Kulturë

Fotografitë e Arben Llapashticës zënë vendin e parë dhe të dytin në “Wiki Loves Earth”

Pasionin për fotografinë e shpreh në secilën shkrepje dhe dashuria që ka për të shihet në imazhet që i përjetëson. Por, nuk është vetëm fotografia ajo që pëlqen të bëjë artisti Arben Llapashtica. I dhënë gjithmonë pas udhëtimeve në vendet shqiptare, ai për qëllim ka promovimin e bukurive natyrore dhe jo vetëm, nëpër gjithë botën. Ka arritur ta bëjë atë shpesh me anë të fotografive që kanë marrë vëmendje ndërkombëtare. Së fundmi është renditur i pari në garën “Wiki Loves Earth”.

Njëra që shfaq natyrën e gjelbëruar në Bjeshkët e Bajgorës e renditur e para dhe tjetra qetësinë e një pjese të Pogradecit të Shqipërisë ka dalë të jetë e dyta në këtë garë, në mesin e 500 fotografive garuese. Llapashtica kaherë përmes fotografive të tij ka dokumentuar proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Për së afërmi, me video dhe foto ka ndjekur periudhat e ndryshme kohore të vendit dhe ka arritur që ato t’ia tregojë edhe botës. Tashmë edhe me dy fotografi të tjera ka pasuruar platformën “Wikipedia” për të dëshmuar llojllojshmërinë e natyrës në Kosovë dhe Shqipëri.

Në fotografinë e shkrepur në Shalë të Bajgorës më 13 qershor të 2021, shihet mrekullia e kodrave të shtruara në gjelbërim. Hijezimet e ndryshme të kapura mjeshtërisht shfaqin për shikuesin pjerrtësinë e kësaj hapësirë herë-herë të pasuruar edhe me pemë. Përmes kësaj fotografie mund të shihet edhe përtej. Tutje, ndonëse jo shumë çartë, shihet se vendi është i mbushur me të tilla hapësira. Reflekton pasuri.

Fotografia tjetër, e cila mban vendin e dytë për territorin e Shqipërisë është bërë në Pogradec më 9 shkurt 2020. Hapësira ujore që rri qetë në vendin e vet, mban në të një anije krejt mekanike. Gërshetohet natyra me mjete krejt tradicionale, të cilat bazë ndërtimi kanë po ashtu resurset natyrore. Mes tyre flitet shumë.

“Fotografia në Bajgorë, ku kam qenë për një vit vazhdimisht për realizimin e parkut të energjisë me erë, për t’i përcjellë punimet atje, dhe me këtë proces e kam realizuar edhe foton. Vazhdoj me qenë aktiv me promovimin e trashëgimisë kulturore, ruajtjen e ambientit dhe hapësirave të braktisura. Fotografia në Shqipëri për të cilën ndihem i nderuar është shkrepur në Pogradec”, ka thënë Llapashtica.

Image
Fotografia tjetër, e cila mban vendin e parë për territorin e Shqipërisë, është bërë në Pogradec më 9 shkurt 2020. Hapësira ujore që rri qetë në vendin e vet mban në të një anije krejt mekanike. Gërshetohet natyra me mjete krejt tradicionale, të cilat bazë ndërtimi kanë po ashtu resurset natyrore

Kjo nuk është një eksperiencë për artistin që me fotografinë merret qysh nga viti 2008. Ai tashmë numëron më shumë se njëzet çmime për fotografi dhe video në gara të ndryshme. Por, megjithatë, ka thënë se është nder për të satën herë që puna e tij shton njohuritë për vendet të cilat ai i ka për zemër.

“Vazhdoj me qenë ndër kontribuuesit më aktiv në enciklopedinë e lirë ‘Wikipedia’ e që gara ka qenë në platformën e saj ‘Wiki Earth’, krejt kjo si kontribut për ngritjen e imazhit të Kosovës me kontribute për foto dhe artikujt”, ka thënë fotografi.

Pjesë e garës “Wiki Loves Earth” u bënë gjithsej 500 fotografi nga artistë të ndryshëm. Vendin e dytë në këtë garë sa i përket territorit të Kosovës e zë fotografja Brelina Kaja, përderisa të tretin i ashtuquajturi Feniks H., i cili është paraqitur me një fotografi të mbizotëruar nga bardhësia e dëborës.

Përderisa vendin e parë edhe për territorin e Shqipërisë e mban Llapashtica me fotografinë e tij, të dytin e zë Olachemistry dhe të tretin Fido adventures.

Llapashtica bënë thirrje tek të gjithë kolegët e tij që të angazhohen përherë e më shumë në aktivitete si të tijin. Thotë se përmes punës që ata e bëjnë me pasion dhe dëshirë mund të kontribuojnë në enciklopedinë e vendit. Pohon se Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë të qasshëm në kërkimet e njerëzve në internet.

“Pavarësisht se janë 500 foto garuese, bej thirrje që vazhdimisht fotografët të ngarkojnë foto aty, sepse më herët nëse ke shkruar në google Kosova/Kosovo, nuk janë shfaqur edhe foto reale të imazhit të Kosovës, andaj vetëm në enciklopedinë e lirë me ngarkua foto e pasqyrojmë më mirë realitetin e Kosovës dhe ngremë imazhin e Kosovës nëpër botë dhe e promovojmë atë”, ka thënë Llapashtica.

“Wiki Loves Earth” është gara në të cilën kanë mundësi të konkurrojnë artistët nga e gjithë bota me artin e tyre. Synohet që përmes saj të plotësohet enciklopedia e vendeve të ndryshme. Nisur edhe nga emri kuptojmë që kjo garë ka për qëllim të paraqesë natyrën dhe resurset e ndryshme të vendeve nëpër botë.