Kulturë

Fotografi që i shpërfaqi botës imazhet e ditëve të vështira në Kosovë

Pjekurinë profesionale e arriti gjatë kohës së luftës. Kjo ishte edhe arsyeja se pse shumë nga fotografitë e tij shpërfaqin çehre të zhytura në dëshpërim. Vitet para luftës së fundit në Kosovë bënë që emri i tij të vendoset në faqet e gazetave më prestigjioze të ish-Jugosllavisë. Ne çdo ngjarje, Hazir Reka ishte aty për të dokumentuar gjithçka nga afër pavarësisht çmimit që duhej paguar. Por të ushtruarit e profesionit në atë kohë ishte mision nga i cili Reka nuk u zmbraps asnjëherë. Për më tepër nuk u dorëzua as pas arrestimeve e kërcënimeve gjatë kohës së okupimit serb. Fotografitë e ditëve të rënda të popullit të Kosovës ju botuan në mediet më prestigjioze në botë

Fotografia e tij erdhi në kohët më të vështira të vendit. Pasionin të cilin nisi ta zhvilloj në shtëpi më pas u bë profesioni me të cilin përcolli imazhet në shumë vende të botës. Që nga shkrepjet e para e deri tash kur kanë kaluar pesë dekada, portretet janë ato me të cilat komunikon artistikisht fotografi Hazir Reka.

Pjekurinë profesionale e arriti gjatë kohës së luftës. Kjo ishte edhe arsyeja se pse shumë nga fotografitë e tij shpërfaqin çehre të zhytura në dëshpërim. Vitet para luftës së fundit në Kosovë bënë që emri i tij të vendoset në faqet e gazetave më prestigjioze. Ne çdo ngjarje, Reka ishte aty për të dokumentuar gjithçka nga afër pavarësisht çmimit që duhej paguar. Por të ushtruarit e profesionit në atë kohë ishte mision nga i cili Reka nuk u zmbraps asnjëherë. Për më tepër nuk u dorëzua as pas arrestimeve e kërcënimeve gjatë kohës së okupimit serb.

Fillet e studentit të elektronikës

I lindur në vitin 1981 në Nerodime të Ferizajt, shkollën fillore e kreu në fshat e të mesmen në qytetin e Ferizajt. Studimet i filloi për Bazat e Elektroteknikës në Prishtinë. Ditët e studimeve bën që talenti i tij të dilte në pah meqë lënda profesionale që ofronte ky drejtim ishte fotografia. Për këtë, Reka i falënderohet profesorit të tij Fadil Gacaferri.

“Ai i ka ndihmuar talentin tim sepse e ka respektuar talentit tim”, thotë Reka teksa flet për fillimet e tij me fotografinë. Demostrat e vitit 1981 bën që Reka të shkëputej përkohësisht nga studimet dhe të kthehej në vendlindje. Profesori Gacaferri që i kishte nuhatur shkëndijat e tij për fotografinë i kishte dhënë shumë nga pajisjet e tij për fotografim në mënyrë që Reka ta zhvillonte më tutje pasionin e nisur si student. Si entuziastë në këtë fushë, Reka se humbi këtë mundësi. Subjekt i fotografisë së tij u bën bashkëfshatarët. Fotografitë atë kohë zhvilloheshin vetëm bardhë e zi, e Reka në atë kohë improvizoi një laborator për zhvillimin e këtyre fotografive. Sot në fshatin e tij në Nerodime ka improvizuar një atelie, e cila përmbledhë portretet që shpërfaqin eksodin e shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë. Aty Reka ku filloi pasionin e tij, sot ruan një koleksion të pasur aparatesh fotografik.

“Secilin prej atyre që e fotografoja e thirrja që kur ta zhvilloj fotografinë të vijnë ta shohin. Kur e futsha fletën e bardhë te zhvilluesi, ajo shkonte gradualisht duke u formuar portreti dhe ishte diçka e paqartë për ta. Gjynah që nuk kam pasur ndonjë fotografi të reagimit të tyre”, ka treguar fotografi Reka në emisionin “Pro X” të KTV-së.

Kështu e zhvilloi artin e fotografisë përgjatë një viti. Krejtësisht thjesht rreth zonës së shtëpisë së tij. Te kryqëzimi i hekurudhurave të stacioni i trenit në Ferizaj, ai bëri fotografinë e cila ia përmbledhë emocionet e parë në këtë profesion. Me këtë fotografi u bind se mund të bëhej pjesë e këndit artistik të javores “Zëri i Rinisë”. “Mandej dola në qytet te stacioni i trenit dhe e bëra një fotografi të kryqëzimi i hekurudhës”. Për shkak të rrethanave, fotografinë në këtë redaksi e dërgoi me postë. Javën e parë e priti me padurim publikimin e javores por shpresat iu shuan pas shfletimit. Në javën tjetër, Reka e përjetoi emocionin e madh kur u ndesh me emrin e tij.

“Ishte shumë befasi për mua. Nuk mund ta përshkruaj se si dukej ajo”, shprehet Reka, i cili në vitin 1983 iu kthye përsëri studimeve. S’vonoi shumë kohë dhe njëri prej miqve të tij, Islam Miftari, e njoftoi Rekën për “Botën e re” që kërkonte fotoreporter. Shpejt Reka u bë pjesë e konkursit. Në mesin e 20 kandidatëve arriti të punësohej. “Ishte krejtësisht punë e re, në atë kohë me kolegët fotografonim qytetin sepse e kemi pasur studion me prapavi të zezë sepse profesori na shtynte ta ushtrojmë portretin në studio mandej në natyrë”, tregon tutje ai.

Punoi për një vit në “Botën e Re” dhe pastaj u bë pjesë e “Zërit të Rinisë”. Edhe aty konkurrenca ishte e madhe por Reka arriti ta bind komisionin me shkrepjet e tij. Nga një fotograf i portreteve të bashkëfshatarëve, Reka u bë shpejt një fotograf që dokumentonte përditshmërinë në vend. Rrethanat e bën atë fotograf të protestave. Rrjeti i tij u zgjerua, maeostroja i fotografisë filloi bashkëpunimin me revistën “Mladina” të Sllovenisë dhe gazetën “Danas” të Kroacisë.

Fotografia ikonike dhe takimi me Bob Dole

Në fillim të viteve ’90, Reka kujton vizitën e një grupi të senatorëve dhe kongresistëve amerikanë në Kosovë. Takimin me liderët kosovarë dhe palët serbe ishin paraparë të mbaheshin në hotel “Grand”. Shumë njerëz ishin mbledhur aty përderisa policia kujdesej që t’i largonte njerëzit nga sheshi. Një burrë i ulur këmbëkryq në mesin e kësaj turme nuk do t’i shpëtonte Rekës nga objektivi. Fotografia e tij tregon burrin e ulur duke vështruar qetësisht situatën në kaos. Para se policët të orientohen drejt tij, Reka e kishte paraparë këtë skenë dhe ishte fiksuar në vend që ta fotografonte. Këtë fotografi Reka e kishte marrë me vete edhe gjatë udhëtimit në Washington ku e kishte shoqëruar Adem Demacin. Në një takim me politikanin Bob Dole, Reka ia kishte dhuruar këtë fotografi.

“Dole u ngrit në këmbë dhe tha: ‘Kjo fotografi e ka vendin në zyre’, mandej nuk di a e ka mbajtur apo jo”, shpjegon tutje Reka, i cili më pas kishte përcjellë edhe protestat në mbrojtje të Universitetit në vitin 1992.

Shumë pranë Fakultetit Filozofik derisa dokumentonte këtë është arrestuar nga dy policë. Reka i cili me vete kishte dy aparatë fotografik në stacionin policor në “Dardani”. Reka i cili e dinte që nëpërmjet fotografive mund të identifikoheshin protestuesit ishte kujdesur që ato fotografi të mos mund të zhvilloheshin.

“Kur jemi ulur në zyre në polici më thanë që duan t’i marrin filmat që t’I’ zhvillojnë. Unë i hapa të dy aparatët dhe filmat janë dështuar të dytë pasi që ata djegën nga ndriçimi i dritës. Ata më pas u bën shumë agresivë. E rrezikova veten por i shpëtova ata që ishin në protestë”, ka treguar tutje Reka. Aty fotografi ishte kërcënuar për vdekje. “Më thanë: ‘Nëse të takojmë edhe një herë në rrugë so të tëvrasim’. U thash se ju mund të më vrisni, por unë furrëtar nuk jam dhe ju përsëri do të më takoni në rrugë me aparate në duar”, ka rrëfyer Reka, i cili vazhdoi edhe nëpër shumë sfida të tjera pa u dorëzuar nga fotografia.

Image

“Dole u ngrit në këmbë dhe tha: ‘Kjo fotografi e ka vendin në zyre’, mandej nuk di a e ka mbajtur apo jo”, shpjegon Hazir Rek për fotografinë ikonike gjatë vizitës së disa senatorëve amerikan në Kosovë

Imazhet që ia tregoi botës

Në fund të 90-ve, Reka u kërkua që të punonte nga agjencia franceze “Sigma” dhe agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters”. Me agjencinë mujore “Sigma” punoi për një kohë por duke e parë ndikimin e “Reuters”, Reka u bë pjesë e agjencisë së lajmeve. Dy kolegë të huaj erdhën për ta mësuar fotografin kosovar me teknikën e raportimit për t’i dërguar fotografitë jashtë vendit. Procesi atëherë ishte i vështirë dhe Reka shpesh s'arrinte t’i dërgonte më shumë se dy fotografi.

Kur lufta filloi, Reka ishte kudo ku kishte njerëz dhe dokumentonte rrugët e refugjatëve. Në Maqedoni ku ishin zhvendosur një numër i madh i refugjatëve, Reka shkoi pa aparate me vete meqë një gjë e tillë nuk i lejohej. Kolegët e agjencive ku kishte punuar më parë e gjetën shpejt mes turmave të refugjatëve dhe si dhuratë ia bën pajisjet për fotografim. Nga ajo kohë, Reka kishte pasur vetëm dy javë të lira. Që kur mori përsëri aparatin në duar nuk u ndalë të ngrijë kujtimet e njerëzve në mjegullën që ua kishte kërkuar jeta në luftë. Portretet e Rekës të grave, burrave, pleqve dhe fëmijëve janë histori që flasin edhe pa asnjë shkronjë. Ato fotografi publikoheshin çdo ditë në “Reuters”, e prej aty përcilleshin në mediat më të njohura në botë. Shumë familjarë kuptonin për fatin e më të dashurve pikërisht përmes këtyre fotografive.

“Agjencia kërkonte fotografi kur familjet takohen. Ky ishte një moment i tmerrshëm dhe kur i sheh ato portrete e shoh që i përjeton rënd. Unë e kam përjetuar edhe më rënd sepse kishte një pjesë të familjes që ka mbetur në Kosovë. Aty kishte skena shumë të rënda”, shpjegon Reka teksa u kthehet kujtimeve. Deri atëherë fotografitë e tij janë publikuar në të gjitha revistat e ish-Jugosllavisë si “Mladina”, “Delo”, “Oslobodenje”, “Vreme” e “Start” si dhe në gazetat dhe revistat më prestigjioze në botë “New York Times”, “Herald Tribune”, “Liberation”, “Time”, “Washington Post” e “Wall Street Journal”. Ai ka mbuluar protestat dhe luftën në Kosovë si dhe hyrjen e trupave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë. Reka ka publikuar librin me foto “Ecja nëpër terr - Kosova 1988-1990“, e fotot e tij po ashtu janë botuar edhe në libra të ndryshëm si ai i Blerim Shalës “Kosova, gjaku dhe lotët”. Hazir Reka ka hapur disa ekspozita personale jashtë vendit si në Zagreb dhe Gjenevë, në Arabinë Saudite, Barcelonë, Austri, Francë dhe Belgjikë.

Lidhja e tij me personazhet ka qenë përtej momentit të shkrepjes së fotografisë dhe shumë prej tyre, i ka kërkuar edhe pas përfundimit të luftës. Së fundmi ka bërë bashkë imazhet e personazheve të dy kohëve në ekspozitën me titull “Para dhe pas luftës” (Before and After the War”) e cila është hapur në mars të këtij viti në Bludenz të Austrisë.

“Pritja ishte shumë e mirë dhe portretet lidheshin me ato të refugjatëve të Ukrainës. Ajo i dha më shumë publicitet ekspozitës”, ka treguar Reka.

Me objektiv deri në Irak

Hazir Reka përgjatë vitit 2005 kishte qëndruar për disa ditë edhe në Irak ku po ashtu kishte parë shumë skena të rënda. Por, sipas tij të dokumentuarit vuajtjet e njerëzve të tij në kohë luftë është krejtësisht ndjesi tjetër për fotoreporterin.

“Ajo që kam përcjellë në Kosovë ka qenë më e rënd sepse pak a shumë kanë qenë si familjarë të mi”, ka thënë ai.

Fotografi Hazir Reka ka një mesazh për fotografët në raport me fotografinë. Sipas tij më e rëndësishmja është që të kapet momenti.

“Ata që duan fotorgafinë duhet gjithsesi vetëm me apparat të fotorgafojnë jo me telefon. Unë fotorgafinë e shoh fillimisht me sy pastaj e realizoj me apparat. Kur e sheh një portret ose peizazh me ndriqim të mirë nuk duhet të thuash do të kthehem më vonë ta bëj. Ose duhet ta realizosh aty në atë moment sepes më vonë nuk e bën kurrë”, ka thënë tutje ai.

Në nderim të punës së tij disa vjeçare, artisti amerikan Nils Vestergard në bashkëpunim me “Mural Fest Kosova” në nëntor të vitit 2021 kanë realizuar muralin me portretin e fotografit në qendër të qytetit të Ferizajt. Fotografi aty paraqitet me aparat në duar me ngjyra të flamurit të Kosovës, si mirënjohje për kontributin e tij në etapat më të rëndësishme të shtetësisë së vendit.