Kulturë

Flaka Goranci në “PriVocalFest” e fut publikun në magjinë e zërit

Për rikthimin para publikut të vendit të vet, mexosopranoja Flaka Goranci, shoqëruar prej ansamblit “Primodern” nën dirigjimin e Kushtrim Gashit, ka rezervuar një program unik me vepra e aranzhime të Luciano Berios. Në koncertin që ka hapur të gjashtin edicion të “PriVocalFest” ka ofruar një rrugëtim nëpër vepra të njohura por që vijnë me tis baroku, si puna e këngëve të “The Beatles”

“Prishtina International Vocal Festival” ka ngritur perden e edicionit të gjashtë me zërin e shquar, mexosopranon Flaka Goranci. Interpretimi i saj ka qenë një përzgjedhje e qëlluar për një ngjarje e cila promovon fuqinë e zërit. Goranci, emër i njohur edhe për skena botërore, është rikthyer para publikut vendës pas një mungese prej dy vjetësh. E ka pritur salla plot në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës. Mbrëmja nën dirigjimin e Kushtrim Gashit, shoqëruar nga ansambli “Primodern”, ka sjellë program të larmishëm e të ngjeshur. Nisi me vepra të kompozitorit italian Luciano Berio, këngë folk të interpretuara nga Goranci, për të vazhduar me “Der Doppelgänger” një nga gjashtë këngët për piano dhe tenor nga Franz Schubert Schwanengesang, e pastaj me këngë të grupit “Beatles” si “Michelle”, “Ticket to Ride” e “Yesterday” por në versionet e Berios, për të përmbyllur krejt programin me muzikë folk të po këtij kompozitori, një shëtitje nëpër melose vendesh të ndryshme, risjellë prej maestros që njihet edhe si pionier i muzikës elektronike.

Edhe këtë edicion, për të tretën herë është hapur thirrja për inkurajimin e krijuesve të rinj, ku edhe u shpallën kompozitorët fitues në dy kategori. Në kategorinë e parë për vepër për kor të përzier çmimin e mori Dea Ahma me veprën “Mors” për tri kore dhe narrator, e në kategorinë e veprës për solist çmimin e mori Ersan Januzi me veprën “Padyshim” për solo-soprano, piano dhe trio harkore.

Mexosopranoja Flaka Goranci ka thënë të jetë e lumtur në mbrëmjen e hapjes së këtij edicioni të “PriVocalFest”. Programi që ka sjellë në festival ka qenë premierë.

Image
“Ka qenë një nder shumë i madh për shkak se kam sjell një program që me shumë qejf e kam interpretuar, folk songs. ‘Beatles Song’ (e Berios v.j.) ka qenë për mua hera e parë sot, po ashtu edhe vepra e Kushtrim Gashit, një vepër fantastike”, ka thënë Flaka Goranci

“Ka qenë një nder shumë i madh për shkak se kam sjell një program që me shumë qejf e kam interpretuar, folk songs. ‘Beatles Song’ (e Berios v.j.) ka qenë për mua hera e parë sot, po ashtu edhe vepra e Kushtrim Gashit, një vepër fantastike. Jam ndier shumë mirë, sepse atmosfera ishte shumë e ngrohtë edhe për shkak të kohës së shkurtër që kemi pasur për prova, sepse unë kam ardhur këtu shumë vonë nga Austria dhe besoj që jemi përshtatur shumë si ansambël dhe ka qenë vërtet nder të jem sonte këtu”, ka thënë Goranci.

Flaka Goranci ka mbaruar studimet për solo-këndim në Akademinë e Muzikës në Tiranë, ndërsa studimet master në Universitetin e Tel-Avivit. Prej atëherë ka interpretuar në skena të rëndësishme ndërkombëtare si në “Theater an der Wien”, “Musikverein Wien”, “Konzerthaus Wien” e po ashtu ka punuar edhe me dirigjentë në zë si Nikolaus Kerssenbrock, Ulrich Windfuhr e të tjerë. Ka marrë kritika pozitive ndërkombëtare dhe është e nominuar në tri kategori nga “Opus Klassik”. Në sezonin 2023-2024 Goranci do të nisë një turne botëror me “La Femme”, një projekt i veçantë i saj, i çmuar nga bota muzikore.

Pas koncertit në Prishtinë, ka përmendur edhe si erdhi deri te realizimi i idesë për të sjellë këtë program në “PriVocalFest”.

“Me Kushtrimin shumë më herët e kemi pasur si ide që folk songs t’i sjellim edhe në Kosovë, mandej gjatë rrugës mbas shumë vjetëve faktikisht erdhi deri te finalizimi i idesë dhe gjatë kohës Kushtrimi ka zbuluar që faktikisht janë vepra shumë pak të luajtura. Beatles të aranzhuara në stilin barok dhe modern është një kombinim shumë i rrallë, faktikisht edhe për atë kemi vendosur që t’i kemi Beatles”, ka thënë ajo.

Koncertin e ka cilësuar si një lloj borxhi që ajo ka për vendin e saj dhe ka përmendur edhe koncertet e radhës që do t’i ketë e që dy prej tyre janë në Shqipëri, ku do të interpretojë edhe në koncertin e njëqindvjetorit të dirigjentit e kompozitorit të njohur shqiptar, Simon Gjoni.

Image
Edhe këtë edicion, për të tretën herë është hapur thirrja për inkurajimin e krijuesve të rinj, ku edhe u shpallën kompozitorët fitues në dy kategori. Në kategorinë e parë për vepër për kor të përzier çmimin e mori Dea Ahma me veprën “Mors” për tri kore dhe narrator, e në kategorinë e veprës për solist çmimin e mori Ersan Januzi me veprën “Padyshim” për solo-soprano, piano dhe trio harkore

“Performanca e fundit ka qenë para dy vjetëve. Më ka marrë malli sepse është një lloj përgjegjësie, një lloj dedikimi, kur largohesh nga vendi yt të duket sikur e ke një borxh gjithmonë për vendin tënd dhe unë të paktën kështu e ndiej. Dhe sa herë që vij mundohem të jap maksimumin. Kam edhe në Vjenë koncert operistik, pastaj kam edhe dy koncerte të cilat vlen me u përmend, në Tiranë koncerti për njëqindvjetorin e Simon Gjonit, për të cilin jam e nderuar të jem pjesë e këtij koncerti kaq të madh, po ashtu më 31 tetor programi i La Femme që mbahet po ashtu në Shqipëri me Orkestrën e Forcave të Armatosura”, është shprehur ajo.

Drejtori artistik i festivalit, Hajrullah Syla, e ka çmuar bashkëpunimin me Gorancin, që e cilësoi si një hapje madhështore të edicionit të gjashtë të “PriVocalFestit”.

“Sonte ishte një hapje mjaft madhështore në skenë me Flaka Gorancin dhe me dirigjentin Kushtrim Gashi e po ashtu edhe me ansamblin ‘Primodern’ që e shoqëroi. Ishte një program tejet interesant, diçka që nuk është dëgjuar më parë tek ne, dhe kjo e bëri këtë koncert ende më të veçantë. Publiku ishte mjaft i madh, kështu që është vërejtur edhe interesimi dhe shpresojmë që të jetë kështu edhe në netët në vazhdim”, ka thënë Syla.

gjithashtu ka përmendur edhe koncertin e së premtes nga Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës në bashkëpunim me korin e përzier të Selaniku, ku edhe do të interpretohet një vepër goxha e veçantë e Giaochino Rossinit, “Stabat Mater”.

“Është një koncert mjaft i madh ku do të kemi në skenë një numër shumë të madh të muzikantëve, do të jetë Orkestra e Filharmonisë së Kosovës që do ta shoqërojë Korin e Filharmonisë dhe korin miks të Selanikut, të cilët do të përformojnë një vepër tejet të rëndësishme – ‘Stabat Mater” nga Rossini. Është një vepër tejet e këndshme dhe një vepër e cila besoj që publikut do t’i duket edhe koncerti shumë i shkurtër, sepse është një vepër e cila të merr me vete dhe të duket si performancë e shkurtër”, ka paralajmëruar ai.

Netët e muzikës vokale do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim me program të larmishëm deri në fund të këtij edicioni, në mesin e këtij muaji.