Kulturë

“Fotoist” me imazhe lidh të kaluarën e Kosovës me rrëfime globale

Fotoist

Siç kishte ngjarë me edicionin debutues të festivalit, edhe sivjet programi që zgjat për pesë ditë, nis në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë

Qysh kur nisi, “Fotoist” preku fotografinë botërore, duke sjellë shkrepjet nga objektivi i figurave të shquara të fushës. I bashkoi ato me krijimet e përvojat e fotografëve vendorë. Edicioni i dytë është një lloj vazhdimësie dhe vjen më madhor sa i përket programit. Narracioni vjen fuqishëm në imazhet statike sërish nëpërmjet festivalit që shtrin edicionin nga 30 gushti deri më 3 shtator

Nga momentet e rëndësishme historike deri në ato më të zakonshmet që më pas kthehen në kujtime personale, fotografia i bën të pavdekshme këto imazhe. Për një komb a individ ato janë thesar i së kaluarës dhe si të tilla ishin ekspozuar në Festivalin ndërkombëtar të fotografisë “Fotoist” në edicionin e kaluar, të parin e ngjarjes. Narracioni vjen fuqishëm në imazhet statike sërish nëpërmjet festivalit që shtrin edicionin nga 30 gushti deri më 3 shtator. 

Qysh kur nisi, “Fotoist” preku fotografinë botërore, duke sjellë shkrepjet nga objektivi i figurave të shquara të fushës. I bashkoi ato me krijimet e përvojat e fotografëve vendorë. Edicioni i dytë është një lloj vazhdimësie dhe vjen më madhor sa i përket programit. Kështu ka bërë të ditur drejtori i festivalit, Burim Myftiu. 

“Do të jetë edicion 50 për qind më i madh se vitin e kaluar. Do të ketë 11 ekspozita, 10 ligjërata, diskutim paneli, promovime librash, fotosesione e të tjera. Gjithsej janë 36 evente”, ka thënë Myftiu në një bisedë për KOHËN. 

Siç kishte ngjarë me edicionin debutues të festivalit, edhe sivjet programi që zgjat për pesë ditë, nis në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë me ekspozitën “Keep calm and smile” nga Korab Basha, e kuruar nga Elton Koritari. Ekspozita përmban fotografi të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. 

Bëhet e ditur se Basha ripërdor dhe riinterpreton sloganin e ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore motivonte britanikët për të qëndruar të qetë dhe për të vazhduar, për të ecur, për të mbajtur gjallë optimizmin, pavarësisht kërcënimit të afërt të pushtimit nazist. Por Basha hyn më thellë, edhe në kontekste globale duke e promovuar paqen. 

Paralelisht me këtë ekspozitë, në qendrën “Barabar” do të hapet edhe “House for sale” nga fotografi Imre Szabó nga Serbia që shfaq arkivin e tij të fotografive në Kosovë nga viti 1981 e deri më 1999. 
Sa i përket programit të ekspozitave, “Fotoist” ka bashkëpunuar me rrjetin e fotografëve botëror, “VII”. Ky bashkëpunim sivjet shënohet me ekspozitën “See through the noise” në qendrën “Barabar” të kuruar nga Ziyah Gafic, Gary Knight dhe Yonola Viguerie me fotografitë e Paul Lowe, Ron Haviv, Sara Terry, Gary Knight e shumë të tjerë. 

Po aty do të zërë vend edhe ekspozita tjetër “Born Free - Mandela’s Generation of Hope” nga Ilvy Njiokiktjien, fotografe anëtare e “VII Foundation”, “Last seen” nga Hrair Sarkissian në katin e pestë të hotelit “Grand”, ekspozita “Echoes of the past” nga Atdhe Mulla si dhe “Time burdens the wound” nga Korab Krasniqi.

Programi përfshin edhe ekspozitat “The ark of memory” në galerinë e Fakultetit të Arteve e kuruar nga Ardian Isufi dhe Lindar Muça më 31 gusht. Në ditën e fundit të festivalit, publikut i shfaqet tranzicioni i vendit me “Kronikë tregimesh të venitura- Kosova 2010-2012” nga Eni Nurkollari në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës si dhe pasojat afatgjata të konflikteve në shoqëri nëpërmjet “Efekte të konfliktit” nga Armando Babani. 

Sipas organizatorit Myftiu, që edhe vetë ka karrierë në fushën e fotografisë, festivali është i veçantë jo vetëm në vend, por edhe në rajon. 

“Festival të fotografisë së këtij niveli nuk ka jo vetëm në Kosovë, por as në regjion. Kemi bashkëpunim me fondacionin VII të cilët janë  fotografët më të mirë të botës. Sivjet prej mysafirëve që e hapin festivalin vijnë Ron Haviv dhe të tjerë. Janë fotografë me famë botërore të tematikave të ndryshme”, ka thënë ai, duke paralajmëruar edhe aktivitetet shtesë që do të zhvillohen në kuadër të edicionit.

“Në tetor do të jenë edhe dy ekspozita shtesë dhe punëtori e fotosesione. Vitin e kaluar ka pasur një ekspozitë dhe fotosesione, sivjet kemi shtuar edhe aktivitete të tjera”, ka thënë ai. 

Pos programit qendror, shfaqjes së ekspozitave, do të ketë edhe shfaqje filmash në ambient të hapur, punëtori, ligjërata, dhe vlerësime të portfoliove të artistëve në programin e ekspozitave. 

Vitin e kaluar festivali ishte hapur më 25 gusht me serinë e fotografive “The Siege of Sarajevo” e fotografit britanik, Paul Loëe. Aty shpaloseshin pasojat e luftës së fundit në Bosnjë.

Ideuar e themeluar nga fotografi Burim Myftiu, festivali kishte hapur edhe dy ekspozita në qendrën “Barabar” në “Hotelin Grand”. “Imagine: Reflection on Peace”, ekspozitë multimediale,  eksploronte temat dhe sfidat e ndërtimit të paqes do të mbledhë rrëfimet nëpër imazhe të fotografëve Ron Haviv, Gary Knight, Gilles Peress, Stephen Ferry, Don McCullin, Nichole Sobecki, Jack Picone, Roland Neveu dhe Nicole Tung. Aty do të zë vend edhe ekspozita “Her Take: (Re)Thinking Masculinity” e grupit të fotografëve Anush Babajanyan, Jessica Dimmock, Linda Bourne Engelberth, Ilvy Njiokiktjien, Nichole Sobecki, Maggie Steber dhe Sarah Terry.

Festivali Ndërkombëtar i Fotografisë organizohet me iniciativën e organizatës “Fotoist”. Sipas organizatorëve, është festivali më i madh i fotografisë në Ballkan i themeluar në vitin 2023, me qëllim promovimin e fotografisë dhe jetës kulturore në Prishtinë. Ekspozitat fotografike, leksionet, debatet, shfaqjet e filmave, shqyrtimet e portofolit dhe ngjarje të tjera janë të gjitha pjesë e 5 ditëve të festivalit”, shkruhet në prezantimin për Festivalin.