Kulturë

Filharmonia feston me mesazhe për paqe e bashkim

Vepra “Hyland” e Joseph Vellas nuk ka qenë e veçantë vetëm për interpretimin e saj premierë, pikërisht në koncertin festiv për Pavarësinë e Kosovës. Ajo harmonizon mesazhe paqeje e bashkimi dhe ky ka qenë mesazhi që e ka përthekuar Filharmonia e Kosovës në koncertin e dirigjuar prej David Hayes

Është bërë traditë që Filharmonia e Kosovës të mbajë koncerte në shënim të festave, por ai për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka synuar reflektimin tek publiku nëpërmjet muzikës. Mesha “Hyland” e kompozitorit maltez Joseph Vella, e interpretuar premierë, ka qenë thirrje për paqe e bashkim midis njerëzve. Shënimi i festës kombëtare u pa si momenti më i përshtatshëm, sidomos kur në skenë ishin bashkë solistët e Filharmonisë së Kosovës e ata të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë.

Orkestra, Kori e solistët sollën ngjyra liturgjike në interpretim nën dirigjimin e amerikanit David Hayes. Sopranoja Adelina Paloja, tenori Klodian Kaçani, altoja Françeska Pjetri, baritoni Erion Sheri, basi Xhieldo Hyseni shpalosën paletën muzikore në koncertin që u mbajt nën patronazhin e veprimtarit e aktivistit Xhim Xhema.

Nuk kanë reshtur hapjet e dyerve të sallës “AMC” në Obiliq të enjten mbrëma. Sa shkonte e ulëset mbusheshin me publikun besnik të Filharmonisë edhe pas kohës së paraparë. Ani pse qe caktuar që koncerti të niste në orën 18:00, tingujt e parë u dëgjuan rreth 40 minuta me vonesë në pritje të presidentes Vjosa Osmani. Pritja ka vazhduar më tej për kryeministrin Albin Kurti, por megjithatë ai nuk ishte i pranishëm. Pos presidentes Osmani, të pranishëm kanë qenë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe ai i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi. Familja e presidentit Ibrahim Rugova dhe përfaqësues të bashkësive fetare i janë bashkuar gjithashtu mesazhit të Filharmonisë.

Testimet e anëtarëve të Orkestrës kanë zgjatur më shumë se zakonisht, tek përziheshin me bisedat e publikut. Paraqitja e radhës ka qenë tejet e kompletuar dhe vetë vepra sikur përcjell mesazhin, është projektuar duke filluar bashkimin e atyre që e përcjellin atë – interpretuesit në skenë. Ka qenë pikërisht “Thirrje për unitet dhe harmoni” nga Opus 150 e kompozitorit Vella që e ka bërë të ditur për publikun që në titull. Vepra për katër korno, timpane dhe orkestër ka përçuar qetësinë nëpërmjet tingullit të lehtë e të pastër.

Interpretimi i “Hyland” nga Opus 130 ka nisur lehtë, me harmoninë e flauteve dhe violinave në njërën anë dhe dinamizmin me tupan. Ka qenë si lundrim mes muzikës e këngës, si rrjedhje tingujsh. Vepra për zë djali soprano, soprano, alt, tenor dhe bas, kor të përzier dhe orkestër ka qenë gërshetim tingujsh të lehtë e kulmues. Tingujt e flauteve kanë përcjellë ata të paqes që kanë qenë paralelë me harkorët. Por qetësinë e ka rrëmbyer tupani që është futur në lojë duke dominuar me tingujt e tij.

Perkusionet kanë qenë prej simbolikave kryesore të formatit të veprës të cilat kanë ngjarë në tinguj kambanash që sa kanë rënë kanë ndërprerë ato të violinave. Me interpretimin e jashtëzakonshëm që ka mbërthyer akustikën e gjithë sallës, solistët kanë hedhur dritë në pjesët: “Entracte”, “A Hymn to God the Father”, “Kyrie”, “Mhux Ghalina I-Bnedmin”, “Gloria”, “Credo”, “Ehre sei Gott in der Hohe”, “Sanctus”, “Benedictus”, “Dentro dal Ciel”, “Agnus Dei”, “Fanfare” e “L’Idee de Dieu”.

Notat e larta në interpretim të solistëve janë përcjellë me muzikën dinamike të Orkestrës në sfond. Tingujt e butë të violinës i kanë paraprirë interpretimit të Korit që ka ngjarë në liturgji, por në të njëjtë kohë mesazhi është përcjellë nëpërmjet vetë interpretimit. Në disa prej pjesëve ka qenë si kronologji e ngritjes së intensitetit që buçet në momentin më kritik të tij, gjë në të cilën ka gjetur mbështetjen e tupanit.

Mjeshtëror ka qenë drejtimi i formacionit në skenë nga dirigjenti amerikan David Hayes për të cilin ka qenë hera e parë të punonte me Filharmoninë e Kosovës, anëtarët e së cilës i ka vlerësuar për potencialin.

“Koncerti ishte i mrekullueshëm, orkestra, kori dhe solistët, të gjithë dhanë gjithë mundësitë e tyre. Ishte kënaqësi të bënim muzikë së bashku. Do të doja të luanim prapë bashkë nëse më ftojnë”, është shprehur Hayes, dirigjent me gamë të gjerë të repertorit që përfshin zhanret simfonike, korale dhe operistike.

Si në orkestral edhe në vokal Hayes është shumë i kërkuar si dirigjent. Angazhimet e tij të fundit përfshijnë masterklasa të dirigjimit orkestral në Konservatorin e Muzikës në Shangai, në Itali e në Spanjë. Ka drejtuar orkestrën “Mannes” në nëntor 2019 me yllin e operës Anthony Roth Costanzo në Muzeun e Brooklyn. Hayes ka drejtuar edhe shfaqjet-gala të 90-vjetorit të “Martha Graham Dance Company” në New York në prill 2016 dhe ka vazhduar të bashkëpunojë me të duke performuar me ta dy herë në vit.

Ka qenë edhe drejtues fakulteti për disa vjet në Akademinë vjetore të dirigjimit të “Chorus Amerika”, një program koral/orkestral njëjavor në Universitetin e Michiganit. Për Hayes, dirigjimi në vepra që përcjellin mesazhe bashkimi mes njerëzve sot është kënaqësi dhe më se i nevojshëm. “Vepra ishte e kompozuar 10 vjet më parë. Zotëri Christopher Hyland e ka porositur nga kompozitori Joseph Vella. Është vepër që ka të bëjë me paqen dhe bashkimin e njerëzve. Është kombinim i teksteve të ndryshme, poezive dhe gjërave të tjera që përfshihen. Ideja ishte të reflektonim në humanitet, paqen mes njerëzve dhe ky ishte mesazhi qe deshëm të përcillnim në 15-vjetorin e Pavarësisë”, është shprehur ai.

Interpretimi i altos Françeska Pjetri ka qenë emocional në fillim e me interpretim të Korit është kthyer në harmonik. Atyre u janë bashkuar gjithë solistët e zëri i sopranos Adelina Paloja dhe tenorit Klodian Kaçanit ka dominuar. Paloja e ka quajtur veprën si premierë historike dhe delikate për në lojë.

“Një premierë do të thosha historike, sepse vetë historia e saj është e tillë duke ngërthyer më vete edhe njerëz që kanë kontribuar për historinë e Kosovës. Edhe vepra si e tillë promovon paqe nëpër botë. Një vepër shumë delikate dhe e shkruar në mënyrë moderne, jo e lehtë teknikisht për ta interpretuar, por e mora me shumë kënaqësi dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme emocionale e profesionale. E mora me kënaqësi detyrën, andaj emocioni është i jashtëzakonshëm”, është shprehur ajo.

I pranishëm ka qenë filantropisti Christopher Hyland që e kishte porositur veprën, prej të cilit edhe është emërtuar.

“Gjatë këtyre katër ditëve të fundit është bërë punë e jashtëzakonshme për këtë manifestim të përvjetorit të 15-të të Pavarësisë së Kosovës. Le të festojmë diçka që unë e kam kërkuar në një formë modeste në këtë ditë historike”, është shprehur Hyland para të pranishmëve.

Kori shpesh ka përcjellë versionin e kënduar nga solistët derisa tingujt e perkusioneve kanë qenë të depërtueshëm dhe tejet të theksuar, ani pse tejet të lehtë. Ato sa kanë shkuar janë bërë më të shpeshta, i tupanit më dinamik, e kënga e Korit më intensive.

Tenori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, Klodian Kaçani, është shprehur i nderuar të interpretonte në koncertin me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë. Ka qenë hera e parë për të të ndajë skenën bashkë me Filharmoninë e Kosovës.

“Jam i nderuar që jam pjesë e kësaj feste të Pavarësisë. Ishte mbrëmje fantastike duke prezantuar për herë të parë në Kosovë meshën ‘Hyland’. Jam i lumtur që Kosova po afrohet më shumë me Operën, me muzikën klasike, shpresoj që sa më parë të bëhet teatri i operës dhe të kemi një skenë dinjitoze për gjithë artistët e Kosovës”, ka thënë tenori Kaçani.

Në interpretim të pjesës “L’Idee de Dieu” ka interpretuar në frëngjisht në zë soprano djalë, Nard Gllavurda me vokal të lehtë e të butë.

“Kam mbetur pa emocione dhe kam imagjinuar që nuk ka asnjë njeri që të mos kem emocione. Do të doja prapë të interpretoja me Filharmoninë e Kosovës”, është shprehur Gllavurda.

Paraditen e së shtunës (sot), në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të mbahet koncerti i Filharmonisë në drejtim të Gridi Krajës me vepra shqiptare e botërore. Salla e seancave plenare e Kuvendit të Kosovës do të jetë skena e radhës për Filharmoninë, e më 22 shkurt do të zbarkojë për herë të parë në Klinë në kuadër të programit “Filharmonia në lëvizje”.

Image
Interpretimi i “Hyland” nën dirigjimin e David Hayes ka nisur lehtë, me harmoninë e flauteve dhe violinave në njërën anë dhe dinamizmin me tupan. Ka qenë si lundrim mes muzikës e këngës, si rrjedhje tingujsh...