Prania e shtresës kulturore dardane në Ulpianë është konfirmuar me gërmimet në sektorin e parë të këtij parku arkeologjik, saktësisht në hapësirën midis tempullit me portiko dhe bazilikës paleokristiane. Për këtë arkeologët vendorë e francezë janë të sigurt 99 për qind. Arkeologët Milot Berisha bashkë me kolegun e tij francez, Christophe Goddard, kanë shpalosur edhe dëshmi të tjera, të premten, në ditën e fundit të gërmimeve për sivjet. Atyre u janë bashkuar edhe specialistë të tjerë – si arkeobotanisti Florian Jedrusiak e specialisti i qeramikës Tommo Mukai – të cilët nëpërmjet gjetjeve “rimodelojnë” përditshmërinë e banorëve të hershëm në Ulpianë
Arkeologëve s’u duhet të gërmojnë as dy metra thellë për të prekur gjashtë shekuj. Mbetjet arkeologjike i shëtisin ata nëpër periudha, perandorë, struktura e histori të shumta. Kjo ndodh sidomos kur bëhet fjalë për një qytet antik si Ulpiana, 12 kilometra larg Prishtinës. Por gërmimi në sektorin e parë të Parkut Arkeologjik – saktësisht në hapësirën midis tempullit me portiko dhe bazilikës paleokristiane – ka nxjerrë në pah edhe gjurmë që vërtetojnë aludimet e mëhershme: shtresë kulturore dardane. Për këtë arkeologët vendorë e francezë janë të sigurt 99 për qind. Indikacionet e mëhershme si gjurmët e varreve të periudhës së hekurit të vonë tashmë janë vërtetuar. “Romakët këtu kanë gjetur një vendbanim”, ka thënë prerazi arkeologu Milot Berisha, që u prin gërmimeve bashkë me kolegun francez, Christophe Goddard.
“Ulpiana është Pompeii i Ballkanit”
Profesori Christophe Goddard, i cili drejton laboratorin “Aoroc” në Paris, është në gjendje të flasë me orë të tëra për Ulpianën. Këtë e bën me entuziazëm. Ngjan shumë me kolegun shqiptar Milot Berisha sa i përket zellit në zbërthimin e shpjegimeve për këtë lokalitet arkeologjik që lulëzimin e kishte gjatë sundimit romak në këto anë. Bile ai bën një krahasim goxha ambicioz.
“Ulpiana është Pompeii i Ballkanit”, ka thënë Goddard mesditën e së premtes. Për ta bërë sa më të qëndrueshëm këtë krahasim me qytetin antik në jug të Italisë, ai ka folur për shtresimet kulturore të Ulpianës.
Në kuadër të bashkëpunimit midis Ministrisë së Kulturës, École Normale Supérieure dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prej pjesës së dytë të gushtit e deri të premten janë bërë gërmime në sektorin e dytë të Parkut Arkeologjik. Indikacionet kanë qenë që hapësira midis tempullit me portiko dhe bazilikës paleokristiane do ende deshifrim. Nëpërmjet kuadrateve që estetikisht janë superiore, stafi me qasje ndërdisiplinore ka zbardhur të dhëna të reja.
Goddard ka thënë se kanë dashur që të kuptojnë më shumë për tempullin me portiko. U ka interesuar kronologjia e zhvillimit të kësaj pjese.
“Është një histori komplekse”, ka thënë ai. Për krejt vijat a shtresimet që kanë dalë gjatë gërmimit janë vendosur numra. Për Goddardin, gërmimi nënkupton edhe shkatërrim, andaj janë kujdesur që secili detaj të dokumentohet. Madje edhe në 3D.
“Secili numër që kemi vendosur tregon diçka që nganjëherë e kuptojmë e nganjëherë jo. Në punën tonë teoria që kemi në kokë shpesh është e gabuar. Varet nga ajo që gjejmë”, ka thënë ai.

Gjurmët e Mbretërisë Dardane
Derisa Goddard ka folur për shtresimet e gjetura, krejt në fillim ka përmendur periudhën pararomake.
“Tani ne po qëndrojmë në periudhë pararomake. Qeramika që kemi nga këtu i takon periudhës dardane dhe nuk janë romake 99 për qind”, ka thënë ai. Ka konstatuar se romakët bënë këtë tempull nëpër shtresën që gjeten pasi kanë ardhur në shekullin e parë të erës sonë.
“Edhe në kopshtin tuaj kur ndërtoni diçka e bëni nëpër diçka që ka qenë para jush”, ka thënë ai derisa ka folur duke qëndruar afër bazës së tempullit. Ka thënë se strukturat e dala gjatë gërmimit flasin për një ndërtesë të periudhës flaviane nga viti 69 deri më 91 pas lindjes së Krishtit.
“Pra kjo ndërtesë i takon periudhës para se qyteti të marrë emrin Ulpiana. Sa i përket periudhës paraprake ne nuk e dimë se si është quajtur qyteti. Ne kemi një mur të cilin nuk e dimë se kujt i takon. Ka gjasë të jetë ndërtesë publike. Disa kolegë thonë se mund të ketë qenë shtëpi. Por prapë nuk e dimë. Kjo tregon se tempulli nuk ishte ndërtimi i parë i romakëve këtu”, ka thënë ai. Ka shpjeguar edhe shenjat e gjetura të cilat janë “vragë” të mjeteve që mundësuan ndërtimin në lartësi. Kurse sa i përket periudhës së sundimit të Trajanit ka thënë të ketë pasur shumë ndërtime. Shtresëzimi i shumtë në Ulpianë është tregues se jo rrallë qyteti është përballur me fatkeqësi.
“Por më pas diçka ka shkuar shumë keq. Është bërë një intervenim i madh nga punonjësit e asaj kohe. E dimë se portiko është shkatërruar. Duke pasur parasysh tërmetet e asaj kohe kemi menduar se shkatërrimi ka ndodhur nga tërmetet. Por realisht ka qenë një zjarr i madh dhe ka pasur shkatërrim. Më pas tempulli nuk ka ekzistuar”, ka thënë Goddard. Gjurmët e zjarrit do të dërgohen në laborator për t’i datuar me saktësi. E perandori Justinian që udhëhoqi nga viti 527 deri më 565 kishte vendosur që të bëjë rindërtimin e qytetit në lindje.
Arkeologu Milot Berisha, i cili ka udhëhequr punimet për shndërrimin e Ulpianës në park arkeologjik, ka thënë se punimet janë zhvilluar në formën ndërdisiplinore. Të gjitha gjetjet e shtresave kanë nxjerrë sasi të madhe të qeramikës që kapin periudhën nga shekulli i parë deri në shekullin e 6-të. Ai ka thënë se gërmimet kanë konstatuar një qeramikë pararomake.
“Po flasim për periudhën dardane apo të Mbretërisë Dardane. Gjetjet, fragmentet që janë tipike të periudhës së hekurit të vonë dëshmojnë se romakët këtu kanë gjetur një vendbanim”, ka thënë ai. Berisha ka treguar se strukturat e ndërtimit nuk kanë mbijetuar pasi llaçi gëlqeror si material lidhës është sjellë nga pushtuesi romak.
“Pra kanë mbetur fragmente të qeramikës. Vitin e ardhshëm do të tentojmë të hyjmë edhe në shtresa më të thella që të konstatojmë edhe gjurmë të vendbanimit që mund të dëshmohen në bazë të karbonizimit të shtyllave të drurit”, ka thënë ai. Sipas Berishës, ka pasur qeramika që janë gjetur edhe më herët. Por ato ishin në shtresa kulturore të përziera. Tash janë të evidentuara në shtresa pararomake. “Në Ulpianë para disa dekadave janë gjetur gjurmë të një varreze të periudhës së bronzit të vonë. Ka pasur varrim me urne. Shtresa e tashme është një rikonfirmim i asaj. I kemi argumentet që e kemi më të lehtë edhe t’i datojmë”, ka thënë ai. Mostrat pritet të japin një datim përfundimtar.
Drithëra e fara frutash për zbërthimin e përditshmërisë

Arkeobotanisti Florian Jedrusiak gjatë gjithë procesit të gërmimit ka qenë i pranishëm me sytë katër. Ai posedon disa sita nëpërmjet të cilave ndan gjetjet e imëta. Shpjegon se arkeobotanika merret me studimin e farave dhe frutave. Në këtë rast ai do të merret me studimin e gjetjeve në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës.
“Qëllimi final është që të arrijmë t’i shohim shtresat arkeologjike dhe të arrijmë t’i studiojmë farat dhe frutat që janë konsumuar në periudhën romake”, ka thënë ai. Ka treguar se farat që kanë dalë gjatë gërmimit nxjerrim atë që studiuesit kanë dëshirë ta kenë. Bëhet fjalë për mbetjet e konsumit të njerëzve që kanë jetuar e frekuentuar qytetin antik.
“Kemi drithëra, grurë, perime të ndryshme e fruta. Herë pas here gjejmë fara të frutave të ndryshme, siç janë pjeshka, qershia, kumbulla e të tjera. Ky studim na ndihmon të shohim përditshmërinë e banorëve të Ulpianës. Këtu kemi një logjikë goxha romake. Kemi një lloj gruri që ka shërbyer për përgatitjen e bukës. Romakët e kanë sjellë me vete këtë lloj gruri”, ka thënë ai. Sa u përket perimeve në bazë të asaj që ka parë, ka ardhur në përfundim se bëhet fjalë për variacione të ndryshme që vërehen nëpërmjet farave.
“Ka ndryshime sa i përket pjesës tjetër të botës romake. Shpresojmë që në vitet e ardhshme të gjejmë edhe fara të tjera në mënyrë që të zgjerojmë studimin tonë”, ka thënë ai.
E japonezi Tommo Mukai, që është specialist i qeramikës, ka treguar se gjetjet e këtij materiali datojnë nga shekulli i parë deri në shekullin e 7-të. Ka thënë se shtresat e fundit që kanë gërmuar këtë vit janë të periudhës pararomake.
“Qeramikat pastrohen një nga një, më pas klasifikohen. Kemi qeramikë kulinare, të zakonshme, të tavolinës e të transportit”, ka thënë ai. Në bazë të asaj që ka parë, ka thënë se Ulpiana dihet të ketë qenë alamet qendre urbane.
“Ulpiana ka qenë qendër regjionale dhe kemi importim të bollshëm të qeramikës. Këtë vit kemi gjetur qeramikë që vjen nga Italia, nga Azia e Vogël dhe nga Greqia”, ka thënë ai.
Në tre hektarë vizitorët qysh nga vitit 2016 – kur një pjesë e lokalitetetit u shpall park arkeologjik – mund të shohin shumë struktura e gjetje. Në sektorin e parë të Parkut gjenden banja romake, tempulli e bazilika e fortifikuar me katër kulla. Por e gatshme për t’u parë është vetëm një kullë. I dyti përbëhet nga vila suburbane apo vila periferike, përkatësisht nga rrënojat e mureve të një krahu të vilës, që pas gjysmës së shekullit I hapësira është shndërruar në varrezë dhe tash quhet nekropoli verior. E sektori i tretë u ofron vizitorëve bazilikën episkopate, që ndryshe quhet edhe katedrale. Është kompleks i madh kishtar i periudhës së antikitetit të vonë, ndërtim paleokristian. Por lokaliteti shtrihet në mbi 30 hektarë përreth.

Arkeologu Milot Berisha ka thënë se gjatë ditëve në vazhdim arkeologët vendorë do të zhvendosen jashtë mureve të qytetit dhe do të vazhdojmë punën ku vite më parë kanë hasur në një portiko me tri hyrje, që, sipas gjasave, ka qenë pjesë e një kompleksi të furrave.
“Mozaiku i portikos së tempullit në shtator do të restaurohet bashkë me ekspertë dhe studentë në bashkëpunim me Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Do të bëhet rikonsolodimi i tërësishëm i mozaikut të shekullit të 2-të”, ka thënë ai, derisa ka treguar se një furrë tashmë është duke u restauruar.