Kulturë

Filharmonia me vepra që prekin historinë shënon triumfin e çlirimit

Pas më shumë se një muaji e gjysmë punë, dirigjenti Hajrulla Syla qe ai që u dha shenjë anëtarëve të Korit dhe Andi Durakut në piano e Shkumbin Bajraktarit në klarinetë që të nisin interpretimin e veprës “She Weeps over Rahoon”. Me këtë e disa vepra të tjera që ndërlidhin brenda vetes dëshirën e njeriut për të jetuar i lirë i çliruar nga vuajtjet, Kori i Filharmonisë së Kosovës shënoi 21-vjetorin e çlirimit të Kosovës

Nëpërmjet gjashtë veprave, anëtarët e Korit të Filharmonisë së Kosovës, të dielën mbrëma sollën një program triumfues. Në mënyrë artistike kujtuan vuajtjet, maltretimin e përndjekjet që kanë përjetuar popujt e ndryshëm, duke theksuar tendencën e njerëzve për t’u çliruar. Koncerti i titulluar “Atmosphere” u mbajt në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Pas më shumë se një muaji e gjysmë punë, dirigjenti Hajrulla Syla qe ai që u dha shenjë anëtarëve të Korit dhe Andi Durakut në piano e Shkumbin Bajraktarit në klarinetë që të nisin interpretimin e veprës “She Weeps over Rahoon”. Gjysma e anëtarëve të Korit këndojnë në mënyrë të butë gjersa pjesa tjetër pëshpëritin të njëjtin tekst dhe ritëm. Ata nëpërmjet zërave shpalosën dashurinë që ka një vajzë e re për të dashurin e saj të vdekur, e të cilin e vajton nën dritën e hënës dhe shiun e furishëm. Më pas u interpretua vepra “Dark night of the soul” e kompozitorit norvegjez Ola Gjeilo, për të vazhduar me “O lux beata trinitas” të kompozitorit japonez Ko Matsushitës.

Dirigjenti Hajrulla Syla ka thënë se programi lidhet me muajin qershor, kur edhe shënohet çlirimi i qyteteve të ndryshme të Kosovës dhe krejt vendit. Ka shtuar se të gjitha veprat janë pothuajse të ndërlidhura njëra me tjetrën.

“Një program i vështirë, me kërkesa mjaft të mëdha dhe koha gjatë së cilës ne e kemi punuar është diku përafërsisht një muaj e gjysmë. Mirëpo po besoj që kemi arritur t’i sjellim ato vepra deri në pikën ku publiku ta kuptojë veprën. Besoj që një program i tillë në një periudhë kaq të shkurtër merr energji mjaft shumë, prandaj falënderoj të gjithë anëtarët e Korit, solistët dhe bashkëpunëtorët e këtij projekti që e kanë bërë punën më të lehtë”, ka thënë ai.

Kapitulli i vuajtjes së shqiptarëve u përmblodh nëpërmjet veprës “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” të kompozitorit Baki Jashari. Sipas dirigjentit Syla, kjo vepër shërben si një kthim në të kaluarën, për të kujtuar nëpër çfarë ka kaluar ky popull.

Jashari veprën me tekst të Din Mehmetit e kishte kompozuar në vitet 1985-1986 me porosinë e kompozitorit dhe dirigjentit të atëhershëm të Korit të Radiotelevizionit të Prishtinës, Rafet Rudi. Poezia e Mehmetit është mjaft e ngarkuar politikisht dhe flet në mënyrë shumë simbolike për pozitën e popullit shqiptar në ish-Jugosllavi.

“Është një protestë përmes përsëritjes së vargjeve jam i rrahur, jam i ndjekur, ku vazhdimisht përsërit jam pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr duke u munduar që të mos e pranojë realitetin e hidhur të kohës në të cilën ne kemi jetuar, të shtypur nga okupuesi serb”, ka thënë Jashari.

Për herë të parë vepra ishte luajtur në vitin 1988. Recitues atëherë kishte qenë Haxhi Shehu. Që prej asaj kohe pjesë e kësaj vepre si recitues ishin edhe Istref Begolli, Bislim Muçaj, Çun Lajçi, Rikard Ljarja, pastaj edhe artistë me të rinj, si Basri Lushtaku e Shkëlzen Veseli. Të dielën, recitues ishte anëtari i Korit, Shaban Behramaj.

“Është një vepër e cila për shkak të tematikës, por edhe shprehjes është mjaft avangarde për kohën, pasi që në vitin 1986 besoj që shumë pak kompozitorë kosovarë kanë pasur një qasje avangarde në kuptimin e trajtimit të Korit, me harmoni të ngjeshura jo të zakonshme, pastaj me pëshpëritje, zhurma, e britma, klithma të kombinuara me një taban melodik që lidhet me muzikën tonë burimore shqiptare”, ka thënë Jashari. Sipas tij, e gjithë kjo ka bërë që vepra të kërkohet disa herë që të vihet në skenë.

Mbrëmja vazhdoi me interpretimin e veprës “Curse Upon Iron” të kompozitorit nga Estonia, Veljo Tormis. E koncerti përfundoi me veprën “We can mend the sky” të kompozitorit amerikan, Jake Runestad. Një përshkrim muzikor i udhëtimit të një emigranteje dhe një pohim i shpresës, ndërsa të gjithë përqafojnë diversitetin rreth tyre. Një vepër që i ka të gjitha brenda vetes, konfliktin, zgjidhjen, tmerrin dhe bukurinë.

Sipas Jasharit, ishte një program që ka kërkuar mjaft mund, përqendrim dhe shprehje stilistike të ndryshme, pasi që veprat janë diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën.

“Por të gjitha e kanë një mesazh që flet për tendencat e njeriut për t’u çliruar, dhe ne kemi menduar pasi që ka qenë së fundi Dita e çlirimit edhe Filharmonia të inkuadrohet artistikisht në shënimin e kësaj dite”, ka thënë ai.

Për veprën e fundit soliste ishte sopranoja Adelina Paloja. Ajo erdhi me një butësi në interpretim, një paraqitje më ndryshe për nga ana teknike. Paloja ka thënë se përmes interpretimit të saj ka dashur që t’i përshtatet historikut të veprës.

Motra e kompozitorit kishte ligjëruar në një shkollë që kishte për qëllim ofrimin e një ambienti të sigurt për imigrantë nga Afrika Lindore, veçanërisht Somalia. Shumë nga këta nxënës kishin shkuar në Amerikë për t’i ikur luftës së dhunshme civile, që nisi në Somali në vitin 1991. Kompozitori kishte dashur që të tregonte rrëfimin e tyre nëpërmjet muzikës dhe i kishte kërkuar motrës së tij që ajo t’u kërkonte nxënësve që të shkruanin nga një poezi. Në të ata treguan për eksperiencën e tyre, lënien e shtëpisë dhe ardhjen në SHBA. Kompozitori kishte pranuar mbi 100 poezi dhe kishte përzgjedhur atë të 14-vjeçares, Warda Mohamed.

“Në pjesën e parë unë paraqitem me një zymtësi dhe kjo tregon pak a shumë sfidat, vuajtjet, urinë e të gjitha ato që përballen edhe sot në shumë vende në botë, ndërsa në pjesën e dytë është ringjallja e shpresës përmes tingujve dhe vargjeve, duke shpresuar dhe triumfuar së bashku”, ka thënë Paloja.

Kori të njëjtin koncert e interpretoi edhe të hënën në Prizren, në “Lumbardh”, prej orës 19:00. Koncerti i radhës i Filharmonisë së Kosovës do të jetë më 27 qershor, në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.