Kulturë

Filharmonia me klasikë e rock, vit suksesesh dhe dëshira e kahershme

Me vepra të stileve të ndryshme që janë kontraste me njëra-tjetrën, Filharmonia e Kosovës ka shënuar koncertin festiv. Interaktiviteti me publikun ishte magjia e mbrëmjes. Kapërcimi prej klasikes në rock, detaje me sharmë e jo të zakonshme për një koncert të Filharmonisë, por tamam në atmosferën e festës, kanë qenë disa prej detajeve. Institucioni më i lartë i muzikës në vend ka përmbyllur një vit të suksesshëm, pavarësisht pandemisë, e dëshira mbetet ajo e kahershmja: një sallë koncertale

Me pak muzikë klasike, ngritje duarsh me shenjë rocku, me dirigjent që zuri vend në bateri, instrumentistë që lëviznin si valë deti, shpërthime balonash, e me publikun që mori në duar edhe dirigjimin e orkestrës, u karakterizua koncerti festiv i Filharmonisë së Kosovës. Lojtari më i zjarrtë i mbrëmjes ishte pa dyshim dirigjenti i njohur bullgar Svilen Simeonov. Ai me institucionin kishin përzgjedhur me kujdes edhe veprat, në mënyrë që ato t’i shkonin për shtat konceptit për festimin e Vitit të Ri.

Mbrëmja nisi më “Frühlingsstimmen” dhe “Im Krapfenwald’l” të kompozitorit austriak Johann Strauss, që u bë i njohur veçanërisht për kompozime të lehta, muzikë kryesisht ritmike dhe opereta, për të vazhduar me “A Fifth of Beethoven” e aranzhuar pikërisht nga dirigjenti Simeonov. Erdhi një kompozim që shkon nga disko instrumentali i incizuar nga Walter Murphy në vitin 1976, e këtu nisi edhe animi i koncertit nga ajo që vjen e adaptuar nga muzika klasike.

“Ishte një program jo i zakonshëm, stile të ndryshme, kompozitorë të ndryshëm, muzikë klasike dhe rock dhe pak muzikë braziliane. Shpresoj, në fakt, e pashë reagimin e publikut dhe gjithçka ishte shumë mirë. Ata u kënaqën gjatë koncertit dhe i gjithë programi ishte shumë argëtues”, ka thënë Simeonov.

“We Will Rock You” e “Queen” ishte pa dyshim një nga shkëndijat më të fuqishme të koncertit. “Hajde, të gjithë bëni shenjën e rockut”, thërriste dirigjenti. Ishte ai që ia mësoi publikut edhe sesi t’i akordonin duartrokitjet dhe goditjet me këmbë që të ishin një më lojën e muzikantëve.

Image

Në këtë formë Filharmonia ka festuar bashkë me publikun, me urimin për ditë më të mira (Foto: Arben Llapashtica)


Pas këngës legjendare erdhën përsëri dy aranzhime të Simeonov-it, “Bohemian Rapsody” e Freddy Mercuryt dhe “Smoke on the Water” e grupit të njohur “Deep Purple”, që ishte një nga pionieret e heavy metal dhe hard-rockut modern. Simeonov u ndal për një minutë, u ul te bateritë për t’i dhënë më shumë nuancë rocku të mbrëmjes. Atmosfera e filmave u rikthye te publiku me “Pirates of the Caribbean” të Klaus Badelt. E pas kësaj në dorë dirigjimin e mori për një moment Besa Luzha. Ishte dirigjenti ai që herë pas here i ftonte njerëz në skenë. Kurse kërkesat e tij që duartrokitjet të përshtateshin me tingujt që luheshin ishin të shpeshta.

Pedagogu dhe orkestruesi i njohur ndërkombëtarisht ka edhe një porosi për vitin që vjen.

“U uroj shëndet të gjithë njerëzve në Kosovë, kjo është më e rëndësishmja tani. Sukses dhe shëndet”, ka thënë ai.

Edhe dëshira e violinistit Festim Fanaj shtrihet mes të pasurit shëndet veçanërisht në këtë periudhë të vështirë pandemike, e më pas edhe sukses profesional. Kurse interpretimi i veprës “Schindler’s List” – e kompozitorit John William, e realizuar në vitin 1994 për filmin me të njëjtin titull nën regji të Steven Spielberg – qe diçka vërtet magjike.

Image

“We Will Rock You” e “Queen” ishte pa dyshim një nga shkëndijat me të fuqishme të koncertit. “Hajde, të gjithë bëni shenjën e rockut”, thërriste dirigjenti (Foto: Arben Llapashtica)


“Një eksperiencë e paharruar, diçka krejt më ndryshe sesa si i kemi të zakonshme koncertet e Filharmonisë me repertor me klasike, më klasik dhe më bark. Sonte ka qenë një mishërim i shumë stileve muzikore, shumë muzika të filmave, shumë muzika legjendare të rockut dhe e patë edhe vetë që edhe publiku, por edhe orkestra ka qenë e relaksuar dhe jemi fasionuar me atë energjinë që na ka dhënë dirigjenti”, ka thënë Fanaj.

Mirëpo përveç violinistit, koncerti pati edhe një yll tjetër. Ishte i biri i tij, Princ Fanaj, që mori vëmendjen e dirigjentit në fillim e më pas edhe të publikut. 8-vjeçari ishte veç një nga të pranishmit që u bë pjesë e kësaj eksperience gjithëpërfshirëse.

“Mua më ka pëlqyer vepra që e ka luajtur babi im, dhe të tjera që vijnë me rend si ‘We will rock you’”, ka thënë ai duke treguar se luan në violinë dhe ka dëshirë që të bëhet edhe dirigjent. Parësore thotë ta ketë të bëhet violinist i mirë.

Mbrëmja vazhdoi me “Tico-Tico no Fuba” të brazilianit Zequinha de Abreu me “Marshin turk” të Wolfgang Amadeus Mozart, për t’u kthyer të Johann Strauss me veprat “Auf der Jagd” dhe “Radetzky-Marsch”, që e përmbyllën edhe koncertin.

E sa u përket dëshirave për vitin që vjen, ajo e drejtorit të Filharmonisë së Kosovës mbetet e njëjtë me atë që e ka shprehur tash e 22-vjet: ndërtimi i një salle koncertale.

Image

“U uroj shëndet të gjithë njerëzve në Kosovë, kjo është më e rëndësishmja tani. Sukses dhe shëndet”, ka thënë dirigjenti bullgar Svilen Simeonov (Foto: Arben Llapashtica)


“Për publikun tonë dëshirë do të kishte qenë që koncertet e radhës t’i realizojmë në kushte më të mira. Natyrisht, kjo është një dëshirë që nuk realizohet me shkop magjik, por të gjithë e dimë se fjala magjike është: salla koncertale. Ajo i mungon publikut, i mungon Filharmonisë, tani i mungon besa edhe institucionit të porsaformuar, Operës së Kosovës”, ka thënë ai. Ka treguar se bazuar në situatën me pandemi, ai është jashtëzakonisht i kënaqur me numrin e koncerteve që Filharmonia ka organizuar, pavarësisht sfidave e masave në lidhje me pandeminë.

“Ato vazhdimisht kanë sfiduar planin vjetor të punës. Kemi pasur vazhdimisht që nga fillimi i vitit edhe ndërrime datash, por tani në fund po e shohim se kemi realizuar shumicën e koncerteve të planifikuara, përfshirë edhe koncertin e Viti të Ri”, ka thënë ai.

Koncerti i plotë i së dielës mbrëma do të transmetohet së shpejti edhe në KTV.