“Krijuar nga miqtë tanë serbë, ky film është një regjistrim dokumentar i zhvillimeve tragjike në Ukrainë, të cilat përfshijnë shkelje masive të të drejtave dhe lirisë fetare të miliona njerëzve, shkelje të vërteta të kujtesës historike dhe persekutimin e Kishës Ortodokse nga regjimi i Kievit”, është përshkrimi që diktatori rus, Vladimir Putin ia ka bërë filmit dokumentar serb “People Of Christ – Our Time”, ku ka hise edhe regjisori kontrovers, Emir Kusturica
Presidenti i shtrembëruar i Rusisë, Vladimir Putin, ka lavdëruar një film të ri serb që dokumenton “krimet që Ukraina ka kryer kundër civilëve të pafajshëm”, ka shkuar “The Daily Star”.
Sipas të përditshmes britanike, filmi i titulluar “People Of Christ – Our Time” (Populli i Krishtit, koha jonë), ku ka gisht edhe regjisori kontrovers serb, Emir Kusturica, e shënoi premierën botërore në Beograd në muajin shtator. “Një prodhim që ngjan me propagandë naziste, thuhet se është një regjistrim dokumentar i zhvillimeve tragjike në Ukrainë”, shkruan kjo gazetë, duke cituar presidentin rus, Vladimir Putin.
Siç raportohet, para premierës ruse të filmit, Putini ka thënë: “Krijuar nga miqtë tanë serbë, ky film është një regjistrim dokumentar i zhvillimeve tragjike në Ukrainë, të cilat përfshijnë shkelje masive të të drejtave dhe lirisë fetare të miliona njerëzve, shkelje të vërteta të kujtesës historike dhe persekutimin e Kishës Ortodokse nga regjimi i Kievit”. Ai citohet të ketë folur edhe për reagimet “ndaj pasqyrimeve të sinqerta të ngjarjeve aktuale”.
Filmi në Rusi ka arritur në fillim të këtij muaji, por tek tash mesazhi i Putinit po shpërndahet nëpër mediet perëndimore.
“E di që premiera botërore e filmit që u mbajt në Beograd në shtator të këtij viti, ka ngjallur një reagim masiv publik. Në fund të fundit, askush nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj pasqyrimeve të sinqerta të ngjarjeve aktuale, të thëna nga priftërinj, shkrimtarë dhe poetë, mësues, prezantues televizivë dhe të rinj nga vende të ndryshme si Serbia, Italia, Rusia dhe Ukraina”, citohet ai duke akuzuar elitat perëndimore si “shkaktare të vërteta të konfliktit në Ukrainë”.
“Është e rëndësishme të theksohet se një numër në rritje njerëzish në mbarë botën po bëhen të vetëdijshëm për shkaqet e vërteta të konfliktit ukrainas, të shkaktuar nga elitat perëndimore. Ata e kuptojnë se nuk ka, as nuk do të ketë kurrë, asnjë justifikim për krimet e kryera kundër civilëve të pafajshëm, për pastrimin etnik dhe fetar, sulmet terroriste dhe operacionet ndëshkuese të organizuara nga neo-nazistët. Është shumë e rëndësishme që filmi na jep shpresë dhe besim se do të jemi në gjendje të përballojmë çdo sfidë, nëse ruajmë solidaritetin dhe mbetemi të angazhuar për vlerat tradicionale shpirtërore dhe morale që na i kanë lënë të parët tanë”, citohet ai.
Vladimir Putini ka insistuar gjithmonë se Ukraina, në mënyrë të padrejtë, mori tokën që dikur i përkiste Rusisë. Se ata e vodhën atë. Megjithatë në realitet, jashtë trurit të shtrembëruar të presidentit që njihet me nofkën “Vladi i çmendur”, ukrainasit votuan masivisht për pavarësi në vitin 1991.
Filmi “People Of Christ, Our Time” nis me poetin rus, Vlad Malenko, duke thënë: “Unë jam i lindur në Kiev. Dhe Kievi u vodh nga unë, së bashku me atdheun tim. Për të qenë më i saktë, m’u rrëmbye hapur, siç tërhiqej toka poshtë këmbëve të mia. Kam lindur në Kiev, djepi i Rusisë. Kam lindur në Kiev, që e pa lindjen e popullit ortodoks dhe fali fuqinë e madhe ruse. Kam lindur në Kiev, ku prehen reliktet e shenjtorëve më të mëdhenj ortodoksë. Kam lindur në Kievin që m’u mor nga ata që nuk shohin në këtë emër të shenjtë më shumë sesa një term gjeografik. Kam lindur në Kievin, ku sot nuk ka vend për ata që e ndiejnë origjinën e tyre, emrin e tyre dhe barrën që mbajnë për të kaluarën e lavdishme të të afërmve dhe praninë e turpshme të të huajve që e kanë pushtuar këtë qytet”.
Filmi dokumentar “People of Christ – Our Time” vjen me regji dhe skenar të Jovan Markoviqit. Pjesë e ekipit krijues është edhe regjisori me famë ndërkombëtare, Emir Kusturica, i cili në premierën e mbajtur në shtator në Beograd, kishte deklaruar se “i kishte bërë shumë përshtypje historia e autorit të Kievit, energjia e fjalëve të të cilit lidhin të gjithë kanavacën e filmit, e në veçanti ideja që kjo luftë iu shit ukrainasve dhe ata e blenë atë”. Kusturica – i cili intervistohet në film – është një figurë kontroverse në rajon. Ka disa kapituj edhe me Kosovën.
Në shkurt të vitit 2022 regjisori serb, i njohur për qasjen e tij nacionaliste e si përkrahës i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, kishte pranuar ofertën e ministrit të Mbrojtjes të Rusisë, Sergej Shojgu, që të marrë pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Qendror të Armatës së Rusisë. Lajmin e kishte bërë të ditur zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, Rosijana Markovska. Në jo pak medie të Beogradit, një lajm si ky është prezantuar si alamet arritje për regjisorin serb. Siç ishte raportuar, Kusturica e kishte pranuar me kënaqësi ofertën që i është bërë. “Për mua, oferta nga Sergej Shojgu që të bëhem drejtor i atij teatri është një nder i madh. Skena e teatrit të ushtrisë ruse ka histori e traditë të madhe”, kishte thënë ai.
Më 2013, Kusturica paralajmëroi se po shkruante skenarin e filmit bazuar në raportin e Dick Martyt që pretendon se liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë tregti me organe të njerëzve. Ani pse filmi – së paku deri më tani nuk është realizuar – paralajmërimi i tij asokohe bëri bujë. Nga komuniteti artistik në Kosovë, por jo vetëm, qe kërkuar që ai të shpallej person “non grata”.
E, Lidhjet e Kusturicës me Rusinë janë të kahershme. Presidenti rus Vladimir Putin, në nëntor të vitit 2016, e dekoroi me “Urdhrin e Miqësisë” për “kontributin e shquar në forcimin e miqësisë midis popujve, për popullarizimin e gjuhës dhe kulturës ruse jashtë vendit”. Madje edhe filmin për Kosovën kishte paralajmëruar ta xhironte pikërisht atje. “Është e sigurt që këtë film do ta xhiroj në Rusi, sepse e di që nuk do të më lejohej ta xhiroja atë në Kosovë. Tekefundit, atje nuk mund të hyjë as shefi i Zyrës së Serbisë për Kosovë, e lëre më unë”, kishte thënë Kusturica. Në tetorin e vitit 2012, Kusturica kishte vizituar Kosovën, përkatësisht Leposaviqin, një vendbanim me shumicë serbe. Me filmin e tij të shkurtër “Jeta jonë”, ai kishte hapur edicionin jubilar, të dhjetin me radhë të festivalit të filmit “Leposaviq 2012”. Kusturica kishte thënë se miti kosovar është ai që i jep peshë dhe shpirt jo vetëm popullit të Kosovës, por edhe krejt Serbisë, teksa kishte shtuar se do të mundohej që t’i ndihmojë popullit serb që jeton në Kosovë.
Emir Kusturica gjatë luftërave në ish-Jugosllavi u shndërrua hapur në nacionalist radikal serb. Tradhtoi vendlindjen e tij, Bosnjën, kombin e tij, myslimanët e Bosnjës, përderisa ende është i padëshiruar në vendlindjen e tij, Sarajevë. Përkrahu hapur Slobodan Millosheviqin dhe regjimin e tij në luftërat në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë e më 2005 u pagëzua si Nemanja Kusturica në manastirin “Savina” afër Herceg-Novit në Mal të Zi. Ndër të tjera, në shkurt të 2008-s ishte njëri ndër folësit kryesorë në mitingun e mbajtur në Beograd kundër pavarësisë së Kosovës.
(Ky tekst bazohet në raportimin e “Daily Star”)