Kulturë

“Fluturimi mbi folenë e qyqes” me zellin e lirisë midis totalitarizmit

Jeton Neziraj - Fluturimi

Skenë nga shfaqja në teatrin “Adriana” në Ferizaj

Shfaqja vjen si studim i mendjes njerëzore e nderim i parimeve të secilit. Ajo është si kritikë ndaj institucioneve që trajtojnë shëndetin mendor. “Fluturimi mbi folenë e qyqes” me regji të Erson Zymberit dhe dramatizim të Jeton Nezirajt në teatrin “Adriana” në Ferizaj vjen si protestë ndaj sistemeve totalitare, apo edhe atyre që kanë nisur të rrëshqasin në atë anë

Teatri vë në skenë problemet e një shoqërie dhe kjo është baza e këtij arti. “Fluturimi mbi folenë e qyqes” është një shembull. Ajo bëhet reflektim i raportit të institucioneve me njerëzit. Skenat e saj janë fushëbetejë midis palëve nëpërmjet antagonizmit të dy personazheve. Shfaqja vjen si studim i mendjes njerëzore e nderim i parimeve të secilit. Ajo është si kritikë ndaj institucioneve që trajtojnë shëndetin mendor.

Shfaqja me autor amerikanin Dale Wasserman është sjellë në teatrin “Adriana” në Ferizaj nën regji të Erson Zymberit dhe me dramatizim të Jeton Nezirajt. Ngjarja vendoset në një spital psikiatrik. Në qendër ka një pacient që justifikon “gjendjen e rëndë psikike” për t’iu shmangur mbylljes prapa grilave për lojë bixhozi. 

Hyrja e Randle Patrick McMurphyt në spital karakterizohet me antagonizmin e tij ndaj infermieres Ratched. Ndërron krejt rutinën e repartit duke çuar në luftën ndërmjet saj dhe tij si i “burgosur” aty. Tavolina ku takohen letrat e bixhozit, bastet dhe planet e fshehura janë takimi më i shpeshtë i tij me pacientët aty. I nxit ata drejt rebelimit dhe ndërrimit të rregullave.

McMurphy, që luhet nga aktori Blin Mani, është karakter ndryshe nga të tjerët. Rebel, energjik, i guximshëm e symprehtë. I tillë shfaqet në skenë. Lider në grup. 

Ai është i vetëdijshëm për padrejtësitë që u bëhen pacientëve. Mundohet t’u japë atyre shpresë e kurajë për ndryshime. Vendosmëria e tij e bën të mos ndryshojë sjelljet, përkundër terapisë me elektroshok. Nuk ndërrojnë as sjelljet e tij dashakeqe. Brenda spitalit psikiatrik organizon ngjarje të pashembullta. 

Stafi zbulon rrëmujën dhe infermierja Ratched gjen njërin pacient, Billin, dhe një vajzë në krahët e njëri-tjetrit. Ajo e kërcënon se krejt këtë ngjarje do t’ia tregojë nënës së tij. Billi përjeton një krizë emocionale dhe pasi mbetet vetëm në zyrën e mjekes, vetëvritet. Infermierja Ratched e fajëson McMurphyn për këtë, i cili del nga vetja dhe kështu zhvendoset nga dhoma. 

Kur ai shfaqet, bëhet me dije se atij i është bërë një ndërhyrje kirurgjike në kokë që e ka bërë atë të heshtur dhe të palëvizshëm. Njëri prej pacientëve e mbyt me jastëk. Është akt mëshire dhe vjen si shpëtim i tij nga tortura e spitalit psikiatrik. 

Regjisori i shfaqjes, Erson Zymberi, ka thënë se shfaqja është udhëtim emocional nëpër mendjet e njerëzve që ka në qendër frymën e lirisë që sillet nëpërmjet karakterit të kryepersonazhit. 

“‘Fluturimi mbi folenë e qyqes’ është një udhëtim ndoshta emocional nëpër mendjet e njerëzve që në rastin e vetë shfaqjes, dramës, apo edhe romanit e filmit, arrin të mbyllë njeriun në një qendër psikiatrike e cila merr formë e frymë me ardhjen e një njeriu të lirë. Një njeri që kërkon lirinë dhe nuk pajtohet me rregullat tirane, despote dhe të shtypjes”, ka thënë regjisori Zymberi. 

Sipas tij, totalitarizmin dhe të tjera vlera që vijnë në kundërshtim me McMyrphyn i sjell në skenë karakteri i infermieres Ratched (Edona Berisha-Bekteshi). 

“Të gjithë pacientët brenda i bën bashkë, u jep një fije shpresë dhe kur dëshirat e tij përplasen me një infermiere kryesore, e cila përfaqëson totalitarizmin, diktaturën, të kundërtën e asaj që përfaqëson McMurphy. Kur këto dy botë përplasen, fillon konflikti, drama. Fillon goditja dhe dëshira për të mbijetuar. E shohim se në këtë kohë, por jo vetëm tash, njeriu është e vetmja forcë e natyrës e cila është mbase edhe shpresa e fundit për të parë një shkëndijë te këta pacientë”, ka shpjeguar Zymberi.

Ka bërë të ditur se vdekja e tij në fund është si akt flijimi për të gjithë pacientët brenda spitalit. 
Shfaqja vishet me disa ngjyrime dramaturgjike ku Jeton Neziraj i jep kontekst vendor. E tillë është ironia me numrin e atyre që kanë marrë statusin e veteranit e situatat me gjendjen aktuale politike për Asociacionin e komunave serbe. Regjisori i shfaqjes, Erson Zymberi, ka thënë se kanë bashkëpunuar me Nezirajn për të sjellë një format më aktual të dramës në shoqërinë e kohës së tanishme. 

“Drama është shkruar diku në vitet ’60. Jo pse temat e saj nuk funksionojnë edhe sot, pasi këtë e pamë sonte te reagimi i publikut në Ferizaj. Por që i kemi dhënë pak sharm, i kemi shtuar pak mëlmesa për ta bërë akoma më aktuale dhe të komunikojë më shumë me publikun e sotëm. Mendoj se të gjitha këto dromca dramaturgjike i kanë dhënë jetë dhe e kanë pasuruar shfaqjen tonë për nga dramaturgjia e paraqitja skenike”, ka thënë Zymberaj pas shfaqjes. 

Sipas teatrit “Adriana”, shfaqja vjen si kritikë e sistemeve të institucionalizuara të kontrollit dhe shtypjes. Në lajmërimin e Tetarit shkruhet se paraqet një koment të ashpër “mbi efektet çnjerëzore të konformitetit dhe normave shoqërore”. Kërkimi i kuptimit të jetës është njëra temë e trajtuar në shfaqje. 

Aktorja Edona Berisha-Bekteshi e cila e ka luajtur Ratched, infermieren kryesore në klinikën psikiatrike, ka thënë se ka bartur një rol me përgjegjësi të madh. Sipas saj, karakteri është sjellë më negativ sesa e ka paraqitur autori. 

“Motra Retched, sipas filmit e veprës, ndoshta nuk është një karakter shumë negativ sa e kemi paraqitur ne, por qasja e regjisorit sesi e ka parë dhe e ka kërkuar, bashkë me përshtatjen e tekstit nga Jetoni, e kemi përshtatur edhe me gjendjen aktuale. Me një formë, nëpërmjet infermieres Retched, deshëm të paraqesim institucionet në vendin tonë”, ka thënë aktorja Berisha-Bekteshi. 

Karakteri i saj reflekton në sundimin e repartit me autoritet absolut dhe hapësirën me pak mbikëqyrje mjekësore. Aktorja ka thënë se kjo shfaqje ka kërkuar shumë angazhim. 

“Si proces goxha i gjatë mund të them, dy muaj ditë na ka zgjatur, goxha përgjegjësi, angazhim, por me një energji shumë të mirë, harmoni, me mirëkuptim ndërmjet aktorëve dhe regjisorit, na ka lënë hapësirë që si aktorë të jemi shumë kërkues. Çfarëdo që kemi sugjeruar, ai ka qenë i hapur për të na pranuar”, ka thënë më tej aktorja Edona Berisha-Bekteshi. 

Komikja është pjesë e pandashme e shfaqjes që i shpalos publikut rrëfimin e një komedie të zezë. Por të pashmangshme janë skenat e trishta e ato emocionale. Ngjallet ndjenja e dhembshurisë për njërin prej pacientëve që krijon një tjetër protagonist imagjinar. Aktori Nexhat Xhokli e luan këtë roli. 

“Secili jemi përpjekur të bëjmë nga një karakter të veçantë. Unë u përpoqa të jap më të mirën prej vetes me personazhin Skemon, kisha edhe një personazh imagjinativ në mendje, Xhorxhin, që nuk paraqitet asnjëherë në skenë. Kisha një duo personazh, shpresoj se ia kam arritur. Vërtet ishte sfidë, provë të punosh një karakter të tillë sepse është shumë kërkues”, ka thënë aktori Xhokli. 
Projekt të madh e ka quajtur shfaqjen “Fluturimi mbi folenë e qyqes”.

“Ka qenë një proces shumë i mirë që nga fillimi, jemi kënaqur. I zorshëm, i lodhshëm, shfaqja është goxha kërkuese, edhe fizike, edhe psikike, mirëpo vërtet publiku e jep verdiktin kryesor. Unë u ndjeva shumë mirë me kolegët e mi më të rinj. Vërtet kur ne i nuhasim, dëgjojmë, përjetojmë reagimet e publikut, ajo na mban, na bën të fluturojmë në skenë. Ajo mendoj se ndodhi sonte në Ferizaj. Uroj që kjo shfaqje të ketë jetë sa më të gjatë dhe me të, të paraqitemi në skena të tjera”, ka thënë aktori Nexhat Xhokli. 

Në shfaqje luajnë edhe aktorët Mevlan Saraçi, Sherif Bega, Milot Salihu, Jajush Ramadani, Gresë Gashi, Uratë Shabani dhe Dashuri Rexhepi. 

Aktorët Dora Xhemajli, Çlirim Shabani e Blin Mani pos në rolet e tyre si aktorë kanë shpalosur karakterin e tyre edhe në tjetër dimension: si këngëtarë e instrumentistë. Kompozitori Memli Kelmendi, që e ka kompozuar muzikën e shfaqjes, ka thënë se kjo formë e sjelljes së muzikës nëpërmjet aktorit është diçka jo e zakonshme për teatër. 

“Muzika ka qenë origjinale, por ka qenë në tri pjesë. Ka qenë kërkesë regjisoriale e Ersonit, prandaj ai ka vendosur pasi ideja është që ajo vjen si atmosferë reparti. Kam qenë në rregull pasi ka qenë kërkesë regjisoriale, ndërsa pjesët e tjera kanë qenë pjesë të shkruara, të kompozuara nga unë. Jam jashtëzakonisht mirënjohës gjithë trupës së aktorëve për punën fantastike që e kanë bërë që të vij deri tek ky realizim i suksesshëm”, ka thënë Kelmendi. 

Ka thënë se janë munduar të inkorporojnë lojën e aktorëve me muzikë. Sipas kompozitorit Kelmendi, kjo “i ka dhënë fuqi shfaqjes dhe e ka dërguar në një tjetër dimension”. 

Koreografia si pjesë shoqëruese me performancën muzikore është punuar nga Robert Nuha, ndërsa skenografia e shfaqjes nga Bekim Korça.  Kostumet nga Eleonora Gagica. 

Shfaqja është e bazuar nga romani i shkrimtarit amerikan Ken Kesey me të njëjtin titull, i botuar më 1962. Si shfaqje është inskenuar në teatro të shumë shteteve, ndërsa rrëfimi i tij është edhe film “One flew over the chuckoo’s nest”. Filmi me regjisor çeko-amerikanin  Milosh  Forman u dha premierë në vitin 1975. Po atë vit mori pesë çmime “Oscar”:  për Filmin më të Mirë, Aktoren më të Mirë, Aktorin më të Mirë, Regjinë më të Mirë dhe Skenarin më të Mirë të Adaptuar. 

Ovacione të gjata duartrokitjeje në fund të shfaqjes “Fluturimi mbi folenë e qyqes” e kanë përcjellë përshëndetjen e aktorëve me publikun. Reprizën e parë do ta ketë më 23 prill, ndërsa tjetrën më datë 30. 

“Fluturimi...” ngre zërin për problematikat e keqtrajtimeve të pacientëve nëpër institucionet e vendit. Jo veç në spitale, por përtej. Prek në ndërgjegje duke shpalosur anën emocionale të protagonistëve në shfaqje për ata në jetën reale. Vjen si protestë ndaj sistemeve totalitare, apo edhe atyre që kanë nisur të rrëshqasin në atë anë.