Kulturë

Gjiganti që vulosi historinë e muzikës shqipe

Derisa vetë nisi të luante në piano dhe e bija filloi interpretimin e këngës “Shqipëri o vendi im”, Avni Mula nuk vonoi dhe iu bashkua interpretimit. Është paraqitja e fundit e tij publike në fund të majit kur vizitoi sallën që mban emrin e tij në shkollën e muzikës “Servete Maçi” në Tiranë.

Me bastun në njërën dorë, e i mbajtur nga e bija Inva Mula në anën tjetër, këngëtari e kompozitori elitar ecte ambienteve të objektit mësimor. Ecja e tij si krijues e interpretues është e atyre njerëzve veprat e të cilëve bëhen kult.

Jeta e tij prej këngëtari bëri që të udhëtonte në shumë vende të botës. E, si krijues, është autor i veprave me të cilat shqiptarët prezantojnë kulturën e tyre anembanë globit. “Shqipëri o vendi im” është një nga këngët që dëgjohej në sfond gjatë homazheve të mbajtura për Mulën në hollin e Universitetit të Arteve në Tiranë të premten. Artisti vdiq të enjten. Ai ishte 92 vjeç.

I pakrahasueshmi

Në ballë të hollit të Universitetit të Arteve, pranë fotografisë bardhezi me portretin e tij si i ri, janë ndezur qirinj të zi. Familja Mula për tri orë radhazi ka pritur ata që kanë shkuar për homazhe.

Mula është përshkruar me fjalët më të zgjedhura, përderisa figura e tij është cilësuar si e pakrahasueshme sa u përket vlerave të artit muzikor në krijimtarinë shqiptare. Ishte një prej atyre njerëzve që ka lënë gjurmë kudo që ka shkuar. Nga Shkodra si fëmijë e deri në Moskë si student, e më pas në turne të ndryshme në botën e Lindjes, Mula ishte bartësi i roleve kryesore të operave, këngëtari më i spikatur i muzikës shqipe e kompozitor i këngëve kult.

U lind në Gjakovë më 4 janar të vitit 1928. Si fëmijë, me familje do të zhvendosej në Shkodër, ku përfundoi shkollimin fillor dhe të mesëm. Sipas biografisë së Mulës, ai qysh i ri do të binte në sy për talentin prej këngëtari.

Qysh para se të nisej për studime në konservatorin “Pyotr Ilyich Tchaikovsky” në Moskë, do të bëhej pjesëtar i Ansamblit të Ushtrisë dhe i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve. Në vitin 1957 do të kthehej nga kryeqyteti i ish-Bashkimit Sovjetik si i diplomuar për këngë lirike. Menjëherë do të angazhohej në Teatrin e Operës dhe Baletit. Do të merrte barrën e realizimit të roleve kryesore, pasi vërehej për nivel të lartë skenik.

Midis roleve të tij është Figaro tek opera “Berberi i Selvijes”, Onjegini në operën “Eugjen Onjegin” dhe Gjeto tek opera e parë shqiptare “Mrika” me autor Prenk Jakovën. Në mesin e viteve ‘60 do të shënonte suksese të shumta. Veprimtaria koncertale brenda dhe jashtë vendit, interpretimi i këngëve të romancës e si autor i kantatave, poemave vokale e operave, do ta bënin atë prej figurave kryesore të artit në Shqipëri.

Ishte prej themeluesve të Festivalit të Këngës së Radiotelevizionit Shqiptar. Midis krijimeve të tij veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”. Gjatë punës së tij ishte përfshirë edhe në kompozimin e muzikës së filmave “Lumë dite”, “Udhëtim në pranverë”, “Balonat”, “Karnavalet” dhe “Fejesa e Blertës”. Kurse, kompozimi i këngëve “Valsi i lumturisë”, kënduar prej të madhes Vaçe Zela, “Këngët e atdheut tim”, “Nënë moj, do pres gërshetin” e “Një djep në barrikadë”, e kanë çuar lart emrin e Mulës në masa të gjera popullore gjithandej shqiptarëve. “Çmimi i Republikës” i kategorisë së parë, “Urdhri i Flamurit” i klasit të parë, e dekorata “Nderi i Kombit”, janë midis mirënjohjeve shtetërore për kontributin e Mulës në art.

Kalibër botëror i interpretimit

Pas homazheve, kompozitori dhe etnomuzikologu Vasil Tole ka thënë se në këndvështrimin e tij, Mula ishte i fundit nga brezi i themeluesve të institucioneve muzikore të Shqipërisë. Sipas Toles, ai u rendit në këtë plejadë ndër njerëzit e shquar që fillojnë me Prenk Jakovën, Çesk Zadenë, Tish Dainë e të tjerë.

“Ai ishte ndër themeluesit e traditës së madhe muzikore shqiptare. Ishte një artist me arritje të mëdha që në vitet e studimeve në Moskë. Ka interpretuar role kryesore në teatrin ‘Bolshoi’”, ka thënë Tole, teksa ka shtuar se Mula si interpretues i takonte nivelit botëror. Madje, ka thënë se në Shqipëri askush nuk krahasohej me të.

“Ishte një artist multifunksional. Ishte artist ndërkombëtar për nga tiparet. Kurora e vlerave të tij është se u shfaq si kompozitor”, ka thënë Tole.

Violinisti e koncertmjeshtri Zhani Ciko ka thënë se Avni Mula është një figurë e madhe artit shqiptar në tërësinë e vet.

“Ka merita shumë të mëdha në gjallërimin e këngës shqiptare”, ka thënë ai. Sikurse të enjten, edhe të premten Ciko ka veçuar operën “Borana” në të cilën Mula kishte punuar shumë gjatë. Ka kujtuar se për këtë operë kishin biseduar gjatë një turneu në Kinë. Ciko ka thënë se kishte kënaqësinë që ta vinte në skenë këtë operë në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë më 2012.

“Kemi punuar bashkë në Teatrin e Operës dhe Baletit. Kemi punuar bashkë ‘Simfoninë e nëntë’ të Beethovenit, kur muzika klasike ishte e ndaluar në Shqipëri. Kemi çarë barrikadën e ndalesës”, ka thënë Ciko.

Avni Mulaj do të bëhej i njohur për komunitetin muzikor të Kosovës gjatë viteve ‘70, kur asokohe Krahina Socialiste e Kosovës dhe Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë kishin nisur të shkëmbenin programe kulturore.

Kompozitori Fahri Beqiri e kishte takuar disa herë Mulën. Ai ka thënë se me vdekjen e tij është shënuar një humbje e madhe, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë shqiptarët. “Arsyeja shumë e thjeshtë: kemi të bëjmë me emër që sa është i Shqipërisë, është edhe i Kosovës. Ka rrënjët nga Gjakova”, ka thënë Beqiri për KOHËN, në një bisedë telefonike të premten. E ka konsideruar veten me fat që e ka njohur Mulën. Sipas tij, kompozitori i ndjerë është emër që ka mbetur në historinë e këtij profesioni për shumë arsye. Ka thënë se Shqipëria ka qenë më e avancuar se Kosova në kuadrot muzikore dhe për këtë ka pasur nevojë për emrin e Avni Mulës. Sipas Beqirit, një fat tjetër që i ka sjellë Shqipërisë Mula është bashkëshortja e tij, sopranoja Nina Mula, e cila ka marrë pjesë në manifestime operistike.

“Fati ka dashur që të jetojnë në kohën e Enver Hoxhës dhe emrat e mëdhenj kanë pasur telashe me bashkëshorte që vinin nga ish-Bashkimi Sovjetik. Fati deshi që ky çift na dhuroi Inva Mulën. Jam krenar që i kam njohur. Lum ne që i patëm Avniun dhe kolegët e tij. Dashtë Zoti që rinia ta dijë se çfarë emrash të këtij profesioni ka pasur shqiptaria”, ka thënë ai.

“Valsi i lumturisë” – letërnjoftim artistik

Kompozitori Beqiri ka thënë se “Valsi i lumturisë” mbetet vepër glamuroze, sikurse “Baresha” e Rexho Mulliqit.

“Kjo këngë do të mbetet letërnjoftim i këtij emri të madh. Ishte kompozitor popullor. Secila këngë e tij në festivalet e kohës e merrte dheun. Nga veriu në jug, përqafoheshin interpretimet e tij”, ka thënë Beqiri.

Midis interpretimeve të saj, sopranoja Besa Llugiqi ka performuar edhe këngët e kompozuara nga Mula. Ajo ka thënë se Mula ka një krijimtari të bujshme vokale.

“Ajo që ai ka ditur për vokalin, e ka bërë në veprat e tij. Jemi me fat që kemi pasur një person të tillë, pasi në krijimtarinë vokale kemi mangësi të njerëzve të tillë. Ka lënë shumë gjurmë dhe krijimtaria e tij do të jetë prezente gjithmonë”, ka thënë Lluqigi. E ka konsideruar veten me fat që ka kënduar këngët e Mulës.

“E kemi humbur një person të madh të botës operistike, por ajo që ka lënë do të jetojë për gjenerata”, ka thënë Mula.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se në programet e institucionit që ai udhëheq janë interpretuar vepra të Mulës, përderisa kanë pasur bashkëpunim edhe me sopranon me nam botëror, Inva Mulën.

“Është shumë i rëndësishëm për muzikën kombëtare. Ka munguar dhe mungon një përfaqësim i kësaj lloj muzike që kryesisht bazohet në tabanin e muzikës sonë burimore. Ai ka punuar vepra origjinale kombëtare për publikun e gjerë. Stili i tij ka qenë komunikimi sa më i thellë me publikun”, ka thënë Jashari.

Komunikimin me publikun Mula e përjetonte si një ndjenjë të veçantë. Para shtatë vjetësh ai thoshte se kënga jeton në rast se e shkruan bukur. Sipas tij, kënga kërkon muzikën, fjalët, interpretimin.

“Shumë kompozitorë janë mbështetur në tabanin kombëtar. Sa më shumë të shkruajnë dhe të mbështeten te tabani kombëtar, aq më të dashur do të jenë për publikun”, kishte thënë ai në një intervistë të vitit 2013. Në perceptimin e tij muzika e sotme nuk do të jetë e qëndrueshme.

“Mendoj se sot nuk shkruajnë mirë muzikë. Shkruajnë muzikë sot për nesër. Kompozitori duhet ta ndiejë muzikën në vetveten e tij, të shkruajë bukur. Artisti i është borxhli popullit dhe prandaj ai ndihet i kënaqur kur shkruan bukur dhe kur këndohet bukur”, kishte thënë Mula. Ishte tejet i lidhur me melosin popullor. Megjithëse kishte interpretuar role të kryeveprave botërore sa i përket operës, prapë e bënin për vete meloditë popullore. “Këngët që mbështeten te melodi të huaja dhe nuk mbështeten te melosi shqiptar janë pa jetë, prandaj duhet të jetë krijimtaria shqiptare”, kishte thënë ai.

Kompozitori i njohur Robert Radoja, pas homazheve, e nisi fjalën e tij duke thënë se “u shkep një shkëmb nga mali”.

“Ka qenë një njeri tepër i rrallë që ia ka falë gjithë shpirtin e vet kombit. E kam pasur mësues. E kam pasur shok, mik, prind, gjithë jetën. Ka bërë të pavdekshme krijimtarinë e tij”, ka thënë Radoja. Ndërsa, këngëtari i njohur Kozma Dushi ka thënë se Avni Mula ka krijuar këngë të mrekullueshme, njëra më e bukur se tjetra.

“Kam pasur fatin që të këndoj këngë të tij. Do të mbetet ikona e muzikës së vërtetë shqiptare”, ka thënë Dushi.

Kastriot Tusha, tenori i njohur, e quajti Avni Mulën një bariton që e donte skena. Sipas tij, ai ishte shumëdimensional.

“Avni Mula ishte një dashamirës për talentet e reja. Në familjen e Mulës dhe të Çakos shumë studentë kanë ngrënë bukë në familjet e tyre. Të rrojmë e ta kujtojmë, udhërrëfyes për brezin e ri”, ka thënë Tusha.

Inva Mula: “Këtu filloi arti i lirisë. Rroftë arti, rroftë Avni Mula, rroftë arti shqiptar”

Për artin shqiptar të premten ka folur edhe e bija e Mulës, sopranoja Inva Mula.

“Këtu filloi arti i lirisë. Rroftë arti, rroftë Avni Mula, rroftë arti shqiptar”, ka thënë shkurt Mula para të pranishmëve. Të enjten, kur dha lajmin për vdekjen e të atit, ajo shkroi: “Gjigandi jonë fluturoi në Valsin e Përjetësisë!” Udhëheqës institucionalë e liderë politikë të premten kanë marrë pjesë në homazhe për Mulën.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ka thënë se në këtë periudhë artistët nuk po mund të përcillen në banesën e fundit siç e meritojnë.

“Homazhet tek Universiteti i Arteve janë një simbolikë që flet dhe dialogon edhe më mirë dhe për të zgjuar ndërgjegjësimin e tyre që nuk i kemi fizikisht, janë për ne nder i kombit. Jo thjesht fjalë që duhet thënë, por një realitet që edhe të rinjtë do ta përcjellin gjithnjë e më tepër në veprat e tyre”, ka thënë Margariti.

Edhe homologia e saj nga Kosova, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka qenë në Tiranë për homazhe.

“Me nderimin më të lartë për veprën e tij, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministrit Hoti, sot isha për homazhe në Universitetin e Arteve në Tiranë dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit kolosit muzikor Avni Mula”, ka shkruar Dumoshi në Facebook. Sipas tij, kënga e Mulës qe “frymëzim i atdhedashurisë ndër breza dhe përbashkim andej e këndej kufirit...”.

I pranishëm në homazhe ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha. Ai ka thënë se është një dhimbje e madhe, por edhe një ditë krenarie që kombi pati në gjirin e tij një artist si Avni Mula. “Është ndër të paktat raste kur ceremonia shoqërohet me muzikë, artin e tij, dhe t’i lutemi Zotit që t’i prehet shpirti në paqe”, ka thënë Basha.

Homazhe ka bërë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e ka konsideruar atë si një kolos të muzikës, por edhe të kulturës shqiptare. Berisha ka thënë se vepra e tij do të jetojë gjithmonë.

“Shpreh nderimin tim më të madh dhe mirënjohjen time më të thellë para një kolosi të këngës, muzikës dhe kulturës shqiptare. Avni Mula la një krijimtari në të cilën do të jetojmë gjithmonë, por edhe një trashëgimi të madhe, një divë të këngës, Inva Mulën. Nderim për veprën e këtij kolosi të këngës dhe muzikës shqiptare”, ka thënë Berisha.

E presidenti Ilir Meta, nëpërmjet rrjeteve sociale, ka thënë se Mula është një personalitet i jashtëzakonshëm, një intelektual i spikatur dhe figurë e dashur dhe e respektuar nga të gjithë.

“Thellësisht i pikëlluar për ndarjen nga jeta të njërit prej kolosëve të muzikës dhe artit shqiptar, Avni Mula, personalitet i jashtëzakonshëm, intelektual i spikatur, model i përhershëm qytetarie, figurë e dashur dhe e respektuar nga të gjithë!”, ka shkruar ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruar në Facebook se vdekja e kompozitorit të shquar shqiptar, “Artistit të Popullit”, Avni Mula, është humbje madhe për kulturën kombëtare, familjen dhe miqtë e tij.

“Brenda një periudhe të gjatë jetësore, Avni Mula kontribuoi në shumë fusha të artit muzikor, duke lënë pas një trashëgimi të pasur dhe elitare. Lamtumirë maestro, lamtumirë Nderi i Kombit!”, ka shkruar Thaçi. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka shkruar se me pikëllim ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të artistit të madh shqiptar, Avni Mula.

“Ngushëllime të sinqerta Inva Mulës, të gjithë familjes dhe komunitetit të artistëve. Vepra e çmuar e kompozitorit dhe baritonit tonë do të jetojë gjatë edhe për brezat që do të vijnë”, ka shkruar ai.

E ish-kryeministri Ramush Haradinaj, po nëpërmjet Facebookut, ka shkruar se Mula ua ka lënë shqiptarëve "Valsin e lumturisë".

“Mozarti shqiptar la pas një trashëgimi të shkëlqyer, me një mal veprash artistike. Ngushëllime familjes Mula, komunitetit artistik, miqve dhe gjithë kombit shqiptar!”, ka shkruar Haradinaj.

Avni Mula për herë të fundit ishte në Kosovë në vitin 2013, kur e bija e tij, Inva, në Gjakovë u nderua me titullin “Nderi i Qytetit”. Asokohe Inva Mula kishte treguar për lidhjen e familjes me qytetin e prejardhjes. Ajo kishte thënë se ishte rritur me rrëfimet e hallave për Gjakovën.

“Më kujtohet Çabrati. Nga ana gjeografike, Çabrati i binte pas shtëpisë së familjes sonë. Hallat e mia qanin për Çabratin. Kanë qenë lidhje me mall, e këto lidhje gjithmonë lënë gjurmë”, kishte rrëfyer ajo. Ajo kishte dëgjuar edhe për rrugë, mëhalla, sheshe e monumente fetare. Një pjesë të të cilave i ka vizituar për së afërmi shumë vjet pas rrëfimeve për to.

“Për të gjitha kisha dëgjuar. Janë një kthim në ato vite”, kishte thënë Mula. I ati i saj, këngëtari e kompozitori, fliste për Kosovën me shumë përkushtim. Vlerësonte lart artistë nga Kosova.

“Ajo kishte ardhur të na mësojë se si këndohet”, kishte thënë ai vitin e kaluar, derisa kishte kujtuar interpretimin e Nexhmije Pagarushës në Shqipërinë e viteve ’70. Por, vetë Mula do të mbetet interpretuesi e krijuesi që i mësoi të tjerët duke lënë vepra që komunikojnë me të gjitha kohërat. Sepse jetën ia fali muzikës. “Kam kënduar muzikën shqiptare dhe të huaj, e cila më ka falur shumë në jetën time dhe nuk kam pengje”, do të thoshte kur fliste për rrugëtimin e tij gjiganti i muzikës shqipe, Avni Mula.