Kulturë

Galeria synon zgjerimin e audiencës me programin e vitit 2023

Përderisa fituesit e projekteve i kishte bërë të ditur dhjetë ditë para përfundimit të vitit të kaluar, të mërkurën Galeria Kombëtare e Kosovës ka shpalosur detaje për planet që ka për sivjet. Përveç veprave të emrave të njohur të skenës artistike, aty pritet të ekspozohen edhe veprat e artistëve të rinj, të cilët debutojnë në GKK. Sivjet ky institucion ka 150 mijë euro më shumë buxhet sesa vitin e kaluar. Për 2023-tën i janë ndarë 376 mijë euro, përderisa për vitin 2022 kishte 226 mijë euro buxhet vjetor

Galeria Kombëtare e Kosovës ka paralajmëruar program të ngjeshur për këtë vit. Nëpërmjet aktiviteteve në formate të ndryshme si ekspozita me instalacione, piktura, performanca, skulptura, publikime, dhe një seri të programeve publike, edukative e hulumtuese, Galeria synon edhe zgjerimin e audiencës.

Përveç veprave të emrave të njohur të skenës artistike, aty pritet të ekspozohen edhe veprat e artistëve të rinj, të cilët debutojnë në GKK. Sivjet ky institucion ka 150 mijë euro më shumë buxhet sesa vitin e kaluar. Për 2023-tën i janë ndarë 376 mijë euro, përderisa për vitin 2022 kishte 226 mijë euro buxhet vjetor.

Sipas njoftimit, “menaxhimi i numrit më të madh të projekteve se vitet e kaluara vjen si rrjedhojë e ndryshimeve strukturore që Galeria ka ndërmarrë gjatë vitit 2022 me Këshillin e ri Drejtues të përbërë nga Renea Behluli, Agron Blakqori, Guri Çavdërbasha, Linda Gusia, Arlinda Hajrullahu, Artrit Salihu, dhe Somer Spat”.

Ky institucion udhëhiqet tash e tre muaj nga ushtruesja e detyrës së drejtoreshës Alisa Gojani-Berisha, derisa ekipit i është bashkuar së fundmi edhe kuratorja Hana Halilaj, e cila në muajin korrik kishte hapur në këtë galeri ekspozitën “Një arkiv në nënçati”, si informator për punën pesëdekadëshe të GKK-së. Në fakt, ky institucion është pa drejtor qysh prej gushtit të vitit 2020, kur Arta Aganit i përfundoi mandati dhe krejt kjo histori ka prapa seri konkursesh, anulimesh e ankesash.

Për sivjet GKK i ka paralajmëruar ekspozitat e projektet si ngjarje që sjellin perspektiva e analiza të veçanta të realitetit përmes një game të gjerë mediumesh. Numri i ekspozitave që do të hapen këtë vit është më i madh se ai i mëhershmi, ndërsa ka shumë artistë që do të realizojnë ekspozitat e tyre personale për herë të parë në këtë institucion.

Ekspozita e parë e planifikuar për këtë vit është edicioni i 14-të i bienales ndërkombëtare “Çmimi Muslim Mulliqi”. Më tej do të shpalosen ekspozita retrospektive të Violeta Xhaferit e Lumturi Blloshmi.

Në fund të muajit tetor ishte hapur thirrje për programin vjetor të 2023 dhe në fund të dhjetorit u publikuan emrat e artistëve që synojnë të servojnë artin përgjatë një viti. Projektet fituese që u përzgjodhën janë ekspozitat personale: “Pleasure Tragic” nga Fatmir Mustafa, “I can not touch you and yet you're all around” nga Dardan Zhegrova, ekspozitë nga Zgjim Zyba, “Prishtina Has a River” nga Abi Shehu dhe Sara Rodiqi, “A mund të ëndërrojmë kur trupi është i ngrohur nën mbulojë, ndërsa koka mbetet e ftohtë?” nga Kolektivi Haveit, “Atelieja e piktorit të panjohur” nga Genc Kadriu, “Lumturie Blloshmi: Nga e para në Prishtinë” nga kuratorja Adela Demetja me Lumturi Blloshmi dhe “Armored Cabinet” nga Leart Rama.

Ekspozitat grupore që janë përzgjedhur janë ajo e Shoqatës së Artistëve Vizualë në edicionin e tretë të Bienales dhe ekspozita kolektive me veprat nga Elena Biserna, Djellza Azemi, Sylvain Croci-Torti, Jeneta, Kelly Tissot, Anita Muçolli me kurator Shkëlqim Qestaj. Sipas komunikatës, projekte të tjera që përfshijnë program hulumtues, edukativ dhe publikime të planifikuara janë “Digjitalizimi i Koleksionit të GKK” nga “Lirindja”, programi edukativ “Klasat e Majit” nga “Fondacioni 17”; “National Identity and Feminist Praxis” hulumtim dhe publikim nga Erëmirë Krasniqi dhe Merve Elveren; “Palimpsest of Today / History in Moving Images” hulumtim, publikim dhe ekspozitë nga Sezgin Boynik dhe Tevfik Rada; “Ndërmjetësimi kulturor dhe artistik” nga Ismail Myrseli dhe “Periferi” - hulumtim dhe ekspozitë në hapësira periferike nga Blerta Hoçia.

Rol të veçantë këtë vit i është kushtuar programit edukativ, të cilat kontribuojnë në fushën e edukimit nëpërmjet iniciativave hulumtuese, botimeve, diskutimeve e ligjëratave publike.

“Kuratoret Erëmirë Krasniqi dhe Merve Elveren do të trajtojnë temën e identitetit kombëtar dhe praktikat feministe duke analizuar punën e katër artisteve nga Turqia dhe Kosova. Në bashkëpunim me galerinë, ‘Fondacioni Shtatëmbëdhjetë’ në kuadër të ‘Education+’ do të organizojë hapësira sociale reflektuese, të cilat zhvillohen krahas nevojave të skenës së pavarur dhe audiencës së gjerë. Kurse kolektivi ‘Lirindja’ do të hulumtojë mbi mundësitë për të zhvilluar strukturën e indeksimit të Koleksionit dhe hapjes së institucionit duke ofruar informata sa më të detajuara të qasshme online. ‘Palimpsestet e të Sotmes: Historia e Imazhit Lëvizës’, projekt nga Sezgin Boynik dhe Tevfik Rada do të identifikojë praktika artistike eksperimentale të imazhit lëvizës duke prezantuar një narrativë alternative të historisë së Kosovës në 40 vjetët e fundit”, bëhet e ditur nga GKK.

Po aty shkruhet se projektet kanë për qëllim të ripozicionojnë veprën dhe jetën e artistëve në kontekstin e historive të artit kombëtar dhe ndërkombëtar.

“Projektet e përzgjedhura nga thirrja e hapur kanë për qëllim të reflektojnë gjithëpërfshirje dhe vënë në pah potencialin e artit e kulturës për edukim dhe emancipim shoqëror”, thuhet një njoftimin e Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Këtë vit po ashtu do të fillojë edhe hulumtimi i veprës së arkitektit dhe artistit Agush Beqiri për ekspozitën personale, e cila planifikohet të organizohet në fillimin e vitit 2024.

Aktualisht në GKK vazhdon të jetë e hapur ekspozita me veprat e artit të blera vjet nga Ministria e Kulturës. Aty janë 87 vepra që tash janë pronë shtetërore dhe i janë bashkuar fondusit prej mbi një mijë veprash, ku bëjnë pjesë edhe 121 sosh që u bartën nga janari i vjetëm prej hotelit “Grand”. Ajo që shpërfaq veprat e reja të blera për 300 mijë euro është një mozaik goxha kompleks i disa gjeneratave të artistëve. Ka edhe kontraste të theksuara, ku krah për krah qëndrojnë portrete piktorësh akademikë, me foto si instalacion. Ekspozita e hapur më 20 dhjetor do të jetë në dispozicion të publikut deri më 15 janar.