Kulturë

Gashi e Ademi vizitojnë “Ulpianën”, premtohet mbështetje për vazhdimin e gërmimeve

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, së bashku me ministrin e Kulturës së Maqedonisë, Asaf Ademi, kanë vizituar Parkun Arkeologjik “Ulpiana”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Gashi tha se Ministria e Kulturës do të vazhdojë edhe më tutje të mbështes punimet dhe gërmimet në parkun arkeologjik pasi që është një trashëgimi e rëndësishme kulturore për Kosovën.

“Ulpiana tani po merr pamje jashtëzakonisht të bukur, një monument shumë i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe tani po shtohet edhe si pikë turistike ku gjatë vitit 2018 kemi mbi 18 mijë vizitorë dhe kjo tregon se sa kanë qenë të rëndësishme investimet MKRS-së në këtë lokalitet të trashëgimisë kulturore”, ka thënë Gashi, transmeton Koha.net.

Ndërkaq ministri i kulturës së Maqedonisë, Asaf Ademi tha se sot gjatë takimit me ministrin e kulturës kanë biseduar rreth bashkëpunimit në mes dy vendeve në aspektin e kulturës

“Pata kënaqësinë që bashkë me ministrin dhe stafin e parkut Ulpiana të jem dëshmitarë të një pune cilësore të realizuar këtu dhe të shpreh habinë time që edhe sa shumë punë ka për t’u bërë duke marrë parasysh që vetëm 2% i punëve janë bërë ndërsa gjithçka që është bërë është mahnitëse e dëshmon për një trashëgimi kulturore”, tha Ademi.

{gallery}