Kulturë

Filharmonia e Kosovës në Portugali me vepra vendore e mesazhe paqeje

Koncerti i parë do të mbahet në kompleksin më të madh kulturor në Portugali, në qendrën kulturore “Belém” në Lisbonë, e cila ka një sipërfaqe prej 140 mijë metrash katrorë. Krejt kjo është bërë në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Portugali, e cila këtë javë organizon edhe Javën Kulturore të Kosovës në shtetin që gjendet në Gadishullin Iberik. Më pas Filharmonia do të interpretojë në Katedralen ikonike të Bragasit, duke shpalosur vepra vendore e ndërkombëtare që bashkohen në rrëfime historike e mesazhe paqeje

Në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës e në kuadër të Javës Kulturore të Kosovës, institucioni më i lartë muzikor në vend do të paraqitet në Portugali. Me vepra vendore e aso të një prej kompozitorëve me nam që prek edhe historinë e shtetit më të ri në Evropë, Filharmonia do të ketë dy koncerte. Të parin në Lisbonë e tjetrin në Braga.

Nën dirigjimin e Baki Jasharit, Orkestra e Kori kanë bërë prova intensive kohëve të fundit. Shpesh aty ka qenë edhe kompozitori Valton Beqiri, vepra e të cilit, “Rrugëtimi” është në program. KOHA ka qenë në prova për të parë nga afër përgatitjet për koncertin që do të mbahen sot (e hënë) në Lisbonë e dy ditë më pas në Braga.

Koncerti i parë do të mbahet në kompleksin më të madh kulturor në Portugali, në qendrën kulturore “Belém”, e cila ka një sipërfaqe prej 140 mijë metrash katrorë. Krejt kjo është bërë në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Portugali, e cila këtë javë organizon edhe Javën Kulturore të Kosovës në shtetin që gjendet në Gadishullin Iberik.

“Ky është një projekt ndër më të mëdhenjtë që ka organizuar Filharmonia e Kosovës viteve të fundit falë angazhimit të Ambasadës së Kosovës në Portugali. Me rastin e fillimit të Javës së Kulturës së Kosovës në Portugali dhe njëkohësisht shënimit të pesëmbëdhjetë-vjetorit të Pavarësisë kemi ardhur deri te ky projekt i madh kulturor. Këtu është e përfshirë e tërë Filharmonia me kapacitetin e saj performues, me orkestrën e madhe simfonike dhe me korin”, ka thënë drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari.

Skena ku do të performojë Filharmonia e Kosovës dallon pakrahasimisht me Atelenë e Pallatit të Rinisë, ku janë mbajtur provat. Një gjë e tillë e bën edhe më emocionues rrugëtimin drejt Portugalisë.

“Salla është një ndër më të mëdhatë në Lisbonë. Ka diku 1200 deri në 1400 ulëse. Pra, është një sallë impozante. Ne për herë të parë po shkojmë në Portugali dhe është e panjohur për ne. Përgatitjet dhe kontaktet janë të përditshme. Jemi disa orë para nisjes për atje dhe jemi shumë kuriozë të takohemi dhe të shikojmë”, ka thënë Jashari. Sipas tij, janë të bindur se ajo sallë e ka akustikën e duhur, meqë atje performojnë orkestra të njohura botërore.

Për koncertin është përgatitur një program i larmishëm e i ngjeshur, i cili i shkon për shtat madhështisë së sallës ku do të zhvillohet ngjarja. Në nder të njëqindvjetorit të lindjes së kompozitorit të shquar shqiptar Rexho Mulliqi, koncerti do të nisë me “Bareshën”.

“Së bashku do të prezantojmë një program interesant për publikun portugez. Meqë ka rastisur që këtë vit është edhe njëqindvjetori i lindjes së kompozitorit tonë të madh Rexho Mulliqi, kemi vendosur që koncertin ta fillojmë me veprën emblematike, më të njohur të tij ‘Baresha’ në versionin e orkestrës simfonike”, ka bërë të ditur Jashari.

Për të kënaqur publikun vendas, Filharmonia e Kosovës do të performojë edhe një këngë nga folklori portugez, ndërsa e plotë do të performohet vepra “Rrugëtimi” e kompozitorit Valton Beqiri.

“Pastaj do të kemi një këngë portugeze me propozim dhe dëshirë të nikoqirëve atje. Pra, t’i bashkëngjitemi edhe folklorit atje. Do të jetë shumë interesante. Do të këndojë një portugeze me ne si shenjë falënderimi dhe bashkëpunimi të ndërsjellë. Për të vazhduar pastaj me programin mjaft ambicioz, me kantatët për kor dhe orkestër të kompozitorit tonë të njohur Valton Beqiri të titulluar “Rrugëtimi”, e cila në tërësi i ka gjashtë kohë”, ka shpjeguar Jashari, i cili gjithashtu do të dirigjojë disa pjesë të programit.

Përmes “Rrugëtimit”, Filharmonia do të rrëfejë historinë e popullit shqiptar. Autori i veprës, Valton Beqiri, ka thënë se për shkak të natyrës së saj, ajo kërkon punë dhe numër më të madh anëtarësh.

“Realisht kantata ‘Rrugëtimi’ do të jetë pjesë e koncertit dhe ajo në vete përfaqëson jo vetëm historikun muzikor të shqiptarëve, por ngërthen edhe periudha të ndryshme të historisë sonë kombëtare duke filluar nga Skënderbeu, rilindësit, lufta konstante e popullit shqiptar për liri, nga liria, pavarësia. Pra, të gjitha këto elemente historike janë të gërshetuara në këtë vepër. Është vepër vokalo-instrumentale. Natyrisht, pak më kërkuese edhe për shkak të provave dhe për shkak të volumit të madh të njerëzve të cilët performojnë”, ka shpjeguar Beqiri teksa ka shtuar se beson që me këtë historik muzikor, Filharmonia do të përfaqësojë denjësisht vlerat e muzikës shqipe.

Por programi i planifikuar për koncertin në Lisbonë ka edhe më. Për t’i dhënë edhe më shumë ngjyrë, trupa e Filharmonisë do të performojë diçka edhe nga muzika e huaj. Në mënyrë simbolike është përzgjedhur kompozitori Karl Jenkins dhe vepra e tij kushtuar Kosovës, “Njeriu me armë: Meshë për paqe”. Do të luhet një pjesë e kësaj vepre ikonike.

“Koncerti do të përfundojë me veprën po ashtu mjaft të njohur dhe mjaft të interpretuar nga Filharmonia, ‘Njeriu me armë: Meshë për paqe” të kompozitorit Karl Jenkins. Vepër e cila dihet se është shkruar në vitin 1999 dhe u është dedikuar viktimave të luftës së fundit në Kosovë”, ka shpjeguar Jashari.

Pas koncertit në Lisbonë, Filharmonia e Kosovës do të udhëtojë për në qytetin verior të Portugalisë, Braga. Në qytetin e njohur veçmas për trashëgiminë kulturore e religjioze, Filharmonia e Kosovës do të mbajë koncertin e njëjtë në Katedralen e qytetit. Koncerti do të mbahet në mbrëmjen e 22 marsit.

“Meqë ky është një udhëtim jo edhe i lehtë dhe mjaft i kushtueshëm, në bashkëpunim me Ambasadën tonë dhe me ambasadorin Ylber Kryeziu - të cilin e falënderoj shumë - kemi arritur të planifikojmë një koncert të dytë edhe në qytetin Braga, diku 350 km larg Lisbonës. Atje do të performojmë në një katedrale të madhe e cila ndodhet në qendër të qytetit”, ka bërë të ditur Jashari.

Për violinistin Festim Fanaj ky koncert shërben edhe si mundësi e mirë për t’i promovuar kulturën dhe muzikën e Kosovës.

“Besoj se është një shtesë për Filharmoninë dhe për anëtarët që në të ardhmen të kenë motiv më të madh për profesionalizëm, sepse në këtë mënyrë e përfaqësojmë edhe shtetin e Kosovës, kulturën tonë dhe i tregojmë botës që edhe ne dimë dhe mundemi të luajmë muzikë botërore, posaçërisht edhe me muzikën tonë të cilët do ta prezantojmë atje. Kështu që është një pasqyrë e bukur për shtetin tonë dhe shpresoj të kemi edhe të tjera koncerte të tilla jashtë Kosovës”, ka thënë ai.

Pandemia ka bërë që Filharmonia të qëndrojë në vend e rajon për një kohë të gjatë. Më 2019 institucioni kishte interpretuar në Paris me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës. Nëpërmjet veprës së Karl Jenkinsit, atje Kosova kishte dërguar mesazhe paqeje.

Image