Sensacion qe zbulimi i tij këtu e një dekadë më parë, mozaiku mbresëlënës solli në Kosovë edhe mediat më të njohura botërore, por prej vitit 2019 aty s’ka lëvizje. Mozaiku ashtu si dhe strukturat e tjera të gërmuara mbesin larg vëmendjes së publikut e memorandumi i nënshkruar të martën midis Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe Ministrisë së Kulturës hapin një kapitull të ri për këtë lokalitet antik. Rreth 200 mijë euro është vlera e fondit, prej të cilave 150 mijë dollarë nga Fondi i Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore e 50 mijë nga MKRS-ja
Është dashur një ndërhyrje prej jashtë institucioneve vendore që puna në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut – një prej kryesorëve në vend – të rinisë. Pas katër vjetëve ngecje në gërmime, mirëmbajtje, konservim e zhvillim planesh për prezantim të gjetjeve arkeologjike të shekujve të parë të erës sonë, arkeologë e profesionistë të tjerë do t’i kthehen lokalitetit arkeologjik në Komunën e Klinës.
Mbështetja e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës pritet t’ia rikthejë shkëlqimin mozaikut antik të Dresnikut.
Ne kuadër të Fondit të Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore, ambasadori i SHBA-së në Kosovë e ka përkrahur projektin për lokalitetin e Dresnikut me 150 mijë dollarë (141 mijë e 849 euro). Në anën tjetër, Ministria e Kulturës ka ndarë 51 mijë e 830 euro.
Të martën ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kanë nënshkruar një memorandum bashkëfinancimi për të përkrahur projektin “Ruajtja e lokalitetit arkeologjik e Dresnikut”. Sipas planit, projekti do të zgjasë prej shatorit të këtij viti deri në qershorin e vitit 2025. Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Fondacioni trashëgimia kulturore pa kufij “CHwB Kosova” do të jenë partnerët zbatues.
Sipas të dhënave të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, prej vitit 2005 ka përkrahur 22 projekte të trashëgimisë kulturore me afro 3.5 milionë dollarë. Këtë vit lokaliteti i Dresnikut është midis 6 lokaliteteve të përzgjedhura për t’u përkrahur në Evropë dhe regjionin e asaj që njihet si Euro-Azi. Kurse në rang botëror është një prej 28 të selektuarve për përkrahje nga fondet e SHBA-së.
Para se të nënshkruajnë memorandumin, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se lokaliteti arkeologjik i Dresnikut paraqet një pasuri me rëndësi të jashtëzakonshme ndërkombëtare si lokalitet shumështresor arkeologjik, me vlera historike, estetike, shkencore dhe kulturore. Ka përmendur edhe ngecjen.
“Nga viti 2019 në këtë lokalitet nuk ka pasur ndërhyrje, përpos disa masa preventive dhe të mirëmbajtjes, duke krijuar kështu stagnim. Duke u bazuar në rëndësinë universale, ky lokalitet renditet ndër prioritetet programore të Ministrisë sonë”, ka thënë ministri Çeku. Sipas tij, me nënshkrimin e memorandumit të bashkëfinancimit bëhet hapi i parë drejt ruajtjes dhe promovimit të Dresnikut si lokalitet i trashëgimisë kulturore me potencial për zhvillim të turizmit kulturor.
“Nëpërmjet këtij fondi, në bashkëpunim me ekspertët vendorë e ndërkombëtarë, do të zhvillohet dokumentimi dhe planet e menaxhimit dhe të konservimit të këtij lokaliteti. Ruajtja dhe menaxhimi adekuat i këtij lokaliteti do të mundësojnë qasjen e publikut, ruajtjen e dëshmive materiale, përfshirë edhe mozaikun e jashtëzakonshëm, duke mundësuar kështu promovimin e trashëgimisë së përbashkët kulturore për publikun vendor dhe vizitorët”, ka thënë ai. Ministri Çeku ka treguar se si Ministri kanë ndërmarrë hapat për sigurimin e qasjes për hulumtim dhe shfrytëzim të pronave ku gjendet lokaliteti, duke iniciuar procesin e shpronësimit të parcelave pranë Ministrisë së Planifikimit Hapësinor.
“Shumë shpejt pritet finalizimi i elaborateve dhe marrja e vendimit të parë në Qeveri për procedurën e shpronësimit. Në këtë mënyrë po sigurohemi që asetet e trashëgimisë arkeologjike e kulturore të marrin vëmendjen e duhur përmes mbështetjes financiare, ekspertizës shkencore profesionale dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë”, ka treguar ministri Çeku.
Burimet e KOHËS kanë treguar se shpronësimi ishte kusht i Ambasadës së SHBA-së për të financuar projektin.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se puna për ta marrë miratimin dhe financimin për këtë projekt ka vazhduar me vite të tëra. Ka thënë se është entuziast të ndajë me publikun se Fondi i Ambasadorit për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore i Byrosë së Departamentit të Shtetit për Çështje Arsimore dhe Kulturore është i përkushtuar ta mbështesë këtë lokalitet.
“Ky ishte një proces shumë konkurrues përzgjedhës ndërkombëtar, por nuk kisha fare dyshim se partnerët dhe kolegët tanë do ta kuptonin rëndësinë e kësaj pune. Unë kam qenë në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut dhe personalisht mund të dëshmoj jo vetëm për bukurinë e tij, por edhe për rëndësinë e tij historike”, ka thënë ai. Sipas ambasadorit Hovenier, ky lokalitet paraqet historinë e pasur dhe të larmishme të Kosovës dhe nënvizon trashëgiminë multikulturore që është e pranishme në tërë Ballkanin dhe të cilën qeveritë kanë përgjegjësi për ta mbrojtur. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara kanë një partneritet të gjatë dhe të qëndrueshëm me popullin e Kosovës. Ka thënë se ruajtja e lokalitetit arkeologjik e Dresnikut do të thotë që të gjithë kosovarët, përfshirë brezat e ardhshëm, mund të kenë qasje në këtë histori të përbashkët.
“Në fazën e parë të këtij projekti të ruajtjes ne do ta sjellim teknologjinë më të mirë për ta studiuar dhe hartëzuar këtë lokacion. Kjo teknologji dhe të dhënat rezultuese të prodhuara do të jenë në dispozicion të ekspertëve të arkeologjisë dhe studentëve për të mbështetur hulumtimin dhe edukimin e vazhdueshëm. Ky investim në ruajtjen e Dresnikut do të tërheqë vizitorë në këtë lokalitet dhe do të ndihmojë në fuqizimin e turizmit dhe zhvillimin ekonomik lokal”, ka thënë ambasadori Hovenier.

Historia e punimeve në këtë lokalitet është e ngjashme me lokalitetet gjithandej vendit. Në vitin 2018 në Dresnik, sikurse në lokalitetet e tjera arkeologjike, punimet ishin ndërprerë në gusht. Më 2019 ato kishin filluar, por ishin ndërprerë pas një muaji.
Pallati i parë ku janë gjetur edhe mozaikët shumëngjyrësh ka shërbyer për perandorin. Sipas arkeologëve, elitat e Ulpianës në Dresnik i kanë pasur tokat dhe vilat e veta.
Në shtator të vitit 2014 mbetjet e zbuluara në lokalitetin e Dresnikut kanë dhënë indikacione që monumenti i gjetur daton qysh në shekujt e parë të erës së re dhe cilësohet të jetë tejet i veçantë jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.
Mozaikët e këtij lokaliteti, formash gjeometrike, përbëhen nga gurë të vegjël, mesatarisht të dimensioneve 1 me 1,2 centimetra, që formojnë mozaikë gjeometrikë që janë karakteristikë e viteve të para të jetës pas vitit 0, në Romën e Greqinë e lashtë. Në mozaikët e Dresnikut gurët e vegjël kanë së paku 9 ngjyra. Deri më tani kjo lloj gjetje është e vetmja në Kosovë.
Arkeologu Elvis Shala, që u ka prirë punimeve vazhdimisht, kishte treguar se më 2018 ka qenë një fazë kur kanë përfunduar me restaurimin e strukturave arkitekturore. Një pjesë e gërmuar në vitin 2019 ka mbetur e parestauruar. Vazhdimisht ai kishte ngritur zërin për këtë lokalitet.
“Mozaiku është shumë i ndjeshëm. Mozaiku nuk duhet të nxirret nga lokaliteti dhe të prezantohet në muze. Mozaikët prezantohen aty ku janë. Por, ka një problem. Çdo vit mozaiku duhet shikuar se si e ka gjendjen derisa të bëhet një konstruksion përmbi që e mbron nga kushtet atmosferike”, kishte thënë ai në korrik të vitit 2021.
Sipas Shalës, pasi shihet gjendja çdo vit, dihet se si duhet vepruar në ruajtjen e tij.
“Janë diku 200 metra katrorë pa u hapur dhe nuk e dimë se në çfarë gjendje janë. Kjo është fatkeqësia e Dresnikut”, kishte thënë ai.
Në Dresnik është punuar sistematikisht nga vjeshta e vitit 2012 deri më 2018. Gjatë punimeve të vitit 2016 është gjetur edhe një pjesë e një skulpture. Koka e një femre të re e punuar në mermer është njëra ndër dëshmitë e artit që nuk është i paktë në këtë lokalitet.
“Është model i punimeve klasiciste të shekullit IV para erës sonë. Por, kjo që është gjetur është kopje e punuar në shekullin II. Kemi katër perandorë që e kanë emituar artin klasik. Sidomos Augusti edhe Adriani. Kjo nuk është punuar në shkollat vendore. Mendoj se i takon shkollës së Aphrodisiasit”, kishte thënë arkeologu Shala.
E një tjetër figurinë e punuar me asht, sipas tij, duhet të ketë shërbyer si zbukurim i veglave të punës. Pjesë e gjetjeve është edhe një enë, copëzat e së cilës janë bashkuar dhe një altar pa mbishkrim.