E ardhmja e Operës së Kosovës është testuar disa herë. Gjithmonë është thënë se është premtuese. Një gjë e tillë është “verifikuar” edhe të shtunën mbrëma në natën e katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Ramë Lahaj”. Kushtet ku është mbajtur koncerti “New Generation”, ka qenë kontrasti me interpretimin plot magji e muzikalitet të artistëve të rinj. Përjetimi i një opere të vërtetë dhe pasqyra për fatin e këtij arti në Kosovë u projektuan nëpërmjet arieve të operave botërore që artistët i perfeksionuan prej mjeshtrit të vokalit, tenorit meksikan, Francisco Araiza.
Nuk do shumë ndërhyrje në skenën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare ku do të interpretonin muzikantët e rinj, për ta bërë madhështore paraqitjen e tyre. Ka qenë posteri i Festivalit e dritat me ngjyra që ia kanë dhënë freskinë sado pak hapësirës që tashmë është adresë për ngjarje të ngjashme.
Rrëfimi muzikor nëpër operat botërore ka nisur me arien “Una donna a quindici anni” nga opera “Cosi fan tutte” të austriakut Wolfgang Amadeus Mozzart të interpretuar nga Fiona Thaçi. Ka nisur lehtë si në vokal ashtu edhe me tingujt e pianos me të cilët ka shoqëruar pianistja Fjorda Veizaj. Mes ndërprerjeve të shkurtra, interpretimi i Thaçit vinte si kronologji e ngritjes së zërit derisa shpërfaqte secilën herë më shumë cilësitë prej sopranoje.
Sopranoja Rovena Xhelili, që paraqitet shpesh në shfaqje operash në Teatrin Kombëtar të Teatrit dhe Baletit në Tiranë, ka interpretuar arien “O zitre nicht” nga “Die Zauberflote”, po ashtu të Mozartit. Seria e tingujve çdoherë në ngritje të pianos i ka paraprirë interpretimit që nis pikërisht me fjalët e titullit të pjesës. Ngjyrat e vokalit e vibracionet kanë qenë tejet të theksuara e shpesh shpërthyese në interpretim të ndjeshëm.
Xhelili e ka konsideruar ngjarjen si eksperiencë për të mësuar dhe për t’u rritur çdoherë. Ka thënë se tenori meksikan i skenave botërore, Francisco Araiza, u kishte dhënë leksione të detajuara që nga ngjitja në skenë, paraqitja, qëndrimi e deri në detajet e vokalit.
“Profesori ka qenë i mrekullueshëm me ne. Na ka dhënë këshilla që ne na shërbejnë për daljet në skenë gjatë gjithë jetës. Sigurisht ishte kënaqësi të interpretojmë në çdo vend, por këtu ishte një emocion më ndryshe, pasi akoma nuk është opera në Kosovë. Është mundësi shumë e mirë për gjithë të rinjtë, por edhe për të tjerët për të shijuar çdo performancë që jepet”, ka thënë ajo. Për Xhelilin ka qenë hera e dytë që ka interpretuar në Festival, pasi kishte qenë edhe vitin e kaluar, po ashtu në koncertin dedikuar gjeneratës së re.
Araiza, i cili ka mbajtur një masterklasë me interpretuesit, nuk ka qenë i pranishëm në koncert, mirëpo në hapje të Festivalit ka thënë për KOHË-n se bazuar në të rinjtë me të cilët po punonte, Opera e Kosovës ka të ardhme premtuese.
“Mendoj se ka një të ardhme të ndritur për Operën e Kosovës. Shikoj te këta të rinj dhe shoh entuziazëm. Ata janë të uritur për të mësuar, kanë nevojë të zhvillojnë aftësitë. Është shumë premtuese kjo, jam shumë i lumtur për ta sepse janë në vendin që po shkoj drejt teatrit të ri, drejt shtëpisë së operës”, kishte thënë tenori meksikan, Francisco Araiza, i cili ka interpretuar si solist në rolet kryesore si tenor operistik në shtëpitë kryesore të operës së Evropës dhe Amerikës së Veriut. Ai ka studiuar këndimin në Konservatorin Kombëtar të Muzikës në Meksikë dhe më vonë në Gjermani. Ai bëri debutimin e tij operistik në vitin 1970 në Mexico City si i Burgosuri i Parë në “Fidelio” të Bethovenit.
Ai ka interpretuar në salla të njohura si operat shtetërore të Munichut dhe Vjenës, “La Scala” në Milano, “Covent Garden” dhe “Metropolitan Opera” në New York, si dhe në festivalet kryesore ndërkombëtare si në Salzburg, Aix-en-Provence e në Edinburg, ndër të tjera.
Tejet atraktive ka qenë pjesa ku Xhelilit i janë bashkuar edhe Elvis Kalemi dhe Bledar Domi në interpretim të aries “Soll ich Dich, Teurer, Nich Mehr Seh’n” nga “Die Zauberflote” të Mozartit. Me interaktivitet dhe seriozitet në të njëjtën kohë ka qenë si komunikim i përnjëhershëm me versionet ndryshe të secilit.
Interpretim tejet emocional është paralajmëruar që prej tingujve të pianos në pjesën “Bella siccome un angelo” nga opera “Don Pasquale” të italianit Gaetano Donizetti. Magjinë e kësaj pjese e ka përcjellë Harris Bajraktari ku vokali ka qenë më në qendër të pjesës. Edhe nëse nuk është përcjellë një tregim, kanë qenë shkallët e ngritjes dhe uljes së vokalit që e kanë bërë tejet të veçantë dhe që kanë vënë më në pah shkathtësitë e Bajraktarit.
Pjesë të italianit Donizetti ka interpretuar edhe Juana Shtrepi. “Regnava nel silenzio” nga opera “Lucia di Lammermoor” ka qenë rrëfim më melankolik që sikur kthehet në një bashkëbisedim dhe shpërthim në mllef bashkë me emocionet e fuqishme që përcjellin. Shtrepi ka thënë se pjesëmarrja në Festival ka qenë ndër dëshirat e saj dhe se për koncertin kanë bërë përgatitje intensive.
“Kam vite që e ndjek festivalin ‘Ramë Lahaj’ dhe ka qenë një nga dëshirat e mia të marrë pjesë. Kësaj here e pata mundësinë dhe kënaqësia ishte shumë e madhe, përgjegjësia akoma më e madhe, nder i jashtëzakonshëm, sepse figura e vetë Ramës na nderon në gjithë botën”, ka thënë ajo.
Rrëfim tejet të ndjeshëm ka përcjellë edhe Elvis Kalemi me “Se il nome saper voi bramate” nga “Il barbiere di Siviglia” të italianit Gioachino Rossini. Në vokal, kryefjalë janë ndjenjat. Shpesh nëpërmjet tij synohet një lloj gjetjeje e forcës me ngritjen e zërit, por kur bie dëshmohet krejt e kundërta.
Një pjesë nga kjo operë ka interpretuar edhe baritoni Xhieldo Hyseni. “La calunnia” e ka sjellë si monolog dhe si më e veçantë kur sjell bashkë me këngën edhe aktrimin. Nis si një rrëfim i hareshëm që përcillet edhe me një të qeshur të lehtë. Në anën tjetër, është ngjarja dramatike në të njëjtën kohë mes interpretimit të vargjeve. Baritoni Hyseni nga Shqipëria e ka vlerësuar koncertin si mënyra më e bukur për të përmbyllur një masterklasë. Sipas tij, prej tenorit Araiza kanë fituar edhe më shumë muzikalitet.
“Maestroja është kujdesur edhe për anën tonë skenike jo vetëm për këndimin, ajo është kryesore kuptohet, por na ka ndihmuar për anën e aktrimit, të performojmë akoma më mirë në ariet që unë kisha, por edhe për të tjerët. Ishte një magji e vërtetë”, ka thënë baritoni Hyseni nga Shqipëria që merr pjesë në “RLIOF” që prej edicionit të parë.
“Infelice!... e tuo credevi” nga “Ernani” i Giuseppe Verdit ka qenë me interpretim konstant me një mesatare vokali nga Bledar Domi. Në pjesën e parë ngjan në pak zhvillim e më pas nis loja me ngritjet e zërit. Pjesë nga Verdi ka sjellë gjithashtu bullgari Yosif Slavov me “Per me giunto” nga opera “Don Carlos”. Mes pjesës emocionale, interpretimi i disa prej vargjeve bëhet më i ashpër, prej ku edhe vjen kontrasti mes tyre.
Slavov ka thënë se masterklasa i ka ndihmuar në karrierë, e sidomos në garat e festivalet e ardhshme në të cilat do të marrë pjesë.
“Kosova më kujton vendin tim, Bullgarinë. Jam shumë i lumtur të jem këtu dhe të interpretoj në këtë Festival të mrekullueshëm. Isha shumë i lumtur të punoj me kolegët. Si artist i ri, të kesh mundësinë të punosh derisa të përcjellë një pjesë trashëgimie prej mjeshtrit Araiza është gjë e mrekullueshme”, ka thënë Slavov që ka qenë për herë të parë në Prishtinë.
Emocione të fuqishme ka sjellë Andi Istrefi me arien “Giunto sul paso estremo” nga “Mefistofele” nga italiani Arrigo Boito. Me vokalin dhe interpretimin e saj ka magjepsur gjithashtu Kejsi Haxhija me “Quando me’n vo’ “ nga opera “La Boheme” të italianit Giacomo Puccini.
Sopranoja ukrainase, Nina Ruban, me pjesë po ashtu nga “La Boheme”, emocionet i ka përçuar po ashtu me interpretim tejet emocional. “Donde ileta usci” kulmon me vokal që pason me rënie graduale në të cilën loja me zërin vihet në pah. Ruban ka thënë se ka shfrytëzuar çdo moment nga masterklasa për t’i kontribuuar karrierës së saj. “Ishte kohë e mrekullueshme e jetës sime dhe jam shumë e lumtur që kam qenë këtu. Takova mjeshtrin e mrekullueshëm Araiza dhe Ramë Lahajn. Ishte përtej ëndrrës sime dhe tani jam këtu. Vërtet dua t’u them faleminderit të gjithëve për këtë Festival dhe këtë masterklasë”, ka thënë ukrainasja Ruban.
Pjesën “E la solita storia del pastore” nga opera “L’Arlesiana” e italianit Francesco Cilea, Erald Rrustaj e ka nisur me fjalët e titullit që në fillim ngjan në interpretim gazmor. Shpejt sikur e ndërron natyrën dhe kthehet në interpretim temperament. Nëpërmjet vokalit, Rrustaj e gjurmon një emocion të fuqishëm me magjinë e vokalit në të cilën shfrenohet në rritje të intensitetit dhe kësisoj mbyllet. Me plot energji, sikurse edhe koncerti në përgjithësi.
Koordinatorja e programit artistik të Festivalit, sopranoja Ulpiana Aliaj, ka thënë se pos koncertit të së shtunës, edhe “RLIOF” në esencë ka për qëllim mbështetjen e artistëve të rinj të operës. “Kjo mbrëmje është shumë e rëndësishme, sepse në çdo edicion, nisja e këtij Festivali është pikërisht mbështetja e artistëve të rinj në radhë të parë, më pas zgjerimin në mbrëmje të tjera të cilat sjellin mesazhe dhe formate të ndryshme muzikore. Në këtë edicion kemi pasur një të ftuar të veçantë, siç është mjeshtri i operës, Francisco Araiza. Për nga reputacioni, karriera e eksperienca dhe gjithçka që ai bart, është vërtetë nder ta kemi në Kosovë”, ka thënë Aliaj.
Festivali Ndërkombëtar i Operës “Ramë Lahaj” vazhdon më 31 korrik (sot) kur edhe përmbyll programin e edicionit të tretë me koncertin kushtuar Nexhmije Pagarushës.