Prej “Simfonisë nr. 1” të Rexho Mulliqit përplot harmoni, kapërcimi te “AlbBalcanica” e Valton Beqirit po ashtu në ritme shqiptare e “Simfonia nr.2” e Kreshnik Aliçkajt që lidh edhe bashkëkohoren, kanë qenë veprat e njërit kapitull të koncertit ku shquhej loja e saksofonistit Vitaly Vitulya. Në pjesën tjetër, sopranoja e shquar, Besa Llugiqi, me interpretimin e saj të mahnitshëm ka sjellë madhështinë e muzikës operistike italiane
Filharmonia e Kosovës ka vulosur edhe një herë profesionalizmin me një tjetër koncert të suksesshëm ku kushtet janë shndërruar në refren. Nën drejtimin e zviceranit Antoine Marguier, Orkestra ka sjellë kultura të vendeve të ndryshme që gërshetohen bashkë me atë vendore. Sopranoja Besa Llugiqi ka zbërthyer vargjet e këngës lirike, ndërsa saksofonisti Vitaly Vitulya tingujt e muzikës bashkëkohore. Kulturat muzikore të vendeve të ndryshme janë bërë bashkë një në këtë koncert.
Të enjten mbrëma ka qenë data e radhës e jetësimit të këtij programi të institucionit, në kushte që nuk dallojnë aspak. Pos perdeve të zbuluara të cilat, për akustikën në sallë, janë një lloj armiku. Dallimi tjetër në sallë ka qenë edhe heqja e platformës shkallë-shkallë ku pozicionoheshin frymorët, e që publiku pak mund ta vërente zhvillimin e lojës së tyre.
Koncerti nisi me “Simfoninë nr. 1” të Rexho Mulliqit. Ritmet e pasura me përplot harmoni si dhe shkëmbimi i temave midis harkorëve dhe frymorëve janë të dallueshme në këtë vepër. Të njëjtat tema përsëriten shumë herë. Ka motive të muzikës tradicionale shqiptare.
“AlbBalcanica” për saksofon dhe orkestër e Valton Beqirit ka qenë tjetër vepër e zbulimit të ritmeve shqiptare e të kësaj ane. Kur Orkestra hap një temë të zymtë të harkorëve, aty përfshihet edhe saksofoni. Loja e perkusioneve sikur ilustron imazhet e ngjarjeve dramatike në Ballkanin e trazuar.
Saksofoni solo me ksilofonin përcjellin temat e njëri-tjetrit në disa partitura. Vepra merr ngjyra xhazi në dialog midis kontrabasit e saksofonit.

Solisti i kësaj vepre, Vitaly Vitulya, ka konsideruar se kjo vepër është investim për literaturën e muzikës klasike të vendit.
“Shkoi suksesshëm dhe është nder e kënaqësi e madhe të luaj për këtë publik entuziast. Veçmas vepra e kompozitorit vendor, i cili e shkroi këtë vepër për saksofon dhe orkestër. Ai përdor ritme e motive tradicionale ballkanike e shqiptare. Mendoj se është investim i madh për të ardhmen e muzikës klasike të Kosovës”, është shprehur saksofonisti, i cili në skenën e muzikës klasike vendore interpreton për të pestën herë, përfshirë një koncert të mëparshëm me Filharmoninë e Kosovës.
“Nuk është hera e parë që interpretoj me këtë orkestër dhe tani që jam sërish këtu mund të vërej se niveli është rritur në mënyrë enorme. Kjo sepse ata kanë pasur mundësinë të punojnë me dirigjentë të ndryshëm nga e gjithë bota dhe mund të ndihet ky imput i këtyre ftesave të dirigjentëve”, është shprehur saksofonisti me famë ndërkombëtare.
Ai është fitues i më shumë se njëzet konkurseve dhe performon si solist dhe si pjesëtar i ansambleve në Evropë dhe jashtë saj. Vatulya bashkëpunon me orkestrat më të njohura dhe si muzikant i muzikës kamerale, së bashku me pianisten Maria Nemtsova, ka themeluar “VitaDuo”. Ka mbajtur masterklase në më shumë se njëzet vende të botës, duke përfshirë Akademinë e Muzikës në Zagreb, Konservatorin Shtetëror të Jerevanit, Akademinë e Muzikës të Universitetit të Lubjanës dhe institucione të tjera.
Që nga viti 2007, Vatulya ka publikuar tre CD me vepra nga Hindemith, Debussy, Franck, Mendelssohn. Ai është një ndër iniciatorët e projektit ndërkombëtar bamirës “Muzika për paqe”, i cili ka për qëllim organizimin e koncerteve dhe masterklasave në zonat pas konfliktit, duke sjellë një dimension të ri në jetën e njerëzve.
Dirigjenti francez Antoine Marguier, i cili e ka drejtuar koncertin, ka thënë se me veprat e kompozitorëve nga Kosova po zbulon muzikë komplet të re për të.
“Për mua është gjithmonë interesante të zbuloj muzikë të re, sepse muzika nga Kosova është komplet e re për mua. Është shumë e mirë, kompozitorët janë të rinj, ishin këtu me ne, janë muzikantë bashkëkohorë. Është gjithmonë emocionuese. Ishte muzikë shumë energjike, shumë e veçantë. Kur dirigjoj muzikën e këtij vendi, kam ndjesinë se kam mësuar sesi ta bëj këtë sepse kultura e këtij vendi është ndryshe nga e imja dhe është mënyrë e mrekullueshme për të shkëmbyer shkathtësi të ndryshme”, është shprehur Marguier.
Sa u përket veprave vendore, në këtë koncert është luajtur edhe “Simfonia nr. 2” e Kreshnik Aliçkajt që jehon përherë si një tension i brendshëm me ritme tradicionale e bashkëkohore.
Kompozitori Aliçkaj veprën e ka shkruar në vitin 2011 dhe për herë të parë e kishte interpretuar Filharmonia e Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit permanent të institucionit, japonezit Toshio Yanagisawa. Autori e konsideron veprën si konglomerat për shkak të elementeve që zbërthehen aty.
“Ka elemente tonat tradicionale, por janë të shprehura në frymën e muzikës evropiane moderne të shekullit XX e XXI. Janë të ndërlidhura të gjitha në një vepër, domethënë melodia, harmonia, ritmet, orkestrimi, motivet tona, ngjyrat në orkestër, pak modernizëm, pak tradicionale. Është kombinim i të gjithave”, ka thënë Kreshnik Aliçkaj.

Sopranoja e shquar, Besa Llugiqi, me interpretimin e saj të mahnitshëm ka sjellë madhështinë e muzikës operistike italiane. Ka interpretuar “Un bel dì vedremo” nga “Madama Butterfly” e Puccinit dhe “È strano… Sempre libera” nga “La Traviata” e Verdit.
Për sopranon Llugiqi, ky repertor është i njohur mirë. Ajo ka thënë se veprat janë të natyrave shumë të ndryshme midis tyre.
“Sigurisht me Filharmoninë është gjithmonë kënaqësi të performoj. Për veprat që kemi përzgjedhur mund të them se janë jashtëzakonisht të vështira teknikisht, sidomos në një koncert ku të dyja është goxha sfidë t’i përballosh sepse janë natyra të ndryshme, karaktere të ndryshme e të tilla janë edhe vështirësitë teknike. Njëra është më dramatike, tjetra ka më shumë maxhoritet, nota të larta, por mendoj se te publiku shkuan shumë mirë dhe kjo tek e fundit është me rëndësi”, ka thënë sopranoja Llugiqi.
Krejt në fund është interpretuar “Three-cormered hat – Suite no. 2” nga kompozitori spanjoll Manuel de Falla.
Drejtuesi i koncertit të së enjtes, Antoine Marguier, programin si tërësi, e ka konsideruar të vështirë.
“Është program i vështirë, të jem i sinqertë. Ka shumë diversitet me muzikë italiane, spanjolle, nga Kosova, ka shumë karaktere e ritme të ndryshme. Nevojitet koncentrim i madh nga Orkestra dhe nga unë. Është performancë e vërtetë”, është shprehur dirigjenti nga Zvicra, ku në Bern, me të njëjtin program Filharmonia e Kosovës do të mbajë koncert më 12 mars.