Kulturë

Gjenocidi si retorikë në propagandën serbe

I ngjallur gjithnjë prej ekstremistëve serbë, gjenocidi është burim i pashtershëm urrejtjeje, hakmarrjeje dhe zemërimi. I mishëruar me fatin e keq që i dallon, këta ekstremistë kanë alamet sysh: ata nuk pretendojnë vetëm një, por tri gjenocide të kryera ndaj serbëve vetëm në shekullin njëzet. Por e harrojnë atë që serbët kryen ndaj shqiptarëve të Kosovës

Nuk është qëllimi që të hidhen poshtë përmasat e masakrave të kryera prej ustashëve nga viti 1941 deri më 1945 (që ishin të tmerrshme, por ishin kryer vetëm me aprovimin e një pakice të popullsisë kroate) dhe terrorin që e mbolli në zemrat e popullit serb. Kroacia e Paveliqit, mbetet pas Gjermanisë naziste, “regjimi më i përgjakshëm i gjithë Evropës hitleriane. As Italia fashiste, e as Franca e Vichyves, apo Sllovakia, Hungaria ose Rumania nuk përjetuan diçka të ngjashme”.

Në këtë sens, një prej gabimeve të presidentit Tugjman, në momentin e pavarësisë së Kroacisë, do të ishte mosofrimi i kërkimfaljes solemne serbëve për regjimin e Paveliqit; ai nuk shkoi (qysh bëri Willy Brandt, ta zëmë, kur shkoi në geton e Varshavës) të përulej në gjunjë në Jasenovac, që t’i siguronte se Kroacia e re nuk do të prodhonte më urrejtje të tillë. Një gjest si ky nuk do ta çarmatoste fare agresivitetin e Beogradit, por do të kishte ndikim të menjëhershëm simbolik – do të vërtetonte se republika e re, në ankth për t’iu bashkuar Evropës, po zgjaste dorën për pajtim dhe drejtësi. (Franjo Tugjmani priti deri më 15 janar 1992 që të dënonte vrasjet masive të hebrenjve nga ana e ustashëve – nëpërmjet një letre dërguar Edgar Bronfmanit, kryetar i Kongresit Botëror të Hebrenjve. Si autor i një libri ku shkruan edhe për gjenocidin, Tugjmani, përveç kësaj përsëriste në disa raste gjatë fushatave të tij zgjedhore: “Fatkeqësisht, gruaja ime nuk është as serbe, e as hebraike”. Ai e justifikonte veten për librin e tij “negacionist” në një letër dërguar në shkurtin e 1994-s kryetarit të “American B’nai Birth”. Qysh ndodh shpesh në raste të ngjashme me të, vjen në shprehje qasja dashamire, por shumë e vonshme, për t’i shlyer gabimet trashanike që çojnë gjithçka në fund të pusit.

Urrejtja e pashtershme

Sa për kujtim, gjenocidi i ngjallur gjithnjë prej ekstremistëve serbë, është burim i pashtershëm urrejtjeje, hakmarrjeje dhe zemërimi. I mishëruar me fatin e keq që i dallon, këta ekstremistë kanë alamet sysh: ata nuk pretendojnë vetëm një, por tri gjenocide të kryera kundër serbëve vetëm në shekullin njëzet. Andaj, njëfarë Petar Milatoviq Ostroski, shkrimtar serb që mbron vendin e tij prej “komplotit ndërkombëtar”, beson me mendjen top se “populli serb në shekullin njëzet ka qenë viktimë e tri valëve të gjenocidit të kryer prej kroatëve”. I pari ndodhi nga viti 1914 deri më 1918, i dyti gjatë shtetit të pavarur të Kroacisë, dhe i treti qysh prej inaugurimit të Franjo Tugjmanit, gjeneral i Titos dhe historian i Paveliqit. Për turpin më të madh të serbit, ky gjenocid po vazhdon edhe sot. Por Petar Milatoviq Ostroski në çmendurinë e tij të madhe harroi edhe një tjetër gjenocid: gjenocidin e serbëve për nënshtrimin e shqiptarëve të Kosovës. “Gjenocidi fizik, politik dhe kulturor i popullsisë serbe të Kosovës dhe Metohisë është disfata më e madhe që ka vuajtur Serbia në luftën e saj për çlirim prej betejës së Orashacit më 1804 deri në kryengritjen e vitit 1941”; kështu shkruhet në Memorandumin e Akademisë së Shkencave të vitit 1986, dokument i bazuar kryekëput në idetë e Dobrica Qosiqit, dhe ku thuhet se ka frymëzuar “Revolucionin kulturor” të Milosheviqit.

Prej një gjenocidi të vërtetë, të kryer prej ustashëve kroatë, gjuha zyrtare e gdhendur zgjeron këtë shprehje gjerë e gjatë që të mbulojë çfarëdo proteste a sfide ndaj politikave serbe. Në janar 1994, njëfarë Daniel Schiffer, “filozof” dhe propagandist që jeton në Evropën Perëndimore dhe që përfaqëson regjimin e Beogradit, akuzoi intelektualë të caktuar francezë për tradhti të re në qasjen e tyre kur vjen puna te Serbia.

“Shumica dërrmuese e intelektualëve francezë i kanë bërë gjenocid moral Serbisë, praktikisht një linçim të pastër dhe të thjeshtë kulturor (nëse jo edhe shpirtëror), sikur çdo serb në fakt të ishte nazist potencial”.

Se antiserbizmi mund të jetë vetëm avatar modern i antisemitizmit, sugjeron përsëri Daniel Schiffer, duke apostrofuar ndërmjetësit e tij: “Me mënyrën tuaj shpesh të helmët, me të cilën ju vazhdoni t’i akuzoni vetëm serbët, duke ua marrë mendja se po ngriheni kundër krimit, vetëm sa e keni shpikur në sytë e opinionit publik ndërkombëtar një soj të ri racizmi: një antiserbizëm, si antisemitizmi që ekzistonte në vitet 1940, në kohën e baballarëve tanë”.

Dhe më 1991, shkrimtari serb Milorad Paviq shkruante se “në këtë moment, serbët në Jugosllavi, janë edhe një herë në listat për gjenocid qysh ishin serbët dhe hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por është hera e parë që serbofobia në Evropë, por edhe në mbarë botën, është më e furishme se antisemitizmi”. Çka nuk është gjenocid për serbët, ju pyes juve? Kriticizmi më i vogël, rezervimi më i vogël që po tregohet ndaj dimensioneve të një krimi total; ekzagjerimi i fantazuar që shkatërron ndikimin e fjalës duke e mohuar në pafundësi. Nëse kritika kundër Milosheviqit e bën dikë të ndihet fajtor për “gjenocid”, atëherë kjo duhet të jetë fjala më e lehtë që duhet përdorur me kujdesin më të madh, duke rrezikuar t’ia hupë krejtësisht kuptimin. Sundimtari serb shihet qartazi se nuk është përgjegjës për zhvlerësimin e këtij termi: ky abuzim gjuhe është i rëndomtë ndër të gjitha palët në Ballkan, ku ka prirje të përdoret për të përshkruar tensionet ndërkombëtare, por edhe këtu në Perëndim, qysh e kemi parë, përdoret e stërpërdoret gabimisht. Vetëm na lejoni të theksojmë thjesht se për pasuesit e Milosheviqit, kushdo që i kundërshton, është “nazist” dhe çfarëdo orvatje për t’iu kërkuar llogari, mund të përshkruhet si “gjenocid”. Duke iu adresuar përfaqësuesve të shteteve në Gjenevë, njëherësh duke protestuar kundër sanksioneve kundër Jugosllavisë më 9 dhjetor 1993, Milosheviqi deklaronte: “Kur të vijë dita që fëmijët tuaj ta mësojnë të vërtetën, nuk e di se si do t’ua shpjegoni se pse vratë fëmijët tanë, pse kallët luftën kundër tre milionë fëmijëve tanë dhe me çfarë të drejte i shndërruat dymbëdhjetë milionë banorë të Evropës bazë për gjenocidin, shpresoj, gjenocidin e fundit në këtë shekull”.

“Po të mos ishte Rusia, e gjithë Evropa do të turqizohej”

Andaj, anatema shndërrohet nëpërmjet procesit të shtrembërimit tragjik në klishe retorike, në propagandë, formulë që ka funksionin e thjeshtë të çarmatosjes për kundërshtimet e mundshme dhe të sugjerimit se: ju na keni borxh gjithçka për shkak të gjitha të zezave që i kemi vuajtur; ju nuk mund të na refuzoni. Ideja se krejt bota i ka borxh një grupi dhe vendi të tillë dhe se duhet t’u hapet rrugë të kryejnë çfarë të zezash, është e njohur dhe e lidhur fort me ekstremistin rus, Zhirinovsky.

“Rusia në të kaluarën e shpëtoi botën prej Perandorisë Osmane me dërgimin e ushtrive të saj në jug. Mbase, po të mos ishte Rusia, e gjithë Evropa do të turqizohej, turqit do ta merrnin Budapestin, do ta rrethonin Vjenën dhe do t’u mbetej vetëm një copë udhë e shkurtë prej aty deri në Berlin, Paris dhe Kanalin Anglez. Shtatë shekuj më parë, ua premë rrugën mongolëve. Mund t’u hapnim turqve udhë ose mund t’i nënshtroheshim dominimit të tyre. Çfarë do të mbetej atëherë prej Evropës? E kemi shpëtuar disa herë; në jug, në lindje dhe në veri kur hataja fashiste po triumfonte në Gjermani, Itali, Portugali, Spanjë e Greqi. Falë rusëve, Evropa u çlirua nga fashizmi ... Popujt e tjerë duhet të tregohen mirënjohës ndaj rusëve për këtë punë”.

Dhe ministrja aktuale greke e Kulturës, Melina Mercouri, në hall të madh që ta mbrojë me forcën bindëse kundërshtimin e Athinës për njohjen e Maqedonisë, ka deklaruar gjithashtu më 6 janar 1993 se Evropa “duhet t’ia shlyejë borxhet e veta Greqisë”, “evropianët kanë detyrime ndaj nesh” se paska qenë Greqia që ua dha atyre “idenë fillestare të demokracisë dhe rrënjët e zhvillimit të civilizimit të tyre”.

Me pak fjalë, sa herë një shtet ose një popull dëshiron ta vërë veten mbi ligjin, me vetëdije të plotë, kujton veprat e mëdha dhe vuajtjet e kaluara për të pretenduar heshtazi se meriton këtë përjashtim të vogël në raport me standardet ndërkombëtare.

Asimilim i rrejshëm

Mbledhja e gjenocideve sikur të bëhej fjalë për mbledhje diplomash, afërmendsh se e bën të mundshëm krahasimin ndërmjet serbëve dhe hebrenjve, krahasim i bazuar në të zezat që i vuajtën të dyja palët në kampet e përqendrimit të ustashëve. Sidoqoftë, do të mjaftonte një kërkim i vogël në histori për të dëshmuar cenet në këtë analogji. Duhet të kujtojmë, ta zëmë, se në Jugosllavinë e pushtuar të vitit 1941 kishte një qeveri serbe që bashkëpunonte me pushuesit gjermanë (prirë prej Milan Nediqit, “Pétainit serb”), dhe se prej 5 tetorit 1940 – që është goxha shumë kohë para mbërritjes së Wehrmachtit – kishte një ligj me një numër nenesh për çmimin e pranimit të hebrenjve në kolegj dhe universitet, dhe që ua ndalonte të merreshin me fusha të caktuara të tregtisë, thënë troç ua kufizonte të drejtat; se para luftës, kishte një parti fashiste të Lotiqit, që më vonë organizoi trupat e vullnetarëve serbë, detyra e të cilave ishte mbledhja e hebrenjve, romëve dhe partizanëve për ekzekutim; se më 22 tetor 1941, në Beograd (nën zgjedhën naziste) u hap ekspozita e madhe antimasone, ku denoncohej komploti komunist dhe judeo-masone për ta dominuar botën – ekspozita u konsiderua si goxha e suksesshme; se gjatë pushtimit, krerët ortodoksë (ndryshe prej klerit katolik të Kroacisë) urdhëruan pagëzimin e dhunshëm të katolikëve dhe myslimanëve, por hebrenjve ua ndaluan konvertimin, rrjedhimisht duke i dorëzuar te makineria gjermane të shfarosjes; se zgjidhja përfundimtare (dhe futja e fëmijëve dhe grave të para në dhomat e gazit) kishte nisur dhe mbaruar në Serbi falë bashkëpunimit aktiv të autoriteteve lokale, klerit, Gardës Kombëtare dhe forcës policore serbe, që i priu likuidimit të bashkësisë hebraike të Serbisë; dhe në fund, në gusht 1942, doktori Harald Turner, drejtor i administratës civile naziste të Serbisë, deklaronte se ky shtet ishte i vetmi ku ishin zgjidhur “çështja hebraike dhe çështja rome”.

Kjo nuk e cenon aspak faktin se serbët ishin ndër të parët që rezistuan, me Titon, qysh e ka pranuar edhe vetë publikisht; e që njëherësh nuk shlyen apo zbut assesi urrejtjen e Shtetit të ustashëve; por që ia jep identifikimin automatik të paqartë, nëse jo të dyshimtë, për çështjen e hebrenjve, por që nacionalistët e Beogradit turren menjëherë ta përvetësojnë si pretendim.

Në Serbi, si kudo tjetër në Evropë, kishte një traditë të fortë antisemite, që është e tillë edhe sot, së paku e fshehur prapa klerit ortodoks, megjithëse shumë serbë pësuan fatin e hebrenjve kundrejt nazistëve gjatë kohës së luftës, ani pse bashkësia e vogël hebraike, që ka mbetur në Beograd, nuk përballet absolutisht me asnjë kërcënim (jo me kërcënim më të madh se mund të ndiejë në Zagreb), meqë të dyja palët u bënë mjaftueshëm kurban sa për të mos rënë kurrë në këtë kategori.

Vijon në numrin e ardhshëm të shtojcës

Ky shkrim – i botuar për herë të parë në Shtojcën për kulturës të “Kohës Ditore” në shkurt-mars të vitit 2018 – është shkëputur nga kapitulli i gjashtë “Pafajësia e torturuesit: Viktima, në propagandën serbe” i librit “The Temptation of Innocence: Living in the Age of Entitlement”, botuar më 2000 në New York nga “Algora Publishing”.

Përktheu: Rexhep Maloku