Përderisa kanë mbetur edhe 17 ditë deri te lajmi i madh nëse filmi “Zgjoi” do të nominohet për çmimin e madh “Oscar”, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë 95 mijë e 725 euro, të cilat do të përdoren për fushatë. Mungesa e buxhetit për fushatën e filmave që Kosova i kandidonte për “Oscar” ka qenë çështje e diskutuar përvitshëm prejse debutoi me propozim, më 2014-n. Rëndom, buxheti për fazat fillestare nuk ishte më shumë se dhjetë mijë euro. Por “Zgjoi” është tjetër muhabet dhe i pari film i gjatë që i shkon kaq afër trofeut të madh
Me gati 100 mijë euro buxhet, “Zgjoi” i Kosovës ka shans ta fuqizojë fushatën drejt nominimit për çmimin “Oscar”. Qeveria, në mbledhjen e së enjtes ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës që filmit t’i ndahen 95 mijë e 725 euro, të cilat do të përdoren për “mbështetje të pjesës së dytë të kampanjës së filmit ‘Zgjoi’, i nominuar nga Republika e Kosovës, përkatësisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Qendra Kinematografike e Kosovës, për të garuar në kuadër të Akademisë së ‘Oscars’”.
Vendimi vjen 17 ditë para se të publikohet lista me 5 të nominuarit për çmimin e “Academy Awards” për filmin ndërkombëtar. Filmi nën regji të Blerta Bashollit është në listë të ngushtë.
Siç shkruhet në vendimin pesëpikësh të Qeverisë, “mjetet e ndara sipas pikës 1. të këtij vendimi, merren nga Programi i Ringjalljes Ekonomike, nënprogrami ‘Programi i Ringjalljes Ekonomike’, kategoria e shpenzimeve ‘Subvencione dhe Transfere’, dhe transferohen në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit...në nënprogramin Qendra Kinematografike e Kosovës”.
Mungesa e buxhetit për fushatën e filmave që Kosova i kandidonte për “Oscar” ka qenë çështje e diskutuar përvitshëm prejse debutoi me propozim, në vitin 2014, me “Tri dritare dhe një varje” të Isë Qosjes. Rëndom, buxheti për fazat fillestare nuk ishte më shumë se dhjetë mijë euro, që prej kineastëve konsiderohej tepër e ulët në raport me suksesin që synohet. Por “Zgjoi” është tjetër muhabet dhe i pari film i gjatë që i shkon kaq afër trofeut të madh.
Se shteti do ta përkrahte me “infuzion” financiar fushatën e këtij filmi ka qenë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, që e dha një gjysmëparalajmërim nja 20 orë para se kryeministri Albin Kurti ta nënshkruante vendimin që për këtë çështje të jepet buxhet prej mbi 95 mijë eurosh. E ka bërë këtë në emisionin “Desku” të KTV-së të enjten mbrëma.
“Po punojmë shumë, kemi shumë shpresë. Është një angazhim i gjithmbarshëm edhe institucional edhe shoqëror. Unë kohëve të fundit kam kuptuar që në këtë angazhim, që është mjaft shumë edhe lobim, përveç art dhe cilësi, kemi shumë të angazhuar jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjithë botën. Ne i kemi kryer dy infuzione financiare ndaj ekipit, ndaj filmit ‘Zgjoi’ në betejën e tyre që të hyjnë në këtë konkurrencë”, kishte thënë Çeku, tek ka shtuar se bazuar edhe në kritikat ka fort shpresë që “Zgjoi” të futet në pesëshen e të nominuarve. “Komuniteti artistik është shumë më përpara sesa niveli ku institucionet janë. Duhet të bëjmë shumë ta mbyllim këtë lloj hapësire. Sukseset që i kemi mbërri janë rezultat i një pune vetëmohuese të vetë artistëve të filmbërësve”, kishte thënë ai.
“Zgjoi” konsiderohet si një rrëfim që shpalos plagët e thella që lufta e fundit vragoi mbi fate njerëzish, duke shërbyer njëkohësisht si frymëzim për mbijetesë. Filmi për të cilin Basholli ka shkruar edhe skenarin është i bazuar në rrëfimin e Fahrie Hotit dhe shpërfaq sfidat e grave në mungesë të burrave si pasojë e luftës së fundit në Kosovë. Më 21 dhjetor u dha lajmi se “Zgjoi” është në listën e 15 filmave që presin nominimin. Më 27 mars pritet të mbahet ceremonia kryesore e çmimeve të mëdha.
Fushatës për filmin “Zgjoi” drejt “Oscarit”, në fund të vitit të kaluar i ishin bashkuar edhe emra të njohur botërorë, si aktorja e njohur, Elisabeth Moss, dhe producentja e saj, Lindsey McManus, që u bënë producente ekzekutive të filmit. Dyshja kishte thënë se “Zgjoi” është një histori e paharrueshme dhe prekëse që shfaq dëshirën për mbijetesë dhe fuqizim përmes një vizioni të guximshëm.
“Portretizimi i detajuar i betejës së një gruaje drejt pavarësisë na shtyn të kuptojmë mundësinë për ndryshim, dhe tregimi i fuqishëm i Blertës kap me mjeshtëri vetëvendosjen e individëve në të gjithë botën për të tejkaluar vështirësitë”, kishin thënë Moss dhe McManus në një deklaratë të përbashkët.