Kur zeja e filigranit po shuhej përditë e më shumë, një projekt qe ai që e ringjalli. Për rezultatet që jep, lirshëm do të mund të cilësohej si projekti i vitit. Më 2022 ka trajtuar gjeneratën e radhës të filigranistëve të rinj dhe, siç lidhin fijet e argjendit, ata lidhin edhe vazhdimësinë e një zanati që në Prizren e ka zanafillën këtu e nja tetë shekuj më parë
Gjenerata e radhës e kursistëve të filigranit po vijon aftësimin në këtë artizanat. Dhjetori ka shënuar muajin e tretë të mësimit pranë mjeshtërve të Prizrenit, që njihen për teletisje me argjend. Shpresa është bazuar te ta, për ta siguruar vazhdimin e traditës së moçme. Entuziazmi për të mësuar teknikat e punës me durim, përqendrim e precizitet dominon te shumica e pjesëmarrësve në punëtorinë e filigranit.
Fitore Rexhepi thotë se gjatë tre muajve të parë të aftësimit i ka punuar disa elemente, ku disa prej tyre i janë dukur më të lehta, e disa më të vështira, me ç’rast përmend karafilin, yllin, pastaj syrin e mbyllur, atë të hapur dhe syrin e peshkut.
“Jemi duke krijuar elemente që në fund do të bashkohen dhe do ta krijojnë një tërësi, sipas përcaktimit tonë”, thotë ajo. E pikërisht një gjë e tillë ka qenë shtysë që ajo të aplikojë për të qenë pjesë e kësaj punëtorie.
“Kursin e filigranit kam vendosë me e ndjekë shkaku që më pëlqejnë format apo elementet që krijohen prej fijeve të argjendit. Përveç që më pëlqejnë me i pa si tërësi qoftë broshë, qoftë vathët dhe qaforet, kam pas qejf me i mësu elementet si krijohen, si bashkohen dhe si shkohet gradualisht deri te rezultati përfundimtar”, deklaron Rexhepi.
Ngjashëm është shprehur edhe kursisti tjetër, Drilon Gashi, i cili vlerëson krijimin e stolive nga fijet e argjendit.
“Puna në filigran, që prej një fijeje të hollë të argjendit, me dalë një rezultat mahnitës, me kriju stoli me forma interesante, më ka shtyrë me u regjistrua në këtë kurs. Tash është vetëm fillimi dhe, siç dihet, zanati nuk ka fund, pa marrë parasysh se sa kemi përvojë në të, gjithmonë ka diçka për të mësuar në të”, shprehet ai.
Sipas tij, Prizreni duhet ta ruajë këtë zeje të veçantë, me të cilën dallohet për shekuj të tërë dhe në këtë aspekt çmon kontributin e mentorëve të tij në punëtori.
“Është kënaqësi me qenë afër mjeshtërve të dalluar të filigranit të Prizrenit, për të mësuar sekretet e kësaj pune”, thotë Gashi.

Prizreni me pak filigranistë autentikë
Mjeshtri Bashkim Tejeci bashkë me kolegët e tij prej vitesh mundohen që njohuritë e tyre në këtë artizanat t’i bartin te gjeneratat e reja për ta ruajtur traditën e filigranit në Prizren. Sipas tij, gjenerata e fundit e punëtorisë ka nisur me 30 pjesëmarrës dhe tani kursin janë duke e vijuar 27 prej tyre, ku në mesin e tyre ka edhe fëmijë argjendarësh të qytetit.
“Kjo nuk është gjenerata e parë, pasi punëtoria e filigranit vazhdon prej disa vjetësh, me pjesëmarrësit që vijojnë kursin tetë–nëntëmujor. Sikurse edhe te gjeneratat e mëparshme, edhe kësaj radhe interesimi i kursistëve është i madh, për çdo detaj, për çdo imtësi. Janë të interesuar për punë dhe ka komunikim të afërt mes nesh”, tregon Tejeci.

Sipas tij, aktualisht punohet dy herë në javë me nga dy orë, ku mësohen detajet fillestare. Ai shton se në muajt në vijim ky orar do të intensifikohet, ngase do të ketë më shumë punë drejt finalizimit të punimeve artizanale nga telat e argjendit.
“Dëshira jonë, iniciativa jonë është që ky zanat të bartet te brezat e rinj, që ata ta trashëgojnë, në mënyrë që mos ta marrim me vete, sepse në Prizren kemi mbetur shumë pak filigranistë. Po mundohemi me kurset tetë–nëntëmujore me i aftësu për punimet e caktuara”, thotë Tejeci.

“Trashëgimtarët e artit shpirtëror të Prizrenit”
Trajnimi i gjeneratës së fundit të filigranistëve të rinj pati filluar në fund të muajit shkurt të vitit 2022, në saje të mbështetjes financiare nga Komuna e Prizrenit.

Udhëheqësi i “Filigranit”, Faik Bamja, ka shprehur dëshirën që këta pjesëmarrës të jenë “trashëgimtarët e artit shpirtëror të Prizrenit”. Ndërsa kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, ka pohuar se filigrani përkon me identitetin e qytetit.
“Filigrani është njëri prej simboleve, që është identitet i qytetit të Prizrenit. Edhe Komuna, edhe unë si kryetar e kemi pasë në programin tonë ruajtjen e identitetit të qytetit dhe ruajtjen e zanateve. Në këtë kontekst duhet me e falënderu stafin e ‘Filigranit’ për energjinë e vullnetin për me organizua këtë kurs”, ka thënë Totaj, duke uruar që kursistët të jenë trashëgimtarë të këtij zanati, si dhe ta bartin edhe te gjeneratat e ardhshme, paralelisht me kontributin për zhvillimin e turizmit në Prizren, si komponentë të zhvillimit ekonomik.

Beteja e kamotshme
Mjeshtrit e filigranit prej vitesh janë duke luftuar për ta mbajtur gjallë këtë artizanat në Prizren. Madje udhëheqësi i grupit, Faik Bamja, ka treguar se si në vitin 2006 pas privatizimit të ndërmarrjes “Filigrani”, punëtorët kishin mbetur në rrugë dhe se tetë prej tyre pas konsultimeve në vitin 2007 e patën regjistruar “Filigranin” si Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuara, duke shprehur vullnetin për ta vazhduar veprimtarinë me çdo kusht, deri në fund, me të vetmin qëllim, që të ruhet tradita e filigranit në Prizren.
Ky përkushtim ka prodhuar rezultate, pasi pos vetëqëndrueshmërisë, këta artizanë janë shndërruar edhe në pikë referimi e destinimi të vizitorëve të huaj të Prizrenit, duke tërhequr edhe vëmendjen e mediave, por edhe institucioneve kulturore ndërkombëtare.
Historiku i pranisë së këtij artizanati në Prizren është i vjetër me shekuj. Sipas historianit Abib Ahmeti, të dhënat e para për argjendarët e këtij qyteti ndeshen në shekullin XIII. Mirëpo shënime më të strukturuara, sipas tij, hasen në shekullin XVI, meqë në defterin kadastral të Sanxhakut të Prizrenit bëhet e ditur se kjo zeje në Prizren në vitin 1591 ushtrohej nga katër zejtarë të krishterë dhe një mysliman.
“Shkallën më të lartë të zhvillimit të saj argjendaria e arriti në shekullin XIX. Sipas të dhënave të konsullit francez në Shkodër, E. Vit, në Prizren më 1866 kishte 47 punishte të veçanta të argjendarisë. Përveç këtyre kishte edhe 15 punishte në të cilat zbukuroheshin armët dhe 7 të tjera në të cilat zbukuroheshin ekskluzivisht gërshërët dhe thikat”, ka shkruar Ahmeti në librin e tij "Theranda-Prizreni ndër shekuj".
Në bazë të të dhënave të historianëve dhe kujtimeve të mjeshtërve të këtij zanati, punëtoritë e argjendarëve kanë qenë të përqendruara në qendrën e qytetit, afër Shadërvanit, në kuartin e veçantë që njihej si Çarshia e Kujunxhinjve. Aty ka qenë e vendosur edhe Çarshia e Armëpunuesve, me të cilët, sipas Ahmetit, argjendarët kanë bashkëpunuar ngushtë në zbukurimin e armëve dhe pajisjeve të tjera të luftës.
Sipas autorit të ndjerë të librit “Prizreni i Lashtë”, Muhamed Shukriu, për shkak të vlerave të larta krijuese, kjo çarshi ka qenë e njohur që nga kohët e lashta edhe jashtë Gadishullit Ballkanik. Argjendarët e kësaj zone me teknikën e derdhjes kanë punuar kuti të duhanit, çibukë, cigarellëqe, pjesë të qostekut, unaza, byzylykë, vathë, pjesë të gjerdanëve, tabakë të mëdhenj, gota uji e vere, filxhanë, etj. Ndërkohë me teknikën e filigranit, pos që janë zbukuruar objektet e punuara me derdhje, janë krijuar edhe vepra të shumta origjinale nga fijet e holla të metaleve të çmuara. “Mjeshtëria e tyre të habitë për nga hijeshia dhe simetria e ornamenteve dhe njëherësh fitohet përshtypja se këto janë qëndisje me pe e gjilpërë dhe jo me ar e argjend”, ka pohuar historiani Ahmeti.
Ëndrra për paralelen e filigranit
Ëndrra e parealizuar e këtij grupi unik të artizanëve është që në kuadër të shkollave të mesme profesionale të Prizrenit të hapet një paralele e filigranit. Mjeshtri Bashkim Tejeci pohon se kursi 9-mujor mjafton për t’i mësuar punimet e caktuara, por se për të qenë mjeshtër i kualifikuar nevojitet aftësimi më i gjatë.
“Ideja më e qëndrueshme është që të hapet një paralele në Shkollën Teknike apo Profesionale pasi brenda 3 vjetësh shkollimi del një mjeshtër i kalitur e i pavarur”, thotë ai, duke konfirmuar se për këtë ide gjatë fushatave paraelektorale janë dhënë zotime nga subjektet e ndryshme politike. “Për me e hapë paralelen nevojitet angazhimi i qeverisë qendrore. Premtime ka pasur, edhe për krijimin e muzeut të filigranit, por ende diçka konkrete nuk ka. Ne shpresojmë që diçka të realizohet sepse këtë punë e bëjmë me një fanatizëm, pasi kemi mbetur shumë pak mjeshtër”.
Pavarësisht kësaj, pjesëmarrësja e punëtorisë, Fitore Rexhepi, thekson se do ta vazhdojë angazhimin në filigran, edhe pse jo aq intensivisht.
“Është një pjesë personale që më bën të ndalem dhe të punoj ngadalë, edhe në të njëjtën kohë mos me mendua diçka tjetër gjatë kohës që punon me fijet e argjendit. Por veç pse ekziston ky kurs mendoj se shumë prej kolegëve të mi kanë me vazhdu me u marrë intensivisht. Filigranin ma shumë e shoh si trashëgimi të ruajtur, si pjesë e kulturës sonë që duhet me vazhdu me ekzistu, por pse jo edhe me e promovua më shumë filigranin e Prizrenit, që është i veçantë, por edhe me eksperimentu për me nxjerrë forma të reja. Mendoj se është mirë me u ndalë prej dinamikës së shpejtë të jetës dhe me krijimtarinë në filigran me e kuptu vlefshmërinë e minutave dhe çka mundemi me nxjerrë prej asaj, pasi jo gjithçka e shpejtë është e bukur apo e arrirë”.
Drilon Gashi është i bindur se do të vazhdojë angazhimin rreth filigranit deri në fund, pasi, sipas tij, “bëhet fjalë për një zanat tejet fisnik”.
Që të dy vijuesit e punëtorisë kanë nënvizuar se do të inkurajojnë edhe shoqet e shokët e tyre që në të ardhmen të jenë pjesë e punëtorisë së filigranit në Prizren.