Kulturë

Garcia Garcia – virtuozi i skenave botërore

Ishte vetëm 5-vjeçar kur mësoi për pianon. Atëherë edhe veç kishte filluar t’i dëgjonte tingujt e saj. Larg prej sallave koncertale ku ai luan sot – për herë të parë lojën në të e dëgjoi në shtëpi. Përvoja në skena më të njohura e ka kalitur profilin e tij prej pianisti. Me lojën e tij gjithmonë synon të shkojë përtej asaj se çfarë pritet. “Qeniet njerëzore e kanë këtë aftësi të lidhen me njëri-tjetrin, apo për të biseduar, kështu që ne gjithmonë shkojmë përtej asaj çfarë thuhet me fjalë. Njësoj është edhe me pianistin, ne nuk shkojmë gjithmonë se si do të tringëllojë diçka, por është edhe për karizmin dhe për diçka tjetër që është brenda. Kjo i bën njerëzit më të etur në atë që ti luan dhe në atë që ka shkruar kompozitori”, thotë ai

Kur 26-vjeçari ulet në piano në një qytet që nuk e ka vizituar kurrë më parë, pak e hiç i intereson se çfarë ka përreth. Këtë përshtypje ta jep në prova pianisti Martin Garcia Garcia. Pak orë para se të fillojë koncerti është tërësisht i shpërqendruar nga ajo që ndodh në sallën që bëhet gati për hapjen e festivalit që i dedikohet kompozitorit të njohur Frederic Chopin.

Për më tepër emri i kompozitorit polak e tërheq ngado pianistin e ri. Andaj pa menduar dy herë e ka pranuar ftesën për një mbrëmje koncertale në Prishtinë. Virtouziteti i tij në lojë, pa sallën e rregulluar e pa veshje solemne, të jep ndjenjën e një koncerti. Instrumentisti do që në secilin koncert të krijojë një eksperiencë të veçantë. Këtë e përsërit në intervistë, por edhe para saj e dëshmon me përkushtimin e madh në prova. Koncerti pastaj ka qenë bindje e fortë e kësaj. Por kryeqyteti i Kosovës për të është ngazëllim dhe befasi e llojit të vet. Aq më tepër që mban një festival që i dedikohet kompozitorit Frederic Chopin, muzikën e të cilit Garcia Garcia do ta dërgojë kudo në botë.
“Është ngazëlluese të jem këtu, siç i tregova dikujt nga organizatorët është shumë interesante se sa herë që shkoj në një vend të ri – siç është hera e parë me Prishtinën, e marr një ndjenjë të vendit dhe të njerëzve. Këtu ishte shumë e çuditshme, nuk mund të marr asnjë përshtypje – mund të them që është vendi më interesant që kam vizituar. Më duket sikur diçka misterioze, por është ngazëlluese”, ka thënë ai krejt në fillim.

Më i miri i katedrës

Ishte vetëm 5-vjeçar kur mësoi për pianon. Atëherë edhe veç kishte filluar t’i dëgjonte tingujt e saj. Larg prej sallave koncertale ku ai luan sot – për herë të parë lojën në të e dëgjoi në shtëpi. Vëllai i tij më i vjetër ishte ai që nisi lojën në këtë instrument. Duke pasur model të vëllanë, Garcia Garcia ndoqi të njëjtën rrugë, por doli që kjo ishte rruga e tij. Memorien thotë se e ka lëmsh e nuk ia del t’i kujtojë ditët e para në piano, por është i sigurt që vëllai është shkaktari që sot është një prej pianistëve më premtues të gjeneratës së re.

“Ai ka qenë shtatë vjet më i vjetër. Luante piano në shtëpi, ku e kishim një piano vertikale ku gjithmonë ushtronte. Si fëmijë më i vogël fillova ta kopjoja vëllanë tim, pasi që doja të bëja çfarëdo që bënte ai. Fillova falë tij. Ai u ndal dhe u bë avokat, kurse unë vazhdova me pianon”, ka treguar ai për KOHËN. Pianisti i lindur në vitin 1996 në Gijon të Spanjës, studimet i filloi si 5-vjeçar në Natalia Mazoun dhe Ilya Goldfarb. U diplomua në Shkollën e Muzikës Reina Sofida, ku studioi për më shumë se një dekadë me Galina Eguiazarova dhe mori çmimin për Studentin më të mirë të katedrës nga madhëria e saj, Mbretëresha Sofia. Mësuesit e tij si fëmijë thotë të kenë pasur rol të madh në formimin e tij muzikor. As kur u rrit dhe mund t’u nënshtrohej zgjedhjeve të tjera, Garcia Garcia s’gjeti një arsye që t’i shmangej pianos.

“Nuk kisha kurrë ndonjë arsye të mirë për ta ndryshuar instrumentin dhe që nga mosha shumë e re kisha shumë profesorë striktë dhe profesionalë që vinin nga Bashkimi Sovjetik. Isha me fat në këtë fushë dhe nuk doja kurrë ta ndërroja këtë instrument, që është mbret i instrumenteve, është sikur një mini-orkestër”, rrëfen tutje ai. Lojën e tij gjithë pasion në piano e bëjnë veçmas të dukshme veprat e kompozitorit gjerman të epokës së vonshme të barokut, Johann Sebastian Bach dhe të kompozitorëve të tjerë që gjetën rrugën duke e marrë atë shembull.

New Yorku si kapitull i veçantë

“Zgjedhja është, sepse Bach ishte një prej mjeshtërve më të mëdhenj në historinë e kompozimit. Të gjithë kthehen për të shikuar kah ai, për mënyrën se si ka kompozuar dhe të gjithë e shihnin si mjeshtër, veçmas Chopini”, ka thënë pianisti nga Spanja. Kudo në lojën e tij janë edhe veprat e kompozitorit polak të romantizmit Frederic Chopin dhe kompozitorit hungarez Franz Liszt. Të dy kompozitorët e romantizmit janë në repertorin e tij, pikërisht për arsyen se janë të kundërt.

“Chopini është muzikant më klasik, nuk është një muzikat që e shikon të ardhmen për të bërë ndonjë shpikje në muzikë, ai nuk ka shpresa të tilla. Ai veç shpreson që të jetë i mirë po aq sa muzikantët para tij. Listz është e kundërta, është revolucionuar. Ata paraqesin dy anët e romantizmit që luftojnë dy anët e shpirtit të njeriut”, thekson ai. Garcia Garcia ka kryer studimet master në piano në “Mannes School of Music” në New York. Atje ai ka punuar me pianistin e shquar Jerome Rose. Eksperienca në një vend të largët e ka bërë që të arrijë edhe më pjekurinë muzikore. Pianisti që jetonte në veri të Spanjës, kur u vendo në Madrid, arriti të ekspozohej para mundësive të mëdha, por New Yorku është një kapitull tjetër i ngazëllimit.

“Tre vjet më parë vendosa se është koha ta braktis shtëpinë dhe të zhvendosem tutje me karrierën time. Në fund, duhet të qëndrojmë vetëm (edhe pse në muzikë kemi nevojë për njëri-tjetrin). Këto vite në New York kam përfituar shumë profesionalisht, si muzikant dhe si qenie njerëzore dhe kjo është shumë e rëndësishme pasi që ne nuk jemi vetëm muzikantë, ne përballemi edhe me kushtet në të cilat jetojmë e që është shumë më komplekse. New Yorku ka ndërruar çdo gjë”, shprehet Garcia Garcia, i cili do të vazhdojë qëndrimin e tij atje. Ai ka fituar çmimet e para në disa konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare, duke theksuar fitoren e tij në Konkursin Ndërkombëtar të Pianos në Cleveland 2021 dhe Çmimin e tij të 3-të në Konkursin Ndërkombëtar XVIII Chopin të Pianos (dhe Çmimin special për koncertin më të mirë). Ai mori Çmimin e parë në Institutin dhe Festivalin Ndërkombëtar të Tastierës 2018, të mbajtur në Nju- Jork. Ai gjithmonë i pret me gëzim garat muzikore dhe i sheh si mundësinë më të mirë për t’u lidhur me publikun.

“Në garat e Chopinit që është një event global, ku secili mund ta shikoj ‘online’ kurdo që do dhe kjo të jep një ndjenjë të veçantë, sepse nuk luan vetëm për njerëzit në sallë, por për mijëra e mijëra në mbarë botën. Është më shumë se një festival dhe më shumë se garë. Kurrë nuk kam dashur të ndihem i stresuar në gara muzikore, nuk doja t’i shihja si gara”, ka treguar ai në një intervistë për KOHËN. Garcia Garcia shquhet për pasionin me të cilin luan. Veprën e trajton me respektin më të madh. Por, për më tepër s’do asnjëherë ta zhgënjejë publikun që ndan kohën për koncertin e tij.

Interpretimi si katalizator ndjenjash

Veten e sheh të pashkëputur nga pianoja – loja në të është më shumë se rutinë, është si një katalizator për të shpërndarë ndjenjat e veçanta.

“Për mua muzika është si t’i laj dhëmbët. Nuk di cila është rutina dhe disiplina ime, por është sikur gjërat që i bëj në mënyrë automatike. Pianoja është njëra prej tyre. Është sikur ta pastrosh veten, njëjtë edhe me pianon është sikur shkon ta pastrosh veten. Nuk ka kurrë një përfundim, nuk ka kurrë perfeksion, por vetëm përpjekje për ta bërë atë më të veçantë”, është shprehur tutje ai.

Eleganca është një tjetër element që e dallon lojën e 26-vjeçarit. Me lojën e tij dukshëm ka tejkaluar potencialin e moshës së tij. Përvoja në skena me të njohura e ka kalitur profilin e tij prej pianisti. Me lojën e tij gjithmonë synon të shkojë përtej asaj se çfarë pritet.

“Qeniet njerëzore e kanë këtë aftësi të lidhen me njëri-tjetrin, apo për të biseduar, kështu që ne gjithmonë shkojmë përtej asaj çfarë thuhet me fjalë. Njësoj është edhe me pianistin, ne nuk shkojmë gjithmonë se si do të tringëlloj diçka, por është edhe për karizmin dhe diçka tjetër që është brenda. Kjo i bën njerëzit me të etur në atë që ti luan dhe në atë që ka shkruar kompozitori”, thotë ai.

Garcia Garcia ka dhënë koncerte si solist në ambiente në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke marrë vlerësime shumë pozitive nga muzikantë dhe pianistë të klasit botëror. Suksesi i arritur në konkursin “Chopin” në Varshavë dhe në Cleveland ia ka hapur dyert Martinit të shkojë edhe në turne në Japoni, Evropë e SHBA.