Kulturë

Garcia Garcia me virtuozitet fut publikun në romantizëm

Martin Garcia Garcia në Prishtinë ka ardhur vetëm për pak ditë. Por nami që ka lënë hetohet hiq pa e lexuar biografinë e tij. Që në ekzekutimin e notave të para në piano dëshmon se diapazoni i tij muzikor është larg moshës që ka. Pianisti i ri i cili është duke realizuar një turne në Evropë, veç është dëshmuar në skena më të njohura pianistike. Megjithatë, kur bëhet fjalë për kryeqytetin kosovar ka pasur pak pyetje për skenën se ku do të performojë, por me entuziazmin më të madh është nisur për në Prishtinë për ta hapur edicionin e 12-të të “Chopin Piano Fest”.

Një koncert i pianistit që karrierën po e ndërton mbi kompozimet e polakut Frédéric Chopin ka qenë më se i mirëseardhur. Festivali ka nisur maratonën e koncerteve pikërisht Në Ditën e Evropës. Para se Garcia Garcia të ulej para pianos, Shkurta Gashi në piano dhe Shkurta Hajdini në këndim kanë interpretuar një vepër si homazh për viktimat e luftës në Ukrainë. Garcia Garcia mbrëmjen e ka nisur me vepra të kompozitorit Johann Sebastian Bach.

“Prelude and Fugue g-mol BWV”, “Prelude and Fugue C-dur BWV” dhe “Prelude and Fugue D-dur BWV” kanë qenë veprat me të cilat pianisti e ka shprehur virtuozitetin e tij në skenë. Me veprat që prezantohet edhe në skena larg Kosovës, ai ka dëshmuar pjekurinë e tij muzikore. Janë kompozime të cilave ua mësyjnë studentët e pianos që synojnë të prekin kulmin. Garcia Garcia, që me muzikë ishte marrë prej moshës pesëvjeçare, virtuozitetin në skenë e ka arritur me ritëm shumë të shpejtë. Këtë e ka dëshmuar edhe në veprat e kompozitorit që e kompleton profilin e pianistit spanjoll dhe të cilit i dedikohet festivali, që nisi edicionin e 12-të të hënën mbrëma. Chopin kishte kompozuar veçmas për piano solo.

Me “Impromptu in Gb-mol, op.51” të Chopin, Garcia Garcia në Prishtinë ka bartur elegancën që e ngërthen vetë vepra. Energjia me të cilën publiku e ka përcjellë lojën në kryeqytet e ka bërë pianistin spanjoll të shpresojë për rikthim në Prishtinë.

“Ishte fantastike, nuk e kam pritur një reagim kaq pozitiv. Është një mirëseardhje shumë e ngrohtë. Kur një muzikant vjen, ai i jep gjithçka publikut dhe publiku këtu sonte reagoi shumë mirë. Jam shumë i lumtur që isha këtu”, i ka thënë ai KOHËS, fill pas koncertit.

Me vepra që kërkojnë dedikim, instrumentisti nga Spanja dëshmoi që lojën nuk mund ta bëjë pa u zhytur në emocionin që ngjallin tingujt. Këtë jo rrallë e bënte symbyllurazi. Në veprat e Chopinit, me të cilat përmbylli mbrëmjen, dinamika e lojës shpesh s’i linte vend për shkëputje.

Garcia Garcia shquhet për pasionin me të cilin luan. Tërësisht i zhytur në tingujt e epokës së romantizmit, ai e ka mbajtur publikun plot dy orë të vëmendshëm në interpretim. Garcia Garcia deri tani është fitues i disa çmimeve të para në disa konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare, duke theksuar fitoren e tij në Konkursin Ndërkombëtar të Pianos në Cleveland 2021 dhe çmimin e tij të 3-të në Konkursin Ndërkombëtar të XVIII Chopin të pianos dhe Çmimin special për koncertin më të mirë. Suksesi i arritur në Konkursin Chopin në Varshavë dhe në Cleveland ia ka hapur dyert të shkojë në turne në Evropë, Japoni dhe në SHBA. Drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula, që nga dëgjimi i parë kishte shpresuar që pianisti spanjoll lojën e tij në piano ta prezantojë edhe në Kosovë.

“Unë e kam dëgjuar këtë pianist në tetor kur isha prezent në etapën e tretë në asamblenë e përgjithshme të federatës internacionale të shoqatave të ‘Chopin’. Ai e fitoi çmimin e dytë, por për mua praktikisht ai ishte fitues i festivalit. Isha e mahnitur nga performanca e tij”, rrëfeu ajo njoftimin me pianistin e ri. Për Pulën ardhja e tij në Prishtinë i afron publikun dhe studentët me vlerat e një artisti të nivelit ndërkombëtar e goxha të jashtëzakonshëm për moshën e tij.

“Ai jeton në botën e tingujve. Ajo është bota e tij. Është vetëm 25-vjeçar dhe jemi falënderues që ka ardhur. Ne e bëjmë për hir të publikut tonë, studentëve që t’i shijojnë këto vlera, sepse pa i parë nuk e dinë që ekzistojnë dhe kështu edhe të tjerët mund t’i synojnë këto”, ka treguar ajo.

Publiku nuk e ka lëshuar lehtë nga skena Garcia Garcian. Duartrokitjet e gjata e kanë bërë pianistin që të ulej edhe për dy herë në piano pas përfundimit të koncertit. “Chopin Piano Fest” nisi në vitin 2010, si një ngjarje muzikore kushtuar ditëlindjes së 200-të të një prej kompozitorëve më të mëdhenj të pianos, Frederic Chopin, i njohur edhe si “poeti i pianos”. “Chopin Piano Fest” në edicionin e 12-të do të vazhdojë me një maratonë koncertesh, por mbrëmja e hapjes është konsideruar si një ftesë për koncerte të tjera që synojnë t’u përshtaten të gjitha stileve. Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka thënë se ky festival ka kontribuar në ngritjen e kulturës kosovare në nivel evropian e botëror.

“Ne të gjithë jemi të njoftuar me historinë e gjatë të këtij festivali. Është një nga festivalet më të rëndësishme, është një nga ngjarjet që ka kontribuar që Kosova të futet në hartën jo vetëm evropiane, por edhe botërore kulturore. Ky festival ofron një program të jashtëzakonshëm me muzikantë të njohur”, ka thënë ai në hapjen e festivalit.

“Chopin Piano Fest” do t’i sjellë publikut të Prishtinës 14 mbrëmje koncertale, që do të mbahen gjatë një muaji. Këtë vit do të prekë edhe tingujt e jazzit me mbrëmjen “The story of Arben”, që do të bëjë bashkë në skenë pianistin Arben Ramadani dhe kitaristin Armend Xhaferi, e cila do të mbahet më 18 maj.