Prishtinë, 8 janar – Njëzet të rinj e kanë shansin ta sfidojnë veten në fushën e kinematografisë. Për një javë e kanë për detyrë të realizojnë së paku gjashtë filma dokumentarë.
Në këtë mënyrë po nxitet kreativiteti i tyre që të adresojnë tema të ndryshme sociale nëpërmjet filmit dokumentar. Krejt kjo bëhet me programin “Future is Here”, pjesë e Shkollës së Filmit Dokumentar tash e tetë vjet, në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”.
Kampi, që ka nisur në Prizren të dielën e kaluar dhe do të zgjasë deri më 12 janar, udhëhiqet nga regjisorja Blerta Zeqiri dhe nga regjisorja e profesoresha Andrijana Stojkoviq. Tutorët e tjerë përfshijnë edhe Gazmend Bajrin në postproduksion, si dhe Samir Karahodën, i cili ligjëron dhe mban ushtrime praktike për fotografinë në film.
Eroll Bilibani, udhëheqës i “DokuLab”, ka thënë kjo shkollë për shtatë vjet ka arritur që të zbulojë talente të veçanta, që sot janë filmbërës ose studiojnë në ndonjërën nga fushat e artit.
Sipas tij, suksesi i kinematografisë kosovare në vitet e fundit nuk është edhe aq i rastësishëm. Rol në të ka edhe kjo shkollë.
“Kjo shkollë me vite ka zbuluar talente të reja, që pastaj këto njohuri i kanë aplikuar në studimet dhe punët e tyre më vonë”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, drejtoresha ekzekutive e “DokuFestit”, Linda Llulla-Gashi, ka thënë se gjatë viteve sa është aktivizuar kjo shkollë janë prodhuar 45 filma të shkurtër dokumentarë me tema shoqërore dhe të të drejtave të njeriut duke u fokusuar në problematikat e rinisë në shoqërinë kosovare.
“Shumica e të rinjve pjesëmarrës përfundojnë duke vepruar profesionalisht edhe në fushën e marketingut multimedial dhe kontribuojnë në fuqizimin dhe profesionalizimin e komunikimit ne sektorin privat”, ka thënë ajo. Llulla-Gashi ka numëruar disa arritje gjatë viteve, si marrja e çmimeve në festivale në Slloveni, Itali, Spanjë, Bullgari, Shqipëri e të tjera.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)