Kulturë

Gjilani synon themelimin e Muzeut Etnografik

Komuna e Gjilanit, pos Muzeut të Qytetit, është duke zhvilluar procedurat për themelimin e muzeut të dytë, e që është Muzeu Etnografik. Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) në Gjilan në takimin që ka mbajtur të premten, i ka dhënë dritën e gjelbër iniciativës për themelimin e këtij institucioni muzeor, e që do të shqyrtohet në Kuvendin Komunal të Gjilanit dhe është në dorën e Kuvendit nëse do ta themelojë këtë muze. Qëllimi i themelimit të këtij muzeut është mbrojtja dhe prezantimi i identitetit lokal dhe kulturës së Gjilanit.

Muzeu do të zërë vend në Sarajin e Mustafë Pashës, një objekti i mbrojtur si monument i trashëgimisë kulturore që sipas disa shënimeve, është ndërtuar në vitin 1887. Gjendet në qendër të qytetit, e aty kanë vijuar procesin mësimor nxënësit e shkollës së muzikës.

Drejtoresha për Kulturë Rini dhe Sport, Deniza Limani, ka thënë se javën që vjen do të zhvillojnë një fushatë ku do të kërkojnë nga qytetarët të cilat kanë eksponate që ato t’i dhurohen Komunës, të cilat më pas do të vendosen në Muzeun Etnografik. Ka thënë se objekti ku edhe është paraparë të vendoset muzeu etnografik tani është në rehabilitim.

“Objekti është duke u rinovuar. Pra, është duke u punuar që të bëhet Muze Etnografik. Javën tjetër, do të dalim me një fushatë ku kërkojmë nga qytetarët të na sjellin eksponate të ndryshme të cilat i kanë në shtëpitë e tyre për ta pasuruar Muzeun Etnografik dhe Muzeun Arkeologjik. Kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Financave që të kemi 5 pozita në Muzeun e Qytetit dhe në Muzeun Etnografik. Pra i njëjti staf të punojë në të dy muzetë”, ka thënë ajo.

Etnologia Zanita Halimi, e përfshirë në projektin e muzeut etnografik të Gjilanit, ka thënë se brenda muzeut do të ketë hapësira për ekspozita të përkohshme, do të prezantohen veshjet tradicionale të banorëve veglat e punës si dhe do të prezantohen edhe materialet shpirtërore.

“Do të prezantohen edhe disa nga ato artefaktet në të cilat kanë besuar popullata ose familjet në përgjithësi, pra që lidhen me besëtytnitë. I kemi kushtuar edhe një pjesë drugdhendjes. Ka edhe materiale të tjera me anë të të cilave tregohet se Muzeu i Gjilanit nuk do të jetë sikurse muzetë në komunat e tjera”, ka thënë Halimi.

Sipas saj, Muzeu i Qytetit në Gjilan i cili ekziston do të rikonceptohet dhe eksponatet e etnologjisë do të barten dhe do të vendosen në Muzeun Etnografik. Muzeu i Qytetit u inaugurua më 2016 dhe zë vend në ish-objektin e Komunës.

“Tash Muzeu i Qytetit që ekziston është biseduar që të rikonceptohet dhe të jetë Muze Arkeologjik dhe mandej në disa dhoma të tjera do të ketë edhe histori për manifestimin ‘Flaka e Janarit’ si dhe histori për sportin. Kur i themi Muzeu i Qytetit, atëherë duhet të ketë më shumë disiplina. Ato eksponate të cilat janë në Muzeun e Qytetit që janë eksponate etnografike do të barten dhe do të vendosen në Muzeun Etnografik”, ka thënë ajo.

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Artan Hoxha, ka thënë se Komuna e Gjilanit ka marrë pëlqimin për rehabilitimin e objektit të mbrojtur.

“Projektin që e ka hartuar Komuna është duke e përshtatur për Muze Etnologjik dhe e kanë marrë lejen në komision. Ka vendim prej komisionit që është në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Për kohëzgjatjen e punimeve nuk kam informacion”, ka thënë Hoxha.