Kulturë

Filharmonia shkëmben emocionet me Kamenicën në koncertin historik

Tingëllon si refren e shënim historiografie se “është koncerti i parë i Filharmonisë” në filan qyteti, por kur futen në lojë ndjenjat e publikut e të muzikantëve, ka krejt tjetër peshë. Dhe dëshmia e radhës – Kamenica, ku është ndalur “Filharmonia në lëvizje”, siç titullohet nisma e cila ka synime të shumëfishta. Edhe në qytetin më lindor të vendit ka shkruar me “Frymë” nga Orkestra Frymore

Një koncert si “Frymë” i Filharmonisë së Kosovës nuk do ishte i jashtëzakonshëm në të tjera rrethana a vende. Në Kamenicë ka tjetër histori, ose në fakt, është historik. I pari i këtij institucioni në qytetin lindor është vetëm një e dhënë. Mesazhi që përcjell, synimet e misioni janë kapitujt e tjerë. Mbi të gjitha, emocionet. E ato kanë qenë të ndërsjella, si për publikun, njashtu edhe për pjesëtarët e Orkestrës Frymore. Dhe nuk janë të njëjta në asnjërin prej qyteteve të Kosovës, ku është ndalur deri më tani, “Filharmonia në lëvizje”, një program të cilin institucioni më i lartë i muzikës serioze në vend e ka nisur vjet duke “ikur” nga Prishtina, në decentralizim koncertesh dhe jo vetëm.

Salla dykatëshe e shtëpisë së kulturës “Isa Kastrati” në Kamenicë gati një orë para koncertit të enjten mbrëma u mbush dalëngadalë pavarësisht motit të lig. Lehtë i dallueshëm ka qenë entuziazmi për ta parë drejtpërdrejtë diçka që deri më tash s’kanë pasur rastin ta ndiejnë në vendin e tyre.

të nisur tingujt e “Oregonit” të kompozitorit holandez, Jacob De Haan, publiku heshti, tek u përqendrua te lëvizjet e dirigjentes Lirjona Sylejmani, e cila ka udhëhequr Orkestrën Frymore prej mbi tridhjetë anëtarësh. Atmosfera erdhi tjetër kur nisi interpretim i kolonës zanore të filmit “Piratët e Karaibeve”, me plot ritëm.

Koncerti qe i veçantë për njërin nga kamenicasit. Klarinetisti Leutrim Llozani ka performuar disa herë me Filharmoninë e Kosovës, megjithatë kjo ka qenë hera e parë që ai po performonte në Kamenicë, në vendi ku lind dhe vazhdon të jetojë.

Image
Salla dykatëshe e shtëpisë së kulturës “Isa Kastrati” në Kamenicë gati një orë para koncertit të enjten mbrëma u mbush dalëngadalë pavarësisht motit të lig. Lehtë i dallueshëm ka qenë entuziazmi (Foto: Arian Mavriqi)

“Ndenja ka qenë e papërshkrueshme. Kemi performuar edhe në qytete të tjera të Kosovës, por në vend tëndin është një ndjenjë krejt tjetër dhe një emocion më i veçantë. Ka që tre a katër muaj që e kemi biseduar ardhjen në Kamenicë sepse e di që publiku i Kamenicës është shumë i qetë, i mirë dhe ka pasur nevojë shumë që ta ketë një frymë tjetër. Kështu që kam besuar që ka qenë adekuate që Filharmonia e Kosovës të vijë këtu te ne”, ka thënë ai, ende nën emocionet e skenës.

Programi i koncertit të titulluar “Frymë” është i ndarë në dy pjesë. Me pjesën e parë vijnë vepra botërore. E dyta u lë vend këngëve shqipe.

Ka qenë dirigjenti e njëherësh drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ai që “dha urdhrat” për veprat shqiptare. Nisën me këngën shkodrane, “Pranvera filloi me ardhë”. Tingujt u harmonizuan për tjetër atmosferë me këngën e Muharrem Qenës, “O vendi im”, interpretuar mjeshtërisht nga tenori Liridon Sadriu. Ishte sopranoja Adelina Paloja ajo që me këngën e Avni Mulajt, “Agimet shqiptare”, fuqizoi te kamenicasit ndjenjën e të qenët në një sallë të vërtetë koncertesh, ani se ai u mbajt në një sallë teatrale. Te pjesët ku kënga lyp notat e larta, e arrirë me lehtësi e saktësi prej Palojës, kanë shpërthyer duartrokitjet e publikut tashmë të ngritur në këmbë.

“Çfarë kënaqësie! Vërtet që interpretimi në Kamenicë më përmbushi dhe veçse e rikonfirmoi që edhe këto qytete, ku nuk janë të shpeshta këto interpretime, posaçërisht të institucioneve më të larta kulturore, të vinë dhe ta ndiejnë më afër publikun. Unë e ndjeva shumë këtë dashamirësi dhe kjo u pa edhe kur pas interpretimit tim publiku ishte i tëri në këmbë”, është shprehur Paloja, pas përfundimit të koncertit duke uruar “që interpretime të tilla të jenë sa më të shpeshta dhe që ky publik kaq artdashës të jetë në kontakt me artin e lirë”.

Ani pse ky vend nuk kishte pasur rastin asnjëherë të ishte nikoqir i Filharmonisë së Kosovës, komunikimi me orkestrën rrodhi lehtë e këndshëm. Kur orkestra e dirigjuar nga Hajrullah Syla dhe e udhëhequr nga klarinetisti, Shkumbin Bajraktari, solli në këtë sallë të qytetit më lindor të Kosovës, “Bareshën” e Rexho Mulliqit, publiku interpretoi bashkë me të. Me duartrokitjet melodike dhe në harmoni me orkestrën, publiku ndihmoi në plotësimin e tingujve të kësaj kënge ikonike, sjellë si instrumental.

“Ndjenjë shumë e mirë. Publiku ishte shumë i këndshëm dhe e priti shumë mirë koncertin. Gjithmonë është ajo frika se si do ta presin koncertin qytetarët e vendeve ku orkestra nuk ka interpretuar ndonjëherë, nëse do ta shijojnë dhe a do ta mirëpresim përzgjedhjen e programit. Por, siç u pa nga duartrokitjet, ata me të vërtetë e shijuan shumë”, ka deklaruar dirigjenti Syla.

Image
Me të nisur tingujt e “Oregonit” të kompozitorit holandez, Jacob De Haan, publiku heshti, tek u përqendrua te lëvizjet e dirigjentes Lirjona Sylejmani, e cila ka udhëhequr Orkestrën Frymore prej mbi tridhjetë anëtarësh (Foto: Arian Mavriqi)

Shkumbin Bajraktari, i cili gjatë “Bareshës” barti barrën kryesore të interpretimit, ka çmuar mikpritjen.

“Ne zakonisht koncertojmë nëpër Prishtinë. Në qytetin e Kamenicës kemi ardhur për të koncetuar dhe jemi habitur me mikpritjen e njerëzve dhe entuziazmin e publikut. Ishte tepër kënaqësi me interpretu këtu. Ne zakonisht kemi problem me salla. Këtu salla ishte pak më shumë për teatër. Sfidat janë sfida por ia vlen ta sakrifikosh vetën për një komunitet që jeton këtu”, është shprehur Bajraktari.

Jo pak emocione ky koncert ka thënë t’i ketë dhuruar Azemine Maliqit. “Ende jam me emocionet e koncertit. Ishte një koncert i jashtëzakonshëm. Mendoj se është një rast historik për Kamenicën sepse me të vërtetë për qytetarët e Kamenicës është kënaqësi ta kenë këtu një institucion kaq të lartë siç është Filharmonia e Kosovës. Mendoj se është një iniciativë shumë e mirë që Filharmonia të jetë prezente në çdo qytet”, ka thënë Maliqi.

Image
Sopranoja Adelina Paloja me këngën e Avni Mulajt, “Agimet shqiptare”, fuqizoi te kamenicasit ndjenjën e të qenët në një sallë të vërtetë koncertesh. Publiku tashmë ka qenë në këmbë (Foto: Arben Llapashtica)

Profesori i muzikës në gjimnazin “Ismail Qemali” në Kamenicë, Arnold Ajvazi, ka thënë se ndihet i privilegjuar.

“Filharmonia e Kosovës na ka vizituar për herë të parë pas 23 vjetësh të themelimit të saj. Ishin pika të shkëlqyera. Ne jemi shumë të kënaqur dhe presim edhe më shumë aktivitete të tilla të artit dhe të kulturës në Kamenicë”, ka thënë ai, ende nën emocionet e mëdha që i kishte dhuruar koncerti.

Koncerti i ”Frymë” i asaj që është titulluar “Filharmonia në lëvizje” do të vazhdojë rrugëtimin e tij edhe nëpër qytete të tjera, të cilat, sikurse Kamenica, nuk kanë pasur fatin ta mirëpresin ndonjëherë Filharmoninë e Kosovës. Vetëm një ditë pas Kamenicës, “Frymë” vizitoi edhe qytetin e Vitisë.