Në një atmosferë jo shumë të zakonshme për këngët e melosit popullor, në sallën e Kinemasë “Lumbardhi” në Prizren është luajtur shfaqja eksperimentale “Me këngët e Rizah Bllacës”. Kjo performancë teatrore që ka shërbyer për ta kujtuar veprimtarinë e rapsodit të shquar, ka befasuar këndshëm edhe publikun e pranishëm
Trashëgimia kulturore shpirtërore e kultivuar me pasion nga rapsodi popullor, Rizah Bllaca, është vënë në qendër të vëmendjes në shfaqjen eksperimentale, të prezantuar para publikut në Kinemanë “Lumbardhi” në Prizren. Performanca teatrore “Me këngët e Rizah Bllacës” nën regji të Zanë Durakut, dhe me interpretimet e Xhemail Gllavicës, Rabije Kryeziut dhe Armend Ballazhit, të hënën mbrëma ka befasuar këndshëm audiencën, që ka pasur rastin t’i dëgjojë këngët popullore në një atmosferë të pazakonshme, madje jo tipike për këtë lloj të krijimtarisë. Kësisoj, në përputhje me qëllimin e bartësve të këtij projekti edhe një herë është kujtuar me nostalgji krijuesi dhe kultivuesi i këngës popullore përkatësisht “Homeri shqiptar”, i cili ka pasuruar jetën, trashëgiminë dhe traditën në trevat shqiptare.
Gjatë interpretimit aktori Armend Ballazhi, rapsodin Rizah Bllaca (6 nëntor 1918 – 25 gusht 1998) e ka prezantuar si interpretues të veçantë të këngës, që i ka rezistuar edhe censurës së pushtetit për t’i ekzekutuar këngët në përputhje me traditën e moçme.
“Duhet me të vërtetë të jesh shumë i veçantë të dish mbi njëzet mijë vargje përmendësh, duke mos ditur shkrim-lexim. Nuk kishte pranuar në asnjë rast t’i ndryshojë këngët sipas censurave, qejfeve të pushtetarëve. Këngët i rikrijonte dhe interpretonte në bazë të traditës së kultivuar gjatë shekujve. Dhe aq veçantë i ka kënduar dashurisë. Në botën e këngës depërton me invencion të fuqishëm artistik vetë këngëtari. I ka kënduar dhe i mallëngjyer për fatin tragjik të personazheve të këngës”, ka thënë ai.
Rapsodi Xhemail Gllavica ka bërë të ditur se ideja për realizimin e kësaj performance teatrore kushtuar këngëve të Rizah Bllacës ka qenë e regjisores, Zanë Duraku, me të cilën ka bashkëpunuar edhe më në disa projekte të mëhershme. Në të njëjtën kohë, ka pranuar se për të ka qenë mjaft e vështirë t’i interpretojë këngët e rapsodit të shquar.
“Bajagi problem është se ne jemi mësuar nëpër oda, është më ndryshe kur shkon në një teatër, duhet me qenë pak më i disiplinuar, mos me gabu ndoshta asnjë fjalë të vetme, e nëpër dasma, oda është më ndryshe. Por mirë, përsëri mirë”, ka deklaruar Gllavica.
Ndërkaq regjisorja Zanë Duraku ka pohuar se ajo është rritur me këngët e Rizah Bllacës dhe se pas bashkëpunimit me Xhemail Gllavicën i ka lindur ideja për ta realizuar një shfaqje eksperimentale, për ta kujtuar veprimtarinë e rapsodit të madh.
“Publiku e priti shumë mirë, pati një energji shumë të mirë, pati energji pozitive dhe ishte befasuese për ta, për shkak se ishte forma që i kemi përpunuar këngët e Rizah Bllacës dhe besoj se nuk e kanë pritur dhe kjo ishte ëmbëlsira që ju ka ardhur”, është shprehur Duraku.
Ajo konsideron se projektet kulturore pos tjerash duhet të kontribuojnë edhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore.
“Unë i ftoj të gjithë artistët që të bëjnë diçka për trashëgiminë tonë kulturore shumë të pasur që e kemi, e sidomos këngët e vjetra qytetare, këngët popullore, e të tjera”, ka shtuar regjisorja e shfaqjes.
Thirrje të ngjashme ka drejtuar edhe vajza e Rizah Bllacës, Lumnije Pirku-Reçica, duke theksuar se melosi popullor nuk bën të humbet e sidomos këngët me çifteli e sharki, sepse sipas saj, ato e kanë mbajtur gjallë historinë e popullit shqiptar.
“Përmes këngës së tyre jemi sot ku jemi. Për shkak se shqiptarët, ju e dini shumë mirë, nuk kanë pasur mundësi që të shkollohen. Përmes këngës së tyre, nëpër oda, janë përçuar mesazhet shumë të mira dhe shumë reale, se në çfarë kohe kemi jetuar dhe sa kemi mundur me u zhvillu ne si komb. Për këtë arsye, mendoj se nuk duhet t’i harrojmë këngët e brezave të mëparshëm e sidomos të rapsodëve popullorë”, ka thënë ajo.
Synimi i producentëve të kësaj performance teatrore është që kjo shfaqje të prezantohet para audiencës edhe në qytetet e tjera të trevave shqiptare.