Për pesë ditë, Festivali ndërkombëtar i fotografisë “Fotoist” synon të kthejë vëmendjen e kryeqytetit kah fotografia dhe jo vetëm. Më 25 gusht kur hapet, sheshi “Zahir Pajaziti” në kryeqytet do të jetë i pari në të cilin do të vendosen shenjat e “Fotoist” me serinë e fotografive “The Siege of Sarajevo” e fotografit britanik, Paul Lowe. Aty shpalosen pasojat e luftës së fundit në Bosnjë. Por programi nuk përfundon me kaq
Festivali i sapothemeluar ndërkombëtar i fotografisë, “Fotoist”, synon të prekë imazhet e shkrepura prej objektivit të figurave të shquara botërore, t’i bashkojë me fotografët vendorë dhe të gërshetohen përvojat mes tyre. Megjithatë, Festivali shkon përtej dhe lë shenjat e shfaqjes së fotografive.
Për pesë ditë, Festivali synon të kthejë vëmendjen e kryeqytetit kah fotografia dhe jo vetëm. Më 25 gusht kur hapet, sheshi “Zahir Pajaziti” në kryeqytet do të jetë i pari në të cilin do të vendosen shenjat e “Fotoist” me serinë e fotografive “The Siege of Sarajevo” e fotografit britanik, Paul Lowe. Aty shpalosen pasojat e luftës së fundit në Bosnjë.
Ideuar e themeluar nga fotografi Burim Myftiu, festivali po atë ditë do të hapë edhe dy ekspozita në qendrën “Barabar” në “Hotelin Grand”. “Imagine: Reflection on Peace”, ekspozitë multimediale që eksploron temat dhe sfidat e ndërtimit të paqes do të mbledhë rrëfimet nëpër imazhe të fotografëve Ron Haviv, Gary Knight, Gilles Peress, Stephen Ferry, Don McCullin, Nichole Sobecki, Jack Picone, Roland Neveu dhe Nicole Tung. Aty do të zë vend edhe ekspozita “Her Take: (Re)Thinking Masculinity” e grupit të fotografëve Anush Babajanyan, Jessica Dimmock, Linda Bourne Engelberth, Ilvy Njiokiktjien, Nichole Sobecki, Maggie Steber dhe Sarah Terry.
Programi i “Fotoist” do të prekë edhe hapësira të tjera të artit në kryeqytet. Ekspozita “The Hollow of the Hand” e irlandezit Seamus Murphy dhe britanikes PJ Harvey do të shpaloset në Muzeun Kombëtar të Kosovës më 27 gusht. Institucioni muzeor pritet t’i bëjë vend edhe ekspozitës “Yves Saint Laurent” të Pierre dhe Alexandra Boulat nga Franca.
Drejtori artistik i “Fotoist”, fotografi Burim Myftiu, ka thënë se për këto ekspozita kanë bashkëpunuar me rrjetin e fotografëve botëror, “VII”.
“Në këtë Festival do të hapen tetë ekspozita ndërkombëtare, pesë nga to janë në partneritet me fondacionin “VII”, që është organizata me fotografët më të mëdhenj në botë që janë anëtarë të këtij grupi. Ata do të jenë në hapje të ekspozitave të tyre dhe do të mbajnë ligjërata gjatë ditëve të Festivalit në lidhje me tema të caktuara që lidhen me fotografinë. Do të zhvillojnë edhe aktivitete të tjera si ‘artist talk, punëtori, masterklasë dhe debate”, ka thënë Myftiu.
Rrëfime nga vendi nëpërmjet fotografisë do të jepen me ekspozitën e Ferdi Limanit “River Drini” që do të hapet më 28 gusht në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nëpërmjet së cilës, ofrohet udhëtimi magjepsës përgjatë lumit Drin. Në galerinë “Artistët për Artistë” në kryeqytet do të hapet ekspozita retrospektive “Moments” e Jeton Karahodës. Në të shfaqen imazhe nga New Yorku ku fotografi edhe jeton.
Pos ekspozitave, edhe fotografia lëvizëse do të zërë vend të veçantë në Festivalin ndërkombëtar të fotografisë “Fotoist”. Do të shfaqen filmat “Home is Another Place”, “Sens of Stonecutter”, “Went the Games Well”, “The Wheel”, “The Orange Monkey” dhe “The Community of Hope”.
Në anën tjetër, janë edhe panelet e diskutimit që do ta pasurojnë programin e Festivalit. Një prej tyre do të jetë diskutimi për praktikimin e inteligjencës artificiale në krijimin e mazhëve. “AI: Let the game begim” do të zhvillohet në “Kino Armata” më 27 gusht. Më 25 gusht, Paul Loëe flet për ekspozitën e tij “Siege of Sarajevo” si dhe diskutimin për temën “Testimonies of Light: Photography, Ëitnessing and History” në qendrën “Barabar”. Tema “Tendencies in Contemporary Photojournalism” do të shpaloset nga fotoreporteri boshnjak Ziyah Gafic ndërsa për ekspozitën “Moments” do të flasë kuratori Elton Koritari.
Irlandezi Seamus Murphy do të jetë në udhëheqje të diskutimit për ekspozitën “The Hollow of the Hand” kurse Ferdi Limani do të jetë në panelin “Kosova War to Drini River Project”. Në BKK do të promovohet edhe libri “Sarajevo the longest Siege” i shkrimtares Amra Abadzhiq.
“Fotoist” me organizimin e ngjarjes, shënon edicionin e parë dhe të gjitha aktivitetet do të jenë të hapura për të gjithë të interesuarit për fotografinë. Sipas drejtorit artistik Burim Myftiu, qëllimi i themelimit të ngjarjes ka qenë të bashkohen fotografë të huaj me ata vendorë për të gërshetuar përvoja në ekspozita me fotografi.
“Kjo është iniciativë e re që do të përdor të gjitha përvojat që kemi pasur deri më tash me festivalet, sikurse me ‘DokuFestin’. Tani do ta bëjë një festival të madh sikurse ky, por në Prishtinë do të zhvillohet çdoherë. Do të jenë figurat më të shquara botërore. Disa prej tyre kanë fotografuar Kosovën gjatë luftës dhe tash kthehen për të mbajtur ligjërata e ekspozita e për të krijuar një ambient kulturor në Kosovë, të këmbejnë përvojën e tyre”, ka thënë Myftiu derisa ka bërë të ditur se do të ketë edhe imazhe të shkrepura nga lufta në Kosovë.
“Ka disa fotografi të luftërave që kanë ndodhur nëpër botë, ka edhe pamje nga Kosova. Por nuk është ky qëllimi. Janë vetë fotografët që kanë evidentuar luftën në Kosovë dhe tani kthehen të solidarizohen me të rinjtë në Kosovë, t’i japin diçka ndryshe prej asaj çfarë kanë përjetuar gjatë luftës”, ka thënë ai.
Festivali Ndërkombëtar i Fotografisë organizohet me iniciativën e organizatës "Fotoist". Sipas organizatorëve, është festivali më i madh i fotografisë në Ballkan i themeluar në vitin 2023, me qëllim promovimin e fotografisë dhe jetës kulturore në Prishtinë. Ekspozitat fotografike, leksionet, debatet, shfaqjet e filmave, shqyrtimet e portofolit dhe ngjarje të tjera janë të gjitha pjesë e 5 ditëve të festivalit”, shkruhet në prezantimin për Festivalin.