“Galaktika e Andromedës” nën regji të More Raçës është në garë në kategorinë e Ballkanit. Në mesin e konkurrentëve ka edhe filmin boshnjak “Quo vadis, Aida?” nën regji të Jasmila Zhbaniq, ku luan aktori Alban Ukaj dhe “Only Human” nën regji të Igor Ivanovit, ku luajnë aktorët May-Linda Kosumovic dhe Basri Lushtaku
Një çerekshekulli pas themelimit në vitin 1997, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Sofje ka nisur përgatitjet për edicionin e 25-të. Nuk mungojnë as filmat me regjisorë e aktorë nga Kosova. Në garën ballkanike është “Galaktika e Andromedës” nën regji të More Raçës, filmi boshnjak “Quo vadis, Aida?” nën regji të Jasmila Zhbaniqit, ku luan aktori Alban Ukaj dhe “Only Human” nën regjit të Igor Ivanovit, ku luajnë aktorët nga Kosova, May-Linda Kosumovic dhe Basri Lushtaku.
Festivali shënon jubileun e tij me një edicion hibrid në një kohë pandemie. Sidoqoftë, sipas përshkrimit të programit, do të ketë përmbajtje të pasur me projekte filmike, me pjesëmarrës të jashtëzakonshëm. Për shkak të pandemisë edicioni i sivjetmë është ndarë në dy pjesë. Prej 11 marsit programi do të mbahet në formë hibride dhe në fokus do të jenë kategoritë garuese dhe prezantimi i projekteve të reja bullgare, sikurse edhe filma të përzgjedhur për të shënuar këtë përvjetor të veçantë.
“Shpresojmë që ky edicion të na kthejë prapa në kohën kur Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Sofje njihej si ‘Festa e Vitit’”, është shkruar në njoftimin për edicionin e sivjetmë.
Më shumë se 150 filma të gjatë dhe dokumentarë, si dhe 20 filma të shkurtër do të jenë pjesë e programit të sivjetshëm.
Juria për garën ballkanike përbëhet nga producenti dhe regjisori i njohur Doron Eran nga Izraeli, filmbërësi i njohur i dokumentarëve, John-Paul Davidson nga Britania e Madhe, i njohur edhe për bashkëpunimin me yjet Michael Palin dhe Stephen Fry, si dhe aktorja e regjisorja Lily Horvat nga Hungaria.
Përveç “Galaktikës së Andromedës”, “Quo vadis, Aida?” dhe “Only Human”, në këtë garë janë edhe 10 filma të tjerë: “Uppercase Print” nën regji të Radu Judes (Rumani), “The Living Man” nën regji të Oleg Novkoviqit (Serbi), “The Dawn” nën regji të Dalibor Mataniqit (Kroaci), “Concentrate, Grandma” nën regji të Pierre Zhalicas, (Bosnjë-Hercegovina) “Oasis” nën regjit të Ivan Ikiqit (Serbi), “Ghosts” nën regji të Azra Denise Okay (Francë-Turqi-Katar), “San Remo” nën regji të Miroslav Mandiqit (Slloveni-Itali), “February” nën regji të Kamen Kalevit (Bullgari-Francë), “Tailor” nën regji të Sonia Lisa Cantermann (Greqi-Gjermani-Belgjikë) dhe “Apples” nën regji të Christos Niku (Greqi-Poloni-Slloveni).
“Galaktika e Andromedës” ka në fokus jetën e një mekaniku 25-vjeçar të papunë, i cili e jep me qira rimorkion e tij. Filmi i gjatë debutues i regjisores More Raça është shpërblyer me çmimin “Glocal in Pogress” në Festivalin Ndërkombëtar të San Sebastianit në Spanjë, në shtator të 2019-s, dhe u nominua për “Zemrën e Sarajevës”, në korrik të vitit 2020.
“Filmi është ngrohtë i ndërtuar në mënyrë klasike, mbi marrëdhënien e babait me bijën e tij, me një stil vizual të veçantë krijues që bën përshtypje dhe nxjerr në pah talentin e regjisores se re kosovare”, kishte shkruar “Cineuropa” në një kritikë për filmin e Raçës.
Regjisorja ka thënë për KOHËN se “Galaktika e Andromedës” po vazhdon rrugëtimin e vet. Kësaj radhe, siç ka thënë Raça, në festivalin shumë prestigjioz që mbahet në kryeqytetin e Bullgarisë dhe madje në një konkurrencë shumë të fortë, pasi që pjesë e saj janë filmat më të suksesshëm të Ballkanit.
“Pas çmimit në Festivalin e Filmit në San Sebastian të kategorisë A dhe nominimit për ‘Zemrën e Sarajevës’ në festivalin e njohur të Sarajevës, pjesëmarrjes në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kajro, po ashtu të kategorisë A, rrugëtimi i filmit po vazhdon me sukses dhe kjo tregon vlerën e vërtetë të filmit, pasi që filmi vijon të garojë në festivale të mëdha”, ka thënë ajo.
Ka treguar se premiera në Kosovë pritet të jetë në muajin tetor, me shpresë që situata pandemike të normalizohet. Sidoqoftë, ka shtuar se tani fokusin e ka te Festivali në Sofje.
“Në seksionin e filmave ballkanikë ka filma shumë të suksesshëm të produksioneve të mëdha botërore, në mesin e tyre fitues të sivjetmë të Venecias dhe filma që janë në rrethin e ngushtë për ‘Oscars 2021’ siç është filmi ‘Quo vadis, Aida?’ dhe të jesh në konkurrencë me filmin ‘Galaktika e Andromedës’, mes këtyre filmave shumë të suksesshëm është nder”, ka thënë ajo.
Skenë nga “Quo vadis, Aida?” në të cilin luan edhe aktori nga Kosova, Alban Ukaj
Filmi “Quo vadis, Aida?”, ku aktori Alban Ukaj ka rolin e përkthyesit me emër Tarik, është një homazh për viktimat e gjenocidin e vitit 1995 në Srebrenicë. Aida, të cilën e luan aktorja serbe, Jasna Gjuriçiq, është kryepersonazhi i filmit. Punon si përkthyese për Kombet e Bashkuara në kohën kur boshnjakët në Srebrenicë i pret masakra. Gjersa kërkon mënyra se si të mbajë të sigurt familjen e saj, Aida e ka për detyrë të mbaj të qetë turmën. Në “Oscars 2021” filmi është në listë të ngushtë për filmin më të mirë ndërkombëtar.
E filmi i gjatë artistik “Only Human” nga Igor Ivanov me bashkëproducentë Lumbardh Kukajn, është bashkëprodhim në mes Maqedonisë Veriore, Bullgarisë, Kosovës, Serbisë dhe Sllovenisë.
“Filmi paraqet gjashtë fytyra në gjashtë episode komike të ndërthurura me zgjuarsi, përmes komedisë së zezë. Personazhet e dëshpëruara takohen padashur në një metropol modern, përderisa mundohen të gjejnë mënyra për të mbijetuar dhe për ta gjetur dashurinë”, është sinopsisi që e jep Qendra Kinematografike e Kosovës për filmin që pati premierën në shtator të vitit të kaluar në Shkup, në “Cinedays European Film Festival”.
Aktori Basri Lushtaku ka thënë se ky bashkëpunim ka qenë një përvojë interesante dhe sfiduese për të. Ai luan rolin e një fajdexhiu, një karakter që, sipas tij, ka qenë goxha interesant.
“Kur flasim për rrugëtimin e filmit nëpër festivale të ndryshme, natyrisht që është mirë kur një film, pjesë e të cilit je edhe vetë, merr pjesë nëpër festivale të njohura – duke e përmendur këtu që ky film ishte pjesë edhe e festivalit në ‘GOA’ (Indi) – dhe tani ka rrugëtimin e vet edhe në festivale të tjera, rëndësia e pjesëmarrjes në festivale të ndryshme është e mirë për të gjithë, si për producentët, regjisorin e po ashtu edhe për ekipin e aktorëve”, ka thënë ai. Sipas tij, çdo sukses i filmit është shpërblim për punën dhe mundin e bërë.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Sofje, në pjesën e dytë të tij, në fund të këtij viti pritet që të fokusohet në pjesë të tjera të programit që tashmë i ka tradicionale.
Basri Lushtaku në “Only Human”, bashkëprodhim edhe i Kosovës