Kur të gjithë do të jenë të ulur në tavolinat e festës duke kremtuar e reflektuar për vitin që po e lëmë pas, Kohavisioni si gjithmonë do të jetë shoqëruesi juaj. Televizioni më i madh në vend do të sjellë një program festiv të quajtur “Gëzuar me KOHËN!”.
Shkëlqim glamuroz e gjallëri është ajo që do të mund të shihni. Natën e 31 dhjetorit do të mund të dëgjoni interpretime të plot këngëve, valle, performancë, biseda me përplot të qeshura, mesazhe e urata për vitin në ardhje.
“Festa në Kohavision fillon më 31 dhjetor prej orës 7:00 të mëngjesit me edicionin festiv të emisionit SOT”, ka zbuluar disa prej detajeve Dardan Selimaj, producent ekzekutiv i KTV-së.
Në një skenë të mrekullueshme do të performojnë zëra unikë të muzikës popullore. Linda Hakaj, Ymer Bajrami, Ekrem Imeri, Merita Bunjaku janë disa prej tyre. Nën moderimin e Agnesa Vitisë, shikuesit do të kenë rast të ndjekin edhe intervista ekskluzive të Kohavisionit me artistët para performimit për reflektimet e tyre se si kanë shkuar 365 ditët që kanë lënë pas dhe çka presin më 2022. E nuk do të mungojnë as traditat. Është grupi i defatoreve “Shamikuqja” ai i cili do ta ndezë atmosferën me performimin e këngëve më të njohura të muzikës shqiptare nën meloditë e defeve, të cilat do të bëjnë që të gjithë të marrin vallen.
E KTV-ja nuk ndalet me kaq. Programi qendror vazhdon furishëm festën me numërimin plot energji për një vit të ri e të mbarë. Pas saj performancat ekskluzive vazhdojnë.

Janë Motrat Mustafa, Fahrush Azemi, Visar Peja, ata të cilët do t’i shoqërojnë shikuesit pa ndalje me një atmosferë super të jashtëzakonshme, në pasmesnatë. Çdo këngëtar i cili performon do të përcillet nga ansamblet muzikore “Kristal”, Grupi i Gjilanit dhe “Kreshnikët”.
Teksa po ia jepte dorën e fundit skemës programore, Selimaj ka treguar se festa do të vazhdojë me rubrikat e veçanta të emisionit “Express”, për të vazhduar me emisionin “Drive me crazy”, i cili do të sjellë atmosferën festive të shoqëruar nga performanca e këngëtarit Denik Prizreni dhe asaj të Art Lokajt e Labinot Avdiut. “Në ‘60 minuta’, gazetarët e deskut të KOHËS do të sjellin përmbledhjen e ngjarjeve që shënuan vitin 2021, derisa emisioni ‘Te Linda’ do të vijë me edicion special me receta të zgjedhura për tryezën e Vitit të Ri me performancën e veçantë të grupit muzikor ‘String String’”, ka thënë ai. Por festa me KTV-në nuk ndalet me kaq.
Festa nis me “Sot”
31 dhjetor, 7:00

Festa në KTV nis që nga mëngjesi i 31 janarit. Është si gjithmonë emisioni i mëngjesit “Sot” ai i cili i shoqëron shkuesit në orët e para, e që së bashku me përfshirjen e të gjithë gazetarëve të emisionit do të sjellin një atmosferë gazmore që nga ora 7:00.
“Të ftuar, personazhe që kanë shënuar vitin në mëngjeset me KTV-në e deri te muzika e zgjedhur, është përmbajtja e 180 minutave të emisionit”, tregon Dardan Selimaj, producent ekzekutiv i KTV-së.
Këngët e vitit, një ditë si babadimër, dekoret për fundvit, përgatitja e gjelit të detit në sofrën e festave, dhe shumë materiale të tjera speciale vijnë me “Sot”.
“Express” me surpriza, “Jeta” speciale
31 dhjetor, 14:00
Tutje kremtimi vazhdon edhe me emisionin e pasdites “Express”. Prej orës 14:00 do të nisë festën me paralajmërim të programit festiv, duke shkëputur atmosferën e cila si e plotë do të transmetohen natën e 31 dhjetorit. Nuk do të mungojnë as intervistat e moderatores Ariana Berisha. Ylli i muzikës skenike Lindita Hakaj, në një bisedë për KTV-në, do të shpalosë detaje nga rrugëtimi i saj i begatë muzikor. Nuk ka se si të mungojë as kolegu i saj, Ymer Bajrami, me të cilin jo pak herë kanë ndarë skenën bashkë. Lojërat janë qershia mbi tortë e festimeve. Prapaskena e ekipit të kulturës vjen nëpërmjet lojës së famshme “Secret Santa”. Se si do të reagojnë kolegët mes vete për dhuratat e fshehta të cilat do t’ua lënë njëri-tjetrit, do të mund ta shihni vetëm në “Express”. Po ashtu, dekoret më trend të ambientit festiv do të mund t’i kuptoni nëpërmjet stories e cila sjell detaje nga dekorimi i një lokacioni. Edhe emisioni “Jeta”- i cili prej gjysmës së dytë të vitit 2021 erdhi me format tjetër, sjell edicionin festiv. Se ku do të zhvendoset ekipi i këtij emisioni, mos e ndërroni kanalin.
“Drive Me Crazy” ndryshe, një vit në “60 minuta”
31 dhjetor, 15:45 dhe 17:15

Tek zbulon të tjera detaje, Selimaj ndalet te “Drive me crazy” i cili do të sjellë atmosferën festive të shoqëruar nga performanca e këngëtarit Denik Prizreni dhe asaj të Art Lokajt e Labinot Avdiut, shpalos Selimaj.
Emisionin të cilin shikuesit rëndom e shohin nga studioja e radios “Glam”, tashmë do ta kenë rastin ta shohin në një format krejtësisht ndryshe. Një zhvendosje ambienti, ndërrim të formatit të të bërit pyetje e performanca plot ritëm do ta pasurojnë pasditen.
Se cilat kanë qenë ngjarjet kryesore që kanë shënuar vitin, e kanë ndodhur realisht në 2021 në rrafshin politik, ekonomik e social dhe shumëçka tjetër do të mund t’i shihni në emisionin “60 minuta” me Mimoza Koprani- Muçajn.
“Në ‘60 minuta’, gazetarët e deskut të KOHËS do të sjellin përmbledhjen e ngjarjeve që shënuan vitin 2021,
Nuk do të mungojnë as urimet e personazheve që janë komentuar tejet shumë, e që vijnë nën interpretimin e Agon Myftarit, “Gjithologët”.
Receta e muzikë “Te Linda”
31 dhjetor, 18:00
Emisioni që i shoqëron shikuesit gjatë gjithë vitit me recetat e gatimet e shijshme, por edhe të shëndetshme, “Te Linda”, tashmë do të shfaqet në një format ndryshe. Linda Haxhibrahimi nuk do të sjellë vetëm tryezën festive. Në një ambient unik, ajo ndan me shikuesit sekretet e recetave të saj, dhe jo vetëm. “Emisioni ‘Te Linda’ do të vijë me edicion special me receta të zgjedhura për tryezën e Vitit të Ri me performancën e veçantë të grupit muzikor ‘String String’”, ka thënë Selimaj.
“Nëpër gjemba drejt yjeve” deri te “Java sonte me Rronin”
31 dhjetor, 20:00 dhe 21:00
Programi deri te nata më e gjatë e vitit vazhdon me premierën e koncertit “Nëpër gjemba drejt yjeve” dedikuar 80-vjetorit të Shyqri Nimanit dhe risjelljes së disa prej këngëve të tij në interpretim të emrave të njohur të skenës shqiptare. Janë “Gjithologët” që do t’i prijnë ndezjes së atmosferës.
“Inva Mula, Vesa Luma, Edona Reshitaj, Mariza Ikonomi, Genc Salihu, Dren Abazi, Shpat Deda, Art Lokaj, Armend Xhaferi, Agron Peni, nën përcjellje të orkestrës me muzikantët Roni Gjura, Rajkard Bardhi, Brikel Guga, Ilir Vorpsi, Mateos Gjipi dhe Nesim Maxhuni”, ka thënë Selimaj. Janë këngë që kanë shënuar një kapitull të historisë së muzikës moderne shqipe. E “Nëpër gjemba drejt yjeve” do t’i lërë vendin “Java sonte me Rronin”, emision që më 2021 pasuroi skemën programore të Kohavisionit. “Edhe emisioni ‘Java sonte me Rronin’ do të vijë me të ftuar dhe një edicion special”, ka thënë Selimaj pa zbuluar më shumë.
Tri orë këngë e valle
31 dhjetor, 22:00
Shikuesit e Kohavisionit s’kanë arsye ta ndërrojnë kanalin. Nata e 31 dhjetorit do të vazhdojë me programin special “Gëzuar me KOHËN!”, me Linda Hakajn, Ymer Bajramin, Motrat Mustafa, Ekrem Imerin, Merita Bunjakun, Fahrush Azemin dhe Visar Pejën, të shoqëruar nga ansamblet muzikore e defatore.
Një repertor i pasur me laramaninë ritmike herë më të gjallë e herë që të bën të ngresh gotat, është përzgjedhur ekskluzivisht për shikuesit e KTV-së. Krejt këto do të shoqërohen edhe me valle speciale të ansambleve të këngëve e të valleve. Janë valltarët nga ansamblet “Hajvalia” dhe “Vitija” ata të cilat do të bëjnë që shamitë e kuqe të valëviten në skenë.
“Jemi përkujdesur që të sjellim një program të veçantë për Vit të Ri, dhe ‘Gëzuar me KOHËN!’ është i tillë”, ka thënë Selimaj. “Gëzuar me KOHËN!”, vjen edhe me kapitullin e veçantë, me koncertin e Motrave Mustafa, për të vazhduar edhe me atë që është titulluar “Një gotë raki”.
Fëmijët festojnë me PFF
1 janar, 16:15
“Programi Fluturues i Fëmijëve” vjen në një format festiv gjithashtu më 1 janar. Në studio do të flasin fëmijët se a besojnë që ekziston babadimri, çka kërkojnë këtë vit nga ai, dëshirat që presin t’iu realizohen dhe momenti më i bukur për vitin që po shkon.
“Programi Fluturues i Fëmijëve vjen me reportazhe interesante, Arushi Bada po ashtu do të vijë me një episod të veçantë derisa do të transmetohet edhe koncerti special i korit ‘Okarina’ i drejtuar nga sopranoja kosovare Elikona Hysaj”, ka thënë producenti Selimaj.
Dekoret nuk do të mungojnë as në këtë emision. Nëpërmjet punëdoreve shikuesit më të vegjël do të kuptojnë më shumë detaje rreth përgatitjes së tyre për ambiente festive. Natyrisht që as tortat nuk kanë se si të mos jenë në tryezat e Vitit të Ri. Andaj edhe për këtë, PFF do të transmetojë përgatitjen e një ëmbëlsire. E tëra kjo do të zhvillohet në një frymë garuese mes fëmijëve, me përplot festa e energji.
“Nëpër film” me gjeneratën e re
1 janar, 18:00

Në kuadër të festave nuk mungon as edicioni festiv i emisionit “Nëpër film”, që i dedikohet vitit 2021 i cilësuar si më i suksesshmi deri më tani për kinematografinë vendore.
Më 1 janar emisioni i dedikohet gjeneratës së re të aktoreve, të cilat qysh me filmat e tyre të parë të metrazhit të gjatë kanë marrë vlerësime të larta dhe kanë prekur skena të festivaleve të mëdha ku madje edhe janë shpërblyer.
Mysafire të ftuara në studio janë tri protagonistet e tre filmave të mëdhenj dhe të suksesshëm shqiptarë: Rina Krasniqi, Alketa Sylaj dhe Kosovare Krasniqi.
Në këtë bisedë aktoret do të tregojnë për eksperiencat e tyre në filmat: “Virgjëresha shqiptare”, “Vera andrron detin” dhe “Në kërkim të Venerës”, sfidat nëpër të cilat kalojnë aktoret në vend dhe sukseset e fundit që kinematografia kosovare po i shënon në çdo cep të botës, përjetimet e tyre në sheshin e xhirimeve, bashkëpunimin me kolegë e regjisorë, dashurinë që e kanë për aktrimin dhe shumëçka tjetër.
Pasditja e së dielës me Filharmoninë
1 janar, 18:00
Në kuadër të programit festiv vjen edhe koncerti i fundvitit i Filharmonisë së Kosovës me dirigjent Svilen Simeonov dhe solistin e mbrëmjes, violinistin kosovar Festim Fanaj. Koncerti sjell si asnjëherë tjetër një program tejet atraktiv me vepra të riorkestruara nga mjeshtrit klasikë Mozart, Beethoven e Strauss e deri te disa prej hiteve të bendeve ikonike “Queen” e “Deep Purple” e kolonat zanore të filmave si “Piratët e Karaibeve” e “Star Wars”.
Nata parë e 2022-s me “Op Labi Party”
1 janar, 20:00

Në natën e parë të vitit 2022, festa vjen me edicionin special të emisionit “Op Labi Party”. Me ekskluzivitetin e emrave të dëshmuar të skenës muzikore shqipe, do të shijohen momente të paharrueshme në një shfaqje televizive speciale.
Nuk do të mungojnë as traditat. Kulla e Mazrekajëve do t’ia hapë dyert Kohavisionit për të sjellë një dasmë tradicionale. Rita dhe Fidani janë dy protagonistët të cilët do të ‘martohen’ si në kohën e vjetër. Defet, kënaja, sharkia e çiftelia nuk do të mungojnë bashkë me shumë surpriza të tjera.
“’Op Labi Party’ do të sjellë një program maratonë prej pesë orësh me yjet e estradës shqiptare e me pjesëmarrjen me mbi 100 artistëve dhe performuesve”, ka thënë Dardan Selimaj.
Shkurte Gashi, Labinot Tahiri, Ylli Demaj, Buraku, Lori, NRG Band, Alban Mehmeti, Angjela Persiteri, Ryva Kajzati, janë vetëm disa nga emrat e shquar të cilët do t’ju shoqërojnë në natën e dytë të Vitit të Ri.
“Ça ka 3” vjen edhe me “parashikime”
2 janar, 20:00

Skemës programore të emisioneve me edicion festiv i bashkohet edhe emisioni i të rinjve në KTV, “Ça Ka’3” me autor Jon Krasniqin. Dolli, këngë, lojë, surpriza e shaka mes të rinjve vijnë tek ju me rastin e festave të fundvitit.
TikTok-er, aktore, ‘’president’’ e shumë personazhe të tjera interesante do të jenë mysafirë më të cilët shikuesit do të kenë mundësi t’i njohin gjatë këtij edicioni festiv. Emisionit i bashkohet edhe një astrologe e cila përveçse mundohet që përmes letrave ‘’tarrot’’ ta shuajë sado pak kureshtjen e të rinjve për të ardhmen e tyre, ajo tregon se çfarë shenje e horoskopit do të jetë e dashura e tij, që sipas saj ajo do ta takojë gjatë vitit 2022. Përveç saj, edicionit festiv nuk kanë si t’i mungojnë edhe fytyrat publike si Shpat Deda, Shkumbin Istrefi, Aurita Agushi. Në festë, të rinjtë vijnë edhe me debate. Interesimi më i madh i një pjese të rinisë ka qenë dhe ende është reality show ‘’Big Brother’’, temë kjo e cila nuk do t’i mungojë as “Ça Ka 3”.
“Pro X” në mozaikun e personazheve
2 janar, 17:30
Emisioni i cili gjatë këtij viti u rikthye sërish në ekranet e KTV-së, “Pro X” me Gili Hoxhajn ka rrugëtuar gjatë vitit tok me shumë rrëfime. E në fundvit do të bëhen bashkë personalitetet më të dalluara të sivjetme që kanë kaluar në studion e këtij emisioni. I pari mysafir ka qenë Luan Hajra, si ikonë e muzikës popullore dhe qytetare, i cili këtë epitet, që ia dha populli, e vulosi kudo që këndonte, ani pse nuk kishte ndonjë shkollim muzikor. Tutje “Pro X” sjell edhe këngëtaren e hitit “Mos më lini vetë”, Miranda Hashanin, e cila ka rrëfyer për profesionin e saj në pikturë, sesi hoqi dorë nga mjekësia për muzikën e shumëçka nga jeta e saj familjare. Gjatë pandemisë kemi humbur edhe shumë emra të njohur të skenës kulturore në vend. Njëri prej tyre është edhe ikona e humorit Rasim Thaçi – Cima. Këngëtarja Adelina Thaçi përmes emisionit “Pro X” e ka kujtuar babanë me shumë emocione, ku ka treguar edhe porositë që ia kishte dhënë ai gjatë karrierës.
“Top Fashionista” me modë e muzikë
2 janar, 21:45

Në një skenë super sharmante, në një emision mbi dyorësh do të mund të ndiqni bashkimin e emisioneve “Fashionista” dhe “Top Koha Music”. Nën moderimin e Sara Kocit, pjesa e parë do t’u kushtohet modës, trendeve të veshjeve të vitit dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me elegancën dhe stilin nëpërmjet intervistave me katër të ftuarit.
Vazhdimi i “Top Fashionista” do t’i dërgojë shikuesit në tinguj ritmikë e plot gjallëri. Do t’i kushtohet vëmendje skenës së re të muzikës, ku do të jenë prezentë me performancën e tyre dy rep-artistë të mirënjohur.
Nuk do të mungojnë as ekskluzivitetet. Dafina Kastrati për të parën herë do të shpalosë albumin e saj, në një performancë live.