Përderisa për ish-drejtues të këtij institucioni kjo qasje tregon për centralizim të vendimmarrjes nga Ministria e Kulturës, ky institucion nuk e ka arsyetuar mos-hapjen e konkursit për pozitën e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Për gati pesë vjet, vetëm dy konkurse janë hapur për pozitën e drejtorit të GKK-së. I pari ishte anuluar nga ana e MKRS-së në finalizim të procesit. I dyti, pas testit me shkrim. Prej vitit 2022 s’janë hapur më konkurse
Galeria Kombëtare e Kosovës ia ka mësyrë vitit të pestë pa drejtor. Edhe katër muaj mbushen fiks pesë vjet prej kur institucioni më i lartë i artit pamor në vend nuk ka drejtor dhe funksionon me ushtrues detyre. Përderisa për ish-drejtues të këtij institucioni kjo qasje tregon për centralizim të vendimmarrjes nga Ministria e Kulturës, ky institucion nuk e ka arsyetuar mos-hapjen e konkursit për këtë pozitë. Për gati pesë vjet, vetëm dy konkurse janë hapur për pozitën e drejtorit të GKK-së. I pari ishte anuluar nga ana e MKRS-së në finalizim të procesit. I dyti, pas testit me shkrim. Prej vitit 2022 s’janë hapur më konkurse.
Galerisë Kombëtare të Kosovës në listën e institucioneve qendrore pa drejtor por në kohë më të shkurtër i bashkohen Filharmonia e Kosovës, Opera e Kosovës, Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
Arta Agani, e cila e ka udhëhequr GKK-në për një mandat, ka thënë se mbajtja e institucionit për 4 vjet pa drejtor, tregon, “si edhe shumë gjëra tjera, se kultura është centralizuar me vendimmarrje në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”.
“Ndërsa në qendër janë organizata të caktuara të ‘pavarura’ të cilave u janë vënë në shërbim institucionet”, ka thënë ajo.
Fahredin Spahija, i cili prej vitit 2009 deri më 2011, ka qenë drejtor i GKK-së, ka thënë se lënia e institucionit tash e katër vjet pa drejtor, është pjesë e planit të ministrit Çeku për t’i degraduar institucionet e kulturës së këtij vendi në mënyrë të pamëshirshme.
“Secili prej tyre vepron sipas diktatit të ministrit, pa marrë mundin që të krijohet ndonjë strategji veprimi afatshkurtër e mos të përmendet ndonjë ndërmarrje për planin afatgjatë. Sot shumica e Institucioneve të Kulturës e ushtrojnë aktivitetin pa një udhëheqës të zgjedhur në bazë të një konkursi publik”, ka thënë ai. Sipas Spahisë, këshillat e emëruar, po ashtu janë krejtësisht instrumente të ministrit dhe nuk guxojnë të ndërmarrin asnjë hap që ua lejon ligji për shpallje të konkurseve duke u bërë kështu, pjesë e letargjisë së përgjithshme në sistemin kulturor të vendit.
“Galeria po ashtu është pjesë e letargjisë tash e një kohë të gjatë dhe asnjëherë nuk kuptohet cilat janë aktivitetet e saj programore dhe cilat janë ato aktivitete që bëhen ad hoc sipas urdhëresave nga ‘lart’”, ka thënë ai. Ka kujtuar se statuti i GKK-së përcakton se “Galeria është Institucioni më i lartë i arteve pamore në Kosovë dhe misioni i saj është kultivimi dhe promovimi i arti pamor i atij vendor, por edhe atij ndërkombëtar…”.
“Ne nuk e dimë me saktësi kush janë anëtarët e Këshillit Drejtues të Galerisë dhe a është ai në përbërje të plotë? Ka informata se aty ma nuk dihet se kush pyetet e kush jep llogari. Ministri i ka dërguar aty disa ‘sejmenë’ që bëjnë çfarë t’u teket, kurse ushtruesja e detyrës është personi që më së paku pyetet për programin vjetor të Galerisë (nëse ai ekziston!)”, ka thënë Spahija. Ka shtuar se uron që mos të vonojë koha kur, secili që ka kontribuar në këtë kaos institucional brenda secilës shtëpi kulturore, të ballafaqohet me drejtësinë dhe të japë llogari për çoroditjen e tyre.
Ligji për zyrtarët publikë në nenin e 35-të përcakton se në rast se një pozitë e nivelit drejtues brenda strukturës organizative të institucionit mbetet e lirë, caktohet ushtruesi i detyrës.
Po aty qartësohet se zyrtari publik nuk mund të caktohet si ushtrues detyre më gjatë se gjashtë (6) muaj. Ky Ligj, në paragrafin e 3-të të këtij neni, krijon mundësi që afati i ushtruesit të detyrës mund të zgjas më së shumti edhe për gjashtë muaj të tjerë. Por jo më shumë.
“Pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për më gjatë se afati i përcaktuar në paragrafin 3 të këtij neni”, shkruhet në paragrafin pasues. Më tej Ligji përcakton edhe vlefshmërinë e vendimeve.
“Çdo vendim i marrë nga ushtruesja/i detyrës, pas kalimit të afatit të përcaktuar në paragrafin 3 të këtij neni, është i paligjshëm”, shkruhet në paragrafin e fundit të nenit.
Ministria e Kulturës nuk është përgjigjur në pyetjet se përse nuk ka hapur konkurs për këtë pozitë dhe përse po vepron në kundërshtim me Ligjin për zyrtarët publikë. Aktualisht ushtruese e detyrës së drejtorit të GKK-së është Alisa Gojani.
Duke pretenduar për të qenë sa më të saktë, zyrtarët e Ministrisë së Kulturë ia kishin huqur kur kanë vendosur ta anulojnë konkursin për drejtor të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Në janar të 2022-s konkursi qe anuluar me pretendimin se mund të ketë konflikt interesi, dhe ish-drejtoresha e këtij institucioni, Arta Agani, nuk e mori pozitën edhe për një mandat. Pasi u vlerësua nga juria, MKRS-ja para se ta publikojë emrin e saj si kandidate fituese, vendosi të tjerrë procesin: konstatoi mundësi të konfliktit të interesit.
Por Agjencia Kundër Korrupsionit, pas kërkesës së Aganit ka dalë me tjetër opinion. Nuk kishte konflikt interesi.
Nëpërmjet konkursit që u mbyll në ditën e katërt të nëntorit të vitit 2021, MKRS-ja kualifikoi pesë kandidatë që i plotësonin kriteret e përcaktuara. Si kandidatë të përgjegjshëm u vlerësuan Vlora Hajrullahu, Arta Agani, Arsim Shala, Naim Spahiu dhe Erëmirë Krasniqi. Fuat Islami u diskualifikua, sipas MKRS-së, në mungesë të dokumentacionit të Kosovës dhe përvojës menaxhuese. Genc Kadriut në dosje i mungonin diploma e studimeve në Londër dhe dëshmitë e përvojës së punës. Diploma e dëshmitë e përvojës së punës i mungonin edhe Lendita Zeqirajt.
Pesëshja e përgjegjshme – sipas gjuhës administrative – e kaloi filtrin e parë, e më pas u testuan me shkrim. U intervistuan nga Këshilli Drejtues i Galerisë Kombëtare të Kosovës më 25 nëntor të vitit të kaluar.
Këshilli që asokohe kryesohej nga piktorja Zake Prelvukaj, më së shumti e vlerësoi ish-drejtoreshën Arta Agani. Ia dha 84.52 pikë. E dyta doli Ermirë Krasniqi me 66.27 pikë.
Rëndom, pas vlerësimeve të Këshillit, MKRS-ja atë që vlerësohet me më së shumti pikë nëpërmjet një njoftimi e prezanton si “kandidat të suksesshëm” dhe pas afatit të ankesave ftohet për të lidhur kontratën për pozitën e paraparë me konkurs.
Agani nuk ishte prezantuar si kandidate e suksesshme. MKRS-ja dyshonte për konflikt interesi.
Para krejt kësaj historie, kryetarja e Këshillit Drejtues, Zake Prelvukaj, kishte konkurruar në MKRS për ta përfaqësuar Kosovën më 2022 në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Pjesë të ekipit e kishte prezantuar edhe Arta Aganin. Më pas MKRS-ja e anuloi procedurën për gjoja mundësi të konfliktit të interesit.
Por ndryshe konstatoi me një opinion Agjencia Kundër Korrupsionit, institucioni kompetent për telashe të tilla.
“Pjesëmarrja e znj. Zake Prelvukaj, kryetare e Këshillit Drejtues të GKK-së, në procesin e rekrutimit të drejtorit të GKK-së në të cilin kandidatja A.A. e rekomanduar për emërim ka qenë partnere e saj në një projekt sipas thirrjes së MKRS-së për ‘Pavijonin Kosovar të Bienales së Artit në Venecia 2022’, edhe pse mund të duket (konflikt në dukje i interesit) apriori nuk paraqet konflikt faktit të interesit”, shkruhet në opinionin e AKK-së.
Nëpërmjet një arsyetimi të gjatë tregohet se artistja Zake Prelvukaj e ka punë profesionale bashkëpunimin artistik siç ishte aplikimi për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, duke propozuar Arta Aganin si kuratore. Më pas arsyetohet se të qenit anëtare e Këshillit të GKK-së, Prelvukaj është detyruar të marrë pjesë në vlerësimet e kandidatëve për drejtor. AKK-ja, po ashtu, cek faktin se projekti i Prelvukajt nuk ishte përzgjedhur për përfaqësimin e Kosovës në Venecia. Opinioni sqaron se ishte zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, tash sekretar, Bislim Bislimi, ai i cili nëpërmjet një shkrese kishte kërkuar që të anulohej konkursi, pasi kishte analizuar situatën dhe kishte konstatuar se “për shkak se është e qartë se mund të interpretohen dhe të nxirren elementet e konfliktit të interesit në këtë çështje”.
Opinioni nxjerr se Bislimi ia ka huqur krejtësisht. Por është Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit ai që në këtë proceduralisht i jep të drejtë Bislimit. Sipas opinionit të AKK-së në nenin 5 të Ligjit përcaktohet se “zyrtari duhet të shmangë konfliktin e interesit, pavarësisht nëse ai është real, i mundshëm apo në dukje”.
Opinioni i AKK-së nuk ka ndikim që ta bëjë MKRS-në ta ndalojë konkursin e dytë.
Agani pos AKK-së kishte dërguar dy kërkesa në Ministrinë e Kulturës dhe një ankesë po në këtë institucion. MKRS-ja e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e saj.
Sipas Komisionit të MKRS-së, zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së ka mandat ligjor për të parandaluar konfliktin e interesit. Në vendim është cituar komunikimi i zëvendësuesit të sekretarit me Divizionin e burimeve njerëzore.
“Një nga aplikuesit për pozitën e drejtorit të GKK-së ka qenë partnere në një projekt-propozim me të cilin kanë aplikuar në konkurs publik sipas thirrjes së MKRS-së, me një prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të GKK-së”, shkruhet aty. Komisioni e ka marrë si të mirëqenë urdhëresën për anulim të konkursit. Sipas Komisionit, MKRS-ja në këtë rast nuk ka pasur nevojë e as detyrim ligjor që të kërkojë interpretim në Agjencinë Kundër Korrupsionit. E opinioni nuk e rrëzon poshtë këtë vendim të MKRS-së.
Në konkursin e dytë të hapur në mars 2022, për drejtor të GKK-së kishin konkurruar Arta Agani, Fehmi Hoxha e Refki Gollopeni. Që të tre i plotësonin kriteret e konkursit. Konkursi qe anuluar në gusht të atij viti me arsyetimin se kandidatët nuk kishin plotësuar kriterin e arritjes së 50 për qind të pikëve në test me shkrim.