Kulturë

“Future is here” nis punën me projektet që ekranizojnë zërin e të rinjve

Dikush është kapur për rrëfimet që ia ka treguar gjyshi e dikush tjetër dëshiron të flasë diçka për muzikën, të tjerët kanë disa ide që ende duan kohë për t’u konkretizuar. Të rinjtë që janë pjesë e shkollës së filmit dokumentar “Future is here” kanë nisur punën për t’i realizuar filmat e tyre që do t’i shfaqin në gusht në “DokuFest”

“DokuFest” vazhdon të organizojë projekte të ndryshme edukative që nxisin kreativitet te të rinjtë, çdoherë, me synim që ato të jenë një hapësirë ku lejohet liria e shprehjes dhe eksperimentimit me kinema. Veç ka nisur punën me gjeneratën e 10-të të programit “Future is here” me nxënës të shkollave të mesme nga Kosova.

Filmat që realizohen gjatë këtij programi janë prodhim i shkollës së filmave dokumentarë “DokuLab”, që është një program që zhvillohet nga “DokuFest” dhe ka për qëllim nxitjen e kreativitetit dhe mendimit kritik te të rinjtë.

Deri tani gjeneratat e mëparshme kanë krijuar më shumë se 50 filma që shtjellojnë tema të ndryshme personale dhe sociale pikërisht përmes kësaj shkolle të filmit.

Eroll Bilibani, drejtues i “DokuLabit”, ka thënë se këtë vit kanë një grup shumë interesant të të rinjve të cilët kanë ardhur për të mësuar filmbërjen.

“Kanë pasur një numër të madh të ligjëratave nga regjisorë dhe profesionistë të ndryshëm të filmit nga Kosova. Po shpresojmë që deri të dielën do të kemi versionet e para të filmave në të cilët do të punohet edhe gjatë pjesës së dytë për t’i pasur gati në gusht”, ka thënë ai.

sipas regjisores Blerta Zeqiri, shkolla e filmit dokumentar në “DokuFest” është një prej punëve të cilën ajo e bën me shumë kënaqësi, pasi që edhe pse është mentori i bie të mësojë shumë prej studentëve.

“Janë të rinj, nga të gjitha anët e Kosovës dhe shumë entuziastë e që kanë dëshirë për të realizuar filma dhe unë kur e shoh këtë vullnet dhe punën e tyre e shoh që ka shpresë për këtë vend dhe e shoh një të ardhme më të mirë”, ka thënë ajo. Sipas saj, këtu gjen më shumë kënaqësi sesa kur i bën vetë filmat.

Morea Pula, 17-vjeçare në gjimnazin “Samir Frashëri” në Prishtinë, për herë të parë eksploron fushën e kinematografisë.

“Më është dukur një botë shumë interesante dhe kam dashur që të eksploroj dhe ta zhvilloj kreativitetin tim. Dhe të them të drejtën ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë e mia dhe ka dalë më interesant sesa e kam pritur”, ka thënë ajo. Ka treguar për projektin e saj se është duke sjellë një ngjarje e cila në fokus e ka gjyshin e saj.

E Mal Kubati, një tjetër 17-vjeçar nga Prishtina, që ndjek mësimet në “Prishtina High School”, ka thënë se këtë vit ka vendosur që të jetë pjesë e shkollë “Future is here”, pasi që ka dashur të mësojë më shumë për filmbërjen, duke tejkaluar kështu interesimin e tij për muzikën.

“Filmin të cilin jemi duke e punuar ka të bëjë me muzikë, pasi që edhe ne merremi me muzikë dhe ka qenë një temë interesante për ne e që kemi dashur që ta realizojmë”, ka thënë ai.

Ndërsa Lyra Ymeraga, një 17-vjeçare nga Shkolla Finlandeze, ka thënë se ajo që i ka pëlqyer më së shumti ka qenë fakti se fillimisht kanë shikuar filma dhe pastaj kanë diskutuar me filmbërësit e tyre e që sipas saj e ka bërë të mësojë më shumë për procesin e filmbërjes.

Departamenti edukativ i “DokuFestit”, “DokuLab”, menaxhon Qendrën e Produksionit të Filmit për të Rinj dhe fuqizon mësimdhënësit në përdorimin e mjeteve audiovizuale në procesin mësimor dhe ndërlidhjen e tyre me metodat tradicionale e që adresojnë çështjet komplekse, zhvillojnë mendimin kritik dhe promovojnë zhvillimin shoqëror tek të rinjtë.

Të gjithë pjesëmarrësit do ta mësojnë procesin e rrëfimtarisë vizuale nëpërmjet pajisjeve që u ofrohen dhe ndihmës profesionale. E filmat që do të realizohen do të shfaqen në “DokuFest”. Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” tashmë ka hapur thirrjen për edicionin e sivjetmë. Për të shënuar këtë edicion organizatorët janë në kërkim të shprehjeve të reja nga autorë të guximshëm. Thirrja për aplikim është e hapur për dokumentarë, filma të shkurtër, animacion dhe eksperimentalë. Nëpërmjet filmave që do të përzgjidhen “DokuFesti” do të shënojë edicionin e 21-të, të cilin synon ta mbajë vitin e ardhshëm prej 5 deri më 13 gusht në Prizren. Afati i rregullt për aplikim është 28 shkurti i vitit 2022.