Kulturë

Filharmonia me “Frymë” e merr Klinën në lëvizje tingujsh

Në secilin vend që ndalet, “Filharmonia në lëvizje” merr gjithnjë e më tepër kuptim dhe Klina ka qenë qyteti i radhës që ka përjetuar për herë të parë lëvizjen e tingujve. Debutimi i institucionit më të lartë muzikor nuk është vetëm historik, por kapitull që shënohet prej emocioneve të papërjetuara më parë

Se publiku i qyteteve të vogla të Kosovës di të mirëpresë në mënyrë të denjë Filharmoninë e Kosovës, është dëshmuar edhe në Klinë, aty ku Filharmonia e Kosovës u ndal për herë të parë me koncert të mërkurën mbrëma. Shenjat për këtë janë dhënë ende pa nisur koncerti, me duartrokitje të gjata.

Koncerti “Frymë” tashmë ka hapur shumë shtigje të reja, të pashkelura më parë nga Filharmonia. Megjithatë, në Klinë ka dalluar prej atyre të mëhershmeve në Suharekë, Kamenicë apo Viti. Në qendrën e kulturës “Jehona e Dukagjinit”, koncerti u organizua në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Pjesa e parë nisi nën tingujt e famshëm të kolonës zanore të filmit “Piratët e Karaibeve”, dirigjuar prej Lirjona Sylejmanit. Tingujt plot ritëm të kësaj kënge, por edhe ata të “Oregonit” të kompozuar nga holandezi Jacob De Haan, bënë që orkestra të krijonte menjëherë lidhjen e nevojshme midis orkestrës dhe publikut, i cili shpërthente kur dëgjohej i fundit tingull i instrumentit.

Megjithëkëtë, një gjë ishte e dukshme. Ishin këngët shqiptare si “Hapi sytë e zeza moj” e “Pranvera filloi me ardhë”, ato që erdhën rrëmbyeshëm. Nën dirigjimin e Baki Jasharit, orkestra solli frymën autoktone shqiptare e cila i dha një ngjyrim tjetër atmosferës në sallë. Publiku nisi ta mbajë ritmin.

I pranishëm në sallë qe edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili e ka vlerësuar lart bashkëpunimin midis institucioneve të kulturës dhe programit “Filharmonia në lëvizje”.

“Ishte një pritje e jashtëzakonshme. Është një sallë e kulturës, një ambient që sonte u pasurua me një interpretim fascinues të seksionit frymor të Filharmonisë së Kosovës, që është pjesë edhe e programit shtetëror për shënimin e 15-vjetorit të Pavarësisë dhe 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai është pjesë edhe e një angazhimi të ri të institucioneve shtetërore të kulturës dhe Filharmonisë, ‘Filharmonia në lëvizje’ për ta takuar publikun aty ku është dhe në gjithë Kosovën. Sot ishim në Klinë. U ndjeva shumë mirë, sepse nuk ishim në ambientin e zakonshëm siç jemi mësuar në Prishtinë, por këtu në Klinë dhe me një interpretim të jashtëzakonshëm”, ka thënë ministri Çeku.

Koncerti në Klinë dalloi paksa nga qytetet e tjera edhe për shkak të interpretimit të një numri më të madh këngësh. Tingujt u harmonizuan për tjetër atmosferë me këngën e Muharrem Qenës, “O vendi im”, interpretuar mjeshtërisht nga tenori Liridon Sadriu, i cili pak çaste më vonë solli edhe “Për ty atdhe” të kompozitorit shkodran Pjetër Gaci. Frymën atdhetare e mbajti edhe më tutje gjallë sopranoja Adelina Paloja, e cila këndoi vargjet shumë të njohura të poezisë së Ali Podrimjes, “Unë biri yt Kosovë”. Skena e qendrës së kulturës për pak arrinte ta zinte këtë orkestër. Në një interpretim të shkëlqyer i cili solli duartrokitje të pafundme e që bëri që publiku edhe të ngrihej në këmbë, Paloja interpretoi “Agimet shqiptare” që kërkon potencë vokale.

Për interpretimin e parë në qytetin e Klinës dhe rrugëtimin e “Filharmonisë në lëvizje” ka folur edhe drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari.

“Ky ishte kontakti ynë i parë i Filharmonisë së Kosovës me publikun e Klinës. Tashmë janë bërë disa muaj që Filharmonia është duke e zhvilluar një program që e kemi pagëzuar me titull ‘Filharmonia në lëvizje’. Besoj se tashmë është marrë vesh që jemi duke koncertuar nëpër qendra të ndryshme. Deri tash i kemi kaluar qytete si Suhareka, Kamenica, Vitia. Edhe koncerti i sotëm ishte i veçantë, për shkak se publiku ishte tjetër. Natyrisht gjithmonë ekziston dyshimi se a do t’u pëlqejë, vazhdimisht mundohemi të modifikojmë programet tona”, është shprehur ai.

Rrugëtimin nëpër qytete të ndryshme para një publiku qe s’e kanë takuar më parë e ka cilësuar si të jashtëzakonshëm njëra nga dirigjentet e koncertit, Lirjona Sylejmani.

“Po, është jashtëzakonisht kënaqësi për shkak që në Prishtinë sigurisht jemi mësuar të kemi vazhdimisht koncerte dhe në njëfarë mënyre publiku veçse është i mësuar me ne si Filharmoni dhe me programin tonë, kështu që po mundohemi me e përshtat një program që mos me qenë ndoshta shumë i vështirë dhe i pakapshëm për publikun që e dëgjon për herë të parë dhe për këtë arsye po mundohemi të kemi një program sa më të këndshëm. Edhe ne po kënaqemi”, ka thënë ajo e lehtësuar nga emocionet e koncertit.

Sikurse edhe në koncertet e tjera të “Filharmonisë në lëvizje”, mbrëmja u mbyll me interpretimin e “Bareshës” së Rexho Mulliqit, një këngë e cila nuk pushon asnjëherë së befasuari. Përveç dirigjentit Hajrullah Syla, ishte klarinetisti Shkumbin Bajraktari ai që barti barrën kryesore gjatë këtij interpretimi. Interpretimi i “Bareshës” duket sikur një zgjidhje ideale për të marrë me vete publikun, të cilit i duhet pak kohë për t’u tërhequr nga magjia e kësaj kënge.

E tërë kjo eksperiencë kishte qenë e mrekullueshme edhe për qytetarët e Klinës. Një gjë të tillë e ka pohuar edhe kleriku i këtij qyteti, dom Jeton Thaçi.

“Po, ishte një mbrëmje e mirë. Një koncert i mirë i muzikës klasike dhe unë u ndjeva shumë mirë, edhe publiku ka qenë i mirë. Edhe orkestra frymore e Filharmonisë së Kosovës ka qenë e mrekullueshme”, ka thënë ai.

Pas Kamenicës dhe Vitisë, ky ishte koncerti i tretë për këtë vit i “Filharmonisë në lëvizje”. Rrugëtimi do të vazhdojë edhe nëpër qytete të tjera të Kosovë. Në mars do të ndalet në Gjakovë, e në prill në Pejë e Prizren. Maji do ta çojë në Vushtrri e Istog.

{gallery}