetojnë me ngjyrën dhe imagjinatën estetike duke u lartësuar me kujdes në pikturë. Bota e re universale në qasjen abstrakte është përherë në lëvizje, në kërkim të lindjes së re në univers, duke e pasuruar kështu pikturën imagjinatave, që deri tani ishte e panjohur për ne, por Amire Demolli e konkretizoi imagjinatën dhe ndjesinë e saj në krijimtari duke lënë kështu gjurmë në art e që do të vazhdojnë të jetojnë”, ka vlerësuar ai.

I pranishëm në hapjen e ekspozitës ishte edhe piktori Hajrush Fazliu, i cili po ashtu vlerësoi lart punën e Demollit.

“Është një artiste që i takon gjeneratës më të re në rrugëtimin drejt formësimit të stilit, drejt afirmimit të saj, drejt gjetjes dhe eksperimentimit në fushën e pikturës dhe për të cilën besoj që një ditë, me vullnetin që ka, do të jetë një ndër artistët për të cilën do t’i dëgjojmë fjalët më të bukura dhe më cilësore. Kemi një artiste shumë unikate, e cila në jetën e saj ecën në dy drejtime, në art dhe mjekësi”, ka thënë ai.

Në fund të krejt kësaj, duke cituar vargjet e poetit Xhevdet Bajraj, “Barrë e randë për lindje të reja”, piktori Fehmi Hoxha ishte ai që në mënyrë solemne bëri hapjen e ekspozitës. “Gjurmë” do të qëndrojë e hapur deri më 7 mars.