Lekë Berisha është me fat që zejen e filigranit e ka mësuar prej më shumë se një personi. Edhe axha, Kristë Berisha, edhe siç i thotë ai, daja Tush, ishin mësuesit e tij në artin e “dredhjes së telit”. Shumë nga ky zanat thotë ta ketë mësuar edhe nga burri i motrës së tij, Florenc Vuçaj, i biri i Matej Vuçajt, po ashtu, nga Prizreni. Që të gjithë këta, emra të njohur në qytetin që njihet, ndër të tjera, për këtë zeje.
“Ata hapat e parë, nisma se çka, qysh e tek duhet për këtë zanat, është shumë me rëndësi. Por mandej pjesa më e madhe është se si e ndien vetë punën”, thotë Berisha. E këto dy fjali përshkruajnë edhe dimensionin e mësimit, zanatit, por edhe atë të artit që e ka brenda vetes, shkruan sot “Koha Ditore”.
Vetë Leka është djali i ish-muzikologut të njohur, akademikut Engjëll Berishës, tashmë i ndjerë. Filigrani thotë se është art, puna për të cilën ka brenda vetes edhe njëlloj muzikaliteti. E shpirti artistik dhe tradita ndihen fort në punimet e Berishës.

Rikthimi i vlerësimit për punëdoret
Lekë Berisha ka treguar se të dy, edhe axha, edhe daja i tij, kanë punuar në fabrikën e filigranit në Prizren.
“Më pas axha ka shkuar në Beograd, ndërsa daja në Kroaci”, ka thënë Berisha.
Luftërat shkatërruese në ish-Jugosllavi e prishën edhe tregun e filigranit. Prizrenasit në masë të madhe prodhonin për bregdetin kroat, një treg që u sillte goxha fitim.
“Kanë qenë kërkesa të mëdha, të turistëve kryesisht”, ka thënë Berisha, që thotë se atëherë familje të tëra, me të gjithë anëtarët e angazhuar kanë punuar filigran.
“Deri sa nuk ia ka nisur lufta në Kroaci. Mandej kur nisi lufta, atëherë u prish çdo gjë”, ka thënë Berisha.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)