Kulturë

“Fjalor serbisht-shqip” përtej urës së komunikimit me 80 mijë fjalë

Është një vepër kapitale që nuk ka vetëm peshën e fjalorit, por që synon edhe ta kthjellojë e pastrojë shqipen. Rexhep Zllatku me “Fjalor serbisht-shqip” gjen përkthimet adekuate dhe për këtë janë disa dekada punë. “Si në të kaluarën e jetës sime, tani kaq më shumë më përforcohej bindja se problemi ynë kryesor karshi shqipes nuk është fondi i fjalëve, as drejtshkrimi i saj, por natyra e gjuhës…”, ka thënë Zllatku

Tash e disa dekada të rrallë janë fjalorët e rinj shqip-serbisht e anasjelltas, të cilët rëndom ribotohen pa u pasuruar, por i veçantë është “Fjalori serbisht-shqip” i gazetarit dhe studiuesit dibran, Rexhep Zllatku. Përthekon 80 mijë fjalë dhe nuk është thjesht një grumbullim i tyre e që do të hyjnë në punë si urë komunikimi midis dy gjuhëve, por një vepër si kjo vjen edhe për të kthjelluar shprehje a fraza në të dyja gjuhët a për të hequr ndikimet e serbishtes në shqip.

Njohësit e kësaj fushe, të cilët kanë bashkëpunuar me Zllatkun për realizimin e këtij fjalori, e kanë cilësuar punën e këtij të fundit si diçka të vlefshme dhe tejet të rëndësishme për gjuhën shqipe.

“Fjalori shqip-serbisht” – i përuruar të premten në Akademisë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës – është rezultat i një pune prej 15 vjetësh. Zllatku, i cili në Beograd ka përfunduar shkollën njëvjeçare të gazetarisë ndërsa në Shkup Fakultetin Juridik, si fillim kishte pasur dyshime nëse do t’ia dilte përfundimit të fjalorit në të ‘80-at e tij, megjithatë, siç u shpreh ai, me kohën vështirësitë filluan të fashiteshin. Fjalori është përuruar në Prishtinë, pas Shkupit, vitin e kaluar.

Autori Rexhep Zllatku ka thënë se problemi më i madh i gjuhës shqipe është natyra e saj, si dhe ndikimi nga gjuha serbe.

“Si në të kaluarën e jetës sime, tani kaq më shumë më përforcohej bindja se problemi ynë kryesor karshi shqipes nuk është fondi i fjalëve, as drejtshkrimi i saj, por natyra e gjuhës, formulimi ynë i mendimit në natyrën e saj, i cili, shpeshherë është shatra-patra e gjysma-gjysma, nën ndikimin e natyrës së gjuhës serbe”, ka thënë Zllatku. Për ta argumentuar këtë ai ka marrë dy shembuj anekdotash dhe mënyrën se si ato janë përkthyer dhe përdorur në gjuhën shqipe.

“Njëherë e një kohë, këtu e gjashtëdhjetë vjet më parë, kisha nevojë ta thosha shqip shprehjen frazeologjike serbe ‘inijom (naj) manjeg otpora’. Ta përktheja fjalë për fjalë – s’doja. Ta përktheja me një shprehje frazeologjike shqipe të goditur s’dija. Me idiomat e shprehjet frazeologjike herë-herë s’di si t’ia bësh, sepse ka raste kur një shprehje përkon dhe shëmbëllen gjuhësisht me shprehjen e një gjuhe tjetër”, ka treguar ai, nisur nga përvoja për hartimin e “Fjalorit serbisht-shqip”.

Në këtë vazhdë Zllatku ka përmendur edhe shprehjen e shumëpërdorur edhe në këto anë: “Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”. Në këtë rast ai tregoi se si përkthimi i saj nga serbishtja në shqip kishte pësuar një shkarje.

“‘Vuk dlaku menja a cud nikako’; shqip do të thoshim: “Ujku qimen e ndërron, por vesin s’e harron”. Kjo s’ka të bëjë fare me përkthimin e gabuar të shprehjes serbe ‘mi o vuku, a vuk naurata’ (shqip: ne për ujkun e ujku te dera). Ky është një dështim i plotë (kështu është përkthyer në një fjalor serbisht-shqip). Kjo shprehje frazeologjike, që mëton të jetë shqipe, as është e gjallë në gojën e shqiptarit as e shkruar në letërsinë shqipe. Gjuha jonë ka krejtësisht një shprehje tjetër: ‘Kujto (ose zër në gojë) qenin, rrëmbe (ose: bëj gati) shkopin”, ka argumentuar Zllatku duke shtuar se në të vërtetë “kjo shprehje frazeologjike duket se nuk është as në gjuhën serbe.

Duke u thelluar edhe më tej në shembujt që dëshmojnë në dallimin midis serbishtes dhe shqipes, Zllatku ka thënë se “zakonisht struktura gjuhësore e një shprehjeje frazeologjike ndryshon nga gjuha në gjuhë”.

Teksa ka përshkruar punën disavjeçare në mbledhjet e fjalëve të këtij fjalori, Zllatku ka folur edhe për përsiatjet në gjetjen e një fjale të pastër shqipe, e cila përkonte me fjalën serbe “tek”.

“Në fillimin e viteve '70, ‘Rilindja’ nisi importimin e madh të librave të letërsisë shqipe dhe të letërsisë së censuruar botërore nga Tirana, kuptohet pa Xhojsin, pa Kafkën, pa Dostojevskin... Nga muaji në muaj, nga viti në vit unë gjeja në këta libra ndonjë thënie të përshtatshme të fjalëve dhe shprehjeve frazeologjike dhe i shënoja ato. Shumë vjet para se ta nisja hartimin e fjalorit kisha kaluar disa dekada duke mbajtur lloj-lloj shënimesh. Tani ato duhej t’i hidhja sipas një rendi alfabetik në letra e blloqe dhe më në fund në një fjalor ndihmës, që do të më shërbente për fjalorin e vërtetë ku gjeta disa shënime. Ndër këto shënime ishin edhe disa shembuj të mrekullueshëm të përkthimit të fjalës ‘tek’. P.sh: “leto ce tek doci” (verên e kemi përpara), “politicka ekonomija ima tek da se stvori” (ekonomia politike mbetet akoma për t'u krijuar)”, ka shpjeguar Zllatku. “Kur gjeja këso dhe përkthime të ngjashme në një shqipe të kulluar më dukej se edhe mua, edhe shqipes na mbusheshin mushkëritë”.

Autori i parathënies së fjalorit, Nijazi Muhamedi, ka folur për përmbajtjen dhe natyrën e “Fjalorit serbisht shqip”.

“Fjalori serbisht-shqip i Rexhep Zllatkut është fjalor i përgjithshëm dygjuhësh dhe njëdrejtimësh. Ai përmban 80 mijë fjalë, sipas kriterit kuantitativ të cilësimit të fjalorit dhe është përmbledhur në një vëllim që i takon tipit të mbimesëm të fjalorit dygjuhësh, qoftë për nga numri i fjalëve, qoftë për nga numri i faqeve dhe marrë të dyja bashkë definojnë tipin e këtij fjalori”, ka shpjeguar ai.

Ka vlerësuar lart botimin e një fjalori emblematik për leksikografinë e të dy gjuhëve që përmban ai.

“’Fjalori serbisht-shqip’ i Rexhep Zllatkut, një penë veterane e gazetarisë shqiptare, prozator dhe dramaturg, vjen të radhitet si emblemë e veçanësuar në leksikografinë dygjuhëshe serbisht-shqip, e cila ka një traditë që ka përmbledhur gjer më tani botime jo të pakta leksikografike dygjuhëshe serbisht-shqip, si dhe studime leksikografike dhe leksikologjike që kanë vënë në përpjekje krahasimi dhe jo vetëm të vandakut leksikografik të përfshirë në ata fjalorë dygjuhësh serbisht-shqip dhe shqip-serbisht”, ka thënë ai. Muhamedi ka shtuar se ky fjalor në anën tjetër reflekton edhe angazhimin individual të autorit në kultivimin dhe afirmimin e shqipes.

“Që nga dita e gjenezës së kësaj ideje për t’i hyrë punës në përpilimin e tij, në gjithë shtrisinë e fjalësit që përmban reflekton besnikërisht atë angazhim të tij individual në kontekstet e ngarkuara sociolinguistike të kaluara për ta ruajtur, kultivuar dhe afirmuar dinjitetin e shqipes në plotninë e saj socio-kulturore dhe identitare në të gjitha funksionet e përdorimit të saj dhe me synimin tepër të qartë duke ngritur një digë të qëndrueshme kundër fenomeneve të diglosisë dhe të dygjuhësisë zyrtare jo të barabartë që kërcënonte gërryerjen e identitetit leksikologjiko-leksikografik, sintaksor dhe idiomatik të shqipes si rrjedhojë e dominimit socio-politik të serbishtes ndaj saj”, ka theksuar ai.

Husamedin Abazi, kryeredaktor i shtëpisë botuese “Logos-A”, e cila e ka botuar këtë fjalor, është shprehur i lumtur për këtë vepër duke theksuar se nëpërmjet saj tentojnë të jenë më afër njerëzve që synojnë dijen.

“Ne, si shtëpi botuese dhe strofull që rreth vetes ka mbledhur njerëz që çmendurisht e dashurojnë librin dhe faniten në nxjerrjen dhe sjelljen e tij gjer te dora, syri dhe mendja e lexuesit, kemi synuar që përmes këtij angazhimi dhe vetëmohimi, përmes përzgjedhjes dhe botimit të librave të mbjellim fidanë urtësie dhe diturie”, ka thënë ai.