Kulturë

“Fotoist” me gjurmët e dhimbjes dhe momente frymëzimi gjatë luftës në Kosovë

Pas sheshit “Zahir Pajaziti” e qendrës për kulturë “Barabar” në kryeqytet, ka qenë Muzeu Kombëtar i Kosovës që është prekur nga programi i festivalit “Fotoist”. Ngjan se ekspozitat i përshtaten goxha, veçmas “The Hollow of the Hand” me fotografi të këngëtares britanike Polly Jean Harvey, e njohur si PJ Harvey, dhe fotografit Seamus Murphy. Të varura në Lapidariumin e Muzeut, fotografitë kanë sjellë rrëfimet nga Afganistani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nga Kosova

Festivali ndërkombëtar i fotografisë “Fotoist” qysh në edicionin e parë po shpalos fuqinë e fotografisë për dokumentimin e problemeve të shoqërisë, fenomene e ngjarje historike. Imazhet e përjetësuara sillen para syve të publikut dekada pas. Pos ngjarjeve në botë, mozaiku i luftës në Kosovë është prej ngjarjeve që preokupon problemet sociale në një prej ekspozitave. Fotografitë vijnë si artefakte historike të ekspozuara në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Pas sheshit “Zahir Pajaziti” e qendrës për kulturë “Barabar” në kryeqytet, ka qenë Muzeu Kombëtar i Kosovës që është prekur prej programit të festivalit “Fotoist”. Ngjan se ekspozitat i përshtaten goxha, veçmas “The Hollow of the Hand” me fotografi të këngëtares britanike Polly Jean Harvey, e njohur si PJ Harvey, dhe fotografit Seamus Murphy. Të varura në Lapidariumin e Muzeut, fotografitë kanë sjellë rrëfimet nga Afganistani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nga Kosova.

Rrugëtimi që kishte nisur në vitin 2011 kishte vazhduar deri më 2014 me vizitën në Kosovë. Kantautorja P.J Harvey po punonte në albumin e saj. Prej aty do të furnizohej me frymëzimin për të ushqyer poezi e këngë. Si rrjedhojë, nga krijimtaria e saj sot numërohen pesë këngë të frymëzuara prej vizitës së saj në Kosovë. Në anën tjetër, fotografi irlandez Seamus Murphy ka mbledhur imazhet e viteve ’90 të punës së tij si fotoreporter.

Image
Kantautorja P.J Harvey po punonte në albumin e saj. Prej aty do të furnizohej me frymëzimin për të ushqyer poezi e këngë. Si rrjedhojë, nga krijimtaria e saj sot numërohen pesë këngë të frymëzuara prej vizitës së saj në Kosovë

Ndonëse ka fotografi artistike e që shpërfaqin estetikën në vepra, ato gjurmojnë në historinë e vendit, në luftën e fundit në Kosovë. Fundit dhe fillimit të rendit të fotografive të ekspozuara u paraprijnë nga shtatë poezi të tri anëve të sipërfaqes ku ato kanë qenë të vendosura.

Një grua shqiptare identifikohet që prej veshjes tek qëndron pas dyerve të oborrit, më tej është kultura shqiptare që prezantohet derisa dy duar luajnë në def. Në njërën fotografi objektivi fokusohet në gjelbërimin e barishteve me malet në sfond tek fokusi vjen në bujkun që mbulon hapësirën me një rrjetë.

Ana artistike vjen me shkrepjen e fotografisë së lulëzimit të pemëve derisa perëndon dielli dhe një fëmijë i shijon ato. Paraqitet bukuria natyrore në pranverë bashkë me atë të peizazhit të dimrit. Në pamjen e gjerë të fotografisë shihet tek qëndron një grua pranë ca objekteve dhe para saj ngrihen malet që mbulohen me një shtresë të hollë bore.

Jetesa e vështirë shpaloset me anë të fotografive. Njëra prej tyre, bardhezi, paraqet një burrë të moshuar tek qëndron para një objekti që ngjan të jetë i braktisur. Një tjetër paraqet punën në fushë të një grupi burrash me kuaj dhe gomarët e ngarkuar me gjësendet e tyre.

Përshtypja për imazhin nga Kosova prej portretit të një plaku brenda shtëpisë i shkrepur nga jashtë mureve me vrima që ngjan se janë përshkuar prej plumbave. Tjetra në rend, po ashtu, paraqet shkatërrimin e një ndërtese tek e vështron një fëmijë që po luante me këpucët e tij me rrota kur ngjarja kishte ndodhur. Aty shfaqen dy persona tek presin në Stacionin e Trenit në Fushë-Kosovë, fotografitë e njerëzve rrugëve.

Imazhi që shpalos ndjenjën e dhembjes vjen prej fotografisë së një të riu me kokën e mbështetur në dhe derisa me dorë e shtrëngon atë. Njëra prej fotografive paraqet një plak të dërrmuar me fytyrë të ngrysur pranë grumbullit të parave. Prej pamjeve nga Kosova njëra prej fotografive paraqet ndarjen e ndjenjave mes shqetësimit dhe kureshtjes. Kjo e fundit për të luajtur në një instrument muzikor dhe e para për një shtëpi aty pranë që po digjej.

Ndërkohë, në anën tjetër të botës paraqitet jeta e përditshme në rrugë, dyqane, kinema, kafene e parqe.

Brenda objektit të Muzeut Kombëtar të Kosovës është hapur edhe ekspozita “Yves Saint Laurent” e fotografëve francezë Pierre dhe Alexandra Boulat. Ekspozita paraqet punën e babë e bijë që kishin mbuluar ngjarje të shtëpisë franceze të modës “Yves Saint Laurent”. Aty paraqiten pamje nga prapaskenat e përgatitjes për shfaqje e pjesëmarrje në ceremoni të ndryshme.

Këtë ekspozitë, artisti boshnjak Ziyah Gafiq e ka vlerësuar si homazh për punën e fotografëve të ndjerë që kishin nisur të fotografonin që nga vitet ’50, së pari Pierre Boulat e më pas edhe vajza e tij, Alexandra.

“Është një ekspozitë e njërës prej shtëpive më të mëdha të modës në Paris, të cilën filloi ta fotografonte në vitet ’50 Pier… i cili për 25 vjet fotografoi çdo ditë për të bërë një projekt afatgjatë. Në moshën 50 e ca vjet e mori përsipër vajza e tij, Aleksandra, për të vazhduar punën e tij. Pier është një prej fotografëve më të mëdhenj në Francë që e filloi jo vetëm këtë punë, por edhe shumë gjëra të tjera”, ka thënë ai.

Gafiq, që është edhe drejtor i agjencisë fotografike “VII”, ka thënë se bashkëpunimi me Festivalin ka ardhur si rrjedhojë e lidhjeve të ngushta me vendet e Ballkanit dhe interesin e tyre për të shpalosur imazhet që ndërlidhen me historitë e vendeve që u përkasin materialet.

“Shumë prej nesh kemi lidhje të afërta me Ballkanin. Unë jam nga Sarajeva, derisa shumë prej kolegëve të mia u punuan në Kosovë dhe në Bosnje në vitet ’90. Lidhja me këtë rajon është shumë e rëndësishme për ne. Kur Burim Byftiu e filloi festivalin ‘Fotoist’ dhe e provoi mundësinë për të bashkëpunuar me ne, ne veçse po mundoheshim të shpërndanim materialin tonë për rajonet të cilat posedonin material”, ka thënë Gafiq derisa ka shtuar se shumë prej fotografëve të agjencisë e kanë filluar karrierën e tyre në Kosovë.

Një prej fotoreporterëve në Kosovë gjatë kohës së luftës ka qenë edhe fotografi britanik Paul Lowe. Ai ka thënë se ekspozitat japin perspektiva të këndvështrimeve të ndryshme për konfliktet e shoqërisë.

“Ekspozita e Pierre dhe Alexandra Boulat është shumë e bukur, tregon historinë e mrekullueshme të kreativitetit, modës, inteligjencës dhe gjithashtu historinë e lidhjes së babait me vajzën. Ata punuan për shumë vjet me Saint Laurent për të dokumentuar punën e tyre. Ekspozita tjetër ishte si një rrugëtim në kohët e vështira në Afganistan e Kosovë, një gjurmim se çfarë po ndodhte atë kohë”, ka thënë fotografi Lowe.

Zëvendësuesja e drejtorit të Muzeut Kombëtar, Vjollca Aliu, i ka vlerësuar ekspozitat si pasuri për institucionin. “E kemi vlerësuar të jashtëzakonshme jo vetëm për shkak të rëndësisë dhe themelimit të Festivalit, por edhe për shkak të përmbajtjes. Mendoj se i bën shumë mirë Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe e falënderojmë Festivalin që Muzeun e kanë bërë nikoqir të pjesshëm të këtij festivali”, ka thënë Aliu.

Fotografi e drejtori i “Fotoist”, Burim Myftiu, ka treguar se “edhe Aleksandra Boulat ishte në Kosovë në vitin 1999 dhe ajo do të dokumentonte luftën në Kosovë”. Ka bërë fotografi shumë të prekshme për të kuptuar bota se çfarë ndodhte në Kosovë”, ka thënë ai.

Drejtori e themeluesi i “Fotoist”, Burim Myftiu, ka thënë se me këto ekspozita, fillimi i Festivalit është i fuqishëm. Sipas tij, fotografitë që janë shpalosur përcjellin tematika sociale të cilat i ka vlerësuar si përmbledhje të mrekullueshme. Sipas tij, qëllimi ka qenë gjithashtu të rikujtohet lufta në Kosovë.

“Janë fotografi sociale, dokumentare këto. Ka edhe fotografi kreative në kuadër të këtyre ekspozitave që kanë ardhur në Prishtinë. Qëllimi është që të rikujtojmë luftën, të mundohemi të falim, por të mos harrojmë pasi shumë gjëra duhet të mbahen mend që të mos përsëriten. Ky është qëllimi, prandaj i sollëm këta fotografë që ishin në Kosovë, që dokumentuan, dërguan imazhet e tyre jashtë vendit. Tani është koha të bëjmë një paqe, një rikujtim të luftës, por me një shpresë për një të ardhme paqësore”, ka thënë Myftiu.

Kuratori i programit të “Fotoist”, Elton Koritari, ka thënë se Festivali e ka gjetur dashurinë e popullit për artin dhe se ngjarja ka energjinë e jashtëzakonshme për të vazhduar me edicionet e tjera. “Në Kosovë është një skenë të cilën unë e prek për disa herë dhe asnjëherë nuk zhgënjen, sepse nuk ka asnjë shenjë sterile në botën e artit. Është Festival që ka nisur vetëm qe dy ditë dhe numri i institucioneve që e përkrahin është i paimagjinueshëm. Kjo është falë energjisë së Burimit, fakti që ka angazhuar ‘VII Agency’ që nuk është një shaka, sepse në këto momente janë gota e fotografisë botërore”, ka thënë Koritari.