Në Kosovë del të jetë kthyer në traditë dhurimi i librit për fundvit. Kjo ka bërë që nëntori, dhjetori dhe janari të konsiderohen periudha kur më së shumti kërkohet dhe shitet libri nëpër librari. Shitjet e sivjetme po shihen si një lajmëtar për ditë të mira pas periudhës së vështirë që kanë pasur botuesit për shkak të pandemisë, kur u anuluan edhe panairet e librave
Muaji i pari i këtij viti i ka zënë libraritë duke i bërë bilancet për 2021-tën. Me plot bindje kanë thënë se blerja e librit si dhuratë është bërë traditë në vend. Kjo ka ndikuar që muajt nëntor, dhjetor dhe janar të jenë më të mirë sa u përket shitjeve. Sigurisht, sipas tyre, ndikim kanë edhe ofertat që bëjnë për komplete të ndryshme librash gjatë kësaj periudhe.
Sipas Besian Zenelit nga libraria “Buzuku”, ku fundviti e ka zënë në hapësirën e re afër Kinemasë ABC në Prishtinë, ka vite që libri është preferuar si dhuratë për raste të ndryshme, sidomos për fundvit.
“Dhjetori gjithmonë është muaj ku interesimi për të blerë është më i madh, festat e shumta të fundvitit, oferta jonë e larmishme, po ashtu i shtyn njerëzit që librin ta preferojnë për dhuratë”, ka thënë ai. Sipas tij, titujt që janë kërkuar më së shumti vazhdojnë të jenë trendet apo bestsellerët botërorë, sidomos ata të tregut amerikan.
Sipas librarëve, në Kosovë kultura sa i përket librit është duke ndryshuar dhe çdo vit e më shumë ai po shihet si një dhuratë e duhur, sidomos për festat e fundvitit. Punë gjatë fundvitit ka pasur edhe libraria “Dukagjini”. Doruntina Drenovci, pjesë e stafit, ka thënë se libri vazhdon të jetë një prej dhuratave me të mira edhe për festat e fundvitit. Por jo vetëm.
“Tashmë shumë prej libradashësve vijnë me idenë që ndoshta dhurata perfekt është libri, qoftë për familjarë, miq, fëmijët e tyre e të tjerë”, ka thënë ajo. Sipas saj, kjo periudhë, pra fundviti, është gjithashtu një prej periudhave më të mira të vitit, por pa dyshim edhe një prej periudhave më të ngarkuara.
“Mirëpo në librari është një frymë shumë festive dhe shumë e këndshme, e cila na bën të kënaqemi dhe të takojmë nga afër libradashësit të cilët e kanë librarinë ‘Dukagjini’ pjesë të pandashme të rutinës së tyre ditore”, ka thënë ajo.
Sipas saj, gjatë kësaj periudhe preferohen libra me tematika të lehta e që i përshtaten frymës së fundvitit, mirëpo ka potencuar që secili vizitor ka preferencat e veta dhe nuk dëshirojnë shumë të dalin nga zhanri i tyre i preferuar.
“Biografia e Frida Kahlos", “It ends with us" nga Colleen Hoover dhe "They both die at the end" nga Adam Silvera, ka thënë se janë tre librat me të shitur gjatë vitit 2021.
Se trendi që ka nisur që disa vjet – libri të kthehet në dhuratë - e pohon edhe Fidan Imeri, menaxheri i shitjes në Grupin KOHA. “Kjo periudhë është periudhë e mirë për shitje”, ka thënë Imeri.
Sipas tij, pandemia ka ndikuar te botuesit dhe prandaj interesimi i treguar gjatë kësaj periudhe për librin është shpresëdhënës për ditë të mira. Ndër titujt më të kërkuar gjatë këtij viti ka thënë se është romani i gazetarit beogradas Rade Radovanoviq, “Qeshja nën trekëmbëshin e varjes”. Një vepër jashtëzakonisht e guximshme e një gazetari dhe aktivisti serb, që zhvesh tërësisht para lexuesve politikën represive dhe krimet që udhëheqësi me bashkëpunëtorët i kryen në emër të Serbisë. “Bërja dhe ribërja e Ballkanit”, një libër që flet për kombet dhe shtetet e Gadishullit që nga 1878-a dhe u dedikohet lexuesve të interesuar ta kuptojnë se përse ky rajon është pafundësisht i komplikuar. Autori, Robert C. Austin, është mbështetur mbi përvojën personale dhe ka kombinuar historinë, gazetarinë dhe kujtime udhëtimesh për të sjellë një rrëfim plot informata e përshkrime. Si dhe “Paqeruajtësit” e James William Pardew.
Ka vite që koha tregon se libri si dhuratë është bërë një trend në rritje. Ani pse ankesat që gjithnjë e më pak ka lexues janë të shpeshta, librarët çdo herë flasin me shifra kur thonë se nga viti në vit ka më shumë kërkesa për libra si dhuratë. Këtij trendi, librarët e botuesit çdo herë i janë “kundërpërgjigjur” me oferta të veçanta për ta bërë librin edhe më atraktiv.
Në prag të 2020-s, Edon Zeneli nga libraria “Buzuku” do të tregonte se ka gjashtë-shtatë vjet që në librarinë e tyre me fushata marketingu e me sete të ndryshme librash janë përpjekur që ta “imponojnë” librin si dhuratë e fundvitit. Sipas tij, rezultatet çdo vit po dalin më pozitive.
“Gjithnjë e më shumë po blihet libri si dhuratë fundviti dhe kjo gjë është e jashtëzakonshme, meqë kësisoj krijohet kultura familjare te të rinjtë dhe fëmijët të cilët duke u rritur me librin si dhuratë, me librin të pranishëm në familje, do ta kenë të afërt dhe do t’i shoqërojë gjatë gjithë jetës”, kishte thënë Zeneli. Që atëherë kishte treguar se një rritje e tillë ndodh edhe në vende të tjera. “Në Francë, ta zëmë, 60-70 për qind e shitjes bëhet në periudhën e fundit të vitit dhe, si duket, avash-avash edhe ne po i afrohemi një logjike të tillë”, kishte thënë ai.