Kulturë

“Gjashtë kundër Turqisë” në goditje të regjimeve që cenojnë demokracinë

Six against Turkey

“Një nismë teatrore që eksploron degradimin e demokracisë dhe rritjen e regjimeve populiste-nacionaliste dhe autoritarizmit në Evropë”, është përshkrimi në posterin e publikuar për projektin teatror “Six against Turkey”

Emocione, ngjarje, histori e imagjinatë vijnë nëpërmjet teatrit. Me projektet artistike që shpalosen aty, rrëfimet lidhen me audiencën në një mënyrë a tjetër. Historikisht është edhe një lloj fuqie e teatrit që shkon më larg se sa aq. Zëri i këtij arti skenik zgjeron horizonte, ngrit pyetje e nxit njeriun të mendojë e reflektojë rreth çështjeve të ndryshme. Si një lloj prapaskene e ngjarjeve. I tillë ngjan projekti i qendrës “Multimedia” me shfaqjen “Six against Turkey”. 

“Një nismë teatrore që eksploron degradimin e demokracisë dhe rritjen e regjimeve populiste-nacionaliste dhe autoritarizmit në Evropë”, është përshkrimi në posterin e publikuar për projektin teatror. “Six against Turkey” (Gjashtë kundër Turqisë) është nismë teatrore që kërkon të eksplorojë degradimin e demokracisë dhe rritjen e regjimeve populiste-nacionaliste dhe autoritarizmit në Evropë.

Regjisore do të jetë Blerta Neziraj, e cila ka bërë regjinë e shfaqjeve në Kosovë dhe jashtë saj. Produksionet e saj kanë qenë në turne në Evropë e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sikurse ka ngjarë me shfaqjet “Balkan Bordello”, që është shfaqur në gjithë Evropën Juglindore dhe në teatrin “La MaMa” në New York. Hiç më larg se në prill shfaqja zbarkoi edhe në Suedi. Premierën e pati më datë 12, si produksion i teatrit të qytetit “Uppsala”.  Edhe “The Handke Project” ku Neziraj është regjisore e shfaqjes që zhvesh laureatin e “Nobelit” si mohues i gjenocidit, pos në vendet e rajonit, ishte shfaqur edhe në Itali, Gjermani e Francë.  “Negotiating Peace” ka qenë në turne qysh vitin e kaluar. Blerta Neziraj është regjisore e kësaj shfaqjeje ndërsa autor Jeton Neziraj, sikurse edhe në shfaqjet “Balkan Bordello” dhe “The Handke Project”. 

“Ky projekt i ri pason turneun e fundit të suksesshëm të Qendrës me ‘Balkan Bordello’ (që u luajt në të gjithë Evropën Juglindore dhe në teatrin La MaMa të New Yorkut) dhe ‘The Handke Project’ në të cilin një ansambël panevropian lundron në ekuilibrin delikat midis fjalës së lirë dhe përgjegjësisë sociale në teatër, nëpërmjet prizmit të laureatit kontrovers të çmimit ‘Nobel’ Peter Handke”, thuhet në njoftimin e qendrës “Multimedia për “Six against Turkey”. 

Drejtoresha e programit në qendrën “Multimedia”, Aurela Kadriu, ka thënë se punimet me këtë projekt do të nisin menjëherë pas shfaqjeve të “Të bardhët” që do të jepet premierë të premten mbrëma në teatrin “Oda” në kryeqytet. 

“‘Six against Turkey’ është ende në faza të idesë, të mbledhjes së materialeve. Është shfaqje që flet për degradimin e demokracisë dhe për ngritjen e sistemeve autoritare kudo në botë. Në frymën e një teatri të angazhuar që e bën qendra ‘Multimedia’, edhe kjo shfaqje ka për synim t’i ngrejë disa pyetje të rëndësishme shoqërore”, ka thënë Kadriu duke bërë të ditur se pikënisje e shfaqjes është ai që njihet si rasti i “gylenistëve” i vitit 2018. 

“E kemi hapur një thirrje për aktor turq apo turqishtfolës pasi nisemi nga një rast. Nga ai i ‘rrëmbimit’ të gjashtë mësuesve të shkollave të mesme turke në Kosovë para disa vjetësh kur janë deportuar për në Turqi me justifikimin se u takojnë organizatave gyleniste”, ka shpjeguar Kadriu. 

Numërori në emërtimin e shfaqjes përkon me numrin e personave që konsideroheshin pjesë e lëvizjes kundër presidentit turk e që nga Kosova ishin deportuar për në Turqi. Kjo është veç një mostër ndërsa pjesa tjetër e historisë, frymëzimi. 

Regjimi në Turqi tash e një kohë të gjatë u është vënë pas mbështetësve të lëvizjes “Hizmet”(shërbim) të  Fethullah Gulen, rivalit kryesor të presidentit aktual Recep Tayyip Erdogan. Ata konsiderohen terroristë nga shteti, ndërsa vetë lëvizja është shpallur terroriste. Grusht shteti i dështuar në korrik të 2016-s ka pasuar me mijëra persona të arrestuar dhe shumë të tjerë të larguar nga puna pas dyshimeve se janë “gylenistë”. 

Fotografitë e tyre, me shiritat e kuq që mbulojnë fytyrat, e ilustrojnë posterin e projektit. 
Aurela Kadriu ka thënë se “Six against Turkey”  është projekt që reflekton me gjendjen e sistemeve autoritare në Evropë. 

“Kështu që duam ta eksplorojmë këtë ngritje të sistemeve autoritare në emër të të së cilave ndodh një shkelje e tillë e të drejtave të njeriut. Kjo për të parë se çfarë po ndodh në Evropë sot që kemi ngritje kaq të madhe të sistemeve të djathta dhe të sistemeve autoritare e që kemi degradim kaq të madh të demokracisë dhe të vlerave të saj”, ka thënë ajo. 

Shfaqja është planifikuar të kompletohet në vjeshtë të këtij viti, ndërsa tash është në kërkim të aktorëve profesionistë turq apo turqishtfolës. Sipas kërkesave për ata që synojnë të aplikojnë, nga 20 gushti deri më 15 nëntor do të punohet për prodhimin e shfaqjes. Afati i paraqitjes së kandidatëve është 30 maji. 

Autoritarizmi shtrin ndikimin edhe në fushën e artit. Kur festivali ndërkombëtar i dokumentarëve dhe filmave të shkurtër “DokuFest” shënonte edicionin e 21-të nën temën “Si të mbijetojmë?”, pyetja prekte, midis tjerash, edhe sistemet. 

Kritikja turke e artit, Melis Behlil, kishte thënë se po mësonte për të mbijetuar në kohën kur mikja e saj ishte burgosur në Turqi për veprimtarinë e saj në krijimin e dokumentarëve. Producentja dhe gazetarja Cigdem Mater, në maj të 2022-s ishte dënuar me 18 vjet burg me akuzën e “ndihmës në përpjekje për ta rrëzuar Qeverinë”. 

“Në Turqi mendojmë shumë se si të mbijetojmë ndaj fashizmit”, kishte thënë Behlil.