Kulturë

“From the Ground Up” pushton Dubain dhe me veprën e Sislej Xhafës

Ndërtesa ikonike e Dubait do të jetë nikoqire e ekspozitës grupore të galerisë “Continua”. E aty prezantohet edhe vepra e artistit të njohur nga Kosova, Sislej Xhafa. Shtresa të shumta të historisë dhe formulime kuptimesh të reja mund të gjenden veprën e tij “Concetto in Exile”, ku Xhafa përdor mbulojën e plastikës nga reklamat e kamionëve të cilët janë ekspozuar vazhdimisht ndaj kushteve të rënda atmosferike dhe pluhurit të mbledhur teksa udhëtonin me mijëra kilometra

Galeria “Continua Dubai” ka paralajmëruar ekspozitën e re e cila mban titullin “From the Ground Up” dhe do të hapet të mërkurën e 7 qershorit deri më 10 shtator.

Është vazhdimësi e serisë së ekspozitave grupore që i bëjnë nder trashëgimisë ikonike, Burj Al Arab Jumeirah, ku ndodhet galeria dhe si përgjigje ndaj modeleve të saj të brendshme të pasura. Ekspozita paraqet vepra të artistëve të përfaqësuar nga galeria dhe të lidhura me temën e tokës – një nga katër elementët që formojnë estetikën vizuale të Burj Al Arab, të zhvilluar nga Khuan Chew e “KCA International”. Shfaqja gjurmon rrënjët e historisë nëpërmjet praktikave artistike bashkëkohore, duke reflektuar mbi peizazhin në zhvillim të Dubait dhe një nga simbolet e tij të përjetshme, Burj Al Arab (hoteli ikonik i Dubait), i cili ngrihet në ishullin e krijuar nga njeriu.

Veprat i zhysin vizitorët në një udhëtim arkeologjik dhe shpirtëror, teksa eksplorojnë historitë e formimit të mineraleve dhe shqyrtojnë marrëdhëniet organike të njerëzimit me natyrën. Shkurret e diagramit të instalacionit mbijnë këtu e atje e gjithandej nga artistja italiane, Loris Cecchini. Ato mbijnë nga dyshemeja e galerisë dhe në pamje të parë duken abstrakte dhe minimaliste.

Por në fakt frymëzohet nga format dhe proceset materiale dhe të përpunuara që gjenden në natyrë. Cecchini bashkon sferat e shkencës dhe të artit për të zhvilluar një seri veprash që ilustrojnë themelet e thella matematikore të natyrës, duke i lidhur ato me biologjinë. Forma skulpturore e veprës së artit, e përbërë nga qindra elementë, është një metaforë biologjike – qeliza që hapen dhe lulëzojnë, duke çliruar komponentë molekularë që lidhen me hapësirën e galerisë.

Artistja nga Verona, e cila jeton e punon në Venecia, Marta Spagnoli, eksploron gjithashtu lidhjen fiziologjike me natyrën, duke vendosur një dialog midis tokës së zhveshur dhe trupit të njeriut. Në pikturën e saj “Pilgrims”, figurat e luhatshme krijojnë një univers nëpërmjet pikturave dhe formave mitike, në një botë që udhëton midis realitetit, mitit dhe ëndrrës.

Një univers simbolik është krijuar, duke rritur ndërgjegjësimin për qëndrueshmërinë ekologjike. Ajo vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e planetit dhe aftësinë e njerëzve për të qenë kujdestarë të tokës. Një udhëtar në botën e sotme të globalizuar, artisti belg i lindur në Kamerun, Pascale Marthine Tayou, eksploron pozicionin e identitetit afrikan post-kolonial në një botë bashkëkohore. Vepra e tij skulpturore, “Branch of Life”, është një maskë kristali që varet në një ekuilibër të brishtë nga një degë bronzi; ai portretizon një individ që lëviz në të tashmen.

Dheu bëhet qendra e vëmendjes në punën e Alejandro Campins, një nga pararendësit e brezit të ri të artistëve të Kubës. Campins është i interesuar t’u afrohet objekteve dhe vendeve që shënojnë kalimin e kohës dhe që nga ana tjetër kanë aftësinë për të ndikuar në mendësi dhe ideologji. Rio Muerto, nga seriali “Bad Lands” (2019), e rikonsideron tokën si një tregues të jetës dhe si dëshmi arkeologjike. Mali bëhet motiv vendimtar të cilin artisti e rikrijon si një kapsulë e ngjeshur që shpreh kapërcimin e epokave gjeologjike. Koha jepet si një faktor i përhershëm dhe jo si fenomen kalimtar.

Një tjetër artist i mirënjohur nga Kuba, Jose Yaque, krijon piktura abstrakte të valëzuara të cilat janë të frymëzuara nga fenomene natyrore, shpesh të ngjashme me materiale organike si mineralet, bimët dhe gurët. Ai i krijon veprat e tij duke aplikuar pigmentin me dorë dhe më pas, duke i mbështjellë pikturat e tij me plastikë. “Limonita I” (2014) duket se i ngjan mineralit të ndritshëm të limonitit, një shkëmb i krijuar nga oksidimi natyror i hekurit.

Në mënyrë të ngjashme, shtresa të shumta të historisë dhe formulime kuptimesh të reja mund të gjenden në “Concetto in Exile”, ku artisti kosovaro-shqiptar, Sislej Xhafa, përdor mbulojën e plastikës nga reklamat e kamionëve të cilët janë ekspozuar vazhdimisht ndaj kushteve të rënda atmosferike dhe pluhurit të mbledhur teksa udhëtonin me mijëra kilometra. Piktura shpreh një “hapësirë midis nostalgjisë dhe shpresës” siç përcaktohet nga vetë Xhafa.

Puna e artistit francez, JR, gjithashtu dokumenton një ndodhi në një moment krijimi.

Për 30-vjetorin e monumentit modern, Piramidën e Louvreit, JR prodhoi një vepër bashkëpunimi në Cour Napoleon. Kolazhi prej letrave i cili u instalua nga 400 vullnetarë dha një paraqitje të shkurtër të asaj që mund të jetë pjesë e nëndheshme e Louvreit. Duke e imagjinuar oborrin historik të muzeut si një zonë e gërmuar thellë ose si një studim arkeologjik, Piramida e famshme duket sikur është zhytur në një gurore me gurë të bardhë.

Imazhi ia ndryshon tërësisht pamjen e saj, duke ndryshuar njëkohësisht edhe perceptimin e shikuesit. Përkohësia pasqyrohet edhe në veprën “L'Horizon, Infiniment” e krijuar posaçërisht për galerinë nga Daniel Buren. Vepra ndoshta duhet parë, ndier dhe përjetuar përpara se të zhduket ose të prodhohet përsëri në një formë tjetër dhe në një vend tjetër. E projektuar duke pasur parasysh arkitekturën e hapësirës, ajo fton imagjinatën e shikuesit të endet, duke e lejuar atë të ndezë, siç thotë artisti, “syrin e tretë”. Kështu, një moment shumëfishohet, duke zbuluar një vizion më të gjerë të një horizonti të pafundmë. E prezantuar për herë të parë si një përvojë gjithëpërfshirëse, shumëshqisore në Pavijonin e Egjiptit në Bienalen së 57-të të Venecias, vepra, video me pesë kanale nga Moataz Nasr e titulluar “The mountain” ndjek një vajzë të re që sfidon besëtytnitë dhe konventat e thella të fshatit të saj. Këtu, një fenomen gjeologjik përdoret si metaforë për triumfin e dijes njerëzore mbi frikën.

“Duhet të përballemi me atë mal dhe ta pushtojmë”, thotë artisti.

E themeluar në vitin 1990 në San Gimignano, Itali, “Galleria Continua” ka zgjeruar vendndodhjet e saj në Pekin, Les Moulins, Havana, Sao Paulo, Romë, Paris dhe Dubai. Ajo inauguroi hapësirën e saj të përhershme në Dubai, në Burj Al Arab Jumeirah, më 2021.

 

Marrë nga gulftoday.ae. Përktheu Mirjetë Sadiku. Titulli është i Redaksisë së KOHË-s.