Kulturë

Flautistja shqiptare që përfaqësoi Jugosllavinë

Në paraqitjet e saj të rregullta si pjesë e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, loja e saj veçohet për elegancën e kompaktësinë në interpretim. Gjatë karrierës së saj ka zgjedhur një repertor veprash jo të lehta për flaut. Por me përkushtimin në studim e përvojën me emra të njohur ka bërë që ato të depërtojnë si tinguj të lehtë te publiku. Kur iu kthehet kujtimeve të lidhjes së saj me muzikën, e vlerëson si të pashmangshme, pasi që e ëma e saj, Sevime Gjinali, është kompozitorja e parë në Kosovë që ka kryer Akademinë e Muzikës në Beograd. Kjo, sipas Mehmetagaj-Kajtazit ia trasoi rrugën edhe asaj

Nga muzika nuk kishte si të ikte. E rrethuar me këtë art ngado, si fëmijë e ndiente se kjo fushë do ta përcillte gjithë jetën. Por iu deshën pak vjet eksplorim për të kuptuar se cili është instrumenti të cilit nuk do t’i ndahej. Venera Mehmetagaj – Kajtazi do të përcaktohej për flautin. E sot është një prej flautisteve më të dalluara në vend. Prapa ka një numër të madh prezantimesh me orkestrat më të njohura. Në paraqitjet e saj të rregullta si pjesë e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës loja e saj veçohet për elegancën e kompaktësinë në interpretim. Gjatë karrierës së saj ka zgjedhur një repertor veprash jo të lehta për flaut. Por me përkushtimin në studim e përvojën me emra të njohur ka bërë që ato të depërtojnë si tinguj të lehtë te publiku. Kur iu kthehet kujtimeve të lidhjes së saj për muzikën, e vlerëson si të pashmangshme, pasi që e ëma e saj, Sevime Gjinali, është kompozitorja e parë në Kosovë që ka kryer Akademinë e Muzikës në Beograd. Kjo, sipas Mehmetagaj-Kajtazit ia trasoi rrugën edhe asaj. Por në skenë për herë të parë si fëmijë nuk u ngjit si instrumentiste, por si balerinë me inkurajimin e tezës së saj.

“Ai kontaki im i parë me publikun ishte në moshën 5-6-vjeçare. Ende as në shkollë nuk kisha filluar”, ka rrëfyer fillet e saj Mehmetagaj-Kajtazi në emisionin “Pro X” të KTV-së. As ngjitja për herë të dytë në skenë e as e treta nuk do të ishin me flaut. Ky instrument, që iu bë pjesë e pandashme e me të cilin Mehmetagaj-Kajtazi do të udhëtonte në vende të ndryshme e më orkestrat më me nam, erdhi pas një eksplorimi muzikor në qytetin e saj të lindjes në Prizren. Për herë të dytë u ngjit në skenë për të kënduar një këngë të kompozuar nga nëna e saj, Sevime Gjinolli, dhe tjetra nga Musa Piperku. Që në fillim i kishte pëlqyer kontakti me publikun. Këtë kontakt pas disa vjetësh do ta vazhdonte me publikun e vendeve të ndryshme.

“Mua më pëlqeu paraqitja para publikut, ishte një sfidë e lezetshme për mua dhe tërheqëse”, ka rrëfyer ajo. Më pas do t’i rrekej pianos, por kjo dashuri do të pushonte kur dëgjoi për herë të parë tingujt e flautit në koncert. Flaut të vetin nuk kishte. E huazonte nga një shoqe. Kur këngëtarja Nexhmije Pagarusha shkoi bashkë me Orkestrën Popullore në Gjermani, nëna e Venerës iu lut t’ia blinte flautin. “Flautin e parë ma solli Nexhmija nga Gjermania. Ishte një gëzim i madh për mua, sepse veçse kisha filluar të paraqitesha në koncerte të shkollës. E panë që e kam një talent, sidomos atë lidhjen me flautin”, ka shtuar tutje ajo. Kjo e bëri që shkollimin fillor dhe të mesëm për flaut t’i përfundojë më shpejt sesa ishin të parapara. Më pas ajo iu rrek një bote aktive muzikore nëpër festivale e gara të ndryshme. Kjo e bëri që në moshën 14-vjeçare të merrte ftesë nga Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit të Prishtinës. Nga mosha 16-vjeçare do të luante si soliste e Orkestrës me të cilën do të prezantohej në shtete të ndryshme, edhe në Lojërat Verore të Dubrovnikut. Incizime e koncerte të shumta janë ato që filluan ta begatojnë karrierën e saj. Që atëherë orkestra të ndryshme do të ishin familja e saj muzikore.

“Jam rritur me Orkestrën, në moshën 17-vjeçare u bëra tamam anëtare me vendim e Orkestrës”, ka rrëfyer tutje ajo. Kur dirigjenti Ferdinand Deda erdhi në Prishtinë kishte pasur një porosi të posaçme për flautisten e re. Për talentin e saj kishte dëgjuar edhe kompozitori Feim Ibrahimi, i cili e kishte porositur Dedajn që Mehmetagaj-Kajtazi ta luante një vepër të tijën. Kjo do të ishte një pikë kthese në karrierën e saj, që do t’ia hapte shumë dyer. Kur ishte akoma studente i erdhi ftesa nga Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH) për incizime me orkestrën e këtij institucioni, si dhe të realizojë një koncert solistik. Mehmetagaj – Kajtazi ka specializuar edhe te flautisti nga Shqipëria, Gjovalin Shestani. Puna me të dhe përkushtimi i tij thotë t’i kenë ndihmuar gjatë karrierës së saj. Orkestra e RTSH-së përgatitej që t’i orkestronte veprat e përzgjedhura nga ajo. Një vepër ia kishte kushtuar edhe kompozitori i njohur Çesk Zadeja. Atë përveçse e luajti me Orkestrën Simfonike të RTSH-së, më vonë do ta luante edhe me Orkestrën Simfonike të Zagrebit. Meqenëse ky sukses i erdhi herët në jetë, flautistja thotë se as vetë nuk ishte e vetëdijshme për peshën e suksesit.

“Atë kohë isha shumë e re dhe nuk kam qenë as vetë e vetëdijshme çfarë do të thotë që një orkestër dhe gjithë ata kompozitorë të punojnë vetëm për mua”, ka thënë ajo, që të gjitha incizimet i ka përmbledhur në një CD të publikuar në vitin 2004. Gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri, atë e kishte dëgjuar edhe flautisti i njohur francez Alain Marion, i cili më pas do të bëhej profesori i saj. Aty iu hap një derë drejt Francës. Përveçse me Marion, ajo më pas do të specializohej edhe nga flautisti i njohur Pierre-Yves Artaud. Studimet i kreu me bursë nga Qeveria e Francës dhe gjatë kësaj kohe mbajti disa koncerte atje.

Ajo ka mbajtur koncerte në disa vende të ndryshme, si në Beograd, Zagreb, Rovinj, Sarajevë, Novi-Sad, Dubrovnik, Gjermani, Spanjë, Slloveni, Turqi, Shqipëri, Maqedoni. Venera Mehmetagaj – Kajtazi ka përfaqësuar ish-Jugosllavinë në Festivalin Botëror për të Rinj në Havana të Kubës dhe në Kongresin Botëror të Muzikantëve të Rinj në Zagreb.

Si një prej pjesëmarrjeve më të veçanta për të është koncerti me Orkestrën Simfonike të Kajros, në shkurt të vitit 2008 e më pas edhe në Aleksandri.

“Suksesi për mua si artiste është paraqitja si soliste me orkestra të ndryshme. Ky është kulmi dhe është e rëndësishme në çfarë salle prezantohesh”, ka treguar tutje ai.

Me koncerte si soliste ajo kishte interpretuar me Orkestrën Filharmonike të Shkupit, me Orkestrën Simfonike të Nishit në Nish dhe Beograd, me Orkestrën Simfonike të Zagrebit me prezantime të shumta për RTV-në e Zagrebit, me Orkestrën Simfonike Shtetërore të Turqisë në Izmir, me ansamblin kamertal “AMRA”, me Ansamblin Kamertal të Tiranës, me Orkestrën e Filharmonise të Kosoves. Ajo punon profesoreshë në Fakultetin e Arteve, ku thotë se fokusi i saj tash janë të rinjtë, dhe puna me ta në instrumentin e flautit veç po i shpaguhet.

“Të gjithë atë përvojë timen që e kam mbledhur me flautistë të ndryshëm mundohem tua përcjell gjeneratave të reja që janë të talentuar”, ka thënë ajo.

Prapa ka lenë gjysmë shekulli karrierë, por si anëtare e Filharmonisë së Kosovës thotë se akoma e mban dëshira e madhe, si në ditët e para për të shkuar në prova.

“Shkoj me qejf, sepse unë Orkestrën e kam si një pjesë të familjes ngase jam rritur me të”, tregon ajo. Ndërmend e ka që ngadalë të tërhiqet nga jeta aktive muzikore, porse kjo thotë se nuk do të jetë e lehtë për flautisten që është ndërtuar e zhvilluar në skena të ndryshme që lidhen me Tiranën, Prishtinën e Francën.

“Edhe pse shumë vështirë e kam të largohem, megjithatë është kënaqësi që pas meje vijnë gjenerata të reja, po ashtu, të suksesshme dhe të talentuar”, ka theksuar ajo.