Filmi nga Bosnja “Quo Vadis, Aida?” ka arritur të nominohet për çmim Oscar, në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”.
Drama boshnjake vjen me regji të Jasmila Zhbaniqit dhe pjesë e këtij projekti është edhe aktori nga Kosova, Alban Ukaj.
Aktori shqiptar që jeton në Sarajevë, në një intervistë të fundit për emisionin “Express” pati deklaruar: “Po besoj dhe po shpresoj që është një trampolinë e mirë për nominim për ‘Oscars’”. Tutje ai ka treguar edhe për vështirësitë e tij për të portretizuar Tarikun, të cilin e njeh edhe personalisht.
“Unë kam një rol modest, por të cilin unë e dua shumë. Luaj rolin e njërit prej dy përkthyesve, të cilin e njoh edhe personalisht e që i kanë shpëtuar gjenocidit në Srebrenicë. Ia kam lexuar dy librat që i ka shkruar dhe ka qenë përgjegjësi goxha e madhe. Kur luajmë një rol imitojmë dikë që nuk është më mes nesh, edhe imagjinata është ndryshe, por, kur kemi të bëjmë me një njeri, i cili është gjallë për fat të mirë, e të cilin e njoh edhe personalisht, atëherë nuk duhet ta imitoj, por të bëj një lidhje me atë dramën e brendshme të asaj kohe dhe të sotmes, me çka merret sot e si i kujton të dashurit e tij që i ka humbur gjatë luftës”, ka thënë ai.
“Quo Vadis, Aida?” e ka konsideruar si njërin prej projekteve më sfiduese dhe më me përgjegjësi që ka pasur ai personalisht, po edhe shumica e kolegëve që janë në film.
“Është vënë re ai tension edhe gjatë provave të leximit, por edhe gjatë provave në lokacionet autentike ku është xhiruar. Nuk është vetëm një film, është pak përtej filmit. Është një homazh për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës”, ka thënë ai.
Sipas tij, filmi është edhe një thirrje për përgjegjshmërinë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka bërë një lëshim të pafalshëm kur bëhet fjalë për gjenocidin e Srebrenicës.
Kjo është hera e dytë që një film nga Bosnia nominohet për “Oscar”, pas atij të vitit 2002 “No Man Land” i cili edhe arriti të shpërblehet në kategorinë “Filmi më i mirë i huaj”.
Edicioni i 93-të i ngjarjes më të rëndësishme kinematografike në botë, do të mbahet më 25 prill 2021 dhe do të transmetohet live në kanalin “ABC”, dhe në më shumë se 225 shtete të botës.