Kulturë

Futbollisti i lirisë përtej rrëfimit për heroizmin e sportistit

Dokumentari “Përparim Thaçi – ‘Futbollist i Lirisë’”, nën regji të Mateo Cingut dhe Andi Kasmit, si skenarist e producent, tek sjell rrëfimin për sportistin unik që ra për liri, zbërthen rrëfimin për rezistencën aktive gjatë viteve ’90. Përparim Thaçi sakrifikoi në heshtje. La fushën e futbollit për t’iu bashkuar luftës për çlirimin e atdheut

Historia frymëzuese e futbollistit të “Lirisë”, Përparim Thaçi, i cili u flijua për lirinë e Kosovës, e dokumentuar nga filmbërësit nga Tirana, është shfaqur të mërkurën mbrëma nga “DokuFesti” në Prizren. Në prani të familjarëve, shokëve, bashkëluftëtarëve e adhuruesve të filmit në “DokuKino Pllato” janë shpalosur kujtimet mbi jetën e veprën e heroit të Kosovës të qëndisura përmes vijës artistike të regjisorit Mateo Cingu dhe skenaristit e producentit Andi Kasmi.

Ky i fundit para të pranishmëve ka shpjeguar se si entuziast i futbollit e dokumentues i lojës së bukur rastësisht ka dëgjuar për historinë e futbollistit-dëshmor, Përparim Thaçi, emrin e të cilit e mban stadiumi i qytetit në Prizren. I prekur nga ky tregim, ai vendos që të kërkojë leje nga familjarët për të shkruar për sakrificën e Përparimit. E ky shkrim pastaj përhapet në rrjetet sociale saqë bëhet sebep që edhe regjisori Mateo Cingu të propozojë vizualizimin e këtij tregimi në formë të dokumentarit.

Pas një angazhimi të përbashkët ata kanë finalizuar dokumentarin e titulluar “Përparim Thaçi – ‘Futbollist i Lirisë’”.

Kasmi ka uruar që ky film të nderojë kujtimin për dëshmorin nga Landovica e Prizrenit.

“Doli një shkrim, i cili u përhap shumë në rrjetet sociale nga publiku në Shqipëri, flas se janë ndoshta edhe të rinj e të reja të lindur pas vitit 1999 që nuk e njohin këtë sakrificë dhe nuk njohin histori të tilla vetëmohimi deri në flijim, siç ishte rasti i Përparim Thaçit. Shpresoj që të ketë shërbyer për të nderuar kujtimin e Përparimit dhe gjithë atyre që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës. Të vegjlit dhe të rinjtë e sotëm ta dinë që asgjë në këtë jetë nuk është falas dhe pa sakrifica nuk çohet përpara. Dikush sakrifikon pak, ka të tjerë që kanë dhënë gjithçka”, ka thënë Kasmi.

Sinan Osmani, që ka qenë trajner i Përparim Thaçit në “Liri” ka rrëfyer se si Përparimi ka sakrifikuar në heshtje.

“Përparimi i kërkoi 6-7 jelekë, ishin ngjyrë teget. Me ato ushtronin lojtarët. Pajisjet ishin tek unë në shtëpi. Unë mendova se ai i ka marrë për me luajtë futboll, mirëpo më vonë e kuptova nga babai i tij se i kishte marrë për të shkuar maleve të Pashtrikut me bajtë armë. Pas katër ditësh ai vjen në stërvitje dhe në prani të babit të tij, Aliut, e qortoi fort. Dhe më mbetet merak pse e kam qortu aq shumë se thuajse pas një muaji e diçka ai edhe bjen në pritë në Bellacërkë. Ai ishte një segment shumë i rëndë për mua dhe sot nuk mundem ta fal veten pse aq rëndë e kam qortu. Ai vetëm buzëqeshte, u skuq edhe nuk kishte fjalë, se ishte i heshtur, por me vepra të mëdha”, është shprehur Osmani.

Regjisori Mateo Cingu ka theksuar se vështirësia e vetme në këtë projekt ka qenë shpalosja e tregimit në 40 minuta për veprën heroike të ish-futbollistit.

“Për sa i përket anës teknike emocionale mund të them një detaj: Ne kemi intervistuar shumë njerëz në atë periudhë dhe kur jemi kthyer në Tiranë kemi pasur diku 3.5-4 orë material. Filmi që ju patë ishte diku 40 minuta dhe vështirësia për të nxjerrë këto 40 minuta ishte shumë e madhe, normalisht procesi i montazhit mori shumë kohë. Por që u përpoqëm disa herë, domethënë kemi bërë disa drafte. Një nga historitë që tregoi profesori ne e kemi pasur në xhirime, por na e prishte pak atë...OK, zgjodhëm ato elemente që neve na u dukën më të përshtatshme për t’i shkuar asaj vijës artistike që patëm zgjedhur për ta treguar këtë histori”, ka deklaruar Cingu.

Filmbërësit nga Tirana kanë bërë të ditur që dokumentari pos Përparim Thaçit i kushtohet edhe gjithë brezit të futbollistëve të viteve ‘90, të cilët luajtën futboll në kohët më të vështira për shqiptarët e Kosovës.

Në anën tjetër, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrulla Çeku, ka vlerësuar se sporti i viteve ’90 ka qenë formë e rezistencës aktive dhe se gjithë ata që kanë qenë pjesë e aktivitetit sportiv të viteve ‘90 kanë qenë shumë të vetëdijshëm që në fakt po e luftojnë armikun.

“Personalitete si Përparim Thaçi janë të rralla, sepse edhe me fjalët e trajnerit të tij, ai sakrifikoi në heshtje. Ai u angazhua sepse e ndiente si obligim ndaj atdheut këtë dhe jo për motive të tjera, prandaj, e nderuara familje Thaçi, të jeni krenarë gjithmonë për birin tuaj, për Përparimin tuaj, për Përparimin tonë, për Përparimin e Lirisë, të lirisë së Kosovës”, ka thënë Çeku.

Sipas tij, institucionet do të përkujdesen që figurat e shquara të kombit të prezantohen në format e duhura për brezat e rinj.

“Kjo është një nga format më të mira për të nderuar figura të shquara të kombit tonë dhe natyrisht edhe ne si institucione do ta kryejmë pjesën tonë të obligimit, jo vetëm për t’i përkujtuar në momente të caktuara, por për ta dokumentuar në mënyrë të mirëfilltë punën, angazhimin, kontributin e tyre në mënyrë që figurat si Përparim Thaçi të vazhdojnë të jenë frymëzim për gjeneratat e reja”, ka deklaruar Çeku.

Dokumentari “Përparim Thaçi – ‘Futbollist i Lirisë’” është shfaqur në kuadër të projektit Fabrika Digjitale e Filmit, projekt i “DokuFestit” i mbështetur nga MKRS-ja, që synon pasurimin e jetës kulturore në Prizren, me fokus të veçantë në ofrimin e programeve të filmave dokumentarë që angazhojnë të rinjtë dhe aktivistët. Që nga muaji shkurt, si pjesë e këtij projekti, janë shfaqur mbi 50 filma, duke prekur temat si: ndryshimet klimatike, barazia gjinore dhe fuqizimi i vajzave, edukimi mediatik, si dhe diversiteti kulturor dhe gjithëpërfshirja.

Në kuadër të këtij programi është shfaqur edhe filmi i Samir Karahodës “Pa vend”, që është pasuar me një diskutim mbi nevojën e hapësirave adekuate për zhvillim të talenteve të reja. “DokuFesti” do të vazhdojë me programe të tilla edhe pas festivalit që do të mbahet nga 5-13 gusht.