Gala-koncerti i drejtuar nga mjeshtri Dario Salvi ka nisur me uverturën e operetës “Nanon” të austriakut Richard Genée. Solistët e teatrove me nam ia kanë shtuar sharmin koncertit festiv të Filharmonisë së Kosovës. Ndonëse për një moment të tillë të veçantë u zhvendos në një sallë private nja dhjetë kilometra larg kryeqytetit, salla përplot ka qenë imazhi i koncerteve të zhvilluara gjatë gjithë vitit
Ka disa elemente kyçe në koncertet e fundvitit të një institucioni shtetëror të muzikës klasike. Me program të përzgjedhur që transmeton traditën e festës e profesionalizmin e Orkestrës, të ftuar specialë bashkë me spektakël në skenë, Filharmonia e Kosovës ka sjellë elegancën e atmosferën e hareshme. Por këtë i duhet patjetër ta bëjë në një sallë private. Aty është zbërthyer fryma festive.
Institucionet e muzikës klasike nëpër botë e kanë zakon që publikut për festë t’i ofrojnë program të pasur me plot momente harmonike e ritme që sjellin ngrohtësi. E tillë ka qenë “dhurata” e fundvitit e Filharmonisë së Kosovës për publikun e saj besnik. Si një lloj shpërblimi edhe për besnikërinë e tyre në aktivitetet e gjatë gjithë vitit.
Ndonëse për një moment të tillë të veçantë u zhvendos në një sallë private nja dhjetë kilometra larg kryeqytetit, salla përplot ka qenë imazhi i koncerteve të zhvilluara gjatë gjithë vitit. Madje jo veç në qendër të shtetit, por edhe kur institucioni shtetëror i muzikës ka zbarkuar në qytetet e Kosovës, ai ka interpretuar jashtë saj. E koncerti i fundvitit ka qenë një lloj kurorëzimi i krejt këtij rrëfimi.
Edhe me krejt kapacitetet e një salle private, prapë nuk është e përmasave të mjaftueshme për formacionet që Filharmonia sjell në të tilla ngjarje. Institucioni le që nuk gjen dot një sallë të përshtatshme për koncerte, por qartë publiku kupton që kushtet ideale nuk ia plotëson as salla private. I duhet të “tkurrë” formacionin për të krijuar hapësirë për solistët e tjerë që sjellin pikat e tyre solistike. Këta të fundit, pas koncertit kanë konsideruar se ndriçimi e loja me drita nuk u është përshtatur aspak në interpretimin e tyre.
Gala-koncerti i drejtuar nga mjeshtri Dario Salvi ka nisur me uverturën e operetës “Nanon” të austriakut Richard Genée. Vjen si paralajmërim i një fryme festive me vepër harmonike. Menjëherë pas saj janë ftuar solistët e parë të koncertit në veprën “Tales from the Vienna Woods (Waltz), op.325” nga Johan Strauss II. Me tinguj të kitarës e kanë veshur Elvis e Gjulian Bytyqi.
Loja harmonike e harqeve i paraprin asaj solo të kitaristëve. Është komunikim minimal i tyre ku luajnë pa ndërhyrjen e instrumenteve tjera. Dy kitarat nuk bashkëveprojnë me orkestrën. Pjesa e tyre solistike është e shkurtër. Kur ndërhyjnë për të dytën herë pas një serie të gjatë tingujsh të orkestrës, janë si mbivendosje në melodinë e zgjatur të harkorëve. Marshi “Fra Bombarda” nga opereta “Whitsuntide in Florence” e Alphons Czibulka që është interpretuar në vijim, ka qenë pjesë solemne.
Diçka më e veçantë se zakonisht kanë qenë solistët balerinë, performanca e të cilëve është përcjellë me muzikë nga orkestra. “Valle ruse” nga baleti “Liqeni i Mjellmave” e Tchaikovskyt ka performuar balerini Toni Candeloro pjesën me koreografi nga italiani Michel Fokine.
Toni Candeloro, koreograf e balerin, një prej emrave kryesorë në fushën e vallëzimit në Itali, ka thënë se për të është më se e rëndësishme që përgjatë karrierës së tij të gjatë të bëjë gjëra të reja. E rëndësishme sikurse ftesa e Filharmonisë së Kosovës.
I vlerëson përpjekjet e institucioneve kulturore, përkundër mungesës së infrastrukturës.
“Kjo ftesë për mua ka qenë shumë e rëndësishme sepse ajo që ju bëni këtu është e mahnitshme. E bëni teatër një vend që nuk është teatër, por sonte ishte shumë më shumë. Kam ardhur këtu fillimisht, sepse më pëlqen kultura dhe thjeshtësia e saj. Kam qenë këtu për një javë, kam qenë jo vetëm për një natë të shfaqjes sepse doja të ndjeja njerëzit, artistët, qytetin. Për mua kjo është jetë, jo punë. Puna është jetë për mua, jo vetëm shfaqja në skenë. Vallëzimi është jetë për mua”, ka thënë ai.
Nën tingujt e violinës së koncertmjeshtrit të Filharmonisë së Kosovës, Visar Kuçi, ka ilustruar lëvizjet e balerinit që luan një pjesë tejet atraktive. Në ritëm minimal përfshihen harkorët me tingujt e tërheqjes së harqeve që e veshin edhe performancën e balerinit italian me një lloj humoreske.
Candeloro e ka vënë theksin në atë se si performancat e baletit klasik bazohen jo vetëm në vallëzim, por edhe në aktrim.
“Në këtë rast nuk duhet të jesh vetëm valltar, por të aktrosh e të vallëzosh së bashku - ‘danzatore’ siç themi në italisht. Mendoj se duhej të vija në Prishtinë në këtë pjesë pasi për publikun këtu mund të jetë e re. Për mua ka qenë repertor i vështirë, sepse gjatë gjithë kohës duhet të jetosh në skenë dhe të vdesësh pak. Jo vetëm të hedhësh hapa, por të krijosh mundësi komunikimi. Jo vetëm të bësh ‘pirueta’, është edhe mënyra se si shikon, se si dukesh”, ka thënë ai, derisa shprehet se do të donte të kthehej prapë në Prishtinë për të interpretuar me institucionin të cilin e konsideron “pozitiv e profesional”.
Në “Feuerfest! Polka française, op.269” të Josef Strauss rol të veçantë kanë perkusionet që i japin tingull të veçantë veprës.
Në “The Skaters Waltz, op.183” të Emile Waldteufel, frymorët e hapin veprës me tinguj harmonikë e përrallorë. Dirigjenti Salvi e fton publikun që në sekuenca të veçanta të ndërhyjë me shuplaka. E ka dirigjuar edhe publikun në këtë rast duke e bërë atë pjesë të orkestrës së tij.
Në një mbrëmje të larmishme e përplot figura që interpretojnë përkrah orkestrës, trumbetisti bullgar Peter Makedonski ka interpretuar “Fantazi dhe variacione në ‘Karnavalin e Venecias’” të Jean Batiste Arban. Loja solo është tejet atraktive, e pastër. Kur ajo nis të luajë, kryesisht ilustrohet me tinguj që pak dëgjohen, si në raste kur harkorët vetëm harqet i tërheqin kur trumbeta nis lojën.
Frymë tejet festive ka sjellë “Bahn Frei Polka Schnell, op.45” e Eduard Strauss ndërsa përrallore e magjepsëse ka qenë pjesa “The dying Swan” nga “Carneval of Animals” me balerinën Martina Arduino me koreografi të Michel Fokine. E ka shoqëruar me muzikë me tinguj melankolikë me violonçel e piano. Arduino, primabalerina e “Teatro alla Scala” në Milano me lojën e saj e sjell imazhin e mjellmës pa ekuilibër. Që lufton të qëndrojë në këmbë deri në fund. Por përfundimisht bie.
Arduino e konsideron moment magjik atë të interpretimit të saj në Prishtinë.
“Ishte kënaqësi e madhe të jem këtu dhe energji e madhe nga Orkestra, sepse nganjëherë është një hendek në muzikë. Kjo mbrëmje i pati të gjitha së bashku. Ishte moment magjik dhe për mua, për të parën herë këtu, ishte emocion i madh dhe isha shumë e lumtur në skenë. Do të doja të kthehesha prapë këtu”, ka thënë ajo.
Derisa ka folur për pjesën e saj solistike, e ka konsideruar si “pjesë e veçantë me të cilën mund të shfaqësh emocionet, ndjenjat dhe të shprehësh muzikën jo vetëm me muzikë dhe vallëzim”.
Pjesa e dytë e koncertit po ashtu është hapur me uverturë. Ka qenë ajo nga “A trip to the Moon” e Jacques Offenbach.
Përzgjedhja e programit festiv të fundvitit në fakt shënjohet me valse, polka e muzikë tjetër ritmike që kryesisht është e kompozuar nga familja Strauss. Veçanërisht me muzikën e Johann Strauss II. Muzika është e gjallë dhe festive, që mishëron frymën e festimit. I tillë ka qenë edhe koncerti festiv i Filharmonisë së Kosovës.
Ritme festive ka sjellë edhe “Valsi i perandorit, op.437” e Johan Strauss II në të cilën violinistja franceze Anna Gockel ka interpretuar si soliste sikurse edhe në pjesën tejet atraktive e ritmike “Carmen fantasy, op.25” e Pablo de Sarasate. Sa e bukur aq edhe sfiduese ngjan teknikisht.
Violonistja Gockel ka thënë se ka qenë kënaqësi e madhe interpretimi në skenën me përplot muzikantë që sipas saj, kanë sjellë lojë të mahnitshme dhe ndonëse e gjatë, energjia pozitive në skenë nuk ka munguar për asnjë moment.
“Veprat ishin kërkesë e drejtuesit të Filharmonisë së Kosovë. Mendoj se ishte shumë festive dhe këtë karakter në fakt e shfaqin këto vepra. ‘Carmen Fantasie’ është e bazuar në tema nga opera. Është e shkruar mjaft mirë për violinë dhe është mjaft virtuoze, gjithashtu shumë imagjinare në kuptimin e gjetjes së mënyrave për ta bërë violinën të tingëllojë ndryshe. Kur e pashë gjithë programin, pashë se kishte kuptim kjo përzgjedhje”, ka thënë ajo.
Orkestra më pas ka interpretuar pjesën e njohur “Bártfai emlék csárdás, op.31” të Bela Keler. Me “Valse de Jardinieres” nga baleti “Griseldis”, Martina Arduino dhe Toni Candelero me koreografi të këtij të fundit kanë mrekulluar publikun. I kanë sjellë fragmentet e baletit klasik skenës së cilës i mungojnë këto vepra.
Krejt në fund, orkestra ka interpretuar pjesën e famshme “Vals në Danubin e kaltër, op. 314” të Johan Strauss II dhe “Marshi i Radeckit, op.228” nga Johan Strauss I të cilën mjeshtri skocezo-italian Dario Salvi ia ka lënë në dorë dirigjimin e veprës një violinisteje të re.
Të gjitha koncertet që Salvi ka drejtuar janë mbajtur në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Koncerti festiv i së shtunës mbrëma në “AMC Hall” ka qenë i pari në të cilin ka performuar jashtë ambientit të Ateliesë. Ka thënë se synonin të sillnin diçka më speciale kësaj here, që, pos muzikës, përfshin edhe forma të tjera të artit klasik, si baleti.
“Kjo është ajo që vërtetë në fakt doja. Po flisnim me Dardanin për të bërë diçka më speciale. Sonte ishin tri vepra premierë, tri pjesë muzikore të cilat nuk janë performuar kurrë që nga vitet ’80, ’90. Njëra është uvertura e ‘Nanon’, tjetra është pjesa e Adam dhe tjetra është marshi i Alphons Czibulkas. Pjesa tjetër përfshin vepra nga repertori klasik që për publikun mund të ketë qenë përvojë e re, unike, në stilin e koncerteve festive të Filharmonisë së Vjenës”, ka thënë Salvi.
Sipas tij, kjo ndërthurje e muzikës me balet dhe me prezencë më të madhe të solistëve “duhet të ndodhë më shpesh”. “Është përvojë e mirë për orkestrën dhe audiencë. E ngrit nivelin e programit dhe e bën më të larmishëm”, ka thënë ai. E ka theksuar edhe prezencën e publikut në këto koncerte.
Të ftuarit specialë janë edhe prej atyre që sjellin frymë unike në koncert. Dirigjenti e kompozitori Baki Jashari ka thënë se gjithmonë koncerti i fundvitit duhet të jetë diçka e veçantë. Se Filharmonia e Vjenës është model për të gjitha orkestrat në botë e njësoj edhe për atë shtetërore të Kosovës.
“Të them të drejtën modeli që e ka Filharmonia e Vjenës që transmetohet 1 janar, është udhërrëfyes për të gjitha orkestrat nëpër botë kur vjen puna tek festimi i Vitit të Ri. Andaj edhe programi i Filharmonisë së Kosovës ka qenë në atë drejtim. Kemi pasur ‘polka’ dhe valse të njohura që interpretohen në këto raste. Natyrisht ato pa Strauss-in as nuk mund të imagjinohen. Pos kësaj ajo që e veçon repertorin ka qenë edhe pjesa tjetër e programit me solistë”, ka thënë Jashari.
Magjishëm Filharmonia e Kosovës i ka sjellë publikut gjatë vitit narrativat muzikore nën moton “Çdo notë, një rrëfim” në kushte përherë të njëjta. Pallatit të Rinisë i rikthehet më 17 janar me koncertin e parë të vitit.