Vepra artistike “Fushat e lulediellit” nga Agnes Denes ka pasur ciklin përfundimtar të enjten, me korrjen e luleve në platenë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, por ky nuk është fundi as i edicionit të tretë të “Autostrada Biennales” që e solli atë. Ani pse edhe ngjarja do të ketë një ceremoni përmbylljeje, së paku formalisht, në esencë është hapja e një kapitulli të ri. Një gjë e tillë është paralajmëruar qysh në shenjat e para të edicionit të sivjetmë, me temën “Çka nëse një rrugëtim...”
Një lule mund të simbolizojë krejt rrugëtimin e qenies së gjallë. Mirëpo cikli përfundimtar i veprës “Fushat e lulediellit” nga Agnes Denes nuk njeh fund, por u bë përmbushje artistike e motos së edicionit të 3-të të “Autostrada Biennale” si dritë shprese dhe një transformim shoqëror.
E gjendur në zemër të Prishtinës, plateja e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë arriti që për dy muaj e gjysmë të gjallërohet me delikatesën dhe verdhësinë e lulediellit, farat e të cilave u mbollën më 22 prill, me rastin e Ditës së Tokës.
Ishte pikërisht ndërhyrja e parë në hapësirë publike për këtë edicion, që qysh atëherë paralajmëroi ardhjen e një ekspedite gjurmuese e fryme të re të relacionit mes publikes dhe artit, me moton: “Çka nëse një rrugëtim...”
Autorja amerikane e veprës së kuruar nga Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu, përmes organizatorëve, në ceremoninë e mbjelljes së farave të lulediellit, kishte thënë se të gjithë mund të bëhen si lulet.
“Ne mund të rritemi, të ushqehemi, t’u dhurojmë të tjerëve pasurinë tonë, të kthehemi kah dielli dhe pastaj të pasqyrojmë ngrohtësinë e tij tek të gjitha krijesat e gjalla”, kishte vazhduar përshëndetja e Denes për të pranishmit. Veprat e artistes me prejardhje hungareze, e cila jeton e vepron në ShBA, për kohën e sotme konsiderohen shumë bashkëkohore, mirëpo në fakt 90-vjeçarja ka kohë që merret me këtë formë arti. Ajo ishte një nga pionieret në artin ambientalist dhe ekologjik, ndër të parat që me artin shtroi pyetje mbi ambientin, një temë që tash e disa vjet s’e humb aktualitetin.
E pikërisht kjo u nde mesditën e së enjtes, atëherë kur të gjithë përvjelën mëngët për të prerë çdo kokë e trup të lulediellit, duke i lënë rrënjët si një pjesë dokumentuese për çdo çelje fidani në vitet e ardhshme.
“Nuk është fundi i kësaj fushe, është fillimi i një cikli të ri”, ka thënë për KOHËN Joanna Warsza, duke shtuar se diçka vdes në këmbim të lindjes së diçkaje.
Bashkëkuratorja theksoi se ndihet e lumtur që ky projekt ka rezonuar në Prishtinë, Prizren dhe Pejë.
“Bashkë me Övül Ö. Durmuşoğlu e kemi parë gjithë procesin e punës si një rrugë”, ka thënë ajo.
Sa i përket edicionit të sivjetmë të “Autostrada Biennale”, ajo ka theksuar se pritja e bërë nga organizatorët e artistët pjesëmarrës ka qenë, sipas saj, e ngrohtë.
“Motoja e sivjetme ishte ‘çka nëse një rrugëtim?’, por me të vërtetë ishte një rrugëtim. Dhe definitivisht nuk përfundon këtu”, ka vlerësuar ajo.
Sipas saj, janë munduar që qytetarët e tri vendeve t’i befasojnë nëpërmjet artit, duke i bërë ata të meditojnë dhe të çmojnë vlerën e tij. Gjithashtu Warsza ka thënë se ekspozitat, performancat dhe ndërhyrjet artistike gjatë kësaj kohe janë vlerësuar nga qytetarët, artdashësit dhe mërgimtarët.
“Ka qenë kënaqësi t’i shoh se si kulturat bashkëjetojnë në mënyrë paqësore me rastin e ardhjes sime në Kosovë nga Polonia, si një shtet homogjen dhe me nacionalizëm”, ka thënë ajo, teksa ka përmendur që këtë e dalloi te aspekti i pjesëmarrjes institucionale të komuniteteve dhe frymës kulturore sidomos në Prizren.
“Fushat e lulediellit” do të qëndrojë si një formë dokumentuese, teksa fusha do të vazhdojë të rritet.
“Evropa Lindore ka për të mësuar nga Kosova dhe definitivisht në ndonjë formë do të bëhem ambasadore e këtij vendi”, ka thënë kuratorja.
Se si mund të ekzistojë komunikimi i njerëzve me artin pa shkuar në galeri, monumente, objekte të trashëgimisë kulturore, teatro dhe institucione të tjera kulturore është parë përmes kësaj bienaleje të artit bashkëkohor. Këtë e kanë thënë edhe organizatorët, të cilën e mundësuan që tri qytete të bëhen stacione kulturore për një periudhë kohore me “Autostrada Biennale”.
“Që nga fillimi i themelimit të ‘Autostrada Biennales’ qëllimi ka qenë shfrytëzimi i hapësirave publike, objekteve të trashëgimisë kulturore dhe dërgimi i artit te njerëzit dhe jo njerëzit te arti”, ka për KOHËN Vatra Abrashi, organizatore. Tutje ajo u shpreh se ndihen të lumtur që ciklet e veprës “Fushat e lulediellit” kanë mbaruar me sukses.
“Për neve si organizatorë ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme zgjerimi në edicionin e 3-të përveç në Prizren edhe në Prishtinë dhe Pejë me veprat të cilat janë bashkëprodhuar me komunitetin”, ka thënë Abrashi duke shtuar se besojnë se do të vazhdojnë zgjerimin e projektit në forma të ndryshme.
“Ky edicion ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm për shkak që 90 për qind e veprave kanë qenë të reja”, ka thënë ajo.
Ndërkaq ai i cili e përgatiti planin për mbjelljen e farave të lulediellit dhe i monitoroi të gjitha proceset deri te ai i korrjes ishte agronomi Alkend Tahirsylaj.
“Ndër qëllimet kryesore të projektit ka qenë që produktin final ta përdorim për ushqimin e zogjve të egër në Prishtinë dhe që nga fillimi kemi parë që kanë ardhur këtu dhe janë ushqyer”, ka thënë ai, duke konfirmuar suksesin në fushën agronome të kësaj vepre.
Problemi i vetëm gjatë kësaj kohe ka qenë thellësia e tokës, meqë është bërë në hapësirën poshtë së cilës janë lokalet e Pallatit të Rinisë e Kulturës. Sipas tij mbjellja e farave i ka marrë 10 ditë kohë, ndërkaq pjesa vegjetative ka zgjatur nga maji deri në qershor.
“Në fillim ka qenë vetëm lulëria e pastaj janë bërë farat si produkt final i lulediellit. Pjekja ka filluar gjatë gushtit e deri tash në shtator”, ka thënë Tahirsylaj.
Drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, ka thënë se ky bashkëpunim ka lindur “në mënyrë natyrale”.
“E dimë që ‘Autostrada Biennale’ ka filluar në Prizren dhe decentralizimi kulturor edhe në Prishtinë ka qenë më se i mirëpritur nga ana jonë si Komunë”, ka thënë ai. Ka shprehur bindjen se nëpërmjet veprave të tilla po bëhet një “rimarrje” e hapësirave të qytetit.
“Tash po e shohim përfundimin e instalacionit më të veçantë që ka ndodhur në hapësirë publike në qytetin tonë”, ka thënë Berisha.
Në fakt “Fushat e lulediellit” në prillin e sivjetmë qe vetëm paralajmërimi i asaj që do të sillte “Autostrada Biennale”. Pasoi inaugurimi në ditën e fundit të qershorit i instalacionit të Petrit Halilajt e Álvaro Urbanos në bibliotekën kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”. Vepra e dyshes, “Lule mosmëharro”, erdhi si kërkim i lirisë e dashurisë për të gjithë. Hapja zyrtare e “Autostradës…” u bë zyrtarisht aty ku u themelua, në Prizren. Më 17 korrik, ish-baza e KFOR-it gjerman u pushtua nga veprat e artistëve vendorë e ndërkombëtarë. Si “ekspozitë për të papërfunduarën” u zbërthye krejt ngjarja që lë pyetje të hapura, të vazhdueshme bashkë me ftesën për ta zbërthyer një alamet bote artistike.
Por edicioni i tretë i “Autostradës Biennale” do të përmbyllet zyrtarisht më 13 shtator, kur do të ndodhë largimi i veprave të ekspozuara në lokacione të ndryshme të Prizrenit dhe me një panel diskutimi.