“Critical observations from ethnomusicology” vjen si përmbledhje e një pune shumëvjeçare të etnomuzikologut Krenar Doli. Flet për një pjesë të madhe të pasurisë kulturore të qytetit të Gjakovës. Nis me një studim për veshjet tradicionale të asaj ane dhe përfundon me një vështrim të detajuar mbi karrierën e këngëtarit të ndjerë nga Gjakova, Ismet Peja
Një pjesë e kulturës së pasur të qytetit të Gjakovës është përmbledhur në librin e etnomuzikologut në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Krenar Doli. Nëpërmjet librit “Critical observations from ethnomusicology, work, studies, notes” shpalosen gjashtë artikuj kërkimorë që lidhen me fenomene dhe çështje të muzikës tradicionale shqiptare. Janë të gjitha këto punime shkencore të Dolit të publikuara ndër vite nëpër revista të njohura e që janë përmbledhur në një libër i cili është botuar së fundmi. Ka qenë interesimi i redaktores nga shtëpia botuese “Eliva Press” që të publikohej librit.
“Fillesat e kësaj pune lidhen me këta dy-tre vjetët e fundit, janë kryesisht punime që janë botuar në revistat shkencore ndërkombëtare dhe këto dy punimet e fundit që lidhen me Çarshinë e Vjetër të Gjakovës dhe një prej këngëtarëve më emblematikë të qytetit tonë, Ismet Peja, i kanë rënë në sy një editoreje të një shtëpie botuese, Olga Sabazova, dhe ajo rreth muajit shtator më ka kontaktuar dhe më tha se a keni mundësi që këto t’i botojmë”, ka thënë Doli.
Pjesa e parë e librit pasqyron veshjen tradicionale të qytetit të Gjakovës, si për meshkuj ashtu edhe për femra. Artikulli i dytë shqyrton rolin e teqesë në poezinë dhe muzikën shqiptare, derisa e treta trajton rolin e tarikatit bektashi në Kosovë dhe karakteristikat e tarikatit në muzikë dhe në arte të tjera. Shkrimi i radhës trajton Çarshinë e Madhe të qytetit të Gjakovës, me rolin dhe peshën e saj ndër vite, zejet që janë zhdukur e ato pak që mezi po i mbijetojnë kohës.
Doli ka folur më shumë rreth përmbajtjes së këtyre studimeve, një pjesë e madhe e të cilave janë prezantuar edhe nëpër konferenca e simpoziume në vende të ndryshme të botës.
“Gjithsej në këtë përmbledhje që e ka parë dritën e botimit janë gjashtë punime. Punimi i parë lidhet me veshjet e qytetit të Gjakovës qoftë te femrat edhe te meshkujt. Punimi i dytë lidhet me ndikimin e muzikës sufiste qoftë në poezi, qoftë në muzikë që është punim i shkëputur prej temës së desertacionit ‘Tradita e muzikës sufiste në Kosovë’ që është mbrojtur në qershor të vitit 2021. Pastaj një tjetër punim lidhet me muzikën e tarikatit bektashi dhe me ndikimin që ka pasur prej teqeve, si ato këngë janë marrë dhe interpretuar në raste gëzimi, ku si krahasim janë marrë këngët e Isuf Myzyrit, që ne i njohim si këngë, por ato janë nefese bektashiane. Punimi tjetër lidhet me Çarshinë e Vjetër të qytetit të Gjakovës, ku këtë punim e kam pasur edhe lëndë të studimeve të doktoratës”, ka thënë Doli.
Kapitulli i pestë dhe studimi i fundit nga Doli i kushtohet këngëtarit të shquar, tashmë të ndjerë, Ismet Peja. Nëpërmjet këtij punimi shpërfaqet edhe përpjekja që Doli ka bërë për të pasqyruar në detaje gjithë karrierën artistike të një prej këngëtarëve më emblematikë, jo vetëm të Gjakovës.
“Punimi i fundit në këtë libër lidhet me figurën e Ismet Pejës. Është botimi i fundit që është botuar edhe në ‘Gjurmime Albanologjike’ ku Ismet Pejën e kam parë nga disa këndvështrime. Jam munduar t’i analizoj edhe tri këngë emblematike të tij, këngën e parë që e ka regjistruar në Radio Kosovë në vitin 1953 nën përkujdesjen e Rexho Mulliqit dhe Lorenc Antonit, pastaj një këngë me tematikë mërgimi dhe një këngë tjetër ‘Sarajeva shehër i bukur’- këngë e vitit 1935 e krijuar nga Beqir Baraku”, ka thënë Doli.
Po ashtu, për ta përmbledhur studimin për këngëtarin Ismet Peja, Doli ka treguar edhe për intervistat që ka realizuar me profesionistë të fushës së muzikës, të cilët e kanë përcjellë dhe njohur nga afër karrierën e pasur të Pejës.
“Pastaj një dimension tjetër për Ismet Pejën i kam marrë në intervistë prej vitit 2013 edhe pesë njerëz që e kanë njohur nga afër kontributin e Ismet Pejës. E kam marrë akademik Pajazit Nushin sa ishte gjallë, udhëheqësin e shoqërisë kulturore-artistike ‘Hajdar Dushi’, Zekri Çarkaxhiun, kompozitorin fatkeqësisht të ndjerë të qytetit të Gjakovës, Sabah Bytyqi, një intervistë tjetër e kam realizuar me Kastriot Tushën, dhe si i pesti është Edi Furra, një prej këngëtarëve më të popullarizuar në ditët e sotme dhe i cili po shkon edhe hapave të Ismet Pejës”, ka bërë të ditur Doli.
“Critical observations from ethnomusicology, work, studies, notes” është botuar në gjuhën angleze dhe për këtë Doli ka thënë se e ka një arsye: shpalosja e kulturës shqiptare edhe për studiuesit dhe lexuesit e tjerë, jashtë kufijve.
“Këto janë punë të realizuara në gjuhën shqipe, punime studimore, por këto vitet e fundit e kam bërë të qasshme edhe për studiuesit ndërkombëtarë që këtë kulturën tonë ta pasqyrojmë edhe për studiuesit e tjerë. Pritshmëritë janë të mira, edhe pse ka pak ditë që kur libri ka dalë nga shtypi. Impkati i parë është pozitiv dhe dëshira ime është që edhe punët e tjera që i kam në gjuhën shqipe t’i përkthej në gjuhë të huaja, qoftë angleze, frënge e të tjera”, ka përfunduar Doli.
Krenar Doli u lind në Gjakovë në vitin 1985. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje. Në vitin 2007 ka përfunduar studimet themelore në Akademinë e Arteve, Fakulteti i Muzikës, Dega Muzikologji në Tiranë. Në vitin 2014 Doli kreu masterin në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit në Degën Etnologji-Folklor, Specialiteti Etnomuzikologji. Në vitin 2021 ka përfunduar doktoratën në Universitetin e Gazit, në Institutin e Shkencave Sociale, programi i Folklorit Turk, në Ankara. Punon në Institutin Albanologjik në Prishtinë, Dega e Folklorit, Seksioni i Etnomuzikologjisë. Merret me praktika të ndryshme muzikore të hapësirës ballkanike, me muzikë dhe me lidhje shumëpalëshe në sferën artistike dhe social-kulturore. Me punime shkencore u paraqit në sesione, konferenca dhe simpoziume shkencore brenda dhe jashtë vendit.