Veprat e Davidit të përkthyera në disa gjuhë flasin për fatet njerëzore, vrasjet e shpëtimin e hebrenjve dhe mbi të gjitha, kanë mesazhet e lirisë e të humanizmit. Bënte pjesë tek intelektualët serbë që s’i duartrokitën regjimit të Sllobodan Millosheviqit, por treguan se Serbia do të pësojë nga veprimet që po bënte. “Ne avokuam për një Serbi tjetër që nuk pajtohet me krimet. Mund t’ju duket se nuk ishte një numër i madh, por është, sepse këta ishin emra që nënkuptonin diçka, ishte një rezistencë ndaj gjithçkaje që po ndodhte në mjedisin në të cilin jetonim”, kishte thënë ai tre vjet më parë
Me kapelën e tij pa të cilën rrallë dilte, shkrimtari serb me prejardhje hebraike, Filip David në majin e vitit 2014 ia kishte mësyrë Kosovës. Nga distanca e kishte përkrahur të drejtën e shqiptarëve për të jetuar të lirë dhe kishte pësuar për këtë. Asokohe në kuadër të Festivalit ndërkombëtar të letërsisë, “Polip” në Qendrën “Multimedia”, po promovonte romanin nëpërmjet të cilit rrëfen se dashuria mund vdekjen, “Ëndrra për dashurinë dhe vdekjen”. Krejt modest e pa ndonjë megalomani, David jepte mesazhe paqeje. Shquhej për këtë dhe për kundërshtim të hapur ndaj politikave autoritare në Serbi. Si i tillë është kujtuar në ditëvdekje.
Filip David vdiq të hënën. Ai ishte 84 vjeç. Veprat e Davidit të përkthyera në disa gjuhë flasin për fatet njerëzore, vrasjet e shpëtimin e hebrenjve dhe mbi të gjitha, kanë mesazhet e lirisë e të humanizmit. Bënte pjesë tek intelektualët serbë që s’i duartrokitën regjimit të Sllobodan Millosheviqit, por treguan se Serbia do të pësojë nga veprimet që po bënte.
I mbijetuari i tmerrit, zë i viktimave
Filip David u lind më 4 korrik 1940 në Kragujevc. Ishte kohë e vështirë për familjet me prejardhje hebraike. Intelektuali që midis të tjerash u bë edhe dramaturg, dramën e parë të fëmijërisë me gjasë e kishte kur duhej të mbante mend emrin Fiqa Kaliniq. Duhej të prezantohej me këtë emër pasi ai i vërteti mund ta fuste në radhën e atyre që udhëtuan drejt kampeve të shfarosjes. Familja e tij gjeti strehë në Vojvodinë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe David gjithnjë ka qenë falënderues për fshatrat që i kanë strehuar duke rrezikuar jetët e tyre. E dinte mirë se si ishte të mbijetohej nën regjim shfarosës dhe gjatë gjithë jetës së tij u bë zë i viktimave. Qe njëri prej themeltarëve të Qarkut të Beogradit që bashkonte shkrimtarë e intelektualë me idenë e rezistencës përballë “urrejtjes, spastrimit etnik, retorikës luftënxitëse, dëbimit dhe zhvendosjes me dhunë”. Në prillin e vitit 1992 në Beograd, qe mbajtur takimi i parë i atyre që u quajtën “Serbia tjetër”, përderisa Bosnjë-Hercegovina ishte në flakët e luftës, një vit më parë Kroacia dhe Sllovenia shpallën pavarësinë, e retorika nacionaliste shpërndahej gjithnjë e më tepër.
“Ne avokuam për një Serbi tjetër që nuk pajtohet me krimet. Mund t’ju duket se nuk ishte një numër i madh, por është, sepse këta ishin emra që nënkuptonin diçka, ishte një rezistencë ndaj gjithçkaje që po ndodhte në mjedisin në të cilin jetonim”, kishte thënë Filip David për BBC-në në serbisht, në qershorin e vitit 2022. David kreu studimet në Fakultetin Filozofik në Akademinë për Teatër, Film dhe Televizion. Në vitin 1991 e braktisi punën si redaktor i programit të dramës në Televizionin e Beogradit në shenjë pakënaqësie me politikën e kohës. Është një nga themeluesit e Shoqatës se Shkrimtarëve të Pavarur, në vitin 1989 në Sarajevë, që mblidhte shkrimtarët më të rëndësishëm nga viset e ish-Jugosllavisë.
Ka shkruar shumë drama televizive dhe skenarë filmash. Ka botuar tre libra me tregime: “Pusi në pyllin e errët ”, “Shënime për realen dhe jorealen”, “Princi i vatrës”, romanet “Pelegrinët e qiellit dhe të tokës”, “Ëndrra për dashurinë dhe për vdekjen”, “Shtëpia e kujtesës dhe e harresës” librin “Fragmente nga kohërat e errëta ” dhe “A jemi përbindësha”, “Botët në kaos”. Së bashku me shkrimtarin Mirko Kovaç kanë publikuar “Librin e letrave 1992-1995”. Tregimet dhe romanet e tij kanë marre disa çmime: shpërblimin për shkrimtarin më të mirë të ri, shpërblimin e Shoqatës se Shkrimtarëve “Milan Rakiq” , Çmimin e BIGZ-dhe të Prosvetas për librin më të mirë të vitit, Çmimin e Andriqit, atë të javores NIN për romanin më të mirë të vitit, çmimin “Mesha Selimoviq” në Tuzllë. Nga fillimi i luftës në hapësirat e ish-Jugosllavisë ka shkruar numër të madh tekstesh të angazhuara kritike të botuara në “Nasha borba”, “Feral Tribun”, “Danas” dhe në shumë gazeta e revista në vend e në botën e jashtme dhe të emetuara në Radion franceze (RFI).
Ishte anëtar i “Grupit letrar 99“, të themeluar në Panairin e Librit në Frankfurt në vitin 1999. Librat e Filip Davidit janë përkthyer në hungarisht, frëngjisht, shqip, suedisht, sllovenisht, gjermanisht, italisht, anglisht, polonisht, maqedonisht, esperanto, kurse tregimet e tij janë përfshirë në mbi njëzet antologji në gjuhë të ndryshme botërore.
“Do të vijë koha kur shkëmbimet kulturore do të jenë shumë normale”
Filip David ia donte të mirën Serbisë dhe Kosovës. Pranimin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia e shihte së pari si shërim të Serbisë. Deri më 2014 s’e kishte vizituar Kosovën dhe këtë me arsyetimin se nuk kishte dëshirë e as vullnet, duke pasur parasysh sistemin dhe ato që kanë ndodhur në shtetin fqinj të vendit ku jetonte. Në njëfarë forme i vinte keq ta vizitonte shtetin më të ri të Evropës.
“Dëshira ime sot, megjithëse shkrimtarët nuk janë aq të fuqishëm t’i ndreqin disa gjëra që i prishin politikanët, është që të rregullohen raportet midis Kosovës dhe Serbisë”, kishte thënë ai më 2014, raportonte “KOHA Ditore”. Këmbimet kulturore i shihet si incidente pozitive dhe s’ishte i kënaqur me ketë.
“Do të vijë koha kur shkëmbimet kulturore do të jenë shumë normale”, do të thoshte ai. Ishte i bindur se veprimet duhet të jenë më të forta, sepse vetëm kërkimfalja nga shteti serb për ato që ka bërë në Kosovë nuk mjafton. Thoshte se shumica serbe mendon se populli i tyre është viktimë e për këtë kanë një arsye.
“Është propaganda mediatike ajo që ka bërë të mendohet kështu, sepse shtrembërohen lajmet”, kishte thënë ai, tek kishte shtuar se kur kujtohen disa ngjarje si ajo e Suharekës gjatë luftës nënkuptohet se është bërë një tmerr.
“Nuk them se në mesin e serbëve nuk ka viktima, por ajo që ka ndodhur këtu ka të bëjë me një hartë të madhe krimesh dhe paraqet tragjedi”, kishte thënë David në përurimin e librit të tij që në shqip është përkthyer nga Smajl Smaka. Edhe në një intervistë me Smakën, ai ishte i qartë.
Thoshte se nacionalizmi serb nuk ka përjetuar katarsisin. Në perspektivën e tij, pa stabilizim politik në Serbi, pa Serbi demokratike, tolerante nuk do të ketë stabilizim në këtë pjesë të Evropës.
“Ndoshta është fjalë e madhe të flasim për fashizëm të hapur në Serbi, më parë do ta quaja ‘fashizëm zvarritës’ ku e kur ekziston rreziku që nacionalizmi, militarizimi, adhurimi i liderit të shndërrohen në një sistem të rrezikshëm, ekstremisht të djathtë shkatërrues, që është një rrezik i veçantë për vetë Serbinë, në të cilën një e treta e popullatës nuk janë etnikisht serb”, thoshte ai. Këshillonte se politika e brendshme e Serbisë bashkë me atë të jashtme do të duhej të bazoheshin në të kuptuarit maksimal të nevojave të pakicave dhe të marrëveshjes.
“Secili ekstremizëm e rrezikon stabilitetin e brendshëm të Serbisë. Rreziku bëhet më i madh se këtu në Ballkan dhe në anët e tjera, në mjediset e tjera po ashtu ekzistojnë individë dhe grupe ekstremistësh”, kishte thënë ai.
Erudit dhe shok i sinqertë
Gazetari veteran, Fahri Musliu, ka kujtuar se me Davidin janë shoqëruar pa ndërprerë që nga fillimi i viteve ‘90, kur shkrimtari themeloi shoqatën e intelektualëve të pavarur “Beogradski krug”, e cila ishte zë gati i vetëm serb kundër luftës në hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe kundër politikës së regjimit të Sllobodan Milosheviqit.
“Pas luftës në Kosovë, Filipi është angazhuar që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës si të vetmen zgjidhje të drejtë”, ka thënë ai nëpërmjet një shkrimi në Facebook. Ka kujtuar se vendi i tyre i takimeve dhe i debateve të rrepta ka qenë Qendra e Mediave, nga themelimi më 1995, kurse pas mbylljes më 2006, kafeneja “Galerija” e më pas ajo “Smaragd” afër banesës së tij për shkak të problemeve shëndetësore që kishte.
“Ka qenë erudit dhe njeri e shok i sinqertë nga i cili kam mësuar shumë, ka ndikuar në ndërtimin tim intelektual, profesional e njerëzor dhe ka lënë gjurmë të thella në jetën time. Me ikjen nga kjo botë të Filipit, po flaket edhe një pjesë e rëndësishme e jetës time. I jam mirënjohës pa fund për gjithçka, dhe do të mbetet i paharruar deri në fund të jetës sime”, ka thënë Musliu.
Shembulli i intelektualit
Në raport me liritë dhe të drejtat e njeriut, Filip David ishte i pakompromis.
Gazetari e publicisti Enver Robelli, redaktor i politikës së jashtme në gazetën zvicerane, “Tages Anzeiger” e kolumnist në “KOHA Ditore”, ka përmendur se David nuk kishte heshtur kur më 2019, austriaku Peter Handke, një përkrahës i Millosheviqit u bë laureat i çmimit “Nobel” për letërsi.
“Handke është një zero morale. Është e vështirë, në mos e pamundur, të ndash veprën e tij të përgjithshme nga aktivitetet e tij politike. Çmimi Nobel do t’i thellojë edhe më tej keqkuptimet në rajonin tonë dhe do të hapë sërish plagët e viteve 90-të”, do të shkruante David. Në tekstin e tij të titulluar “Beteja fisnike e Filip Davidit kundër zerove morale”, Robelli përmend edhe besnikërinë e Davidit në raport me qëndrimet e tij. Robelli shkruan se më 2016, kur ky shkrimtar mori çmimin për librin më të mirë në rrjetin e bibliotekave publike të Serbisë – për vitin 2015 – për romanin “Shtëpia e kujtesës dhe e harresës” i tha aty për aty presidentit serb të kohës, se nuk pajtohej me politikën e tij. Asokohe president ishte Tomisllav Nikoliq.
“Duhet të distancohem nga prania e zotit Toma Nikoliq. Duke respektuar institucionin e presidentit të republikës, ndjej se kam detyrimin të them se që nga fillimi i viteve ‘90 nuk jam pajtuar me qëndrimet politike dhe veprimtarinë politike të zotit Nikoliq dhe ndjej detyrim ta them këtë këtu para tij”, e ka cituar Robelli shkrimtarin. “Kështu flasin intelektualët që kanë dinjitet”, ka shkruar Robelli. Shkrimtari nuk trembej, pavarësisht se jetoi në kohë të vështira. Shkroi për dashurinë dhe vdekjen. Rajoni ku jetoi njeh mijëra vdekje të dhunshme, shkaku i politikave të Serbisë me të cilat David s’u pajtua asnjëherë. Filip David mbeti luftëtar i përjetshëm kundër padrejtësive.