Kulturë

George Lucas nderohet me “Palmën e Artë” për vepër jetësore

George Lucas

Regjisori, skenaristi e producenti George Lucas është laureat i “Palmës së Artë” për vepër jetësore dhe ky çmim i nderit do t’i dorëzohet më 25 maj, në përmbyllje të Festivalit të Filmit në Cannes. Kineasti hollywoodian, i cili në maj feston ditëlindjen e 80-të, kësisoj hyn në shoqërinë e laureatëve të zgjedhur. Para tij për vepër jetësore janë nderuar Harrison Ford, Michael Douglas, Tom Cruise, Jodie Foster, shkruhet në faqet e Festivalit të Cannes. Për ngjarjen madhore të filmit është kënaqësi që nderon njërën prej figurave qendrore të kinematografisë bashkëkohore, regjisorin me karrierë të bujshme, i cili lidh argëtimin me inovacionin, mitologjinë me teknologjinë moderne.

Me rastin e këtij çmimi Lucas ka thënë se Festivali i Cannes përherë ka zënë vend të veçantë në zemrën e tij.

“Kam qenë i befasuar kur filmi im i parë ‘THX-1138’ u përzgjodh të shfaqej asokohe në programin e ri dedikuar regjisorëve. Prej asaj kohe jam kthyer në Cannes në role të ndryshme, si shkrimtar-skenarist, regjisor e producent. Jam i nderuar me çmimin special, i cili për mua ka vlerë të madhe”, ka thënë Lucas.

Festivali i Filmit në Cannes nis më 14 maj dhe hapjen do ta bëjë filmi i Quentin Dupieux “The Second Act”, përderisa publiku do të ketë rastin ta shohë edhe filmin e shumëpritur të Francis Ford Coppolas, “Megalopolis”, regjisorit të famshëm me karrierën e të cilit lidhen edhe fillimet e Lucasit.