Kulturë

Filharmonia në 25-vjetor me 50 aktivitete, premiera e koncerte si qiraxhi

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës në koncertin festiv të dhjetorit 2024 (Foto: Arben Llapashtica)

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës në koncertin festiv të dhjetorit 2024 (Foto: Arben Llapashtica)

Filharmonia e Kosovës sivjet numëron 25 vjet prej kur është themeluar si trashëgimtare e Orkestrës Simfonike të atij që ishte Radiotelevizioni i Prishtinës. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka treguar se janari i vitit 2025 do të jetë një muaj me aktivitete të shumta. Kori dhe Orkestra do të fillojnë përgatitjet për vitin 2025 që nga 8 janari. Ndryshe, ky vit ka të planifikuara 50 aktivitete të shtrira në 12 muaj. Premierat e prezantimet jashtë vendit janë po ashtu pjesë e programit të institucionit qiraxhi

Filharmonia e Kosovës synon që këtë vit të jetë adresë e një numri të madh koncertesh të cilat pos anës përmbajtjesore, do të kenë edhe simbolikat e veta. Ky vit përkon me 25-vjetorin e themelimit të institucionit më të latë muzikor në vend. Po ashtu 2025-ta ka edhe një tjetër simbolikë, atë 50-vjetorit të themelimit të Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit të Prishtinës. Realisht kjo Orkestër qe baza e muzikës klasike në Kosovë. 

Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit të Prishtinës, e cila u themelua në vitin 1975, ishte një pikënisje e rëndësishme për institucionalizimin e muzikës simfonike në Kosovë. Krijimi i saj shënoi një epokë të re në promovimin e kulturës muzikore, duke ofruar një platformë për interpretimin dhe krijimin e veprave madhore, si dhe për formimin e brezave të rinj të artistëve. Megjithëse formacione muzikore të karakterit simfonik kanë ekzistuar edhe para këtij viti, konsiderohet se themelimi i orkestrës simbolizoi konsolidimin e muzikës klasike si një komponent thelbësor i identitetit kulturor të vendit.
Filharmonia e Kosovës, si trashëgimtare e drejtpërdrejtë e këtij institucioni, ka vazhduar misionin, duke e zhvilluar dhe pasuruar më tej peizazhin muzikor të vendit. Përgjatë këtyre dy dekadave e gjysmë, Filharmonia është bërë sinonim i cilësisë dhe përkushtimit, duke mbledhur artistët më të spikatur dhe duke prezantuar para publikut kosovar dhe atij ndërkombëtar një repertor të gjerë, që përfshin kryevepra të muzikës klasike dhe bashkëkohore.

Në këtë vit të rëndësishëm, Filharmonia do të kujdeset për të festuar dhe nderuar këtë trashëgimi të pasur nëpërmjet një sërë koncertesh jubilare dhe aktiviteteve që synojnë të rikujtojnë historinë, të afirmojnë të tashmen dhe të frymëzojnë të ardhmen e muzikës klasike në vend. 

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj ka treguar se janari i vitit 2025 do të jetë një muaj me aktivitete të shumta. Kori dhe Orkestra do të fillojnë përgatitjet për vitin 2025 që nga 8 janari. Ndryshe ky vit ka të planifikuara 50 aktivitete të shtrira në 12 muaj. Më 17 dhe 31 janar 2025, Orkestra e Filharmonisë do të mbajë dy koncerte në Atelienë e Pallatit të Rinisë.
“Koncerti i parë do të drejtohet nga dirigjenti italian, Jacopo Sipari di Pescaseroli, i cili do të debutojë me orkestrën, dhe si soliste do të paraqitet violinistja Abigeila Voshtina me interpretimin e Koncertit për violinë nr. 1 të Max Bruch.  Koncerti i dytë, nën drejtimin e dirigjentit Dario Salvi, dirigjenti i parë mysafir për sezonin 2024/2025, do të sjellë yllin botëror të flautit Andrea Griminelli, i cili, përveç interpretimit të Koncertit për flaut nr. 1 të Mozartit, do të performojë edhe me flautisten e njohur kosovare Venera Mehmetagaj-Kajtazi”, ka thënë Selimaj.

Ai ka treguar se shkurti do të sjellë koncertin e përvitshëm të pavarësisë,  koncert i cili do të përfshijë disa vepra premierë. Nën drejtimin e Baki Jasharit, në këtë koncert do të interpretohet vepra “Suitë Ilire” nga Mark Kaçinari, e orkestruar nga Kristë Lekaj, duke shënuar edhe 90-vjetorin e lindjes së kompozitorit Kaçinari. Gjithashtu, në program janë edhe dy premiera të autorëve kosovarë: Koncerti për piano dhe orkestër nga Blond Krasniqi, me solist pianistin nga Maqedonia e Veriut, Shkëlzen Baftijari, dhe kantata “I miri i motrës” për mexosoprano, kor dhe orkestër, me soliste mexosopranon kosovare që jeton në Vjenë, Flaka Gorancin. Gjithashtu pjesë e programit të koncertit të Pavarësisë do të jenë edhe fragmente nga “Krijimi” i Joseph Haydn, me solistët sopranon Kaltrina Miftari, tenorin Rizah Jahaj dhe baritonin Shaban Behramaj. 

“Fundi i shkurtit do ta gjejë Orkestrën me një koncert kryesisht me vepra të kompozitorëve shqiptarë nga Kosova, nën drejtimin e zviceranit Antoine Marguier. Koncerti i 28 shkurtit do të jetë ai që Filharmonia e Kosovës do të prezantohet në sallën e madhe të ‘CasinoBern’, në kryeqytetin e Zvicrës. Aktualisht, Orkestra ka të konfirmuar edhe një koncert në Valeta të Maltës, në fund të tetorit 2025, ndërsa janë në përgatitje prezantime në Sofje e Romë” ka thënë Selimaj. 

Sipas tij, ia vlen të veçohet se pas tre vjetësh, më 19 dhe 20 qershor, do të rikthehet “Carmina Burana” e Carl Orff, me një produksion të ri. Kësaj radhe, kryeveprës do t’i shtohet madhështia përmes bashkëpunimit me Baletin Kombëtar të Kosovës dhe efekteve vizuale që do ta plotësojnë këtë interpretimin. 

“Veprat e Beethovenit do të zënë një vend të rëndësishëm gjatë vitit, kjo edhe për shkak të 255-vjetorit të këtij gjeniu. Përveç rikthimit të Simfonisë së 9-të dhe Fantazisë Korale, një nga koncertet e veçanta do të jetë interpretimi i të gjitha pesë koncerteve që Beethoveni i ka shkruar për orkestër dhe piano brenda një mbrëmjeje koncertale”, ka thënë Selimaj.

Sipas tij, institucioni këtë vit do të bashkëpunojnë me dirigjentë dhe solistë të spikatur. Disa nga dirigjentët që do të bashkëpunojnë me Filharmoninë janë Marco Crispo, Gregory Charette, Jörn Boysen, Marcio da Silva, Aurélien Azan Zielinski, e Peter Valentovič. Kurse solistët e pranishëm do të jenë violinistja Lisa Kerob, violinisti Altin Tafilaj, Maximilian Haft e pianistja Sofya Gulyak.

“Jemi jashtëzakonisht të lumtur që në 25-vjetorin e Filharmonisë së Kosovës, kemi nderin ta sjellim interpretimin premierë në Kosovë të oratoriumit të përmasave të mëdha ‘Homagium Matri Teresiae’ nga kompozitori Mendi Mengjiqi”, ka thënë Selimaj. 

Por tash e gati 25 vjet ky institucion s’ka sallë që plotëson kushtet elementare për prova e as për koncerte. Ka qenë dhe mbetet institucion qiraxhi. Me gjithë shpenzimet, hapësirat që i ofrohen s’kanë kushte për muzikë klasike. E shteti s’ka zgjidhje e as afat për ndonjë zgjidhje, siç ngjan edhe me Baletin Kombëtar të Kosovës e edhe ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, sa ui përket koncerteve.